MIDIS KËTIJ KUFIRI TË SHËNUAR ME LAPS
Nga Fatmir Terziu
Sot është e shtunë. E diela na pret me grykën e shishes hapur
në pritje të dehjes tjetër nga vera Bourdeaux 2019.
Tryeza është një imitim shtëpie e lënë pa mbulesë,
gotat ushtarë të disiplinuar në trokitje,
gishta prekin me kujdes,
trembëdhjetë soje të vëna në pritje,
e ti më shikon
pret që të vendos lule
diku në vazon që ka mbetur bosh në sallon.
Dera nuk pret ndonjë trokitje. E njëjta derë na siguron
era e parfumit patjetër e padukshme,
vjen nga ikja e lodhur e ndonjë çifti të panjohur,
ngacmon humdët tona me të njëjtën aromë
pastaj ikën, kapërcen jashtë në ajrin e ftohur.
Asgjë nuk kthehet pas,
as ora që duket se pedalon,
dhe mendja e gozhduar si në një dërrasë,
fluturon,
përhumbet dhe s'pret të diktojë se ku ndalon.
Jemi dremitur e bëhemi bashkë të dy me shkas
ëndrra është me metrazh të shkurtër e lexojmë „flash back“
vetëm kështu kuptojmë atë çast
e djersët bulojnë si llava në një vullkan
jemi zjarr,
zjarr,
kërkojmë të shohim sërrish ëndrrën si më parë,
është zgjim s'ka kthim pas.
Në të gjithë këtë zgjim është një fill,
ndahet me sy nën një kapak,
lexojmë ndërsa jemi të shtrirë,
mendja kërkon të gjej ndonjë mesazh,
sa shpejt që çdo gjë është e fshirë,
midis këtij kufiri të shënuar me laps.
PRERJA E THONJVE
Nga Fatmir Terziu
Nuk e di pse më tremb „Astra“
në një ditë të tillë mbaj mend vizoren
pas çdo vringëllime mësuesi kërkonte duar të pastra.
Prerja e thonjve
ishte si një revan kuajsh me të katra
në klasën time të parë të shkollës fillore.
E diku në një vrimë të murit qëndronte „Astra“
brisku që kishte rruar mjekrat prore
të veteranëve me xhaketat me jaka
mbushur me gjokset plotë lavdi e fitore
me dekorata dhe medalje të trasha,
të cilët na flisnin kohë pas kohe,
për jetën e tyre në sakrifica e luftra,
e na mburreshin se si ua tregonin vendin thonjve,
me fjalë të urta.
E „Astra“ e kalitur në Çekosllovakinë e asaj kohe,
përdorej me qindra herë,
sa herë që vizorja e mësuesit ishte dënesa e thonjve,
për thonjtë tanë të paprerë.
Nuk e di pse më mbeti „Astra“ një model frike
kur pres thonjtë edhe sot ndjej dhimbje,
e njëjta vizore më shfaqet brenda syve
e ndjej si një goditje ritmike,
brenda një kohe disa ditore,
kur vjen prerja e thonjve.
Fatmir Terziu
Pozaet Qose E po kështu e kanë këto gjërat e shkuara dhe të (pa)shkruara, poet i dashur, Pozi. Ne me një material të rruarjes së veteranëve ia bëmë ballë një legjende të madhe të mbështetjes në forcat e veta dhe për fushatën e prerjes së thonjve. Kështu e paska jeta jashtë gjeografive me fate të ndryshme. Edhe xhamat na bënin punë! Rrofsh dhe gëzofsh fort, por mos e provofsh më xhamin për thonjtë!
Pozaet Qose
Fatmir Terziu Jo, ç'ne! E kisha shumë më larg se ti, por, kur më ra në dorë një copëz e tillë , e ruajta si shqiptari yndyrën e paktë në poemën e Kadaresë. Kalofsh si ta do zemra!
Fatmir Terziu
Pozaet Qose ahaa Pozi i dashur, koha ndoshta ka evoluar në sistemin e miqve dhe armiqve ndërkombëtarë ... Ti ke pasur fatin se kishe afër xhamin e Kavajës...
Pozaet Qose
Unë i prisja me xham, prandaj jam pasha. Respekt, Fat!