Me çakiça derës
Prof. Dr. Fatmir Terziu
“Iku nata aguen malet
Na gdhini u ba sabah
Jani shokë më qani hallet
Përsëri vuna sevda.“
Me çakiça derës … E trupi ndjente freskinë e hapjes së një Porte të Madhe. E syri ndjente qetësinë e një Bahçeje me portokalle. E goja …, goja priste pikën e freskët të Ujit të pastër…nga dora e bukuroshes elbasanase. Dhe uji rridhte qelibar në të ftohtën e tij duke freskuar jeshilllëkun e natyrshëm të Natyrës tek Çezmja e Takuzes, Bobolles, Bezistanit, Namazgjasë, Gjerizi te Tri Urat, Çezmet te Porta e Kalasë, Çezmja e Kishës, Çezmja e Lepurit, Burimi i Ali Xhinsit…
***
Gjeografia luan një rol kritik në formësimin e qytetërimeve. Kjo e vërtetë është edhe për Elbasanin. Elbasani ka dy karakteristika të veçanta gjeografike që ndikuan në zhvillimin e shoqërisë qytetëse. Së pari, Elbasani ka qasje të lehtë në ujë. Toka përmban grumbuj të panumërt depozitash të ujta të shpërndarë, ujëmbajtëse të nënlleshme të thella dhe një rrjet përrenjsh të vegjël nga anët rrethuese (Zaranika, Namazerja etj.), duke mos harruar Shkumbinin hera-herës kryeneç e në qasjen e tij verore të qetë. Kjo qasje e lehtë në ujë do të thoshte që piketuesit e parë të këtij qytetërimi ishin natyrshëm hulumtues dhe vizionarë, me një mendim dhe qasje të gjerë tek nocioni kuptimplotë „tregtarë“, po aq dhe të dashuruar me jetën e dashnorë real të jetës. Jo më kot për këtë u ndërtua dhe Kanali, ose Rema që vinte nga matanë Labinotit Fushë e ndahej rregullisht nëpër Elbasan nga Rrapishtja e Spajkorrja në tërë bahçet e vendasve.
Në një emision special në kohën që drejtoja TV „Dardan“ për këtë problem që në vitin 1998, specialisti dëshmitar i mjaft lidhjeve me Ujësjellësin dhe historitë e tij në Elbasan, Ylber Dakli do të shprehej se Elbasani ishte kopje e vjetër e qytetërimeve më të avancuara të vjetra, dhe po nga ai u kopjua më tej nga mjaft të tjerë në rrjedhat e jetë-qytetësisë.
Së pari ishte, pra ajo që cituam dhe së dyti, terreni i kombinuar fushr me kurorën e gjelbër dhe kodrinore të Elbasanit çoi në zhvillimin e asaj që dikur në Greqinë e Lashtë quhej polis (qytet-shtet), me një përjashtim të këtij qytetërimi elbasanas, pasi rrethohej nga hapësira të mëdha fushore dhe kodrinore në gjeografinë e tij të qashtër deri në mahije të Tomorit që i qëndronte si shapktë mbi krye prej së largu. Ndërsa në Ggreqi, Malet e larta ua bënin njerëzve shumë të vështirë udhëtimin, ose komunikimin dhe secili polis u zhvillua në mënyrë të pavarur dhe, shpesh, shumë ndryshe nga njëri-tjetri, me qytetërimin e hershëm elbasanas qasja ishte ndryshe, më e avancuar. Përfundimisht, Elbasani ndoshta me një arsye tjetër nga polisi u bë struktura me të cilën njerëzit organizoheshin dhe krijonin ardhjen pranë ujit, pranë hapësirës, pranë dashurisë dhe jetës. Sikurse mbetet tashmë në sytë e vizitorëve, ajo që është gërmuar dhe gjetur nënn rrënoja nga ky qytetërim tipologjik elbasanas është një shembull i mirë larg asaj që ndodhi në Greqinë e Lashtë ku ardhja dhe krijimi i qytet-shteteve ishte dhe një arsye më shumë tek ajo që dihet tashmë me atë që ata kundërshtuan shumë me njëri-tjetrin.
Kjo i përket të shkuarës, asaj që flet nga gurët, nga mozaikët, nga artefaktet, nga mitet dhe nga historitë e ardhura vesh më vesh, nga rrënojat e gjetura e të pagjetura, nga ato që mbetën gojëmbyllur e të tretura në dhe, sikurse është dhe rasti i gërmimeve pranë shkollës „Thoma Kalefi“, apo dhe gjetkë, tashmë është vetëm një e shkuar, e tretur dhe disi e harruar. Duket se askush nuk e ka më mendjen aty, pikërisht aty ku lindja e qytetërimit bëri me vizionin e krijuesve të këtij qytetërimi ardhjen në jetë të një qyteti kaq të bukur dhe kaq të mirëpiketuar gjeografikisht, sikurse mbetet Elbasani i sotëm. E ky Elbasan tashmë është në një pluhur të ri harrese. Harrese?
Askush nuk shkon më përtej asaj që nuk është thjesht traditë. Tradita që rrjedh ujë vetëm në këngë, biseda, tek-tuk në ese, e në ndonjë libër që kujton mëngjeset e verës, apo dhe ditën e 14 Marsit. Këngët janë radhuar. Dashuritë janë ndryshuar. Traditat janë zhvleftësuar… Nuk i hidhet më „nja dy herë ujë syve“ dhe nuk „pritet më një copë plis bari, i mbirë anës çezmeve“ të cituara më sipër, se ato nuk ekzistojnë më, përveç asaj tek Porta e Kalasë, që ka marë formën e saj moderne. Dikur Njeriu i këtij qytërimi ishte i gëzuar se kishte kryer një rit. E tashmë ky rit, jo vetëm që nuk tregon ndodnjë gëzim, por ai dhe nuk dihet, nuk vendoset më plisi i barit në nji saksi, ose pranë nji portokalli, me mendimin se gjelbërimi do të shoqëronte stinën e re dhe mbarë vitin në shtëpinë e tij.
Sidoqoftë diku edhe këndohet.. Këndohet në një formë tjetër, me një melos nga mushti këngës së vjetër:
“Iku nata aguen malet
Na gdhini u ba sabah
Jani shokë më qani hallet
Përsëri vuna sevda.“
Sevdaja ka ligjësi të re, ka tjetër xixllë në sytë e të rrinjve, që tashmë si të gjithë e kalojnë atë me ikjet përtej e përtej kufinjve. Qytetërimet kanë marë formë të re. Formën e tretjes së tyre, formën e fryrjes masive. Qytetërimet kanë strukturime të tjera, të reja e të vjetra, nuk i bijnë më çekiçit të derës së fisit, se janë ngritur pallate „biznesesh masive“ e ajo është zëvendësuar me zilen me korent, sikurse mbetet dhe vetë legjenda: „Kush asht?...djali niste vargjet:
„Marsh morrat e pleshtat
Gjumin e sabahut
Ethet e verës
Me çakiça derës…“
E natyra qytetëse tashmë pa „çakiça derës„ në këtë kohë moderne të troshitur gjeografive të tjera vetëm se përcjell aromën e qahive dhe bugaçeve të vëllezërve Sina, piteve në furrën e Reshit Zyrakës e simiteve të Ali Kaziut dhe vëllezërve Peti…, pilafit saçmalli tek Rrapi i Bezistanit e ëmbëlsirave që mbanin shamitë e dala nga sënduqet e severgjendta drejt Rrapit të Bobolles… E tradita?! Tradita … si gjithë traditat „Me çakiça kokës“ dyerve të Botës.
Me pelqen, bukur. Beratin tim pse ma le menjane? E ke degjuar kengen:
" Ngrije pak shamine, te shikoj nishanin, kur kishe Beratin, c'deshe Elbasanin"
Mbledhur dhe botuar nga poeti i nderuar profesor Agim Mehqemeja. Meqense erdhi
rasti, jam duke lexuar romanin tuaj: "Shtepia ne kornize" Jam shume entuziast! Te me falni kohen. S'kam qene mire nga syte. Perqafime, Myslimi.