top of page

Melosi i mesazhit poetik të Koço Sterjos


Koço Sterjo

Dr Fatmir Terziu

Abstrakt

Joshja nga mbulesa e bukur që kanë gjërat, krijon një ngushëllim metafizik, se prapa furtunës së ngjarjeve vazhdon të rrjedhë e pacënuar jeta e përditësve të fokusuara në memorje. Kjo joshje nuk është thjesht një frymëzim, por dhe një rasye më shumë tek shkallët me të cilat perceptimi ushqehet në vetë jetëdhënie. Në këtë jetëdhënie formësohet kultura artistike, që delegohet nga vetë udha e jetës. Kjo është një shkallë më vete dhe një arsye tjetër që shënon lindjen, jo thjesht njerëzore, por arsyen tek njerëzorja e lindur për të forcuar mesazhin e ardhjes.

Në vdend të hyrjes

Viti 1961, pasonte ngadalë vapën e Korrikut. E Korriku, si muaj i afshët, plot zjarr më vete, “digjte” pas edhe frymën e vet. Në Zagori vapa përcëllonte gurët, dhe kështu “alarmi” vinte tek ajo ndjesi që kapte dhe rrokte përditësinë. Përditësia ishte jetikja. Ishte vetë lidhja me jetën, tokën, bujqësinë, dashurinë, respektin, përkushtimin, familjen, tërsinë e vetë jetës dhe jetikes. Dhe kështu në familjen Sterjo, kjo angushi e vapës ishte dyfish.

E dyfishtë erdhi edhe me shifrën një të muajit Gusht. Erdhi e tillë se pikërisht aty shtohej edhe një pinjoll. Dhe lindja e tij vinte e mbarë. Atë ditë miqtë e tij thonë se foshnja solli qetësi, freski, begati dhe premtim për bereqet më të mirë. Thonë se ai qau pak, si çdo fëmijë që lind i begatë dhe shpejt u qas në duart e prindërve të tij. Aty nga ajo shtëpi tipike, zagoriote, foshnja mashkull shihte ndjesinë e bukuritë e vendit dhe përlotej si në një legjendë.

Kjo legjendë e lotit më pas u bë pjesë e mjaft udhëve të tij. Deri sa ai kapërceu pragjet e jetës, shkollimit dhe një ditë u gjend në auditoret e Universitetit Bujqësor të Kamzës. Atje emri i tij, emri Koço Sterjo, jo pak herë pastaj do të ndeshej mes emrave të letrarëve të këtij institucioni. Ai do të shpaloste edhe atë bagazh të mbrujtur me kujdes me vete, ku sillte jo vetëm Zagorinë, por tërë bukuritë e Gjirokastrës. Aty ishin dhe pështilleshin tërë bisedat, kujtimet, mbarësitë fëminore, memorjet jetike në rritje, dhe vetë zanafilla e shkrimit, sa dhe vetë udhëjeta poetike.

Bisedat dhe udhëjeta poetike

Në bisedat me shokët e tij studentë, ai shpesh herë do të sillte në vargje ato bukuri që më parë i kishte sjellë nga Zagoria dhe talenti i tij në Stamboll, ku gjente frymëzimin, nga Jani Risto, mjeshtri fotograf i Zagorisë. Dhe ai do të mburrej, jo thjesht në një kuptim metaforik, por në qetësinë e tij me këto pamje zagoriote, që sillnin ndjesinë e hershme të “Studio Ristani”. Po kjo bëhej në heshtje dhe në një mënyrë të fshehtë, se në vitin 1947 studio e tij ishte shtëtëzuar dhe frika ishte e madhe për ta bërë publike një bukuri të atillë të fiksuar në fotografi. Këtu dilte frymëzimi poetik, dhe këtu jeta niste mes shkrimit të vargëzonte tërë atë dashuri për jetën, vendlindjen Zagorinë, familjen.

Dhe bukuritë e krahinës ku ai lindi, bukuritë e radha të Zagorisë do të vinin me kënde të ndryshme diamanti, ashtu siç vinte edhe vetë historia e kësaj krahine malore, që dikur ishte nën sqetullat e Tepelenës, në kohën e sundimit Otoman, e më pas vitit 1918-të, në strukturën e Përmetit, që më tej të mbetej si pjesë e Gjirokastrës pas vitit 1923. Por, ajo që e mburrte më shumë frymëzimin e tij ishte se Zagoria shquhej në nivel kombëtar për nivelin e lartë intelektual.

Dhjetë fshatrat e saj Sheper, Nivan, Nderan, Topovë, Konckë, Hoshtevë, Lliar, Vithuq, Doshnicë, dhe Zhej ishin dhe dhjetë arsye më shumë në poezinë e tij që pasoi vitet dhe endet edhe sot në kalemin e tij të mprehtë. E ai tashmë e kishte një arsye më shumë. Atë bukuri e kthente si mesazh mes poezisë. Dhe kështu vazhdoi gjatë. E tani këto bukuri ai i ka me vete, atje në Amerikën e largët, ku vetëm poezitë e tij ia zbulojnë e ia depërtojnë mes lexuesit në arsye dhe mesazhe...

Arsyet dhe mesazhet e poetit

Koço Sterjo, tashmë nuk është thjesht një emër zagoriot, as edhe një intelektual, që ende pason aktivitetin e e tij shumë aktiv në fushën e letrave dhe atë sociale, por edhe poeti që shtrydhi vrullin e tij letrar tek vëllimi poetik “Hark në dy kohë”, një vëllim i suksesshëm. Një vëllim që na la përshtypjen e tërë arsyes dhe mesazhit që në leximin e parë, që na dha dhe arsyen e vetë mesazhit për të pltësuar mesazhin e “detyrimit” të lexuesit. “Kaq shumë tinguj”, natyrisht ka dhe një arsye, po aq sa dhe një mesazh poetik: “Kaq shumë tinguj, /Kaq shumë varfëri. /Të hanim shkronjat, /S’do kishim uri”. Por edhe “Peshq në zall” udhërrëfen poetikisht mes arsyes dhe mesazhit të qartë: “Jetonin në sajë të ndonjë shiu,/Në pritje të një ere të fortë/T’i rikthente në lumë”.

Të gjitha këto shembuj nga krijimtaria e poetit të shpien tek lidhja poetike dhe mesazhi. Ajo që në fakt vjen nga lidhjet e hershme. “Kjo është ajo që është letërsia. Janë njerëzit që kanë shkuar para nesh, duke përdorur mesazhe nga e kaluara, nga jashtë varrit, duke u përpjekur të na tregojnë për jetën dhe vdekjen! Dëgjoni ata!” – thotë Connie Uillis. Kjo nënkupton atë që thotë Hasse Jerner se “Prezenca e një mesazhi ndonjëherë është një prani, lidhje poetike dhe vetë mesazhi.”

Lidhja poetike dhe mesazhi

Robinson Jeffers, në një lexim të afërt me një nga poezitë e tij kushtuar syrit të përgjakur, duket se qas pikërisht atë harmoni lidhjesh me Sterjon e poezinë e tij “Sy tё pёrgjakur”. Tek poezia e puna e tij e pakompromis festohet bukuria e qëndrueshme e detit, qiellit dhe gurit dhe liria e egërsia e kafshëve të egra në kontrast me sjelljet njerëzore, pazarllëqet dhe lakmisë që vijnë nga retina e syrit.

Tek poeti shqiptar Sterjo, ajo që vjen është një perëndim i ditës përpos atij muzgu: “Me perёndimin e ditёs ata janё,/Pёrpos tij ёshtё muzgu,/Paskёtaj, si gjithnjё, vjen nata/Me rrason e njё murgu.”. ndërsa më tej për Sterjon “Kapilarёt, si pёrrenj tё rrёmbyer,/Si tё ishin prej bastardit,/Njё ditё mund tё vёrshojnё/Nё retinёn e bulevardit.” dhe për Jeffers janë udhët e ndjekura nga i ati i tij tek i cili ai arriti të lexonte sytë e vërteta të jetës. Edhe pse i lidhur ngushtë me bregdetin e Kalifornisë, Jeffers ka lindur në Pitsburg, Pensilvani, dhe kaloi pjesën më të mirë, djalërinë e tij në shkollat me konvikte në Evropë. Babai i tij, një ministër prezbiterian i ashpër dhe profesor i Dhiatës së Vjetër, trajtoi mjaft gjëra në greqisht dhe latinisht, që më pas i dha atij një ndikim sa ballkanik aq edhe estetik në mënyrën e ndjesisë trajtuese të gjërave. Tek këto gjëra ai pa diagnozën e syve, shikimive të atjetejme, e të përtejtejme, duke, ndukur arsyen e shtrydhur mesazhin. Në të njtën mënyrë poeti Sterjo sheh se kjo është vetë arsyeja që vjen nga po ajo shëresë dhe se më tej “Diagnoza e syve tё pёrgjakur,/Vdekjen do tё kishte shёrim./Janё prishur tё gjithё laboratorёt./Mjerim, vёrtet, mjerim!”

Robinson Jeffers ka rifituar popullaritet në vitet e fundit si një sitemues i mesazhit të dhunshëm poetik të ambientalizmit, ndërsa tek Sterjo angazhimi i tij poetik është më shumë se arsye dhe mesazh. Për Sterjon me sytë dhe shikimin e tejdukshëm asgjë nuk ka rëndësi, ose më saktë “S’ka rëndësi” pasi dashuria dhe mesazhi udhëtojnë jo dhunshëm. Ato kapërcejnë dhe ndërlidhen me diskursin e vlerave natyrore dhe kështu “Nё sytë e tu tё ёmbёl/Njё dritë e fortë u ndez,/S’ka rёndёsi nё quhesh Irene Mercado,/A Nensy Martinez.” apo dhe më tej “Nga gjuhёt e flakёs,/Gjithë qenia mori zjarr,/S’ka rёndёsi nё quhesh Karina Reza/A Maria Sandoval.” Se kështu është dhe s’ka rëndësi “Mbi zjarrin ra shi,/Njё lёng i tejdukshёm hyjnor,/S’ka rёndёsi nё quhesh Irma Escobar,/A Marciela Taylor./Pas shiut, natyra/Shpёrtheu nё gaz,/S’ka rёndёsi nё quhesh/Victoria De La Pena/A Sofia Diaz.”

Kur flet “Indiferenca” dhe malli

Kjo ndodh edhe tek “Indiferenca” ku vetë “Indiferenca” “Ky shkёmb i rёndё/Udhёs sё kuptimit,/Ciflat i ka/Nga shpirti i secilit./Mundohet bota, Atё ta shembi, /Po ajo ёshtë vetё/Materie e kёtij shkёmbi.” qaset në vetë diskursin ndërlidhës të natyrës me individin nga ai pjell këtë arsye të indiferencës. Kjo që për Robinson Jeffers, nuk është thjesht një indiferencë, por një lidhje tek dhuna që sjell vlerat e saj të reja mes heshtjes, shpërfilljes. Edhe ajo si e tillë është vrastare. Vrastare edhe e natyrës, e bukurisë dhe dashurisë.

Duke përfunduar

Siç shihet duheshin mjaft vite që të vinte viti 2011-të, dhe pikërisht Shtëpia botuese “Albin” në Tiranë të sillte në jetë jetën e shtrydhur poetike të autorit të “Hark në dy kohë” (poezi), Koço Sterjos. Të njëqind e nëntëdhjetë e katër faqet e tij janë kështu frymëza të mbledhura në memorjen e tij kulturore, për të pasuar më tej arsyen, mesazhin dhe mirëkuptimin sa vendlindës, aq edhe jetik të atij vendi ku ai jeton dhe mediton për tërë atë rrugëtim të gjatë me pikëlotëtakimi Zagorinë. Dhe vetëkuptohet pse poeti është i helmuar... Këtë helm e ka nga dhimbja për Atdheun. Dhe ai vetë kështu thotë: “I helmuar jam/Pёr njё ҫik’ Atdhe./Ti,qё je kёtu,/Nuk je si atje./Ti,qё je atje,/Nuk je si kёtu./Njё erё ҫ’mё ngren/Qiejve kuturu…”. Koço Sterjo shkruan thjesht, bukur dhe natyrshëm mesazhi i tij është një melos poetik.

11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page