Mbështeta kokën në dremitje
Më bëri vend një mal i sertë
Dhe ja, furtunë shqiponjash ngjitet
Tjetër taborr me shqipe zbret
Korije lisash mbi humbella
E shkundin dhimbjen hon më hon
Qendroj mes grykave të thella
Këndoj një këngë me zogun Gjon!
Dhe hesht, dhe pres, nuk di sa shekuj
(Me fjalët-"si flori në kartë"!)
I ndjeni zërat? S’qënkan tretur
Që nga nëntoka ngjiten lart!
Pa mbani vesh! Një kal balade
Nuk di kë sjell, a kë do marrë
Nga gjaku skuqen jataganët
Për ku nxiton, o kordhëtar?
Një grusht me dhe, një gur në ngjitje
Kjo plagë e ikjes, sa më dhëmb (!)
Shikoj shqiponjat, rrinë në pritje
Dhe bëjnë roje shkëmb më shkëmb!
Janinë, Tetor 2019.
Commentaires