INTERVISTË ME Violinisten ESIONA Stefani
Pyetja 1
Ju jeni violinistja shqiptare, Esiona Stefani, pjesë e orkestrës së famshme të "Bochumer Symphoniker" në Gjermani, mundeni një përshkrim të shkurtër të jetës tuaj profesionale?
1. Së pari ju falenderoj për intervistën dhe po e nis përshkrimin me mësimet dhe njohjet e para me muzikën, veçanërisht me violinën, të cilat i mora në moshën 5 vjeçare nga ime më.
Pas shkollës fillore "Servete Maçi", vazhdova studimet në liceun artistik "Jordan Misja" Tiranë.
Në vjeshtë të vitit 2000 u zhvendosa në Gjermani dhe nisa studimet universitare në "Folkwang Hochschule" në Essen, ku dhe përfundova studimet e nivelit Master me specializim në "Koncertim Solistik" dhe "Muzikë Dhome".
2001-2009 pjesë e Trio "ARB" dhe "Orion" Klavierquartett, ku fitova Çmimin e parë në konkursin "Mendelssohn" në Berlin, me të cilat unë mora pjesë në festivale e koncerte të shumta në Shqipëri e Gjermani.
Nga viti 2009 fitova vendin si "Violinë e parë" në orkestrën "Bochumer Symphoniker", në Bochum, ku vazhdoj edhe sot.
Në mars 2012, bashke me 3 kolegë të orkestrës, formuam kuartetin e harqeve "Viktoria", linja koncertale e të cilit është pjesë fikse prej gati 10 vjetësh tashmë , ajo e programit të kalendarit vjetor të "Bochumer Symphoniker" në muzikën e dhomës. Gjithëçka është arritur me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe një punë të pandërprerë ndër vite.
Pyetja 2.
Si një talent nga Shqipëria, në një vend si Gjermania e madhe, si nisi karriera juaj?
2. Më lejo të shpreh dashurinë time për muzikën sepse unë i kam dhënë shpirtin tim. Dhe më pëlqen të besoj që hapat fillestare të karrierës time kanë nisur që në vitet e femijërisë me koncerte e festivale rinore ku unë nisa këtë rrugëtim të pandalshëm tashmë.
Karrierën e mirëfilltë do ta shihja të zhvillohej nga fundi i studimeve universitare dhe specializimeve, ku unë nisa të rritesha në profesion, sidomos në fushën orkestrale dhe në muzikën e dhomës.
Të jem e sinqertë, nxitja e pare erdhi nga mamaja ime, gjithashtu violiniste edhe ajo, e cila mbetet dhe më pas një shtysë e mbështetje e vazhdueshme kudo e gjithmonë.
Pyetja 3.
Na thoni diçka nga vështirësitë e fillimit dhe a ka pasur sfida për ti kapërcyer?
3. Vështirësitë më të mëdha i hasa kur nisa studimet në Gjermani, në vitin 2000. Ishin të tjera kohëra , pamundësitë informuese e komunikuese digitale që ekzistojnë sot, problemet financiare ishin më të rëndomtat, por që vështirësojnë arsimimin dhe jetën sociale.
Sfida më e vështirë ishte, ndoshta përshtatja me kulturën dhe mentalitetin, shumë të ndryshme midis vendeve tona.
Madje edhe të qenit vetëm e larg familjes e bënë situatën edhe më të vështirë.
Pasi kapërcehen këto, sfidat në këtë profesion nuk mbarojnë asnjëherë, me çdo audicion, konkurs apo koncert nën dritat e skenës. Por ka edhe shumë emocione të bukura, ndihesh mirë dhe e vlerësuar kur je pjesë dinjitoze e tyre.
Pyetja 4.
Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që kanë një ëndërr ?
4. Kushdo që ëndërron, patjetër që në rrugë e sipër do të hasë edhe mjaft zhgënjime, madje dhe disfata. Jo çdo gjë realizohet sa hap e mbyll sytë. E rëndësishme është të mos dorëzohesh, të rimëkëmbesh e të provosh përsëri. Pasi ëndrrat janë krahët e së ardhmes, ndaj uroj që të mos shterojnë kurrë.
Herë pas here, me mund e durim (dhe pak fat), arrihen realizime, madje edhe të ndryshme e të paparashikuara nga ç'ishin perceptuar...
Mesazhi im është: rendni pas ëndrës ta realizoni atë!
Pyetja 5
Çfarë mendimi keni për Shqipërinë dhe si mund të ndryshojë?
5. Shqipëria është një vend i vogël me talente të mëdha e të shumëngjyrëshme. Një forcë e madhe do të ishte mbështetja dhe investimi edhe më intensiv në art dhe kulturë, në mënyrë që të rinjtë aspirantë dhe artistët e muzikantët tashmë të renomuar, të mund të lulëzojnë, të zhvillohen e shpalosin talentet dhe aftësitë e tyre. Shqipëria, shqiptarët artistë i kanë mundesitë dhe materialin për të shkëlqyer, jo vetëm në mbarë botën, por edhe në vend...
Të falenderoj pa masë Esiona, ishte kënaqësi dhe ndihem mjaft e nderuar që ndave me ne këtë intervistë kaq mbresëlënëse dhe të uroj suksese gjithmonë në jetë e në profesion!
Intervistuesja: Dr. Shpresa Gjergji
Opmerkingen