top of page

Mihal Gjergji: HASAN LABI BËN DYFEK, SA DRIDHET FOSHNJA NË DJEP



 

Egoizmi i njeriut e gjenë një mënyrë për tu shfaqur, veçanërisht te gjinia mashkullore. Kjo na bën të mendojmë se “Mejdani” është krijuar enkas për burrat. Ndjenja e fodullëkut i ka shoqëruar shqiptarët në shekuj. Nëse gratë stolisen me bizhuteri floriri e diamantesh, sepse për ato janë krijuar, ndryshe ndodh me gjininë tjetër. Burrat, para se të nxjerrin fjalën nga goja, me kënaqësi tregojnë gjoksin, qostekun që mbanë orën e xhepit apo gajtanët e thurur me fije ibërshimi anëve të jelekut. Te mesi një pisqollë e zbukuruar, gjysmë e futur në brezin e leshit që mbështjell atë pjesë të trupit. Pikërisht këtu i bëhet vendi dhe jataganit. Ndërsa thika ngjishet te pantallonat e shajakut dhe është afër dorës. Ja, kështu je i gatshëm për çdo betejë, me njërën dorë mund të futesh në valle, ndërsa tjetra kontrollon armën, sepse hija e vdekjes qendron shaluar në kalin e pabesisë dhe mund të shfaqet kudo. Po ëndrrat, cilat janë ëndrrat e këtyre burrave, dëshirojnë të jetojnë si mbretër apo të vdesin në këmbë duke qëlluar? Është e parëndësishme mënyra e tyre e jetesës, pasuria s’ka asnjë vlerë, varfërinë e shpërfillin, frikën e kanë trembur, hasmin e kërkojnë në përballje. Ata duan të lënë një emër, domosdo duan të futen në këngë, dhe kënga pranon vetëm ata që dinë të vdesin, prandaj shqiptarët e ëndërrojnë vdekjen si martirë, me armë në dorë. Shkencëtarët pranojnë se brenda zemrës së njeriut ekzistojnë dyzetmijë neurone, aq sa te truri. S’mund të themi që shqiptarët e kanë braktisur arsyen, por gjithmonë kanë parapëlqyer truallin e zemrës si strehën e tyre. Gjaku dhe emocionet e mundësojnë dalldisjen e tyre, kështu që ndjehen të gjallë dhe në këmbë. Burrave të kapardisur që kanë mundur të lenë gjurmë, edhe varret ua bëjnë në vende të larta, me qivure të bardhë e të dukshëm, karshi diellit dhe të tjerëve, duke besuar se kështu do të ndjehen mirë e do t’i shpëtojnë asaj vetmie pikëlluese, sepse gjithmonë ekziston mundësia për të harruar të shkuarën, njerëzit dhe ngjarjet. Sigurisht, bëhet fjalë për burrat e dikurshëm, brenda të cilëve ka patur një bukuri të pëlqyeshme. Unë s’e kam njohur një të tillë dhe s’di se kur i ka mbyllur sytë i fundit prej tyre, sepse jetova në kohën e degradimit të detyruar të moralit dhe vlerave, në periudhën e kolektivizimit të gjithçkaje, njerëzve dhe pronës. Sëmundja e ‘Moskovit’ ishte pranuar në heshtje si një mallkim i ardhur nga stepat e Rusisë. Kësisoj, edhe burrëria rrënohej çdo ditë para syve të mi. Andaj kam njohur shërbëtorë të bindur të rregjimit, intrigantë e sojsëzë, ca palo meshkuj që fshihnin kokën pas fustanit të grave. Familja ime pagoi një çmim të lartë për çlirimin e Atdheut nga forcat pushtuese. Dy vëllezërit e babait, Tafili dhe Samiu u shpallën dëshmorë, por gjaku i tyre i shërbeu vetëm pushtetit të ri, jo idealit për të cilin flijuan jetën e tyre në lule të rinisë. Këto gjëra po mendoja i ulur ngeshëm mbi një gur të rëndë në hyrje të vendlindjes time, në Gusmar. Përpara kam themelet e Gjostoje, një fis tashmë i harruar dhe i panjohur për brezin tim. Krah tyre janë Mërkurajt dhe fise të tjera. Ku shkuan Vezelajt, Godajt, Maçulajt, Qesarajt, Fushajt..? Nuk dimë si u tretën dhe ku përfunduan. Kam ndezur një cigare dhe hamendësimet më shpien tutje në kohë. Vetja më ngjanë si një oshënar i braktisur nga gëzimet e jetës. Vallë, në cilin mot të largët janë ndërtuar shtëpitë e Gjostoje dhe nga kush? Sa katshe ishin, nga e kishte pamjen çardaku, po oda e miqve? Asgjë nuk dimë, por duhet të pranojmë se ishin ndërtuar mbi gurë dhe prej guri. E brenda tyre jetonin ata trimat e sertë që kanë mbetur në këngë. Zylyftar Poda (mbajtës i armëve të sulltanit) një nga gjeneralët e famshëm të shekullit XVIII, këshilltari dhe krahu i djathtë i Ali pashë Tepelenës, kishte bërë miqësi me familjen Gjostoja në Gusmar dhe me familjen Kuca në Progonat. (Asllan Kuca ishte dhëndërr i Zylyftarit). Prandaj kurveleshasit i qëndruan në krahë këtij luftëtari të shquar qysh në vitin e largët 1831, në betejat e përgjakshme kundër forcave osmane në malin e Melesinit. “Melesini maja-maja/ E rreh topi, kumbaraja/ Del Sinan Labi përpara/ Me dy kobure të lara”. Bëhet fjalë për Sinan Gjostojën dhe këtë e saktësojnë kronikat e kohës. Mahmut pashë Tërhalla në krye të 12 mijë asqerëve ju drejtua Leskovikut për të mposhtur rrebelët kryengritës nën komandën e Zylyftar Podës. Por Sinan Gjostoja nuk ishte vetëm. Në këto përballje të pazakonta e shoqëronte dhe i biri, Hasani, po aq guximtar sa i ati. Ky i fundit, i pëlqyer shumë prej Zylyftar Podës dhe me bekimin e tij, u bë vëllami i djalit të gjeneralit, Arif Podës. Hasan Gjostoja kishte luftuar me heroizëm edhe në betejën për clirimin e Beratit, drejtuar nga Tafil Buzi, Celo Picari e të tjerë trima nga Jugu i Shqipërisë, kohë më vonë si pjesmarrës në luftimet e vitit 1834, 1841, 1847…Por le të kthehemi te beteja që shënoi fundin tragjik të këtij luftëtari emërshquar. “Hysni pasha kur dëgjoi/ Treqind suvarinj dërgoi/ Hasan Labin e rrethoi”. Lufta vazhdoi disa ditë. Bimbashi osman kërkoi trupa mbështetëse nga Korca. Në krah të Hasanit luftonte dhe vëllami i tij, Arifi. “Gjëmon Kodrasi në breg/ Shtatë dit’ e shtatë net’/ Hasan Labi bën dyfek/ Sa dridhet foshnja në djep”. Ja pra, ky ishte fundi i luftëtarit Hasan Gjostoja. Vrasja e Hasanit i pikëlloi shokët e istikamit, por më shumë familjen Poda. Nuk dimë çfarë ndodhi në Gusmar, kush e pruri mandatën, kush e vajtoi trimin dhe cilat ishin fjalët e atij ligjërimi drithërues. Eshtrat e tij kanë mbetur në fshatin Kodras në afërsi të Ersekës, por një tjetër varr madhështor lartësohet në epikën historike, në kujtesën e popullit, në këngët e kënduara prej tij.

 

Kurvelesh, Maj 2024.

43 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page