
Sa shpesh, sa shpesh më kthen te kohë e shkuar
Një trill i largët, ëndërr dhe zhgënjim
Dhe befas qeshen sytë e saj të shkruar
Tek shkel mbi plagë në ikjen e pakthim
E ndiqnin pas djelmoshat ëndërrtarë
Ndonjë kodosh i qepej hap më hap
Ajo sajdiste shtatin si lastar
Aromë prilli ndante rreth e qark
Nga njëra gojë te tjetra, si balsami
Ja mbanin emërin, trëndafil në buzë
Askush s’e ndali. Ndalet vallë tufani?!
Andaj në heshtje digjeshim si shpuzë
Se s’donim të thërrmohej si kristali
Të mbetej fshati pa statujë, pa fat
Nga lart dëborë e mjergull hidhte mali
Ajo me sytë nga udha, iku larg
E grishte vajzën rendja drejt qytetit
Asfaltin donte, gjindjen që zhurmon
Ne mbajtëm baltën, ëndrrat na u tretën
Ajo sërish mendimet na trazon!
Comments