top of page

MEA CULPA E AGIM MATOS



Nga Timo Mërkuri

I-Shumë është folur për poezinë “Mea Culpa” të poetit Agim Mato, shumë herë është ribotuar në organe të ndryshme, por për rëndësinë e krijimit të saj nuk është shprehur askush, pasi realisht askush nuk e dinte që ajo është poezia - simbol e ringritjes së poetit nga heshtja e gjatë tridhjetëvjeçare. Ne lexojmë poezitë e Agim Matos, mrekullohemi nga era e ngrohtë e “Jug”-ës dhe drita e saj, por pak kujtohemi që kjo është drita dhe vala ngrohëse e zjarrit të shpirtit të tij, për të cilat ai dogji si dru vitet më të bukura të jetës së tij. Aroma e poezive të tij është e ëmbël dhe ndjellëse, të cilën nuk e vyshku dot ftohtësia siberiane e soc-realizmit, pavarësisht se jeta e tij ka qënë në Hadin e kohës, ku Zeusi nuk lejonte as diellin të dërgonte ndonjë rreze për të ngrohur ëndrrat për një shpresë jete të lirë.

Agim Mato në jetën e tij nuk bëri asnjë faj, faji i vetëm që ju rregjistrua për të mbajtur kryqin mbi shpinë ishte atësia e tij, një arsimtar, i cili ndërsa pregatitej të dilte në pension në fundvitet ’40, befas gdhihet me pranga në duar dhe cilësimin “armik i popullit” për arsyen e vetme pse dijet e tij ishin më të thella dhe më të gjera se ato të komisarëve që zbritën nga mali.

Agim Mato u dënua pse ishte biri i Atit të tij, faji i të cilit ishte cilësuar në ligjet e kohës, ashtu si Jezu Krishti që u dënua si biri i Atit të tij, dënim i cili qe shkruar në disa libra të shenjtë të mëhershëm. Krishti u dënua dhe u kryqëzua lart, në kodrën e Golgothasë, Mato u dënua të jetonte poshtë, në Hadin e kohës nën hijen eklipsore të luftës së klasave.

Agim Mato nuk ishte mëkatar, ai ishte një poet, madje ai ishte një poet të cilit as në monizëm nuk ju kritikua asnjë libër, asnjë poezi, asnjë varg dhe kjo, jo pse kishte shkruar poezi të tipit soc-realizmit (nja dy të tilla i përfshiu në librin e tij të parë, si “takse” botimi), por për arsyen se poezitë e tij kishin kaq shumë dritë jete sa që i dritësonte dhe censorët vëngëroshë të regjimit.

Megjithatë edhe dielli eklipsohet e jo më një poet i brishtë si Agim Mato. Eklipsi për atë nis me tërheqjen nga qarkullimi të vëllimit të dytë poetik:“Në pragun e shtëpive tona”(1974) dhe formatohet si ferman me ndalimin dhe dërgimin për tu kthyer në karton vëllimi poetik “Buka e fjalëve” (1986). Qysh nga kjo datë e gjer më 2 gusht 2009 (kur si pasojë e një takimi me Fatmir Terziun, që i mori një cikël poezish dhe ja publikoi te portali fjalaelirë), Agim Mato nuk publikoi asnjë poezi. Thamë “nuk publikoi”, pse fakti i heqjes të së drejtës së botimit ishte mohimi i të drejtës për të botuar, por jo për të menduar e jetuar me poezinë. Pas viteve ’90 kishte mundësi botimi, por në atë kohë ai u gjend nën eklipsin e papunësisë, kur ai bashkë me gruan mbetën pa asnjë punë, ndërsa kishin dhe tre fëmijë të vegjël për të ritur, kohë në të cilën u përpoq të siguronte mjetet e jetesës, dhe duke nisur punën me një fotokopje arriti të ngrinte një Shtëpi Botuese (Milosao), duke i krijuar vetes komoditetin e krijimit të poezive që njohim sot, aq origjinale dhe të arira artistikisht, të cilat rikthyen vëmëndjen e botës letrare te emri i tij. Një nga këto krijime është dhe poezia “Mea Culpa” e krijuar në vitin 2011 dhe botuar te vëllimi “Jashtë Ekslipsit”(2012).


Tashmë poeti ndodhet jashtë hijes së eklipsit, por ai gjykon se duhet që ti kërkojë ndjesë poezisë (dhe lexuesve) për atë heshtje të gjatë: “Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën/e braktisur të poezisë”, për atë braktisje gati tridhjetë vjeçare ndaj saj. Vetëm pasi të mirrte “faljen” e saj ai do të niste rrugën përsëri si një besimtar i lehtësuar drejt tempullit të Zotit për ti blatuar shpirtin e tij. Rrugëtimi për te poezia, faltoria e vetme që poetët nuk e braktisin kurrë është brenda shpirtit të tyre dhe jo i shënuar në harta me sinjalistikën rrugore. Ai e kujtonte ditën që e (detyruan të) braktisi poezinë sepse : “Kujtesa është një e tashme që nuk mbaron kurrë” (Oktavio Paz), ndaj si besimtarët që shkonin në rrënojat e kishave dhe ndiznin qirinj, luteshin e kërkonin falje për mëkatet që (nuk i kishin kryer ata) dhe ndërkohë punonin për ringritjen e kishës së shembur, kështu dhe poeti zbriti në tempullin e tij duke bëlbëzuar shpirtërisht “Mea Culpa” në vitin 2011, lutje të cilën ne e dëgjuam në vitin 2012 te vëllimi “Jashtë Ekslipsit” (Milosao). Të pamësuar me ndjesa të tilla që dilnin nga shpirti, të ndërgjegjshëm për pafajësinë e tij, ne më shumë na tronditi pesha e fjalës së saj, thënë me një tonalitet shpirtëror, reflektimi ndaj të cilës kërkoi një kohë të gjatë. Nuk është e lehtë të harrohet një ndjesë e sinqertë për një faj të pakryer prej tij, ne nuk e kemi kuptuar lehtë kryqëzimin e Krishtit për mëkatet e njerëzve, pranimin prej tij i dënimit dhe faljen e atyre që e dënuan. Jam i bindur që shumë veta nuk e kanë kuptuar këtë poezi të Agim Matos pse nuk e kanë njohur as Agimin dhe as shpirtin e tij.

II- Poezia "Mea Culpa" e Agim Matos shfaq një ton të thellë reflektimi dhe introspektiveje në lidhje me rrugëtimin e tij në krijimtarinë poetike. Fjala latine "Mea Culpa" do të thotë literalisht "fajin është im" ose "unë kam faj" në kuptimin “unë kam mëkatuar”, shprehje që përdoret për të pohuar një faj apo përgjegjësi për një gabim ose veprim të caktuar që personi ka kryer. Kjo shprehje përdoret në gjuhën e përditshme, por është shumë e njohur dhe e përdorur në kontekstin e fesë katolike, veçanërisht gjatë ritualeve të pendimit apo të rrëfimit. Gjithashtu, shprehja "Mea Culpa" përdoret dhe në fusha tjera, siç janë politika , media etj për të shprehur pohimin e fajit ose përgjegjësisë për një situatë të caktuar, edhe pse ky përdorim mund të jetë më figurativ dhe jo aq zyrtar sa në kontekstin e fesë.

Në këtë poezi, autori ka përdorur shprehjen "Mea Culpa" por kjo nuk duhet të kuptohet si ndjesë e pranimit të një faji konkret të kryer nga poeti, kjo duhet të lexohet si një shprehje metaforike ndjese e poetit në dy aspekte, ku : së pari është një ndjesë e poetit për braktisjen e poezisë për një periudhë kohe të gjatë tridhjetë vjeçare, braktisje që solli efekte në krijimtarinë e tij dhe botën poetike shqiptare të cilës i mungoi kjo krijimtari dhe së dyti: kjo ndjesë poezisë i bëhet në adresim të veprës së bashkëkohësve të tij shtetarë, të cilët ja mohuan të drejtën e botimit pse “aq dinin”. A ju kujtohet fjala e Krishtit në kryq: “Fali o Atë se s’dinë se ç’bëjnë”, shihni qasjen me ndjesën “Mea Culpa” të Matos dhe do ta kuptoni më mirë poezinë e tij. Unë nuk e di se çfarë lexoni ju te kjo “ndjesë” e poetit, por unë për veten time shoh e ndjej të fryjë një erë paqeje e faljeje, jo thirrje për hakmarrje në emër të vuajtjeve që ai (dhe ata) pësoi në jetën e tij dhe ca më pak ndonjë tip thirrjeje për “dëmshpërblim” apo prani të dikujt për ta ndihmuar. “Ai që ditët e vështira i kaloi vetëm, nuk e ndjen më mungesën e askujt” (Charlws Bukovski).

Për ta kuptuar këtë duhet të dimë se: Agim Mato nuk ishte tip luftarak, tip debatues e kundërshtues në shoqëri, ai ose tërhiqej ose e bluante brenda vetes padrejtësinë. Kjo ndoshta ju imponua atij nga qënia si “bir armiku”dhe nuk zbutej nga fakti se kur ju arrestua i ati, ai ishte vetëm një fëmijë tre vjeç që nuk kuptonte asgjë nga bota ku erdhi, e jo më të kuptonte nga lufta e klasave. Pavarësisht kësaj ai nuk i shpëtoi dot peshës së kryqit.

Të mos harrojmë se: në kohën e diktaturës, shprehja artistike dhe krijimtaria ishin të kontrolluara dhe për disa krijues ishin të ndaluar, dhe shkelja e këtij rregulli sillte pasoja për krijuesit dhe familjet e tyre, kështu që për të mbrojtur veten dhe familjen nga ndonjë formë e represionit, shumë krijues vendosën të braktisin publikimin e veprës së tyre. Rasti i Agim Matos vlen për ti përfaqsuar gjithë artistët e fjalës së shkruar. Megjithatë shprehja “Mea Culpa” në poezi është shumë larg nga pranimi i fajit për veprime konkrete, kjo shprehje simbolizon një pranim të situatës së kohës dhe vështirësive që kanë penguar shprehjen e lirë të krijimtarisë së tij. Agim Mato kërkon ndjesë jo për fajin e vetë, por për fajin që i ngarkuan atij dhe për ata që bënë faj duke ja ngarkuan kryqin në shpinë.

III- Poezia "Mea Culpa" e Agim Matos nuk është një shprehje e drejtpërdrejtë e kundërshtimit ndaj diktaturës moniste apo akuzë e drejtpërdrejtë ndaj dhunës që u ushtrua ndaj poetëve dhe inteligjencës në atë periudhë, megjithëse ajo përmban elemente që mund të interpretohen në këtë mënyrë.

Përmbajtja dhe ndjenjat e shprehura në poezi, sidomos nëpërmjet metaforave dhe simboleve, mund të interpretohen simbolikisht si një mënyrë e subtile për të shfaqur ndikimin e kufizimeve politike dhe presionit mbi lirinë e shprehjes së intelektualëve dhe poetëve në atë kohë.

Poezia mund të shihet si një lloj dëshmie shpirtërore, një reflektim mbi vuajtjet dhe vështirësitë që Mato përjetoi në kohën e diktaturës, edhe pse nuk është një deklaratë e drejtpërdrejtë kundër regjimit. Krijimi i tij është një formë e shprehjes së asaj që shpirti i autorit përjetoi dhe mund të perceptohet si një mënyrë për të hedhur dritë mbi periudhën e vështirë dhe kufizimet që kanë ndikuar në shkrimtarët e asaj kohe.

Absolutisht poezia "Mea Culpa" mund të shihet si një një modalitet i shprehjes artistike për të shfaqur vuajtjet dhe përvojat e atyre krijuesve që jetuan nën censurën e diktaturës moniste. Autori përdor një varg të sinqertë e simbolik për të shprehur këtë dëshmi shpirtërore, pa iu referuar drejtpërdrejtë strukturës së pushtetit monist apo ngjarjeve konkrete politike. “Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt”? rrënkon shpirtërisht poeti dhe nuk shkon më tejë.

Përdorimi i metaforave, imazheve, dhe simboleve në poezi shërbejnë si një mënyrë për të paraqitur të vërtetën emocionale dhe psikologjike të asaj kohe në mënyrë artistike. Këto elemente e bëjnë poezinë një formë të denoncimit të fshehtë të kufizimeve dhe dhunës së përjetuar nga poeti, duke e bërë atë një dëshmi të fuqishme për periudhën nën diktaturën moniste.

Edhe pse nuk është një deklaratë e drejtpërdrejtë e kundërshtimit të regjimit, poezia shërben si një mënyrë për të dëshmuar ndjenjat dhe perceptimet e asaj kohe, duke e bërë atë një formë të shprehjes së vërtetësisë dhe gjendjes së shpirtit të autorit dhe, në një masë më të gjerë, të atyre që përjetuan kohën e diktaturës. Është një shprehje artistike e vështirësive dhe shpresave të humbura nën dhunën moniste, e përvojave që intelektualët dhe poetët përjetuan në atë kontekst historik dhe shoqëror. ..”ku prej kohësh përgatitesha për/salltanetin e madh të vdekjes”.

IV-Poezia "Mea Culpa" është e njohur si një krijim modern i Agim Matos, pasi ai edhe në monizëm ishte një poet modern. Ndërprerja për një periudhë tridhjetëvjeçare e botimit nuk ndikoi te tipari modern i poezisë së tij, ndaj themi se kjo poezi metaforike që reflekton një stil modern të shprehjes së ndjenjave dhe refleksioneve personale në një mënyrë të thellë dhe simbolike, ku përdorimi i metaforave, simboleve dhe imazheve shërben për të shtuar thellësi dhe kompleksitet në përshkrimin e brendshëm të autorit dhe përvojave të tij është simboli I ringritjes së poetit pas “rrëzimit” nga goditja e monizmit.

Poezia fillon me një reflektim të thellë të poetit mbi rrugën e tij në botën e poezisë. Ai përdor imazhe të thella për të përshkruar ndjenjat e tij në kërkimin për artin e fshehur, në çaste të zemërimit me perënditë : "Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën/e braktisur të poezisë/e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë,/duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,/veglat e mia të punës/të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi/me perënditë,"

Poeti ishte në kundërshtim me normat e shoqërisë dhe institucionet moniste, gjë që pruri heqjen e të drejtës së botimit, e cila për atë ishte një e njejtë me vdekjen shpirtërore: "ku prej kohësh përgatitesha për/salltanetin e madh të vdekjes."

Përmes imazheve të errëta dhe të thella, poeti shpreh ankthin dhe vetërefle-ktimin e tij, duke paraqitur luftën që kishte bërë për të krijuar artin që ju ndalua dhe dëshirës për të krijuar pavarësisht nga pasojat: "Sërish, vallë, do të ulërija nga dhimbjet, kur/si i babëzitur, do të gërmoja motivet/ derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?" thua se nuk besonte në ndryshimet që kishin ndodhur në Shqipëri, mosbesim që buron nga vuajtja e zgjatur në monizëm.

Mato është një artist fin i përdorimit të metaforave dhe simboleve, kjo është e dukëshme te kjo poezi ku këto mjete artistike përforcojnë imazhin e rëndësisë së krijimtarisë së tij, si dhe konfliktin e brendshëm që ai përjeton: "frushullima mizëri e krahëve të/dëshirave e të ëndrrave të dikurshme,/që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate/dhe binin të alivanosura para këmbëve të mia."

Struktura e poezisë ka elementë të fragmentuar dhe një stil të lirë, që reflekton kaosin e zemërimin, si edhe lëvizjet pa qëllim në kërkim të identitetit dhe vendit në botën e poezisë: “Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt? I prekja një nga një/e ato përmendeshin me klithma duke mbushur me/dritë minerale/tërë atë laborator kujtese,"

Agim Mato është një poet i njohur për aftësinë e tij për të shprehur emocionet dhe mendimet në një mënyrë të thellë dhe me një mënyrë emocionale. "Mea Culpa" përfaqëson një prej punimeve të tij më të njohura dhe të diskutueshme, sepse shpreh në mënyrë të qartë reflektimet dhe vuajtjet e tij, ndërsa përpiqet të kthehet në botën e krijimtarisë poetike pas një periudhe të vështirë.

"Mea Culpa" e Matos është një ndër poezitë që ka arritur të ndikojë dhe të prekë thellë emocionet dhe mendimet e lexuesve, për shkak të mënyrës se si shpreh dhe paraqet përvojën e tij jetësore, në të cilën dhimbjen dhe vuajtjen e vesh me një tis arti, duke ena e prurë të bukur dhe elegante, të admirueshme prej nesh.

..vazhdon…

Sarandë, më nëntor 2023

Agim Mato MEA CULPA Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën e braktisur të poezisë e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë, duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva, veglat e mia të punës të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi me perënditë, ngurova papritur dhe ashtu fluturimthi bëra të ngjitem lart, ku prej kohësh përgatitesha për salltanetin e madh të vdekjes.

Vallë sërish do të fillonin vuajtjet netëve të vetmuara, derisa zjarret e shpirtit do të më kthenin në zhele këmishat e hekurosura dhe jelekun e çmuar të dhëndërisë?

Sërish, vallë, do të ulërija nga dhimbjet, kur si i babëzitur, do të gërmoja motivet derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?

I jepja zemër vetes: kush e çan tani kokën për profkat poetike? E ndërsa po mendoja t’ia mbathja nga kisha ardhur, më rrethoi befas frushullima mizëri e krahëve të dëshirave e të ëndrrave të dikurshme, që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate dhe binin të alivanosura para këmbëve të mia.

Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt?

I prekja një nga një e ato përmendeshin me klithma duke mbushur me dritë minerale tërë atë laborator kujtese, tërë atë punishte arti që ma mbyllën me forcë, tërë atë alkimi të shpirtit që filloi të më shfaqet si një asteroid verbues. E pashë sërish qartë vrullin e marrëzive të dikurshme për të përplasur kokën tek e paarritshmja, deri sa llamba prej karbiti yjesh në ballin tim thyhej duke qëlluar me tërë fuqinë magmën e trashë të kohës.

Po kur ndjeva të ndizen rreth e rrotull motorët e metaforave, në djall, thashë, këmishët e hekurosura, oportuniteti dhe bisedat eklektike mbrëmjeve, në djall programimi i jetës, oraret e përpikta për medikamentet dhe filmat.

Sarandë, 2011

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page