top of page

Meditime të Markus Aurelius


Meditime të Markus Aurelius

Astrit Lulushi


Jo të gjithë njerëzit e fuqishëm janë të mëdhenj. Kaq gjë na e mëson historia, se askush nuk e di se çfarë do derisa t’i plotësohet dëshira. Marcus Aurelius ishte perandor romak, i quajtur perandor i madh. Ai ishte edhe filozof, dhe asnjëherë nuk pushon të na habisë me Meditimet e tij.


“Të gjithë e duam veten më shumë sesa duam të tjerët, por kujdesemi më shumë për mendimet e të tjetëve sesa për mendimet tona.”


Lexoni deri në fund për të tjera citime - ai ka shumë prej tyre.


Marcus Aurelius në shumë mënyra ishte perandor i përsosur - i disiplinuar, i matur, i përkushtuar, i përulur. Atje ku shumë perandorë iu nënshtruan dëshirave, Marcusi stoik mbeti imazh i moralit dhe virtytit. Arritjet e tij, fatkeqësisht, janë të pakta; jo për shkak se ishte i mirë a i zoti, por për shkak natyrës së ngjarjeve që shoqëruan mbretërimin e tij 19-vjeçar.

Perandori Hadrian - një tjetër perandor i madh - kishte kohë që e shihte Marcusin e ri si pasuesin në fron. Ndërsa shëndeti i Hadrianit filloi të bjerë, u bë e qartë se ai nuk do të jetonte aq kohë sa të shihte Marcus të arrinte moshën e rritur. Përvojat e mëparëshme kishin treguar se perandorët e rinj në moshë kishin qenë gjithmonë autokratë e plot vese.

Kështu, Hadriani zgjodhi një Senator të quajtur Antonious për në fron me kusht që të kujdesej për të riun Marcus dhe një djalë tjetër të quajtur Lucius të cilët kur të rriteshin të zinin postin e perandorit. Antonious pranoi.

Gjatë qeverisjes Antonious nuk ngriti monumente madhështore, por ndërtoi rrugë dhe porte tregtare. Ai nuk komandoi legjione për të pushtuar toka të reja, por siguroi paqen përmes diplomacisë kudo që të mundte; nuk shpenzoi shuma të mëdha nga thesari Perandorak por e ruajti atë dhe dhuroi nga pasuria e tij personale.

Antonious do të qëndronte në Romë si perandor për 20 vjet - dhe gjatë gjithë kohës përgatiste të rinjtë Marcus dhe Lucius për këtë detyrë. Por fakti që Antonious nuk doli kurrë nga Roma i la djemtë e adoptuar pa ndonjë përvojë ushtarake.


“Së shpejti do të bëheni hi e kocka. Më së shumti mund të lini pas një emër - dhe atë vetëm si jehonë a tingull. Gjërat që duam në jetë janë boshe, pashije e pavlerë.”


Ndërsa djemtë hynë në moshë madhore, u bë e qartë se kush do të bëhej perandor dhe kush jo. Marcus ishte i përkushtuar, i shkathët dhe i mençur ndërsa Lucius kënaqej duke pirë e festuar çdo natë. Sidoqoftë, Marcus vazhdoi ta mbështeste vëllain e tij dhe të dy mbetën të lidhur me njeri-tjetrin. Marcus ishte i zellshëm kur bëhej fjalë për të medituar dhe do të vepronte në përputhje me bindjet e tij gjatë gjithë jetës. Ai do t'i regjistronte mendimet në një ditar personal - pa qëllim për ta botuar - që ne e quajmë "Meditime". Këtu kemi një vështrim të shkurtër për njeriun prapa fronit - i mençur, i vendosur dhe i paepur - që e shihte pozitën si përgjegjësi dhe jo si mjet për të lartësuar veten e për t’u pasuruar.


“Ju keni pushtet mbi mendjen tuaj - jo mbi ngjarjet. Kuptojeni këtë dhe do të gjeni forcën”.


Kur Antonius vdiq në vitin 161, Marcus u bë perandor. Në shtratin e vdekjes, Antonious nuk foli për gjithçka që kishte bërë, por përkundrazi, renditi mbretërit e huaj që i kishin bërë atij padrejtësi. Kryesori mes tyre ishte mbreti Parthian i cili ishte zhvendosur kohët e fundit në Armeni dhe rrëzoi mbretin kukull romak në favor të një mbreti kukull parthian. Ndërsa Marcus u bë perandor, ai kishte kërcënimin e luftës mbi kokë, dhe fjalët e fundit të të atit të adoptuar dhe mësuesit të tij me siguri i kumbuan në veshë. Marcus do të caktonte vëllain e tij Lucius në fron, duke e bërë atë bashkë-perandor.


“A nuk shkëlqen drita e një llambe derisa digjet? Pse nuk duhet të shkëlqejë e vërteta, drejtësia dhe vetëkontrolli juaj derisa të shuheni?”


Marcus ishte fuqia e vërtetë prapa fronit, por zgjodhi të lartësonte Lucius.

Së pari, Marcus u përpoq të negocionte me parthianët. Këta nuk pranuan. Pas kësaj, forcat parthiane pushtuan provincën romake të Sirisë.

U vendos që Lucius të dërgohej në Siri për të trajtuar personalisht problemin. Lucius ishte më i ri dhe me shëndet më të mirë se Marcus, dhe gjithashtu duhej të shkëputej nga argëtimet e Romës.


“Gjithçka që dëgjojmë është opinion, jo fakt. Gjithçka që shohim është perspektivë, jo e vërtetë”.


Lucius do të sillej në mënyrë të admirueshme në vitet e ardhshme. Ai do të organizonte përgjigje ushtarake që i detyroi parthianët të zmbrapseshin nga territori Romak dhe më pas Romakët të pushtonin Parthian.


“Shpirti merr ngjyrën e mendimeve”, do të shënonte Markus në fletoren e shënimeve.


Fisi gjermanik Marcomanni kishte tradhtuar Romën dhe filloi të sulmonte territorin romak në mes të viteve 160. Marcus do të detyrohej të drejtohej drejt Galicisë dhe të merrte komandën e ushtrisë romake. Lucius do të vdiste menjëherë pas kësaj duke e lënë Marcusin të vetëm në fron.

Marcus mori komandën e legjioneve Veriore në 169 dhe filloi të luftonte Marcomanin. Shumë mund të pyesin pse Marcus nuk caktoi një gjeneral për t'u marrë me këtë çështje. Por nëse një gjeneral kishte legjione të mjaftueshme për të luftuar kundër hordhive gjermane, ai do të kishte legjione të mjaftueshme për të marrë fronin e perandorit. Kjo kishte ndodhur sa e sa herë më parë - i forti sundonte, jo i drejti.


“Në vazhdën e kohës jeta e njeriut zgjat vetëm sa një pikë”.


Marcus ishte popullor mes Senatorëve dhe elitave të Romës, por ishte jopopullor në mesin e ushtrisë. Si rezultat, ai perceptohej si i dobët e frikacak, dhe legjionet mund të caktonin në fron dikë që e shihnin më të guximshëm.


“Mos lejoni kurrë që e ardhmja t'ju shqetësojë. Ju do ta takoni atë nëse keni nevojë, me të njëjtat armë arsyeje që jeni armatosur për të tashmen”.


Ndërsa Marcus filloi të luftonte me gjermanët, ai përdori dinakërinë e tij dhe i sprapsi mjaft shpejt. Në vend që thjesht të paguante një haraç për paqen dhe të vazhdonte më tej, Marcus synoi ta shkatërronte kërcënimin gjerman. Ata kishin sulmuar provincat romake për dekada dhe përbënin rrezik të vazhdueshëm për perandorinë. Marcus do ta pushtonte Gjermaninë dhe do të fillonte të ndiqte dhe shkatërronte fiset në zonë.


“Hakmarrja më e mirë është të veprosh ndryshe nga ç’mendon kundërshtari”.


Kjo ishte shumë më lehtë të thuhej sesa të bëhej. Kishte shumë gjermanë dhe ata nuk ishin të huaj në konflikt. Nëse do të shihnin Romakët që vinin, ata thjesht mblidhnin fshatin e drejtoheshin më në lindje dhe lufta kthehej në një luftë tërheqjeje. Të 11 vitet e mbetura të mbretërimit 19-vjeçar, Marcus do t’i kalonte duke udhëhequr legjionet kundër fiseve gjermane. Ai do të tërhiqte me vete djalin e tij të ri dhe bashkë-perandor Commodus për ta mësuar në të njëjtën mënyrë si atë vetë e kishin mësuar. Marcus pa pak Lucius në Commodus dhe kjo e shqetësoi. Commodusit i pëlqente të pinte dhe kishte krijuar emër të keq. Marcus kishte shpresuar se jeta në front dhe mosha do t’i zbusnin këto vese, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi.


“Vdekja na buzëqesh të gjithëve, por gjithçka që njeriu mund të bëjë është t’i buzëqeshë asaj”.


Në shtratin e vdekjes në vitin 180 Marcus do t'i lutej djalit të tij që t’i jepte fund luftës kundër gjermanëve. Commodus refuzoi, duke u bërë një nga perandorët më monstruozë në historinë e Romës. Mjerisht, trashëgimia më e madhe e Marcus lidhet me atë të djalit të tij. Po të mos kishte qenë Marcus, Roma nuk do të ishte dashur kurrë të duronte vështirësitë që pësoi nën Commodus, i cili do ta falimentonte perandorinë, duke luftuar me paaftësi, dhe si një gladiator do të vriste brutalisht njerëz të pafajshëm, do të kundërshtonte me dhunë Senatin, dhe do të shkaktonte grindje të madhe të brendshme.

Mbretërimi i Komodus ishte katastrofë, aq i pandërgjegjshëm saqë shënoi fillimin e viteve në rënie të Perandorisë Romake. Ai ishte i keq sa Marcus ishte i mirë.


“Nuk është vdekja nga e cila duhet të kemi frikë, por është frika që duhet të kemi se kurrë nuk mund të fillojmë të jetojmë”. (Meditime, Marcus Aurelius).

39 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page