top of page

Mihal Gjergji: OH, ATA SY!



(Ramize Gjebresë)

 

Dy sy të trishtë më lënë pa gjumë

S'e di ç'orbitë i sjell drejt meje

Dhe ankthi derdhet, bëhet lumë

Nxitoj të kapem pas një reje

 

Të jetë një zanë? Lastar i prerë!

Qefin i bardhë mbështjellë rreth kokës

Tek brezi mban një revolver

Në gji, shkretimin e gjithë botës

 

Në këmbë, oh, këmbët qënkan tharë

Murlan e ngricë i ka mburojë

Mes dhëmbve dhimbjen bën ta mbajë

Po shpirti klith nën një rrënojë:

 

-Në një kapotë vendosëm kryet

Me një nga shokët partizanë

Qirinj të tretur ngjanin yjet

Përgjonin hijet nga çdo anë

 

Pastaj...me vdekjen na martuan

E kishim zotin dëshmitar

Dhe hënën s'di se ku e zbuan

Besoj e varën në litar...

 

Oh, ata sy, ku fle trishtimi

Dhe nxin’ një dimër i pafund

Një vajzë që pret më kot shpagimin

Më kap prej supesh dhe më shkund!

 

 

Tiranë, Gusht 2017

24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page