top of page

Mihal Gjergji: PEMA E THARË



 

Opingat i veshi për rrugën e gjatë

Bastuni trokiste trak-truk nëpër natë

 

Kish mbetur i vetëm, i lodhur, i mjerë

As hijet nuk shkonin t'i hynin në derë

 

Rrëkezën e gjakut po ndiqte nga pas

Trishtimi dhe malli i ngrinin tallaz

 

Ku humbën, ku shkuan, për kë të bëj lutje?

E pyeste veten dhe ecte më tutje...

 

Vëllain penguar ia mbante një 'Zanë'

Ç'provonte i ngrati, parajs' a hapsanë?

 

Po motrat, ah, motrat, ç'rrufe i kish vrarë?

Në ëndër s'kujtohej se cilën kish parë

 

As nipër, as mbesa, as miq e as shokë

U sosën nga vdekja apo mbetën trok'?

 

Dhe dajo-veqili, lahutës i binte

Lavdinë e rrënuar kërkonte të ngrinte

 

Veç nënën degjoi kur qyqja këndonte

Meraku i saj çdo hap ia përgjonte

 

U lodh edhe ndali, bastunin mbështeti

Kur ndjeu një zë,- i tha, jam profeti.

 

-E vratë dashurinë që jepte bekimin

Kërkuat shpërblime dhe morët mallkimin

 

Në pemën e gjakut si krimbi ka hyrë

Urrejtja - e thau dhe vret pa mëshirë

 

Jo rrugët, po zemrën kërko, o njeri

Se pema që thahet nuk çel përsëri...!

Tiranë, Shtator 2016

10 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page