top of page

Metafora dekorative e avancuar postmoderniste e poezisë së Irena Gjonit


Dr Irena Gjoni

Metafora dekorative e avancuar postmoderniste e poezisë së Irena Gjonit

Dr Fatmir Terziu


Hyrje


Në kuptimin figurativ të fjalës ‘shtojzovalle’ përdorimi i Fjalorit të Oksfordit Shqip- Anglisht na sjell ndërmned ‘vajzë e bukur’. Në kuptimin parësor na citon ‘hyjni’ ose ‘peri’. Vargu i poetes Irena Gjoni vjen si sinonim mes këtyre fjalëve. Vjen e tillë vetë poezia e saj që na udhëton ndjeshëm me ‘shtojzovallet’ nëpër imagjinata tejet domethënse, duke na sjell tre fjalë në një: me veprim, Madhështi dhe traditë. Poezia citon me perceptimin e saj: ‘Shtoi Zot Vallet’. Dhe ne, lexuesit e kësaj triambule fine sitim majanë që prodhon një filozofi të thukme. Është veprimi lutës, që del nga shpirtpoetika e qashtër, është Madhështia që vjen nga Fuqia dhe Njohuria (Zoti) dhe është vallja, gëzimi, harreja, motivi, lëvizja e gëzuar trupore që formëzon të tërën e ndërlidhur me bukurinë, hyjnoren e pse jo edhe me identitetin shqiptar, e më së shumti identitetin aq të kristaltë që vjen nga bregdeti. A nuk e citon vetë këtë rrugë të lashtë e të bardhë vetë vargu i Gjonit? Ja si shprehet poetja: “Shtojzovallet kishin epoka pa bërë vizitë/Në botën dhe jetën e njerëzve/Kurioziteti shtojzovall nisi rrugën/me fustane të bardhë antike/që ngatërronin epokat, gojëdhënat...”.

Shumëkuptimësia simbolike

Pra kemi në këtë formëzim, ‘epokat’, jo vetëm në simbolikën e tyre të kohërave, por edhe me shumëkuptimësinë e tyre që lidhet me sunduesit dhe udhërrëfyesit e atyre kohërave, pra me fuqinë që ka determinuar në kohë dhe hapësirë, për të na ftilluar lidhjen tonë me miqësinë e vizitën e shtrenjtë të ‘shtojzovalleve’. E tani që ‘shtojzovallet’ shfaqen pas shumë epokash, natyrshëm rizgjojnë edhe kërshërinë e lidhjeve dhe zhdukjeve të tyre misterioze. Rrrënjëngjeshur në kumtin e epokave ato shfaqen për të na dhënë atë forcë që vec një varg i tillë i prodhon, që vec një gjuhë e tillë i rizgjon. E pra, falë vargut të Gjonit ne i kemi këtu, i kemi në ‘Bregdet’ si metafora që lidhin ‘botën dhe jetën e njerëzve’ si enigma të shtrenjta që zgjojnë dhe udhënisin ‘kuriozitetin shtojzovall’ duke na dhuruar fuqinë që vjen nga lashtësia ‘me fustane të bardhë antike’.

A nuk kanë qenë këto fustane antike simbolika e ‘Bregdetit’? A nuk janë ato madhështia dhe krenaria e kryesofrës bujare shqiptare? Për poeten, ashtu sic do të citonte studiuesi shqiptar, Zyhdi Dervishiato janë ‘Lente të fuqishme të identitetit shqiptar’ (Dervishi: 2008: 345). Dhe për studiuesin britanik Michael Rothberg ato janë ‘vlera shumëdimensionale kulturore’ që natyrshëm vijnë nga një varg me kulturë, me ritëm e vrull shkencor të strukur thellë në të.

Shtoi Zot Vallet” është një kod poetik më vete.

Një kod poetik

Një kod që thotë mjaft në pak rrjeshta. Një kod që vjen i duhur dhe i domosdoshëm për tu analizuar. Një kod që fuqizohet sa herë rishtrohesh qetas mes vargjeve: “Hapën sytë në frymëmarrjen e zgjuar te njëra-tjetrës/Sikur shumë bukuri, të kishin një mendje/Kujtonin rrugën nëpër ngatërrim epokash, gojëdhënash/Takim me një shpirt të vrarë/Në momentin ku i lihej i pazhdukshëm,/Një tatuazh zhgënjimi/Dhe nga dhimbja klithte me tërbim sakati...”. parë nga tipi i realizuar i shprehisë gjuhësore, kjo renditje vargore qëndron në një paralele mes rrafshit filologjik të organizimit gjuhësor dhe figuracionit të ngjeshur.

Figurat poetike në poezinë e Gjonit janë ndjeshëm figura edhe gjuhësore, por edhe figura estetike, të cilat janë standartizuar me risi tipike të traditës më të bukur poetike. Në këtë standartizim përdoren epiteti, hiperbola, dhe më së shumti ajo që bie më shumë në sy është metafora dekorative, madje ajo e tipit të fortë. Kjo metaforë dekorative në vargun e Gjonit është ‘elementi lirik që qet krye më dukshëm në digresionet lirike, të cilat i shrëbejnë krijuesit për meditime filozofike ose për shprehjen e ndjenjave intime’ (Matoshi, 1979: 386). Kjo duket qartë në vargjet e mëposhtme: “Shtojzovallet e dhimsura,/Kaq panë në botën e njerëzve/Në një vizitë,Shumë më te shkurtër se rruga/Gjithçka u dukej makth ëndrre, makth drite/trupëzuar tek një flokëverdhë si shtojzovallet/Ulur në hijen e zonjave të shtëpisë/Duke thurur gërsheta tatuazhesh zhgënjimi/Të tepruara nga një natë më parë/Në pritje të “MIRËMËNGJESIT” të shtojzovalleve...”.

Simbolika dekoratike

Poetja në mjaft raste përdor simbolin dhe simbolikën e fuqizuar nga metafora dekorative. Në këtë rast vargu i saj është një pushtetësi e ligjërimit poetik: “Duke u ngjasuar me veten,/Me frymë i lanë trupin,/Me qerpikët e gjatë i krehën flokët,/Zërat dhe dritat ia qepën mantel,/Duke e bërë simotrën e tyre/Nën ritmin shtojzovall:/“SHTOI ZOT VALLET”/Shtojzovallja e re kërcente/Duke argëtuar dhe tatuazhin e zhgënjimit…/DASHURI BUZË GREMINE/Bëmë dashuri buzë një gremine/Në mollëzat e gishtave të tu,/një cermë hëne të prek”.

Poezia e Gjonit është jo vetëm një bashkëjetesë e epit, por edhe një tip klasik i vargut të lirë që sjell një kompozicion dhe strukturë kompozicionale të qartë të poezisë që ndërlidh vetë të ndryshme në një: “Me ty ëngjëll jam dashuruar unë,/Me ty nata e greminës,/Me ty hëna e njohur si hajdute zemrash/S’di kujt t’ia prishësh”. Ky tip klasik i vargut të lirë na krijon një ndikim të qartë dhe një lexim të thjeshtë mes metaforës dekorative: “Gremina të josh me fundin e mistershëm/Gëlltit një copë gremine/Hëna të josh me cermën e saj/Gëlltit një copë hënë/Thua se unë të josh me sekretet e pathëna/Gëlltit një sekret timin”.

Trevetësia që ndahet mes nje metafizike vetëpërfshirëse, ku vetja, gremina dhe hëna janë tresja në lojën enigmatike, fuqizon aspektualen e metaforës dekorative dhe koncepti filozofik është përmbyllja e mesazhit: “Mua më duhet të të shpëtoj/prej vetes sime, greminës dhe hënës/Duke të futur në një akuarium shpirti/të padepërtueshëm prej shumë palë sysh njëherësh…”. Kjo nënkupton edhe plotësin që autorja e përfundon mes filozofisë së vargut të vetëm: “se dashuria ha koka…”.

Gjoni duket qartë se përdor metaforën e tipit dekorativ për të rikonsideruar forcën e vargut dhe për ti dhënë më shumë ornament dhe aksesorë zbukurues poezisë. Në këtë rast përdorimi i kësaj metafore është thuajse gjithnjë një mënyrë e të menduarit, një mënyrë që i afron lexuesve (edhe vetes) rrugë të freskëta për të ekzaminuar dhe parë botën e fshehtë, historiken, kulturoren dhe të trashëguarën. “Tatuazh në lekurën e ditëve” është një nga poezitë e konsideruara në këtë pikë. Autorja e kësaj poezie shkruan: “Në lëkurën e ditëve/me majën e stërkalave/të detit të djegur nga malli për ty,/Le në tatuazh fytyrën time”. Dhe shkaku është i qartë, pasi metafora dhe rruga e thjeshtë e autores sjell qartë se është faktori “Që t’i ngjaj origjinalit” dhe për këtë ajo “i derdh flokëve/parfum mimozash të verdha/të mbira, të bleruara e të lulëzuara/në rrugën e detit/përshkuar me hapa të kaltër/ku çdo hapkaltër i penduar,/kthehej mbrapsht”.

Terapia metaforike

Në këtë rast funksioni i metaforës është një lloj terapie. Kjo lloj terapie formon konvencën poetike me metaforën terapeutike. Ajo funksionon si e tillë aty ku përshkrimi është funksioni kryesor i një metafore letrare, duke ndryshuar, reintepretuar, dhe rifremuar mesazhet e poezisë. Vetë poetja në një intervistë të saj shprehet duke lincuar thelbin terapeutik të gjërave por edhe rolin në heshtje të njohurive që ajo zotëron dhe po aq edhe të faktit të metaforës dekorative me një diapazon të thellë historik. Ja si shprehet ajo kur kumton lidhjen vargore me detin, jo thjesht si një frymëzim amorf: “Ah Deti! Të mrekullon sa e sheh. Të magjeps me trajtat e ngjyrat që merr dhe të lind dëshira që sikur të kishe mundësi, ta rrokje të gjithin në krahët dhe shpirtin tënd! Detin jam munduar ta shoh në kompleksitetin e tij (sigurisht asnjëherë të ezaurueshëm), tek libri im studimor “Marrëdhënie të miteve...”. Kulti i detit është tejet interesant me utilitaritet kontravers. Herë është ndëshkues e herë është kurues dhe shpëtimtar.

Ndaj me arsye karakteri i detit definohet në libër me dyfytyrësinë e tij sipas kulteve dhe miteve të Bregdetit Jonian. Mitologjikisht detit i luten me gradën “Zoti Det”. Atributet e Posejdonit grek, të Redonit ilir, Neptuni latin, mendohet se i ka te kaonët një hyjni deti në trajtë ikone, madje të antropomorfizuar. Ndonëse fatkeqësisht kjo ngelet vetëm një hipotezë e nuk kemi një emër të saktë të hyjnisë së detit në zonën e Bregdetit Jonian, egzistenca e kësaj hyjnie nuk është mohuar asnjëherë. Për këtë na bind fakti se Deti në vetvete në Bregdetin Jonian është konsideruar si hyjni dhe gjithmonë i janë adresuar lutje. Madje këtu deti shfaqet me një funksion të dyfishtë: edhe si hyjni, edhe si altar ku adhurohej e lutej. Sepse Detit i është blatuar (sipas të dhënave gojore) si në periudhat pagane, ashtu edhe në ato kristiane.

Ka shumë të ngjarë që në Bregdetin Jonian, pasardhësi më i vonë i hyjnisë së antropomorfizuar të jetë Shën Spiridhoni. Këtu shfaqet më i pranishëm edhe gërshetimi i elementit pagan me atë kristian. Në Bregdet është e njohur thënia: “Ç’ka stereja, ka deti”. Mos të harrojmë praninë e shumë gjallesave mitologjike që gjenden në të. Thellësitë e detit Jonik, paralelizohen me misterin e thellë e të pazbuluar të së ardhmes.” Këto janë në fakt qëllimet kryesore të metaforës terapeutike. Për të arritur këto, metafora terapeutike duhet të shkaktoj si familiaritetin imagjinar të metaforës letrare ashtu edhe një familjaritet relacional bazuar në një ndjenjë të përvojës personale. Dhe këtë e realizon më së miri vargu i poezisë së Gjonit: “Duke u shndërruar në një saksi mimoze/që për t’u bërë parfumi më epshndjellës në botë,/thithte me zemër esencën e jodit,/kripës, kaltërsisë dhe hapësirës/…Ndaj tatuazhi në lëkurën e ditëve/më ngjan tmerrësisht mua…”

Rrëfimi filozofik

Rrëfimi filozofik, ku dominon vetja, ngjarja dhe tërë lidhjet me saksinë e mimozës, esencën e jodit, kripën, kaltërsinë, hapësirën etj, flasin për përvojën e përbashkët të jetës dhe kjo bëhet me simbolikën dhe gjuhën poetike.

Është kjo ndoshta një nga faktet që e bënë poeten shqiptare të duartrokitet në Stamboll, në një eveniment kulturor-poetik të këtij viti. Mediat shkruan “Përfaqësuesja shqiptare Doktorante zj. Irena Gjoni, u prezantua me poezinë “Shtoi Zot vallet” të shkëputur nga vëllimi poetik “Tatuazh në shpirt të detit”. Ishte një përzgjedhje e goditur, e pasur me shumë elemente e detaje autoktonë që përcillte kjo poezi. Ishte një prezantim dinjitoz i përfaqësueses shqiptare. Pati një pritje të ngrohtë prej publikut në një sallë të tejmbushur, ku kishte spektatorë që qëndronin edhe në këmbë. Tejet të ndjeshëm ndaj prezantimit shqiptar, duke e ndjekur në një qetësi të admirueshme. Ishte poezia e parë që hapi manifestimin.”

Sipas medias mësohet se Irena Gjoni e paraqiti poezinë në shqip dhe më pas drejtuesi i takimit e prezantoi edhe në turqisht. Të përkthyera në gjuhën turke, vargjet u dhanë të pranishmëve idenë e vërtetë të poezisë të përcjella edhe përmes zërit të ëmbël të poetes që diti ta ndriçojë sallën nën hijen e flamurit të kuq shqiptar dhe që diti përmes prezantimit të saj ta vinte sallën në heshtje për disa minuta.

Dhe me të mbaruar prezantimi i poetes shqiptare, salla nuk reshti për minuta të tëra duke duartrokitur e uruar.” Dhe më tej thuhet se “sadisfaksioni ishte akoma më i madh, kur poezia “Shtoi Zot vallet”, në përzgjedhjet dhe gjykimet e profesorëve dhe specialistëve turk, u konsiderua si më e mira e gjithë takimit dhe për këtë u vlerësua me çmim të parë.” Nuk ka si të mos ndihesh i lumtur kur dëgjon se poetja shqiptare Irena Gjoni, ulet në fronin “Mbretëresha e poezisë” për sezonin 2011. Irena Gjoni, si fituese e çmimit të parë në një mjedis kulturor të ndjeshëm, natyrshëm forcon idenë se është një poete tipike me një mesazh filozofik të qartë.

Konkluzion

Irena Gjoni, e doktoruar në Letërsi, një pedagoge dhe mësuese letërsie në gjimnazin “Hasan Tahsini, ka më shumë se sa tharmi poetik jonian, një melos të qashtër e të ndjeshëm që e bën atë një poete me stigmë të lartë.

Që prej viteve të gjimnazit e në vijim poezitë e saj, madje edhe prezantimi në prozë letrare si dhe studime e shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm e kanë bërë emrin e saj një Irenë shumëdimensionale. Në vitin 2003 ka botuar librin me poezi “Tatuazh në shpirt të detit”. Në 2008 boton librin studimor “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” (material me të cilin ka fituar Gradën “Master”), si dhe vëllimin me fiksione “Gjysma dashurish” (2010). Është fituese e disa çmimeve brenda dhe jashtë vendit dhe një arsye më shumë për vëmendjen e kritikës.


26 views0 comments

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page