top of page

Mihal Gjergji: Murgesha



 

Ushtria e Kralit të Serbisë sulmoi Toplicën, Nishin e Pirotin. S’ishte hera e parë. Rënkonin bjeshkët e Krahvajës, Gryka e Tejakës u shkretua, Trebija përcillte muhaxhirët. Ardhacakët pa atdhe, barabarët e Uraleve, masakronin shqiptarët dhe u zaptonin trojet. Toka mbytej nga gjaku. Pleq, gra dhe fëmijë ishin nën mëshirën e bajonetave sllave. Ata s’kursenin askënd, i thernin si berrat, i dhunonin e hidhnin rrëpirave. Të gjorët shqiptarë mbeteshin pa vend varri në dheun e tyre. Luftëtarët e Dardanisë s’qendronin duarlidhur, bënin sa mundnin, po armët i kishin të pakta e një pjesë e tyre ishin nizamë të Turqisë. Perandoria Osmane e mbyllte një sy e një vesh për dhimbjet e arrnautëve, sepse bënte marrëveshje me Carin e Rusisë. Serbia ishte pjella e Ortodoksisë ruse. Në këto kushte serbët trimëroheshin. Vajzat e reja të Dradanisë i rrëmbenin, i bënin robina të tyre. Kështu i ndodhi edhe Lidias 15 vjeçare. E rrëmbyen militarët serbë, e martuan me një burrë që i kishte kaluar të gjashtëdhjetat. Gjuhën e tij s’e kuptonte. E vjehrra e urrente sepse ishte shqiptare. Emrin ia ndrruan, e quajtën Zaga. Mbeti shtatzanë dhe lindi një djalë. E quajti Radomir. Edhe gjarpër të lindë, nëna e ushqen me qumështin e gjirit. Pas dy vjet martese, burri i vdiq. Donte të qante shqip, të fliste gjuhën e saj, të thërriste në kupë të qiellit, po s’mundej. U detyrua të shkonte në manastirin sipër kodrave, atje ku ndahej kufiri shqiptaro-serb. Atje e rriti dhe djalin. Në fund të luginës ishte fshati i saj i lindjes. E shikonte karshi. Digjej nga malli e dhimbja, po s’mund të kthehej sërish, nga turpi dhe frika. Ja kishin përdhosur krenarinë. Kishte patur emër drite, ishte si dielli e bukur, e tashmë ishte veshur me ngjyrën e natës. Arriti të bëhej kryemurgeshë. Të gjithë e nderonin. Kaluan 20 vjet. Radomiri u shkollua, u bë oficer. I erdhi radha të drejtonte masakrat ndaj shqiptarëve. E ëma mësoi lajmin e hidhur. Me vonesë u nis nga manastiri. Kur mbriti në vendlindje gjeti flakët dhe tymin, gërmadha dhe njerëz që jepnin shpirt. Vajti te shtëpia e prindërve. Asnjë shenjë jete, vetëm rrënoja. Lidian e dinin të vdekur, qyshkur. Vajti te shtëpia e vëllait. Edhe atje e njëjta gjëmë. U nis për te shtëpia e motrës. Bagëti të therura në oborr, një kalë i zi që hingëllinte dhe qenin që ulërinte si grua. Te pragu i shtëpisë, motra e saj e vdekur me foshnjën në gji. U fut brenda. Dëgjoi një të qarë fëmije në tavan. U ngjit ngadalë dhe e mori vajzën 10-vjeçare të tmerruar nga ato që kish parë. E pyeti për emrin. Nëna e saj, për të kujtuar motrën e humbur e kishte quajtur Lidia. E mbyti ngashërimi...Eh, dramat shqiptare s’rrëfehen me fjalë. E rriti si fëmijën e vet, pa i treguar asgjë. Pikëllimin e mbajti për vete. Kur takoi të birin i tha se do jetonin te kjo shtëpi, i tregoi dhe për vajzën. Do ta mbajmë ne këtë vajzë, do e pagëzoj e kujdesem për të. Vetëm kaq. Kaluan 5 vjet. Lidia u rrit e u zbukurua. Radomiri u dashurua me të dhe kërkoi lejen e nënës së tij. Zaga mendohej. Serbët do kthehen përsëri, sepse janë barbarë. Kjo vajzë duhet të jetojë patjetër, është gjaku im...Pastaj iu drejtua të birit: -Nëse shikoj lotë në sytë e kësaj vajze, t’a bëj haram qumështin e gjirit...E përqafoi Lidian dhe ndjeu rënkimin e motrës së vdekur nga bajonetat serbe.

 

Tiranë, Maj 2020.

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page