NGROHTËSIA E TË DIELËS SË TRETË TË KORRIKUT 2006
Nga Abdurahim Ashiku
Ajo flet dhe këndon. Ai shtrin gishtat mbi tastierë dhe nxjerr nga vullkani lavën e shpirtit të tij: të ngrohtë, të nxehtë, në flakë deri në shkrirje. Auditori është po ai, i përshkruar në kronikën për poetin dhe poezinë e Stefan Martikos. Veprimtaria ishte NJË, e Liter Art ashtu si edhe salla, edhe auditori, edhe sponsorizimi modest i Bankës Amerikane të Shqipërisë e cila është gjithnjë e më e pranishme në veprimtaritë e emigrantëve duke ua “lagur buzët“ e shtuar lëngun e freskët të frymëzimit.
Në një moment, kur tastiera e Spartakut dhe zëri i Anthullës shkriheshin në “Ujët e Burimeve” ndjeva se në atë shkrirje u bashkua zëri i tërë sallës, i atyre “që dinin” dhe i atyre që “nuk dinin të këndonin“ siç do t’i “ndante“ profesori shkodran i Akademisë së Arteve të Bukura Sandër Çefa. Midis këtyre të fundit isha edhe unë. Njeriu, kur këndon, pavarësisht se çfarë vlerash muzikore ka zëri i tij i jashtëm, këndon me zemër me zërin e brendshëm të shpirtit të tij. Se kënga e muzika paska magjinë të të ngrejë nga salla, të të marrë përdore si një fëmijë e të të përcjellë sokaqeve të Korçës, në ato sokaqe, plloçat e gurta të të cilëve, janë ngrënë më shumë nga fshesa dhe lecka e gruas pastërtore korçare se sa nga shollët e këpucëve të serrenatakënduesve të njohur të këtij qyteti të muzikës dhe qejfit njerëzor. Se kënga dhe muzika, kur u bashkuaka me “Ujin e burimeve“ të Lasgush Poradecit të merrka jo përdore, por përkrahësh e të ngjitërka në qiellin e lumturisë shqiptare, të zhyskërka në thellësitë e kaltra të liqenit e të ngjitkërka maleve, nga Jugu në Veri duke të bërë shok me shqiponjat, simbolin tonë kombëtar, kokë, ngjit me kokën e tyre në fluturim.
Që të ndalesh e hysh thellë në muzikën e Spartak Tilit për një dashamirës të thjeshtë të muzikës që në rini nuk ka lënë operë të kohës pa parë e që në bibliotekën e tij ka një raft me libra për jetë muzikantësh të mëdhenj, vetëm me kaq pak njohuri, është e vështirë, madje është aventurë. Ndaj, midis atyre që thanë fjalë për Spartakun dhe bashkudhëtaren e pandarë të jetës njerëzore, të këngës e muzikës profesionale, Anthullën, i lash hapësirë fjalës së një muzikologu, një njeriu që i kishte dëgjuar e ridëgjuar “disa herë” të dy CD-të e reja, dhe “në mënyra të ndryshme“, midis atyre pra, u ndala tek Sandër Cefa, pedagogu i tyre në Akademinë e Arteve të Bukura të Shqipërisë, emigrant edhe ai si unë edhe ti.
* * *
Kujtova vendin tim, shtëpinë, rininë time…
Jemi mbledhur sot, ndër të tjera, për të promovuar e për t’u njohur nga afër me dy CD, në viaskat e imta të të cilave Anthulla dhe Spartak Tili, kan gdhendun me shumë dashuni, me shumë ndjenja, me mjeshtri e profesionalizëm disa kangë shqiptare (rreth 40) e që nuk janë pak, do të thoja.
Sigurisht që pa Spartakun, pa punën e tij këmbëngulëse, pa talentin dhe aftësitë profesionale në harmonizimin, orkestrimin e interpretimin si instrumentistë të repertorit që përfshin këngë pothuajse nga tërë krahinat kryesore të vendit, të dyja CD-të sot nuk do të kishin jetë. Por, sido që të jetë, sot festën e ka Anthulla, sepse është zëri i saj që udhëheq, është fjala e melodia e kangëve që depërton drejtpërsëdrejti tek dëgjuesi, dhe për këtë bindet çdo njeri që i dëgjon CD-të i pajisur qoftë me një intuitë muzikore sado të lehtë që ka brenda vetes. Këtë e vërteton edhe vetë kushtimi i CD-ve: “Ujët e burimeve”, Anthulla e Spartak Tili, i cili mendoj unë se është shumë i kënaqur me sukseset e reja të Anthullës.
Si Spartakun edhe Anthullën i njoh s’afërmi. I kam patur edhe studentë në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve, studentë të dhjetave, të talentuar e shumë punëtorë.
Spartaku ka mbaruar Akademinë e Arteve për kompozicion me rezultate shumë të mira. Është kompozitor i mjaft veprave simfonike orkestrale si për shembull “Koncert për klarinetë e orkestër”, “Suitë simfonike për flaut e orkestër” (e frymëzuar nga meloditë popullore , “Koncert harqesh në katër kohë”, një “poemë vokale simfonike kushtuar rilindasisve” etj. Ka shumë kangë të përpunuara për Ansamblin e Kangëve dhe Valleve Popullore. Ka marrë pjesë vazhdimisht në festivalet kombëtare në RT Shqiptar e në festivalet lokale e kombëtare për fëmijë, në festivalin e romancave ndër të cilët mjaft herë është nderuar edhe me çmime. Ka punuar disa vite si shef redaksie në RT Shqiptar e të tjera, e të tjera…
Dua të theksoj se këto dy CD, për të cilat po flasim sot, nuk janë të parat. Ka një përmbledhje prej 12 kangësh të mëparme të titulluar “Në vite të shkuara“ si dhe dy CD me kangë të zgjedhura nga kompozitorë të tjerë shqiptarë si P. Gaci, G. Mullai, K.Gjini, Sh. Saraçi etj. dhe vazhdon në kërkimet e tija edhe sot e kësaj dite.
Anthulla ka mbaruar së pari Liceun Artistik në degën e teorisë duke marrë njëherazi diplomën për kanto. Në vazhdim ka përfundue edhe tek Instituti i Lartë i Arteve në Tiranë në degën e muzikologjisë me rezultate shumë të mira duke vazhduar njëheri edhe degën e kantos me këngëtarin e pedagogun e shquar Luk Kaçaj, por që për fat të keq, jo për fajin e saj, Anthulla i ndërpreu mësimet dhe si rrjedhim asaj iu shua edhe ëndrra kaq shumë e dashur. Por nuk thotë kot fjala popullore “Kur ka za nuk del pa gja” (e kam fjalën për Zanin njerëzor). Mërgimi, ja që i hapi dritare të tjera, që krijuan edhe disa kushte, për të cilat siç shprehet vetë Anthulla, në fillim qe iniciativa dhe interesimi i Lindita Theodhorit dhe vetë Spartakut në hapjen e një lokali ku Anthulla gjeti vetveten dhe kushtet për tu aktivizuar vetë si dhe për të ngritur grupe për të organizuar takime e koncerte. Them gjithashtu se edhe realizimi i dy CD-ve të fundit flet qartë për përpjekjet që Anthulla bën vazhdimisht për të ecë përpara me çdo kusht e në çfarëdo rrethanash që ndodhet.
Të ndalemi tek dy CD-të. Të dy disqet paraqesin shumë interes si në ndigjim ashtu edhe në studim, si për kriteret e ndjekura në përzgjedhjen e repertorit si edhe në renditjen e tij. Pothuajse të gjitha kangët e të dy CD-ve janë të njohura e që dihen e këndohen nga shumë e shumë njerëz që janë rritur me kangët popullore e që mirë a keq i këndojnë kur e sjell rasti. Janë kangë që i kanë këndue e interpretue këngëtarë të shquar e të zakonshëm e që me sukses e pa sukses e kanë fiksue arritjen në interpretimin vetjak të kangëve për të cilat bëhet fjalë. Në këtë vështrim edhe Anthulla, që të kishte sukses, duhesh që patjetër që në interpretimin e këtyre kangëve të përmbledhura në dy CD të vuloste personalitetin e saj artistik në rreshtin e parë, dhe për mendimin tim këtë detyrë e ka realizue me shumë sukses.
Anthullës, e cila ka një zë shumë të bukur, të ëmbël, të depërtueshëm dhe emocionues i këndon zemra, i këndon shpirti, i punon mendja vazhdimisht edhe për detajet më të imta të kangës, si p.sh. në hapjen e mbylljen e frazave muzikore të lidhura përherë me fjalët e kangës, me përmbajtjen si dhe me tiparet karakteristike të melodive të saj, pra të kangës. Dhe Anthulla tërë këto kërkesa i ka realizue me një nivel shumë të mirë artistik, përveç të tjerave edhe me zërin e saj karakteristik e të shtrirë mes sopranos e mezo sopranes.
Të dy CD-të i kam ndigjue disa herë në mënyra të ndryshme: një herë me kangë të veçanta aty këtu, një herë tjetër vetëm me një grup “Këngësh Qytetare Korçare”, ”Këngë nga Shqipëria e Mesme”, “Këngë Dibrane”, “Këngë Qytetare Vlonjate”… përsëri ndjeva kënaqësi. I kam ndigjue CD-të veç e veç, në ditë të ndryshme e përsëri kënaqësi ndjeva. Në fund vendosa të ndigjoj të dy CD-të bashkë me një pushim 30 minuta. Nuk u lodha dhe as u mërzita, përkundrazi kjo e fundit më futi edhe më thellë në emocione e mësime. Nuk u lodha sepse e përfytyrova veten në një sallë shfaqjesh duke ndigjue koncertin recital të një kangëtareje shqiptare të cilën më parë nuk e njihja. Në fund nuk u interesova të pyes poshtë e lart për emrin e saj. Më mjaftonte zëri dhe interpretimi i saj që më ngjalli ndjenja atdhedashurie… Kujtova vendin tim, shtëpinë time, prindërit, të afërmit, fejesat, martesat, dasmat, rininë, natyrën tonë të mrekullueshme, pasurinë e madhe e të pavdekshme, do të thoja të artit tonë muzikor qoftë popullor apo profesionist. Mendoj se edhe të tjerët gjëra të tilla do të ndjejnë në shpirtin e mendjen e tyre.
Le t’i urojmë suksese të tjera të reja çiftit Tili në krijimtarinë e tyre fisnike artistike, në zbulimin e vlerave si dhe në zhvillimin e mëtejshëm të muzikës sonë mbi bazën e traditave tona artistike me tërë hapësirën e mundësitë që i ofron koha dhe vendi ku tani për tani ndodhemi të gjithë.
* * *
Në pragmbyllje, Spartaku që deri atëherë kishte “folë“ me muzikën e tij, bëri zë në sallë tek “u detyrua“ t’i përgjigjej pyetjes së Lefter Simonit se çfarë do të presin dëgjuesit nga Spartak dhe Anthulla Tili në të ardhmen për këngën dhe muzikën shqiptare. “Jam në proces të një CD-je komplet me krijimtari të re- tha ai. Janë të kompozuara, ndofta ende të pa bëra, të papjekura si të thuash, se ato do të futen në furrë (qesh). Janë edhe disa të tjera që kam kompozuar, në përshtatje me intonacionet idiotati, që Anthulla i këndon shumë bukur, dhe do të jetë përsëri CD e saja. Atë tjetër me muzikë hareje mund ta kombinoj me Anthullën bashkë me një djalë. Janë këtu nja dy djem që mund të bëj një bashkëpunim të frytshëm…”
Në mbyllje të fjalës, Dhionis Qiridzi, poet dhe gazetar, solli një detaj që ishte i lidhur me Spartak Tilin dhjetë vjet të shkuara. Nuk po e përcjell për lexuesin sot. Ndonjë ditë do të gjej kohën të pi një birrë të ftohtë në lokalin ku luan muzikë shqiptare Spartak Tili dhe këndon këngë shqiptare Anthulla Tili. Me atë detaj do të filloj një meditim tjetër nga jeta e këtij krijuesi të talentuar që na e mbush shpirtin me muzikën dhe “këngët e vendit tim“.
Në mbyllje të këngës dhe muzikës së asaj të diele të 23 korrikut 2006 në Solomu 15 – 17 më tërhoqi një moment emocionant, Anthulla dhe Spartaku midis autorëve të teksteve të këngëve të tyre, midis tyre edhe një autor i hershëm, poeti dhe pedagogu i njohur i Universitetit të Tiranës Foto Malo.
Comments