top of page

Me shume të drejte nderohet ky kalores i studimit tè kultures


Fatmir Minguli

Të nderuar pjesmarrës,

I nderuar Kryetar i Bashkisë Himarë zoti Gjergji Goro,

Të nderuar piluriotë

Në pamundësi të ardhjes time në këtë ngjarje të rëndësishme jo vetëm për bregdetin, më lejoni t'ju përshendes me rastin e nderimit të mikut tim Timo Mërkuri me titullin e lartë "Nderi i Himarës"!

Me shumë të drejtë nderohet ky kalorës i studimit të kulturës origjinale të Bregdetit tonë të dashur, për krijimatrinë e tij studimore e cila propagandon më së miri artin gojor himariot dhe iso-polifoninë.

Timo Mërkuri sot është zëri më i fuqishëm në letrat shqipe, që me dhjetra librat e botuar, me qindra artikuj shkencorë e ka tronditur botën akademike zyrtare, e ashtu si kapedanët që toka e Himarës ka nxjerrë me shekuj, ndeshet me skematizmin burokratik.

Këtë e vëretojnë studimet e tij me nivel te lartë shkencor, mbi traditën gojore te artit të të kënduarit shqip, për studimin deri në qeliza të këngës himariote me iso, duke u bërë i pari dhe i vetmi mbështetës i origjinës së vërtetë të këtyre traditave.

Timo Mërkuri shkruan për këngët e vendlindjes së tij, Pilurit legjendar, shkruan për trevat e Bregdetit e pastaj kalëron mbi baladat, elegjitë, legjendat që populli i bregdetit i ruan me fanatizëm. Ai kështu lidh të shkuarën me të tanishmen shqiptare jo me fjalë por me vepra të shkruara shkencore. ai sot është i njohur në mbarë Shqipërinë si dhe në Kosovë, Itali, Greqi e gjetkë.

Studimet e tij për të propaganduar shkencërisht, me themele të së vërtetës artin gojor himariot dhe princeshën iso -polifoni, janë gurë të kështjellës himariote që mbron nga sulmet e dashakeqëve, të atyre që nuk u tingëllon në zemër brenga e madhe e popullit të vuajtur në shekuj të këtij Bregdeti të mrekullueshëm, magjia e të cilit sjell para nesh studjuese si Timo Mërkuri.

Puna që bën Timo Mërkuri, është puna e një insituti të tërë studimor të folklorit, puna e dhjetra studjuesve, kur ai është i vetëm por bashkë me të janë këngëtarët e Pilurit, janë bashkëfshatarët dhe Himara bëmëmadhe.

Unë shpreh kënaqësinë time dhe falenderoj të gjithë ata që bënë të mundur dhënien e këtij titulli studjuesit Timo Mërkuri, falenderoj në mënyrë të vecantë kryetarin e bashkisë së Himarës zotin Gjergji Goro për kujdesin e tij.

Urime miku im Timo Mërkuri!

Fatmir Minguli

Himarë, më 7 Nëntor 2020

84 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page