top of page

Mihal Gjergji: NË PRANVERËN E ËNDRRAVE



 

Aidini sot ka ditelindjen. Kornizat e urimit janë të ngushta, pa frymëmarrje. Pastaj, mua s'më kanë pëlqyer kufizimet. Asnjëherë. Si mund ta urojmë me fjalë të kursyera këtë djalosh te zgjedhur, shembelltyrë e atyre kurveleshasve që suleshin drejt rrezikut si rrufeja! Edhe ju mendoni të njëjtën gjë, apo jo? E di, urimit tim do t'i bashkangjiten edhe fjalët tuaja të zemrës, sepse fëmijët tanë i përkasin të njëjtës kohë, të njëjtit brez, mbajnë të njëjtat halle mbi shpinë.

 

I dashur Dini!

 

Ti je në stinën e mbjelljeve. Zgjidhi farërat që kultivon. Ata që do vijnë mbas teje, të kenë ç'të korrin. Paç fat! Ti je në pranverën e ëndrrave. Uroj që t'i realizosh ato, mbase edhe për njerëzit e tu të gjakut, që s'mundën. Sierra Nevada, mali i Alaskës, apo lartësi të tjera të Amerikës, për sytë e shpirtit tonë, s'krahasohen me madhështinë e peisazheve shqiptare. Ti e ndjek rregullisht fluturimin e shqiponjës te flamuri ynë kombëtar. Dhe kjo më bën entuziast. Por, brenda vetes, ushqeje nderimin per djepin që të perkundi. Fëmijët lumturohen në prehrin e prindërve, ndërsa këta të fundit, në pleqërinë e tyre kërkojnë strehë tek sytë e fëmijëve. Dhe kur e gjejnë atë, atëherë besojnë që bota është e sigurt. Prandaj, ktheje kokën mbrapa, mos e harro simbolin tonë të lartësisë - Këndrevicën e bukur. Hija e këtij mali shpatullgjerë, nga jugu zbret deri në Janinë, nga veriu deri në rrjedhën e Shkumbinit. Era jonë e sertë, le të zgjohet te palat e fustanellës. Jo më kot trashëgojmë emrat stergjyshorë, për të shpetuar kujtesen nga vdekja e sigurt.

Le të ruajme atëherë edhe traditat tona aq te vyera. Ti, sapo ke filluar të ngjitesh. E ç'janë 25 vite jetë? Do më pëlqente t'i quaja 25 kupa uji nga burimi i kristaltë i Vrutkës në vendlindjen tënde. Zoti ka bërë një ndarje interesante: shtatshkurtrit sikur ndihmojnë planetin në gravitacionin e tij, mandej, ikin nga kjo jetë me një barrë të rëndë mendimi, ndërsa shtatlartët, për t'i parë gjërat nga sipër, mbase më mirë dhe më shumë nga të parët, por jo për të qënë gjyqtarë. Këtë mision e kryen vetëm Ai, Mëshirëmadhi. Paç bekimin e tij dhe të prindërve, që të çmojnë aq shumë. Jetofsh dhe gëzofsh! Lum ata që dinë të dëgjojnë! S'të sygjeroj të heshtësh deri sa durimi yt të thinjet, as të bëhesh rojtar i fjalës tënde, por të ngulmosh në rrugën plotë dritë të dijes, sikurse ke filluar të ecësh. Vlerat tona, si komb e si popull jane të varrosura në arkiva. Sa mirë që jeton në vendin e lirive! (Në Shqipëri edhe ullinjtë sharrohen nga plumbat dhe përzhiten nga flakët. Pëllumbat s'gjejnë vend për tu ulur!). Burgu i frikshem dhe hijerëndë i Alkatrazit, është shume i vogel per te mbajtur brenda dhimbjen tone. Kontinenti yne i mplakur, ngjason me nje portokalle, te cilës i ka mbetur vetem lëvorja, ndërsa brenda është mbarsur me urrejtje; per kombin, per gjuhen, per rracën, per kulturen... Për ne, që Evropes i kemi ushqyer shpirtin, mendimin dhe qëndresën, ngrihen bariera, para te cilave ndjehemi te huaj dhe të largët. Para disa ditësh, një poezi e qëndisur me fijet e ndritshme të mallit, nga xhaxhai yt, Halua, më ktheu mbrapa në kohë, në vitet e largëta te fëmijërisë:

"Dua të marr atë gurin

Që më vrau gishtin e këmbës

Tek ai janë arsitjet e babës

Atje do të puth-puthjen e mëmës!"

Sa e rëndësishme është të dëgjosh thirrjen e gjakut. Lisi i stërlashtë i rracës tonë vitale, aq sa i shtrinë rrënjët në thellësi, ashtu zgjat edhe degët. Vetëm poshtë asaj kurore ndjehemi të bashkuar dhe të mbrojtur. Mirëpo, dashuria e ka braktisur tokën ku jetojmë, e detyruar ndoshta nga grindjet tona pafund. Tashmë e kuptoj përse gjysheve tona u kishte mbirë në buzë mallkimi aq i hidhur:-"u pjekshi pazareve!" (Plagët e trupit durohen, të shpirtit-jo!). Nën peshën e këtij mallkimi u ndamë me njerëzit tanë. Edhe me motrat takohemi si Kostandini me Doruntinën. Unë dua të besoj, që motra jote e vetme, Disola, do vijë atje, për të sjellë edhe dashurinë e prindërve, ndoshta edhe merakun e gjyshes ngarkuar brenda shpirtit. Do t'i kaptojë "shtatë malet" dhe do ta zbukurojë me praninë e saj gëzimin tënd në përvjetorin e lindjes, e cila është e veçantë dhe thotë aq shumë për çdo njeri.

Pranoi i dashur Dini urimet e mia të zgjedhura në këtë përvjetor të lindjes tënde. Ato zbresin nga lartësitë e Kurveleshit për të mbritur në Kaliforninë e largët.

 

Vëllazërisht, M. Gjergji

Tiranë, më 08.08.2016

35 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page