
Në ditën e poezisë, ky reflektim i ndjerë, tek ndërtohet si në prush, me gjithçka, përmes botës, jetës duke frymuar!
Ç' është poezia? Pyes veten kur dëgjoj, lexoj dhe krijoj.
Është si një kopësht ku ti të shetitësh nën fuqinë e ngiyrave, nën zotërimin e ajrit të fushës. Është të mbash frymën nën ujët e freskët të burimit, është të lidhësh në krye shamine e brengave a të gëzimit, është si të mbyllësh vetëm nën paqen e një pylli, është aroma e detit nën lekurën e bronzuar, është si dielli kur të verbon lumtur, si dashuria që s'të braktis kurrë dhe si drita që ti kërkon t'i ngjash fatlume.
Në githë këtë ngashërim të zemrës, të raportit që një poet mban me poezinë, është vetë ekzistenca. Për mua, ajo pra, ekzistenca, është grimca që të hyn në asht, që të depërton në gjak, në tru e të gërvisht ëmbël tejes për të t' thënë: - Ja ku jam! Thuama, tregomë!
Çliromë!
Ashtu edhe poezia, ky pasqyrim i shpirtit me qenien, me natyrën, mjedisin, botën ku ngujimi i çastit, i muzës, bën shndërrimin e vargut në dritësi. Marrëdhënia jetë-dëshirë-dashuri, kalon përmes elementit kohë, duke ecur dore për dorë, frymë me frymë, si ëndrra e ndjenjës që e ndajmë mëngjesit magjishëm.
Gjithnjë e turbulluar nga realitete të befasishme e ndërmarr këtë rrezik, këtë ndarje ndjesie me ato që më duan, që i dua, duke i veshur me vargje, me petale, me mall, me të thëna që zotërojnë vërtetësi, kulme të paqta, zjarre misteresh, mëngiese të zymta, jo prej motit të stinëve, por prej motit dramatik të një njeriu, që godet agut dhe ngërthen dhëmbët mesditës, ndërsa natës fshihet zhguallit, si nëndheja që në përmbytjen më të afërt don të dalë jashtë toke, lakuriqe.
Kjo është poezia e sinqerte, kurora e së cilës është ari i së bukurës, sepse poetët falin, toka bulëzon përsëri, dashuritë kthehen, puthjet e kaltra bëhen shkumëbardha dhe anija e vargjeve e mban qetimin herë në breg, herë në vijën e zjarrtë të horizontit, ku kulturat digjen ndër bekime gjuhësh, ylberesh dhe stuhish, por që bashkohen në një pikë të vetme, në emër të ndjesive, vazhdimësisë, ndaj ato ekzistojnë.
Ndonjëherë misioni i poetit është si shtegtarët që vijnë me shpresë, ndërtojnë me mund, udhëtojnë me përvoja. Ato parashikojne funde të lumtura, të trishtuara, të paqeta, trilluese, por që nuk heqin dot dorë nga ajo, e bukura fjalë. Ato s'mund të ikin heshtur nga kjo botë. E unë dua t'i mishëroj në ato çka dëshira meë bën t'i pranoj edhe kur ngërthehen lavdishëm.
Le të jetojnë pra poetët. Ato i bëjnë mirë botës, natyrës, jetës, brengës dhe vdekjes. Ato i bëjnë mirë gëzimit, qëllimit, lumturisë dhe haresë së zemrës. Në gjithcka, tek gjinia e vet humane, unë përshëndes Njeriun, madhështinë e tij krijuese, për ta bërë botên më të mirë!. Duajini pra poetet, lërini të ekzistojnë, sepse rrinë pranë perëndive. Gjërat që kulmojnë mes vargjeve janë pjesë dielli e qielli, janë dritë jete dhe shprese. E nëse vdes, prapë mbetesh dritë!
E besoj dhe adhuroj Çajupin tonë tek shkruante dikur: "Duani dhe vjershëtorë,/Barabar me perëndinë,/se rri me lule në dorë./dhe këndon dashurinë!...”
Miqësisht shpirtrave të bukur, të mire!
Urime poete! Një frymëzim që të mbush me frymë. Një prozë poetike me mjaft lëng jete, për ta dashur e jetuar jetësisht.
Rrallë na vijnë krijime të tilla me kaq zjarr e prush, për t'u kënduar e admiruar. në heshtje e qetësi.
Meriton lavdërime!
Miqësisht!
Kadriu