top of page

Metafizika poetike e Kallupit


Metafizika poetike e Kallupit


Dr Fatmir Terziu


Mjafton të ‘kontaktosh’ në mënyrë pamore, fjalën poetike të Milianov Kallupit, poetit tashmë tëlarguar fizikisht prej nesh, por që la një emër të rëndësishëm në krijimtarinë mbarëshqiptare, kupton se fjala e tij ishte, është dhe mbetet një pëshpëritje e plotë filozofike, që vjen nga tërësia metafizike e hapësirës. Nëse hyn dhe e lexon këtë fjalë poetike, mbetesh dëshmitar i ‘ngulur’ përjetësisht në mesin e saj, mbetesh një ‘dashnor’ i përjetshëm i ‘xixave të diellit’, ‘shkëmbinjve në flakë’, sutave që përpëliten në dhe’, syve që zbardhen’, ‘lumit të zi’, ‘luzmave bujtëse të fluturave’, ‘qeshjeve dhe luhatjeve në ajër’, e mjaft hapësirave të tjera që metafizika dialektike e vargut të tij i jep në kohë, hapësirë dhe vend.

Është kjo që në plan parësor ristrukturohet me një flirt që buron nga shpirti, njohuria dhe temperamenti artistik i këtij poeti, për të cilin vlerësimet janë jo pak, aq sa edhe aritmetika e çmimeve dhe vëllimeve të tij, është tejet sipërore. Në këtë ‘bollëk’ poetik, natyrshëm autori, ka ngjizur vitet e tij, ka përjetësuar identitetin mes memories kulturore, ka ngjallur të shkuarën duke iu referuar anës metaforike të jetës, ka fokusuar të sotmen dhe ka ristruktuar të ardhmen në një model tipik poetik që lëvrohet nga pena e tij në disa zhanre poetike.

Kallupi i krijimtrarisë që na la si trashëfimi dhe vlerë ishte, është dhe mbetet një rregullator, disiplinues i vargut të tij. Kjo vjen edhe nga fakti që ai njeh artin e bukur të ushtarakut, artin që e ka frymëzuar në këtë krijimtari, por edhe që e ka bërë atë të kryqëzojë modernen, tradicionalen me mjaft forma të tjera të niveleve botërore dhe duke formëzuar forma të reja e stile shqiptare, jo thjesht si huazime, apo mbartje por si determinime të domosdoshme për kohërat dhe modelet e poezisë.

“Hajku” si angazhim


Ky poet është ndër të parët poetë shqiptarë të kohëve tona që iu nënshtrua mrekullisht “Hajkut”, duke e zbritur atë nga kolonat e lashta kulturore japoneze dhe botërore në stilin e vatrës shqiptare, në stilin që ai e ka gatuar edhe në antologjinë me disa autorë me tittullin sublim “Hajku”. Si editor i kësaj antologjie, Kallupi, sjell emra jo pak të njohur në kolonën poetike shqiptare. Ai u lë një dritare të hapur nëpërmjet “Hajkut” poetëve dhe poeteve, si Ahmet Mehmeti, Elisabeta Tafa, Ferit Rama, Flamur Lutaj, Iliriana Sulkuqi, Kujtim Agalliu, Mariana Meta, Mihal Disho, Nexhip Ejupi, Rakip Zhguni dhe Shuaip Garuci.

Duke ndërthurur krijimtarinë e tij dhe jetën e poetit Kallupi, udhëtimi jetik bëhet tejet i prekshëm dhe natyrshëm i domodoshëm për të njohur më plotë atë si poet dhe si veprimtar i dyfishtë, botues e krijues. Milianov Kallupi ka lindur më 18 janar të vitit 1948. Ai ka mbaruar Akademinë e Lartë të Forcave Ushtarake dhe Universitetin e Tiranës për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe. Gjithashtu ai ka mbaruar Universitetin "Aleksandër Xhuvani" për degën Histori dhe Gjeografi. Që nga vitet e 70 ai ka qenë i përkushtuar ndaj poezisë dhe ka fituar disa çmime. Nga 1983-1995 ai ka punuar si gazetar për gazetat "Luftetari" dhe gazetën “Fjala e Lirë".

Nga viti 1995 ai ishte drejtues i shtëpisë botuese "Egnatia". Ai ishte kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi” dhe Presidenti i Haiku-Klubit shqiptar. Ai ka botuar mbi 40 libra për fëmijë dhe të rritur dhe mjaft poezi të gjinisë “Hajku”. Ai është cituar në disa shkrime kritike dhe është përfshirë në disa antologji poetike. Ai është përkthyer edhe në gjuhën angleze, greke, rumune, italiane, maqedonase dhe kroate.

Përtej këtij pragu njohës, ajo që vjen parësore është ekzistenca e metafizikës në tërë vargun e tij, një metafizikë që na dikton shijen e një ambienti mes reales, imagjinares, natyrales, sublimes dhe asaj që fshikullohet lehtë e lehtë nga metafora e tij e larmishme.

Në këtë metafizikë poetike, ngjashmëria e vargut të poeti shkon larg në shekullin e 17-të kur një grup poetësh të cilësuar metafizikë, të Britanisë së Madhe, vunë në mesin e vargut të tyre, dijet dhe njohuritë më të reja të ndikuar nga proceset e zhvillimit industrial dhe shkencor. Këta poetë që në fakt ishin një grup i lirshëm i poetëve lirikë britanikë ë shekullit të 17-të, ngjallnin në njëfarë mënyre një interes të përbashkët në problemet metafizike dhe paraqitnin një mënyrë të përbashkët për hetimin e tyre. Por puna e secilit u karakterizua nga investimet në metaforë. Këto poetë nuk ishin të lidhur formalisht, shumica e tyre nuk e njihnin ose nuk e lexonin njëri-tjetrin.

Poezia e tyre u ndikua shumë nga shkencat e reja dhe të rejat si gjtje shkencore nëpërmjet njohurive u bënë burim për të gjetur skena të pazbuluara të vargut në shekullin e 17-të. Në këtë mënyrë mund të thuhet se erdhi edhe pozia e tipit të ri, apo edhe ajo e “Hajkut” që Kallupi e ushtroi dhe e diktoi si një ‘shkollë’ më vete në mesin e poezisë shqiptare. Por jo vetëm kaq, vargu i tij poetik nëpërmjet fjalëve të tilla si ‘psaltje zogjsh’, ‘bukureza ndez veten’, ‘te mezhda’, ‘bokërrima e ngrirë’, ‘në majë të fillbarit’, etj solli këtë karakteristikë metafizike në dobi të semantikës.

Stili i Kallupit


Stili i Kallupit, thënë së fundi, është karakterizuar nga zgjuarsia dhe koncepti metafizik, i cili gjendet larg mënyrës së sforcuar ose similariteteve të pazakonshme nga metafora, të tilla si në vargjet e ti që janë një pasojë e natyrës rrethpështjellëse së shpirtit që pasohet nga gjendja: “Lis i tharë./Ca fjalë tallëse/ E bëjnë murrizin të skuqet”. Kjo ka një lidhje tipike me disa poetë metafizikë, e veçanërisht me poetin e mirënjohur John Donne, i cili në atë kohë rezultoi se ishte ndikuar nga Neo-Platonizmi. Një nga konceptet kryesore platonike që është gjetur në poezinë e tillë metafizike është ideja se përsosmëria e bukurisë në dashuri veproi si një kujtim i përsosur i bukurisë në fushën e përjetshme.

Në këtë sfond edhe dashuria e Kallupit parë në kënde të ndryshme, funksionon si një metafizikë që në një përkufizim të famshëm të Xhorxh Lukáç, kritikut filozof hungarez, gjendet tek fakti se ai e "kërkon përtej të dukshmes" dhe "përpjekjeve për të zhdukur imazhin e vet nga pasqyra përpara në mënyrë që ajo të reflektojë jo vetëm tani dhe jo vetëm aty ku është poeti, por edhe në mjedise e kënde të ndryshme” si proces filozofik i ekzistencializmit. Janë vargje të tilla që dëshmojnë qartë dhe ndjeshëm këtë lidhje: “Reja qesh,/ Gudulisur/ Prej qiparisit të kishës.” apo edhe në këto vargje: “Saharë heshtjeje./ Zëri i laureshës/ Te mezhda”.

Tulipani i artë” i Kallupit


Tulipani i artë” i Kallupit, nuk është vetëm një risi tipike poetike që sjell në xhepin tënd mbi njëqind poezi, por një tulipan vërtet i artë, me të cilin flasin gjuhëarta të njëqind tercinat. Në këtë libërth ndryshe nga të tjerët, Kallupi është rrekur të paraqesë ndjeshëm filozofinë e dashurisë. Ai shprehet se brenda këtyre tercinave, brenda metafizikës së tyre ka ‘peshë mendimi, brishtësi e ciltërsi ndjenje, pastërti shpirtërore, drithërimë zemre, hirësi femërore’. Dhe këto 300 vargje në 100 tercinat e “Tulipani i artë” janë përjetime të nje det-shpirti të trazuar me batica e zbatica.

Duke huazuar nga metafizika e poetit Musa Vyshka që pak a shumë mbetet tek thënia e tij: “Do të vdes i dashuruar”.

Konkluzion


Kallupi mbeti jo thjesht një emër krijuesi dhe letrari masiv, por një vlerë cilësore. Duke ricituar “Do të vdes i dashuruar”, dhe ne, pse mos ta shohim tërë këtë krijimtari mes një ligjësie të tillë, kur kemi parasysh se vetë autori shprehej: “të dashurosh, ke thënë e ke ndjerë cdo gjë....”. Kjo është metafizika më reale e poezisë së poetit Kallupi.


Referenca:

Gardner, H. (1957). Poetë Metafizikë. Londër: Oxford University Press.

Johnson, S. (1968) Shkrime të Përzgjedhuar. Londër: Penguin Books.

Kallupi, M. (2004) Hajku: Përzgjedhje poetike. Elbasan: Egnatia.

Lukács, Xh. (1998) The Antinomies of Melancholypublikuar tek “Other Voices”, v.1 n.1.

Poeteka online, përkujdesje e poetit Arian Leka.


27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page