top of page

Mihal Gjergji: SARAJET



 

Tek varret e Gumene

As paqja s’gjen dot paqe

Nuk rriten luledele

As çelen manushaqe

 

Nga tempujt që ndërtuan

Bekimet s’di ku sosën

Sarajet u rrënuan

Dhe trimat u varrosën

 

Eh, simfoni trishtimi

Si kuje më ndjek prapa

Me ngjyra pikëllimi

Nuk mund të luaj harpa

 

Karvan i Grebenesë

Ç’tabute sjell ngarkuar?

Mbi besën e pabesë

Kaini rend shaluar

 

Vezikua brenda gjirit

Tri vdekje bashkë i mbante

Si shpuza brenda hirit

Nuk dinte kë të qante!

 

U shua Trëndafilja

Dhe shkoi pas të birit

Ç’mallkim pati pikuar

(Feniks që lind prej hirit!)

 

Për Nasen, Refo-korba

Në ç’lumë të zi të hidhej

Dhe kulla si kaike

Nga ulërimat dridhej

 

Për jetët që këputen

As Shuri s’flet, as Qarri

Misteret thellë futen

I merr me vete varri

 

Kam frikë se nënat presin

T’u hyjnë djemtë brënda

Ah, histori katilësh

Që mos t’u ndaftë nëma!

 

Tiranë, Maj 2016

21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page