top of page

Mihal Gjergji: KJO NATË E GJATË



 

Bëj të dremit e s’më merr gjumi

E ndjej; rënkon e derdhet lumi

 

Rreh brenda meje dallgë e mall

I thinjet mjekra zall më zall

 

Ato që s’munda dot t’i them

M’i merr në gji, i bën ujem

 

Kafshon harbuar gji e breg

Nxitoj t’a zë e dot s’e pjek

 

Eh, mosha, them, të bën firar

Nuk di kë pres dhe s’di çdo marr

 

Hap një kanatë, është natë e vonë

Dëgjoj një këngë, është zogu Gjon

 

Ku je, vëlla? - gjëma vërtitet

Nga njëri lis në tjetrin ngjitet

 

E rëndë kjo brengë, as varret s’flenë

As dhimbja s’di ku bën folenë

 

Gremisen fatet pritë më pritë

Veç hënë e zbehtë na bën pak dritë

 

Një dhelpër plakë del prej gëmushe

Një mjegull e lidh shall për gushe

 

Ç’bën vallë një vajzë në këtë orë

Që ëndrra thur e pret dasmorë?

 

E sot nuk duhen prik’ e pajë

Dhe s’di nga çifti kush do qajë!

 

E gjatë kjo natë, e rëndë si plumbi

Pres yllin tim, po s’di ku humbi

 

Në sup të malit, them të prehem

Të thith nektar, të pi, të dehem

 

Nën këmbë rrjedh zallit halleshumi

Është lumi im, më zgjon nga gjumi!

 

Tiranë, Korrik 2020

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page