Kujtime për librin: « Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara“
Alfred Papuçiu
Libri erdhi para lexuesve, pas një reflektimi të gjatë nga ana ime. Ky vëllim, i cili për nga numri i faqeve është i vogël, nga brëndia kap një gamë të tërë problemesh, të trajtuara me vërtetësi, si mesazh për brezin e ri shqiptar që nis rrugën e gjatë, të vështirë por edhe të bukur të diplomacisë dhe të punës me organizatat ndërkombëtare. Cdonjeri prej ish-kolegëve dhe shokëve të mij që kanë punuar dhe punojnë me organizatat ndërkombëtare mund ta bëjë një gjë të tillë më mirë se unë, edhe në të ardhmen. Por meqë shumë miq e dashamirës më shtynë ta nxjerr këtë botim, me mesazhet e tyre të ngrohta, vendosa të prezantohem para lexuesit shqiptar me këto nota modeste, të një ish funksionari ndërkombëtar që prej tre dekadash ka punuar me organizatat ndërkombëtare në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin), në OMS, në Byronë Ndërkombëtare të Punës dhe si konsulent për botimet pranë organizatave ndërkombëtare.
Ja ç’më shkruante ndër të tjera miku im Gjergji nga Nju Xhersi: « Shkrimin e lexova me vëmendje dhe më pëlqeu. I përket vetëm elitës së historianëve, po jo si unë, me të cilën nuk jam marrë që prej 20 vitesh. Është shkrim që pasuron historinë e vendit tonë. Megjithëse sot brezi i ri nuk po di se ku është, ç’po bën dhe ç’ideal ka. Në këto çaste, Shqipërisë nuk po ja var asnjeri fillin… ». Më brengosi kjo frazë e fundit, duke menduar se edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët duhet bërë diçka për të tashmen dhe të ardhmen. Ëngjëlli, një miku im, mjek në Gjenevë, më shkruan: « Më në fund ja arrita qëllimit. Tani e tutje, nuk besoj se do kemi ndonjë problem për komunikimin me e-mail. Me këtë rast, dua të të shpreh simpatinë time për shkrimin e fundit të botuar. Ai në tërësi plotëson me të vërtetë të gjitha parametrat e një shkrimi publicitar, me shije të hollë e me argumenta, të rradhitur me kujdes e në përputhje me rregullat e publiçistikës. Në faqen 7 ndoshta mund të kishe hequr atë frazë, sepse ti e ke trajtuar atë fenomen edhe më parë. Kam mendimin se në redaksi çdo mëngjez pyesin : Kemi ndonjë gjë nga ai që ka shkruar për « qoftëlargun » ? E këtë unë nuk mund ta duroj ta thonë për ty, pasi i ke shkrime të arrira ». Pas fjalës së mikut tim, vendosa që në këtë vëllim ta përmend vetëm pak herë atë « qoftëlargun » që personifikon një njeri që edhe pse përbën pakicën, është jashtë normave të civilizimit njerëzor. Ndërsa një mik tjetër, artist, më shkruante ndër të tjera : « Përshëndetje nga celulari i ri. I lexova mesazhet e tua, si dhe artikujt e fundit dhe u kënaqa, edhe pse këtë muaj kohën e kam me pikatore për shkak të provave të stërgjatura, mëngjez e pasdite, si edhe gjatë week-endeve të këtij muaji ». Ndërsa një mik tjetër në Turqi, Agimi, më shkruan : « U gëzova shumë për mesazhin tënd. Shkrimet si gjithmonë më kanë pëlqyer shumë. Pse nuk i nxjerr më mirë në një vëllim. Do të jetë një mesazh i bukur për shqiptarët… Dje u ktheva nga Shqipëria. E kalova mirë me familjarët, takova dhe disa të huaj që kishin ardhur për privatizimin e bankës së kursimeve nga Austria dhe Hungaria. Këto dy muajt e fundit kam qënë me shërbim në disa vende. Ne këtej kemi 9 ditë pushim për Bajram. Kemi një ftesë për të shkuar në Prishtinë. Do bëhet një pritje nga shqiptarët që punojnë në UMNIK, në ditën e festës kombëtare. Këtej bie shi, siç i thonë në Shkodër…si në Stamboll. Të shpresojmë se do t’i shkruajmë njeri tjetrit më shpesh. Tung…“ Ndërsa një mik i imi nga Nju Jorku më shkruante : « I dashur Alfred ! Po të shkruaj nga toka e bekuar. Udhëtimi shkoi mirë, pak i gjatë. Në krah të djathtë, në aeroplan kisha një korçar, 64 vjeç që shkonte në Amerikë me „green-card“ dhe në krah të majtë kisha një 74 vjeçar tironas, qefli, i persekutuar nga regjimi komunist. Në mes isha unë 50 vjeçari që mbush por nuk zbraz. Në sportel më doli një grua kuqse, me size, e cila më shënoi hyrjen vetëm për një muaj, pasi vija nga Shqipëria. Unë vizën e kisha në rregull, por kur nuk e di gjuhën kështu të ndodh. Ndërkohë do përpiqemi në zyrat e migracionit mos e shtyjmë qëndrimin edhe një muaj. Erdha që erdha të shoh pak edhe miqtë e vjetër që janë vendosur këtej nga Nju Jorku. Sot do festojmë edhe ditën e gjelit të detit. Sa të mëdhenj janë gjelat e detit këtu. I presim me sharrë thelat….Lidhur me shkrimin për OKB-në mendoj që ta zgjerosh dhe ta botosh në një libër të veçantë…“ Ndërsa Artani, djali i një ish-kolegut tim të vjetër, Sulos, më shkruante. „ I dashur Alfred! Po të drejtohem me „i dashur“, pasi me të vërtetë nga ato që kam dëgjuar nga Babi për ty, në kohën kur punonit bashkë me organizatat ndërkombëtare, ke hyrë në familjen tonë si një njeri që konsiderohet sinqerisht i afërt. Me ato shkrimet e tua dhe sidomos me “meditimet”, më bëre edhe mua të kujtohem se jam një pjesë e shqiptarëve dhe e Shqipërisë këtu… Puna me të vërtetë më ka zënë shumë kohë. Ti e kupton që këtu s’është e lehtë e për të ekzistuar duhet shumë punë. Unë prej këtij viti kam filluar me biznesin e komponentëve elektronikë e kështu që më zenë të gjithë kohën e lirë, pasi duhet edhe të studjoj ato për të patur të paktën minimumin e njohurive…” Ndërsa një mik tjetër më shkruan: “Isha një javë në udhëtim. Shkuam me makinë në Kosovë dhe ndaluam edhe dy netë në tranzit në Selanik dhe Kavallë. Shqiptarët në UMNIK kanë një traditë prej tre vitesh dhe organizojnë shumë bukur festën kombëtare atje. U kënaqëm me të vërtetë. Aty pashë numrin e stërmadh të flamurëve kombëtarë, sa nuk kisha parë ndonjëherë. M’u kujtua shkrimi yt i bukur , “Dita që na e bëri botën atdhé”. Fola për ty dhe me një miken time që punon në Kombet e Bashkuara dhe i thashë të komunikojë me ty lidhur me shkrimin tënd për OKB-në, mbasi asaj i intereson shumë kjo temë. Ishim sëbashku në Prishtinë”. “Është kënaqësi e veçantë të lexosh artikujt e tu, më shkruan një i ri nga Shqipëria, pasi për mendimin tim, janë të pasur. Ju operoni mjeshtërisht me detajin gjë që nuk është e lehtë të arrihet gjithmonë. Me Bujarin kam hyrë në kontakt dhe të falenderoj për ndihmën. Përsa i përket gazetave, unë jam i interesuar që të shkruaj here pas here për tema të ndryshme. Dua të të sqaroj që ajo që unë kam realizuar këtu nuk është librari por një pavion me libra shqip në bibliotekën e qytetit. Deri tani kam dorëzuar rreth 200 tituj dhe jam në kërkim vazhdimisht. Kështu që jeni i mirëpritur dhe jam kurioz edhe për librat tuaj të rinj”. Së shpejti mund të përurojmë “Shtëpinë e librit shqip” dhe jeni i mirëpritur të vini…Ndërsa një mik tjetër, diku larg meje më shkruante: “Ti e di përrallën e dhelprës me rrushin, përse e shau dhe e përbuzi ajo! Ky është edhe problemi yt dhe i imi me atë “qoftëlargun” kalimtar këtu në diasporë. Unë jam bërë imun tani dhe nuk më bën përshtypje cmira e xhelozia që mund të ketë ndonjë i paaftë ndaj nesh, ndaj shkrimeve që ti shkruan apo ndaj asaj që përgatis unë në artin që ushtroj, pasi epoka e tyre tashmë është larg. Urimet më të mira dhe ditë më të mira për bijtë e denjë të Krishtit !” Një mik i imi, Agroni, I paharruar, nga Shqipëria më shkruan: “Më fal se nuk të kam shkruar për një kohë, pasi Interneti këtu ka patur një fare difekti dhe vetëm sot munda të të shkruaj. Mua më duket se që kur shkoja tek “Balzaku” dhe Gjeneva po më duket larg. Mbaruan negociatat pres mos organizohet ndonjë seminar…Më bëhet qefi që vazhdon të shkruash, sepse e di që ti e ke patur gjithmonë pasion. Si publicist i vjetër më pëlqen shumë që jep mesazhe edhe për ne këtej. Megjithë qef do të ndihmoj për të dhënë ndonjë mendim për shkrimet që mendon të botosh, por jo me shpërblim siç propozon ti. Sepse kontributi im do të jetë aq i madh sa që ti nuk do jesh në gjendje të m’a shpërblesh. Ti do të mundesh ta lash atë vetëm duke më gjetur ndonjë material në organizatat ndërkombëtare…Seriozisht Fredi, nuk më kushton asgjë të shoh librin tënd dhe do ta bëj me kënaqësi, nëse ti e mendon se kjo është e dobishme. Pra m’a dërgo...” Një mik nga Florida, Thani, më shkruam : « U befasova nga frymëzimi yt i hatashëm. Tani po imprimoj për « kabinetin » shkrimet e tua që të kënaqen… ». Miku im mjek, Ëngjëlli, më shkruan : « Të falenderoj me gjithë zemër për kënaqësinë që më dhe duke lexuar përmbledhjen e ditarit tënd. Kjo gjë jo vetëm më largoi për orë të tëra nga paudhësitë e mija që kam në kokë, por më bëri të zbuloj një lloj të këndshëm mënyre të shkruari, të treguari. Të uroj të më japësh në vazhdimësi kënaqësi të tilla. Në faqet përkatëse ku flitet për vend-ngjarjen, do të qe e shkëlqyer të shoqërohej me fotografi, psh. Të OKB-së në Nju Jork, të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, të « Nesles » etj., sipas vendit dhe rastit. Një interes të veçantë do të kishin fotografitë me personalitetet që ke patur kontakt dhe ke punuar. Pjesa e dytë duhet të paraqitet më vehte, si një libër me të vërteta dokumentare që do të plotësonte kryesisht bibliotekën e diplomacisë shqiptare » (9 mars 2004, Spitali Kantonal, Gjenevë). Miku im botues, më shkruan: “Shkrimin tek “Koha Jonë” ta lexova dhe më pëlqeu. Ishte shkruar bukur dhe në ditën e duhur. Edhe ata e kishin botuar në një vend të dukshëm dhe me faqosje të mirë. Librin me kujtime do ta mirëpres dhe m’a dërgoni sapo ta keni gati, siç ju kam shkruar edhe më parë. Skicat që mendoni të vendosni do të ishte mirë të vinin nga ty të skanuara, si pjesë e librit, duke e caktuar edhe vendin ku do vendosen“. Ndërsa gazetari i dëgjuar dhe fjalëpakë, Sandri më shkruan: „ I dashur Fredi të falenderoj për bashkëpunimin dhe mirësinë që përcjell përmes mesazheve dhe komunikimit tonë. Me respekt Sandri“. Nga fundi, enkas desha të përmend një mikun tim, Shabanin, që aktualisht është me punë ambasaador në Suedi dhe që ka qënë një nga të parët që më ka ndihmuar në përsosjen e artit të gazetarisë dhe të shkrimeve publiçistike. Ai për shkak të punëve të shumta e ka lënë disi publiçistikën dhe me këtë mesazh e ftoj të shkruajë edhe ai për të mirën e shqiptarëve dhe sidomos të diasporës që ka nevojë për të, për shkrimet e tij aq të arrira. Ja ç’më shkruan ai së fundi : « M’u bë qejfi që më shkruajte, sepse njeriu ka nevojë për shokët e vjetër. Sidomos tani që mosha jonë shkon drejt thyerjeve, ndjehet më shumë kjo nevojë. Më erdhi mirë që ke shkruar dhe shkruan, sepse vërtetë duhet që ju të diasporës të përpiqeni të sillni mesazhe demokracie dhe mendimi të lirë në mëmëdhé. Shkrimin për OKB-në e kishe të mirë, por ndoshta një valë nostalgjie spjegon ndonjë vlerësim që mund të ishte mënjanuar. Sidoqoftë më vjen mirë që je aktiv dhe vazhdo të shkruash. Bëji shumë të fala shoqes dhe fëmijëve nga ana ime… »Miku im më fton të shkoj së shpejti në Suedi dhe unë do t’i përgjigjem patjetër dëshirës së tij.
Miku im, Franko, arkitekti i shquar me origjinë shqiptare nga Zara e Kroacisë, duke më treguar ditët e fundit dy banesa që ka ndërtuar për një sheik arab, diku përballë Malit Mont-Blanc në Francë, më tha: „Mund t’i kisha ndërtuar edhe më mirë por përsosmëria nuk ka fund“. Duke pasur parasysh fjalët e tij, u nisa për rrugë. Hodha në letër këto refleksione dhe kujtime që ndoshta do të pasohen nga të njera në të ardhmen, po të m’a lejojë koha dhe shëndeti. Sidomos mendimi im shkon në këto çaste tek im atë i paharruar, Tuni Papuçiu që më hodhi në rrugën e shkrimit dhe më mësonte se si të lidhja në letër mendimet e mija. Shkrimin e parë e kam botuar në 1965 në gazetën « Rinia » falë profesorit tim të nderuar Dragush Çabej, që hartimin tim « Shoqja ime e dërgoi për botim në gazetë. Në rrugën e shkrimit më kanë ndihmuar pa masë, profesori im i letërsisë frënge Nonda Bulka, prof. Bedri Dedja, Pandora Dedja, shkrimtari Vath Koreshi, shkrimtari Xhevat Beqaraj, prof. Koli Xoxi, Prof. Hamit Boriçi, shkrimtarja Shpresa Vreto, piktori i merituar Agim Faja, . Nuk mund të harroj sidomos edhe prof. Mahir Domin, i cili ishte komshi i mirë me ne dhe shpesh i jepja shkrimet e mija të cilat me dashamirësinë që e karakterizonte i shihte dhe i korregjonte. Ai dhe e shoqja Vedihaja nikoqire, ditën e vdekjes së papritur të tim eti në 3 qershor 1975, hapën dyert e apartamentit të tyre dhe organizuan vetë, për respektin që kishin për Tunin, drekën e lamturmirës për tim atë.
Nuk mund të harroj edhe shokun tim Pirro Misha që më jepte pa asnjë rezervë librat e bilbioketës së tij të pasur në frëngjisht, si dhe botuesen Donika Omari e cila kur ishte përgjegjëse e redaksisë së botimeve nga letërsia e huaj, në shtëpinë botuese « Naim Frashëri » gjithmonë më konsideronte si bashkëpunëtor të rregullt për reçensionet e librave në frëngjisht. Në rrugën e vështirë por të bukur të gazetarisë, nuk mund të harroj vitet e shoqërisë së sinqertë që kam kaluar me publiçistin e njohur Shaban Murati, kompozitorin e talentuar, por edhe gazetarin penëartë Kastriot Gjini, Vladimir Cicani, Findia Veizi, Arshi Ruçaj, Maksim Zizi, Ilirjana Agalliu, Antoneta Dhimitri, Antoneta Bushi, Pjerin Nikaj, Marjeta Vinjau, Marjeta Thomai, Pjerin Vata, Bashkim Trenova, Robert Shvarc, Petraq Gramo, Kujtim Shapllo, Sulejman Tomçini, Kristofor Ndreu, Flamur Dobi e shumë të tjerë që për arsye vendi nuk i përmend dot të gjithë. Nuk mund të rri pa përmendur drejtorin e përgjithshëm të Radio – Televizionit shqiptar, të paharruarin Çajup Rusmali, që më hapi rrugën drejt diplomacisë sëbashku me të nderuarin Todi Kokoneshi, me të cilin bisedoja me çiltërsi, sidomos pas vdekjes së tim eti. Letrën e tij të fundit, ku na fliste me admirim për nipin e tij Gentin dhe ekspozitën e tij të pikturës, organizuar në Pallatin e Kulturës në Tiranë, në 1989, dërguar disa ditë para se të largohej nga kjo jetë, e ruaj si relike të rrallë. Kujtoj me respekt Reis Malilen, Behar Shtyllën, Miti Tonën, Sokrat Plakën e gjithë ata shokë e miq që u bënë shkak që unë të futesha në rrugën e vështirë por të bukur të punës me organizatat ndërkombëtare. I paharruar do të mbetet për mua kujtimi për eruditin Isuf Vrioni, i cili në çdo rast që përgatiteshim për të shkuar në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, me një përsosmëri dhe shpejtësi të jashtzakonshme, përkthente fjalimet e kryetarit të delegacionit shqiptar me aq finesë sa ka përkthyer gjithmonë edhe librat e shkrimtarit Ismail Kadare. Nuk mund të harroj gazetarin e talentuar Napolon Roshi që shpesh më nxiste për të bashkëpunuar për faqen e katërt të gazetës « Bashkimi », apo Naile Themelkon e gazetës « Zëri i Rinisë », shkrimtarët Agim Cerga dhe Shefki Karadaku për revistën « Ylli », shokun e tim eti Pipi Naçen tek gazeta « Drita ». Nuk mund të harroj edhe këshillat e vlefshme të Sulo Myftiut, Piro Vitos, Ksenofon Krisafit, Rako Naços, të paharruarit Ilia Jankut, Bashkim Pitarkës, Justin dhe Tefta Papajorgjit, Agron Agalliut, Shaqir Krastës dhe gjithë brezit të diplomatëve dhe punonjësve të Misionit shqiptar në Nju Jork që nga 1981 deri 1989, me të cilët kam kaluar disa vite më të bukura të jetës sime, të një shoqërie të pastër dhe pa interes, solidarë, gazmorë por edhe seriozë në punën e përditshme. Nuk mund të harroj Flip Kotën dhe Arqile Semimin, Gjylani Shehun që në shumë raste më dhanë mundësinë të ecja me hapa më të sigurta në përsosmërinë e mësimit të gjuhës frënge. Natyrisht, nuk mund të rri pa përmendur edhe dhjetra e qindra kolegë në organizmat ndërkombëtare nga vende të ndryshme me të cilët kam punuar për dhjetra e dhjetra botime, përgatitje seminaresh dhe studimesh, në Gjenevë : francezin, Francis Blanchard, ish drejtor i përgjithshëm i Byrosë Ndërkombëtare të Punës, këshilltar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, suedezin Jan Martenson, ish-zëvëndës sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, danezi Ivan Elsmark drejtor i shërbimit të Botimeve dhe Licensave në BIT, japonezin Masaru Ishida, shef i departamentit Zhvillimit të Sipërmarrjes dhe Manaxhimit në BIT, italianin Xhuzepe Kerengi, shef i Departamentit të Edukimit Punëtor në BIT, italianin Rino di Bernardo i Departamentit të Evropës në BIT, britanikun Xhon Burley, shef i Departamentit të Kooperimit dhe Koordinimit në UNCTAD, austriakun Gerald Hindereger, ish sekretar ekzekutiv i Komisionit Ekonomik të OKB-së për Evropën (KEE) ; britanikun Brian Duke, sekretar i KEE ; britanikun Norman Skot, Drejtor i Departamentit të Tregtisë në KEE, drejtoreshën amerikane në Departamentin e Botimeve të BIT ; Renata Navarro Ocampo në BIT, belgun Jean-Michel Servais, si dhe të urtën profesoreshë e gjuhës frënge në Kombet e Bashkuara, bashkëshorte e tij Maya, si miq të mirë të shqiptarëve ; V. Bussuntil në UNCTAD ; Thierry Germond në CICR ; pa harruar Liliane Perrin që u martua me një kosovar dhe vinte gjithmonë në veprimtaritë që organizonim për Shqipërinë ; Freedy Buache ish drejtor i Sinematekës Zvicerane ; Pierre Barde gazetar i TV zviceran ;miqtë zviceranë Karolinë dhe Mishel Porsher, mikeshën franceze Shantal Kaparos ; gazetaren Ruth dhe të shoqin Walter Borner që sollën vite më parë gratis nëpërmjet « Swiserit » të atëhershëm dhjetra koli të mëdha me veshje, triko, fletore, lapsa, libra etj., për vocërakët shqiptarë ; Louis Nagel, botues i « Guide d’Albanie » i cili në atë botim përmend krahas emrit tim edhe atë të Thoma Haxhit, Marenglen Spiros, Robert Escarpitit, etj. Në këto çaste më kujtohet danezi Ib Henrichsen, i cili në çdo rast përpiqej të bënte diçka edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, italianin Roberto Cerboni, gjermanin Peter Blumke, Irena Jaworska, me të cilët kalova disa vite pune të përbashkët. Dikush «qoftëlarg » deshi të hedhë baltë mbi miqësinë tonë, me telefonatat dhe ndërhyrjet e paskrupullta tinzare, por nuk ja arriti qëllimit të vet. Më kujtohen ato ditë të fundit të vitit 1998 kur ish drejtori im në atë shoqërinë multinacionale më dorëzoi diplomën e një nga punonjësve të dalluar të vitit të asaj shoqërie, duke u shprehur para të gjithëve « A Alfred, Homme Albanie » (Alfredit Njeriut Shqipëri), për punën rezultative në shkëmbimet me vende të ndryshme të botës por edhe për ato shkëmbime modeste me Shqipërinë e vogël. Të kuptohemi shoqëria ishte tepër e madhe dhe bënte shkëmbime kolosale me vende të mëdha, por dëshira ime ishte nxitja e shkëmbimeve edhe me vendin tim që gjeti mbështetjen e gjithë kolegëve të mij nga vende të ndryshme të botës. A mund të mbetet pa u përmendur mizikologu zviceran Marcel Cellier, fitues i Oskarit për muzikë dhe realizues i dy disqeve me muzikë shqiptare, që herë pas here kujton se si me « nagrën » e tij realizoi emisione të papërsëritshme për Shqipërinë në « Radio Suisse Romande », si dhe të shoqen Catherine që realizon me aq kulturë fotografitë gjatë udhëtimeve të tij, arkitektin e shquar me origjinë shqiptare Franco Marussich dhe të shoqen franceze, Joël, juristin zviceran të urtë dhe meditues Yves Rausis, francezin humanist Denis Riegert që me dashamirësi dhe kompetencë punon dhe angazhohet prej vitesh për të integruar qytetarë të kombeve të ndryshëm, duke përfshirë edhe ata shqiparë, në jetën dhe mjedisin zviceran, profesoreshën Francine Koch, të cilësi kujtohet akoma ai bukëpjekësi shqiptar i Tiranës që ja ruante të ngrohta çDo mëngjez « Croissant-in » si në Zvicër ; nuk mund të ri pa përmendur doktoreshën Marinette Wyss, Dr. Saskia Von Overbeck, Dr. Suzanne Vetterli, Dr. Pierre Wacker, për të cilët do të shkruaj më gjatë së shpejti.
Sot kur po i jepja dorën e fundit këtij libri, më telefonoi nga Parisi mjekja pediatre me origjinë shqiptare, Solange d’Angely. Kishte lexuar disa nga shkrimet e mija dhe shprehu dëshirën të takohemi. I jati i saj, Robert d’Angely ja kushtoi jetën mbrojtjes së gjuhës shqipe. Librat e tij « Gramatika shqipe e krahasuar », « Pellazgët », « Etruskët në Perandorinë Bizantine », « Për Perandorinë Otomane. Shqiptarët », « Sekreti i Epitafeve », « Enigma », krahas librave të tjerë dëshmojnë për pasionin e tij për gjuhët. Robert d’Angely ishte një poliglot pasi njihte greqishten e vjetër, greqishten e re, latinishten, sanskrishten, frëngjishten, gjermanishten, italishten, turqishten, arabishten dhe natyrisht shqipen. Ai u mësonte shqipen studentëve në Institutin Kombëtar të Gjuhëve Orientale në Paris. Ai e donte aq shumë shqipen dhe vepra e tij madhore u jep përgjigje shumë pyetjeve që bëhen lidhur me lindjen dhe formimin e gjuhës shqipe…
Ndërkohë Solange më foli për një projekt të madh për Shqipërinë lidhur me diagnozën prenatale, si dhe hemoglobinopatitë. Biseduam për rrugët që duhen ndjekur dhe për mundësitë që duhen shfrytëzuar për gjetjen e fondeve për realizimin e projektit. Sidomos dua të bëj diçka për ata mijra e mijra shqiptarë vocrakë që vuajnë nga një sëmundje gjenetike, që quhet Talasemi, pa e ditur as ata as prindërit e tyre që mbartin diçka të trashëguar nga paraardhësit, apo nga vendndodhja në një zonë ish-malarike. Mjekimi i kësaj sëmundje sot ka arritur stade të larta dhe fëmijët apo brezat që kanë trashëguar atë bëjnë një jetë normale, si dhe kanë shpresë që një ditë të afërme do të gjehet një kurë për të. Mesazhe që jepen edhe nga mjekët dhe profesorët e shumtë në botë si Bernadette Modell në Angli, Alan Cohen dhe James Humbert në SHBA, Robert Girot në Francë, Radhika Sawn dhe Eva Chin tek „Cooley’s Anemia Foundation“, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF) Panos Englezias, drejtoresha shkencore e TIF, doktoreshë Androulla Eleftheriou, Dr. Nanci Oliveri nga Toronto, e shumë e shumë të tjerë. Nuk mund të ri pa permendur profesorin e nderuar Selaudin Bekteshi, Enis Boletini, Profesor Aleko Vesho, Afërdita Gusho, Albert Zhuzhuni Pali Xhumari, Anila Godo, Lena Anastasi, e shumë e shumë të tjerë.
Botimin e këtij libri në shqip, sidomos të Ditarit, dëshiroj që ta jap edhe në versionin frëngjisht më vonë. Disa nga shkrimet paraqiten në dy gjuhë siç janë shkruar në origjinal frëngjisht, anglisht por edhe në shqip. Para tre vitesh, shkrimtarja zvicerane Marie-Luce Dayer dhe profesori zviceran me famë botërore Jean – Philippe Assal lexuan disa nga kujtimet e mija për Zvicrën. Profesor Jean – Philippe i cili më ka ndihmuar shumë në udhën time të jetës këtu në Gjenevë, në atë kohë, më nxiti t’i botoj kujtimet, skicat dhe tregimet e mija. Por unë ngurova, për shumë arsye. Shkrimtarja Marie – Luce Dayer, ndër të tjera në letrën e saj të dates 22 shkurt 2000 më shkruante: “ I dashur Zotëri! Po ju kthej dorëshkrimin tuaj mbi të cilin kalova orë të tëra…Fat të mbarë! Shumë nga tregimet tuaja janë të arrira. Kujtimet tuaja janë tekstet që më kanë pëlqyer më tepër…Më në fund, “Ditari…” është i mire dhe nuk do të krijojë asnjë antagonizëm…Mirupafshim! Marie – Luce Dayer”. Ndërsa në një letër tjetër, duke më nxitur që të botoj kujtimet e mija për Zvicrën, dhe kur shihte se përktheva disa libra letrarë, si dhe botime të organizatave ndërkombëtare, më shkruante: “Jam shumë e kënaqur që shoh se jeni kaq aktiv në shkrimet dhe përkthimet tuaja. Kurajo! Do të isha e kënaqur që ju të përktheni një nga librat e mij për shkollarët, një faqe shqip dhe një faqe frëngjisht. Sapo kam botuar dy libra të rinj dhe është e vërtetë se përpara Krishlindjeve kam marrë pjesë në shumë mbrëmje “Rrëfenja e muzikë”. Ju e dini se unë i adhuroj ato mbrëmje, nuk kam pse qahem! Në janar do të jap mësime në frëngjisht për refugjatët nga vendi juaj. Duket se është shumë, shumë e vështirë. Por do shohim! Shpresoj që fëmijët dhe bashkëshortja juaj, janë mire. Ju uroj gëzuar festat e fundit të Vitit të ri!”
Vite më parë, para vdekjes së tij në qershor 1975, im atë i paharruar Tuni Papuçiu i korigjonte të gjitha tregimet e skicat e mija… Por vite më vonë megjithëse shkrova përsëri tregime, refleksione, skica, botova edhe libra, shkrova në gazetat zvicerane “La Suisse”, “Journal de Genève”, “Tribune de Genève”, « Le Courrier », në botimet e Kombeve të Bashkuara, në shumë gazeta shqiptare, duke përfshirë sidomos „Koha Jonë“, „Drita“, „Ylli“, „Zëri i rinisë“, „Bashkimi“, « Panorama » etj., përsëri nuk e ndjeja veten të sigurtë se si do priteshin nga lexuesi shkrimet e mija. U mora sidomos me përkthime tregimesh dhe përmbledhje tregimesh, përktheva dhe i përshtata për lexuesin shqiptar disa botime të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, si dhe botime për seminaret që organizoheshin në Shqipëri dhe për Shqipërinë. Bëra dhe disa studime, ndër të tjera “Shqipëria dhe Evropa - perspektiva të integrimit”, por gjithmonë pa dashur ta botoj. Miku im i përhershëm në Organizatën Ndërkombëtare të Punës, ku punova për disa vite, Jean-Michel Servais që tashmë është në funksionin e lartë të Drejtorit të Veprimeve të kësaj organizate me prestigj për Shtetet arabe, disa here, pasi e lexoi, më tha t’a botoj studimin prej 100 faqesh. Por unë përsëri ngurova. Gjatë viteve realizova dhe studime të tjera, sidomos mbi mundësitë dhe perspektivat e bashkëpunimit të organizatave ndërkombëtare me Shqipërinë, për privatizimin, probleme të tranzicionit në Shqipëri e tema të ndryshme me interes të cilat nuk mendoj t’i nxjerr në ditën e botimit. Mora pjesë në konferenca e mbledhje si përfaqësues i organizmave ndërkombëtare, si në mbledhjen e Komunitetit Evropian, grupit të 24-tërt dhe organizmave ndërkombëtare për Shqipërinë në Bruksel, në konferencën e Rodesit (Greqi) për problemet e Evropës Jugore, në konferencën e Bazelit për problemet e ndotjes së mjedisit, në konferencën e Parisit për problemet e vendeve në zhvillim, në dhjetra e dhjetra Asamble të OKB-së në Nju Jork, nga vitit 1981-87 dhe 1989, në konferenca ndërkombëtare të organizuara në Gjenevë, Bazel, Kajro, Paris, Vjenë, Bruksel, Nju Jork, Nairobi,etj…
Në vitin 1991 dhashë provimin e formimit për funksionarët ndërkombëtarë në gjuhën frënge, organizuar nga OKB-ja në Nju Jork, duke marrë rezultatin “shkëlqyeshëm”.Në Universitetin e Gjenevës mbrojta “Diplomën e studimeve të larta evropiane” para dhjetë vitesh (1993). Fillova atë Universitet të dytë, pak si me shaka, bashkë me të ndjerin Ilir Ushtelenca, por sedra më bëri që të kapërcej vështirësitë e moshës për të dhënë seminare e të kaloj me sukses provimet në shkencat politike, të drejtën evropiane, ekonominë evropiane, ekonominë e shërbimit dhe shkencat rajonale, pas 24 vitesh të përfundimit të Universitetit të Tiranës (1969). Nuk mund t’i harroj kurrë ato debate ku flisnim me profesorët e dëgjuar zviceranë, të cilët ishin shumë të interesuar të dinin se çfarë ndodhte në Shqipërinë e vogël, në rrugën e saj të tranzicionit. Më pëlqente lidhja e natyrshme që profesorët bënin me evolucionin e Evropës dhe vende të vogla si ai i yni…Shumë prej tyre në studimet e mëpastajme nuk munguan të përmendin edhe Shqipërinë e bukur, me bregdetin e shkëlqyer, me njerëzit me karakter, me malësorët e zgjuar si në Valé të Zvicrës, por duke afishuar edhe problemet që dilnin në rrugën e tranzicionit, të reformave ekonomike e ristrukturimit të institucioneve shtetërore…
Temën e diplomës e mbrojtja me ish-drejtoreshën e Institutit Evropian të Gjenevës, profesoreshën në ekonomi, me fame botërore, botuesen e “Journal of World Trade Law”, Victoria Curzon Price. Ajo më ndihmoi së tepërmi në formimin tim në fushën e ekonomisë evropiane, duke bërë here pas here lidhje edhe me zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, formim i cili më shërbeu më vonë në funksionet që pata si konsulent e funksionar pranë Komisionit Ekonomik të OKB-së për Evropën, UNCTAD-it (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin), BIT (Byroja Ndërkombëtare e Punës), e gjetiu. Si bashkë profesor me Victorian e paharruar, në temën e diplomës kisha profesor Orio Giarini, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare për Studimin e Ekonomisë të Sigurimeve në Gjenevë, sekretar i përgjithshëm nderi i Lëvizjes federaliste evropiane dhe anëtar i Klubit të Romës. Ruaj si një gjë të rrallë librin e këtij profesori të nderuar me titull “Kufinjtë e sigurisë”, që është një mesazh tepër I domosdoshëm për çdo ekonomi në tranzicion e sidomos për Shqipërinë, për të përballuar rreziqet në një ekonomi të re shërbimi. Mendoj që shumë pjesë nga ky libër t’i sjell një ditë të afërme në shqip, me miratimin e profesorit tim të urtë e tepër të aftë, Orio Giarini.
Punova shumë për botimin në shqip të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) dhe Vendbanimet Civile, me titull: “Konflikti i Kosovës, pasojat për mjedisin dhe vendbanimet civile”. Ishte një studim që përmblidhte në të njëjtën kohë refleksione politike, por të ndërthurura dhe me një gjuhë shkencore, letrare, sociale. Disa here materiali pati ndryshime që duheshin reflektuar me shpejtësi në gjuhën shqipe. Për mbi tre javë ju kushtova punës me një sedër të madhe, pasi nuk doja t’i lejoja vetes as edhe një gabim. Gjithmonë kisha parasysh tim atë, Tunin që për afro dymbëdhjetë vjet rresht punoi si gazetar në gazetën kryesore të vendit tim, pjesën më të madhe natën dhe “si i freskët”…U përpoqa që të përfshij në shqip edhe fjalët karakteristike që përdoren në Kosovë, natyrisht pa ju shmangur gjuhës letrare shqipe.
…Darkave pasi kthehesha nga puna e lodhshme e përditshme, ulesha pranë ordinatorit dhe hidhja mendimet e mija, shpesh tinëz, pasi ime shoqe, shumë e dashur me mua, më fliste që të mos lodhesha shumë. Edhe tani ajo më flet here pas here të kem kujdes të mos lodhem për hir të saj dhe të fëmijëve. Por unë e ndjej se kam nevojë të hedh një mendim, pasi një punë e tillë, me karar, më çlodh dhe më jep kënaqësi të veçantë.
Një ditë prej ditësh, të marsit 2002, kur një shoku im i vjetër më kërkoi t’i përktheja një shkrim në frëngjisht, gjeta shënimet e shkrimtares Marie – Luce Dayer…Dhe nisa t’i grumbullojdisa shkrime të mijat për punën me organizatat ndërkombëtare, si dhe shkrime të tjera, midis një morie shënimesh që ndoshta nuk do ta shohin ndonjëherë dritën e botimit.
Këto kujtime të mijat, që janë një pjesë e vogël e shumë shënimeve dhe refleksionesh, botohen me ngulmimin e miqve të mij. Ato ndoshta do pasohen nga të tjera dorëshkrime që i përpunoj here pas here dhe janë vetëm një pjesë e jetës sime këtu në Gjenevë, apo në rrugët e jetës. Mbi të gjitha ato janë personale, nuk vënë me përgjegjësi askënd. Gjithçka e kam shkruar për të shprehur mirënjohjen time të thellë për gjithë ata njerëz që më kanë ndihmuar me dashamirësi në rrugën time 72 vjeçare të jetës, duke përfshirë shkrimtarë, publiçistë, funksionarë ndërkombëtarë, shqiptarë, zviceranë, si dhe kolegë të mij të përhershëm, krenarë dhe të kombësive të ndryshme të botës. Ata janë shumë e shumë dhe mua më mbetet vetëm t’u shpreh mirënjohjen time për respektin që kanë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Nuk kam nënshkruar ndonjë kontratë kur kam ardhur në këtë jetë. As mendoj të nëshkruaj një tjetër kur të largohem. Por gjithmonë do të mbaj vath në vesh fjalët e tim eti : « Bir, mos bëj keq në këtë jetë, kur mundesh bëj vetëm mirë, duaje të afërmin, shokun, mikun, pasi sëbashku do të kaloni çastet e gëzimit apo edhe andrrallat e jetës ». Të keqtë, meskinët, arrivistët, edhe sado të paktë të jenë, ja kam lënë Zotit t’i gjykojë… Kur një ditë i thashë një mikeshe tepër të kulturuar dhe shumë besimtare, se kur të shkoj në botën tjetër, dua të takoj vetëm një njeri të keq të kësaj bote dhe të shoh se si vepron në atë botë hyjnore, ajo m’u përgjigj : « Nuk ke për ta takuar, pasi ai do të jetë në ferr ». Qesha me arsyetimin e saj dhe mendova se më mirë do të ishte që të keqin e kësaj bote, atë që nuk do vëllanë, bashkëatdhetarin e vet, që është vetëm egoist, ta harrojmë fare, ta lëmë të kuptojë vetë se nuk është në rrugë të drejtë. Injorimi i një qënie të tillë njerëzore është mënyra më e mirë dhe më e drejtë. Shpesh me time shoqe shkoj në kishë dhe qëndroj çaste të tëra duke medituar, ashtu si mijra e mijra zviceranë të thjeshtë çdo të djelë marrin rrugën e institucioneve fetare për të hequr një brengë apo një mundim nga shpirti i tyre, për të falur dikë që nuk është në rrugë të mbarë, për të ndihmuar tjetrin që ka nevojë, për të bërë një bamirësi…
Comentários