top of page

Mihal Gjergji: ARRA E PASHAKOS



 

Shumë kam dëshiruar ta stolisja djepin e jetës me trëndafila dhe gjethe dafine, por s’munda, sepse isha i rrethuar nga gjarpërinjtë helmues dhe s’mund të thurja kurora me hithra dhe gjëmba. Është një pikëllim që do ta marr me vete dhe brenda varrit. E shkuara s’mund të ndryshohet, askush s’ka forcë të tjetërsojë  gjurmët e gdhendura në udhën që kemi bërë. Në një çast meditimi më trokiti në kujtesë një nënë e veshur me të zeza; shamia e kokës, peshlli e çitjane në të njëjtën ngjyrë, nga ato që i takojmë në rrëfimet e moçme. Ishte terur dhe mpakur, një grusht eshtra që lëviznin rreth shtëpisë dhe shumë rrallë jashtë saj. Pashakua, kështu quhej. Sepse ka pashallarë, por ka dhe Pashako. Jetoi në kohën që s’i dashuronte njerëzit. Mos u çuditni, ka edhe kohë të tilla që tregohen armiqësore me qëniet e gjalla. Dhe ajo mbijetoi, në ato vite kritike për vete dhe për të tjerët. Sa shumë tregonin buzët e saj të plasaritura, një kronikë e pashpallur e mjerimit që kishte pllakosur. Ju e dini ç’do të thotë të jetosh për inat të qenit, të ushqehesh me lakra të egra të ziera në kusi. Mos harroni, buza e çarë e një nëne tregon dhe një të çarë shteti. E përfytyroj me filxhanin e kafes në dorë, duke e rrotulluar me vështimin në fundin e tij, aty ku mbyllen shtigjet e jetës. Kaq ishin hapësirat e njeriut. Dhe Pashakua, që fëmijët e thërrisnin Picua, në bisedat që bënte me gratë e fshatit që shkonin për të parë filxhanin, gjente fjalë ngushulluese për brengat e tyre. Kafja ishte e rrallë dhe gjendej me mik. Më së shumti piqej elbi në qebap dhe bluhej në mulli, me një fjalë, kafe sa për të thënë. Vizitoret merrnin me vete kafe sa për dy filxhanë, një për vete dhe një për Picon, që ta pinin taze. Edhe mëma ime pati shkuar një herë. Kishte vëllain në burg dënuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. A do ta shikonte dhe një herë së gjalli? Spaçi dhe Qafë Bari ishin larg, prapa diellit. S’kishte kë të pyeste, sepse e cilësonin si motra e armikut të klasës. (Sikur e ardhmja jonë të gjendej vërtet në prehërin e perëndive!). Picua i ktheu filxhanët, pastaj hodhi vështrimin nga shtegu që të nxirrte në rrugën kryesore, sepse shigjetat e helmatisura mund ti vinin dhe nga gjitonia. Psherëtiu thellë dhe nisi të rrëfente misteret e fshehura mes vijave dhe simboleve të stampuara nga lëngu i zi mbi faqet e lëmuara të filxhanit…Ja rruga e hapur, shikoje, s’ka asnjë pengesë. Vëllai sikur të ka ardhur. Habere të gëzuara ke për të marrë…Këto dëshironte dhe mëma ime, fjalët e mira të Picos, të cilat mbanin vlagë disa javë, aq sa të vinte radha e kafes tjetër. Ishim mësuar me gënjeshtrat e bardha që na afronin çdo ditë, kudo që të shkonim. A keni menduar ndonjëherë, si mund të mbetet gjallë njeriu i ndershëm në një botë ku askush nuk është i lirë dhe i sigurt? “Nëse liri do të thotë diçka, do të thotë e drejta për t’u thënë njerëzve atë që ata nuk duan ta dëgjojnë”. Kështu shprehej dikur Xhorxh Oruell.

Vërtet interesante, sepse zgjedhja për njerëzimin qëndron midis lirisë dhe lumturisë, madje kjo e fundit është më e preferuara, ndërkohë që lumturia është vetëm një trill, një ëndërr e bukur që s’realizohet kurrë. Provon njeriu çaste të rralla kënaqësie dhe nxiton ta quaj veten të lumtur. Janë iluzione, më besoni mua. Edhe paragjykimi i mënçurisë së të tjerëve është një iluzion. Ata që flasin me heshtjen e tyre janë më të vështirët për t’u kuptuar. Madje, edhe ekspertët më të shquar të hipnozës e kanë të vështirë bashkëbisedimin me atë njeriun e padukshëm që fshihet brenda jush, e që dukja juaj është vetëm një maskë të cilës prindërit tuaj i kanë vënë një emër, që ju e mbani aq sa të jeni gjallë. Misteret e njeriut janë të pafundme. Të gjithë dëshirojnë të bëhen të pasur dhe të fuqishëm duke i shndrruar këto në qëllime të jetës, dhe pikërisht këtu fillon drama njerëzore ose mjerimi shpirtëror, quajeni si të doni. Me shqiptarët e rritur në kushtet e mohimeve (të fjalës, të zgjedhjes, të jetesës, të shkollimit) u bënë eksperimente të pafundme dhe jashtë çdo imagjinate. Edhe mjekët nazistë që përdornin të interrnuarit në kampet e shfarrosjes si etalone provash dhe rezistence, do ta kishin zili mynxyrën që bënë komunistët shqiptarë mbi popullin e tyre. Cilido që të ishte Sekretar i organizatës së partisë mbante mbi supe barrën e rëndë të pushtetit, kësisoj bëhej i rëndë dhe i largët për turmën. Në këto rrethana  konsiderohej si manari i fshatit. Ai mbante çelësat e portës së ferrit. Ndonjëri prej tyre kuturiste të provonte të gjitha gjellët, paçka se luga e madhe ta shqyen gojën. Shambellanët e kuq me duart e gjakosura flinin me kamat e mprehura poshtë jastëkut dhe vrasjet e tyre s’i dënonte asnjë ligj. Ishin syri dhe veshi i Dovletit. Më parë duhet t’u dilte shpirti, mandej të braktisnin veset e ndyra. Edhe Picua kishte rritur një vatër me fëmijë, disa vajza dhe një djalë të vetëm, Dinon, të cilin e gjykuan, e ndëshkuan, e përjashtuan nga partia. Një akt i tillë konsiderohej pushkatim politik dhe meritoje mërinë e të tjerëve. Të gjithë të shikonin shtrembër, si njeri të padëshiruar nga pushteti. Ishin vitet e para të Fletë-Rrufeve të urdhëruara nga lart, një mënyrë djallëzore për të forcuar luftën e klasave. Ideologjia komuniste kërkonte që shqiptarët duhet të ishin të përçarë, duhet të luftonin njëri-tjetrin, fillimisht me fjalë pastaj me plumba. Kohë më vonë Dinon e ngjitën në skenat e festivaleve me grupin e valltarëve të fshatit, të këndonte për “fanarin” socialist që ndriçonte Evropën. Dora që s’kthehet, puthet. Djali i Picos  nuk ishte i marrë të kërkonte në Shën Mëhill kaun që i kishte humbur në prill. Jo rastësisht bënte sikur ngatërronte ditëlindjen e udhëheqësit me ditën e përjashtimit të tij nga partia. Lëngata e rëndë nuk largohej nga shiu i lotëve që derdhnin të pafajshmit, gjithmonë të pambrojtur, as nga mallkimet e zemrave të lënduara. Zëri në të shuar i Picos ende vazhdon të kumbojë në veshin e nipit të saj, Kujtimit:-bëju ndryshe nga të tjerët, që emëri jot mos ta humbas kuptimin që ka…Ndërsa shkruaj këto rreshta, ndër mënd më vjen dhe ‘Arra e Pashakos’ që çahej me dorë dhe gjithë fëmijët e lakmonin atë. Ndoshta është tharë, sepse çdo gjë plaket dhe shëmbet përtokë nga egërsia e dimrave të gjatë, sikurse njeriu në pleqërinë e tij, por emëri vazhdon të tregojë bashkëjetesën e shenjtëruar mes njeriut dhe natyrës. Kanë kaluar kaq mote dhe erërat e trazuara vazhdojnë të fryjnë në vendlindjen time. Urrejtja është ulur këmbëkryq, si në shtëpinë e saj. Nuk e di cila mëndje e mënçur ka thënë: atë që ta bën fshati, shumë rrallë ta bën fati. Besoj se kjo s’ka ndryshuar.  Sikur të mundja të flisja me Picon atje ku ajo prehet dhe ta pyesja për fatin e së nesërmes, me siguri do më thoshte; -shikoje, udha e Shqipërisë është e hapur, habere të gëzuara ke për të marrë. Amen!

 

Tiranë, Dhjetor 2024.

25 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page