Kaluam vite kthese dhe nuk dinim mirë,
se jetojmë ende, mes kafshësh me brirë,
mes bishave shtazarake, të peshës së rëndë,
që godasin me brirë, shqyejnë me dhëmbë;
Që marrin nga goja, kotheren të mjerëve
shkelin me thundra djersën e etërve,
thërrimet e pleqve, me lëngun e hirrës,
ua shkelmojnë, nëpër ndeshje brirësh.
Më pas hingëllijnë, sa mahnitet bota
dhe krekosen, se janë egërsira të forta,
se mund të kenë nën sundim njerëzit,
t’u zhvatin pasurinë, nderin dhe erzin...
Ka disa kohë, Zoti po ndëshkon njeriun,
me bukë dhe qumësht, ushqen shiun,
Tund e shkund banesat, me tërmete,
por ata përbindësha, nuk vijnë në vete;
Të kuptojnë se janë këtu përkohësisht,
dhe duhet të ushqehen shoqërisht,
si të gjitha gjallesat, të hanë barabar,
siç bëjnë delet e urta, kur kullosin bar.
S’mund të ketë krijesa superiore në tokë,
ku i plotfuqishëm, është veç i madhi zot,
që krijoi të mirat, për të gjithë njësoj,
jo që dikush të vdesë, e dikush të rrojë.
Mish, peshk, e perime, jep për të gjithë,
në këtë planet me të gjitha mirësitë.
lakminë për më shumë kapital në jetë,
Ai e dënon me përmbytje dhe tërmet.
Por këto kafshë, me instinkt primitiv,
në vend të trurin, kanë brirë agresiv
dhe nuk prapësohen nga vrulli lakmitar,
pa ditur se po shkojnë para kohe në varr.
Mjerë kjo tokë dhe mjerë këta njerëz,
s’gjejnë qetësi nga kjo shtazëri e egër,
dhe detyrohen të kapërcejnë horizonte,
të shpëtojnë nga egërsirat e kësaj kohe.
Ku janë kordhëtarët, që vranë kuçedra,
të ngordhin këtë specie shtazësh të egra?!...
Të kthehet qetësia e dikurshme në breza,
mos qajnë nënat, mos vishen me të zeza!...
Comments