top of page

Me rastin e 149 vjetorit të lindjes dhe 80 vjetorit të vdekjes


SHPENDI TOPOLLAJ


FISHTA DHE “LAHUTA E MALCISË” MBETEN AKTUALË NË ÇDO KOHË



Kur rreth katër shekuj më parë, i linduri në të njëjtën trevë, dhe i ngjashmi me Fishtën, kleriku, historiani, etnografi dhe gjuhëtari Frang Bardhi, i drejtohej një prelati në Romë me fjalët profetike: “Pashë zemrën e Krishtit, të mos na dërgoni ma ipeshkvij në këto anë që të jenë prej kombit sllav”, duket se paralajmëroi jo vetëm domosdoshmërinë e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, por edhe lindjen e një gjeniu, i cili me kryeveprën e tij “Lahuta e Malcisë”, njëzëri u quajt “Homeri shqiptar”. Dhe ndofta më saktë e përcaktoi, i dituri Ernest Koliqi që e identifikoi atë si “interpret i shpirtit shqiptar”. Autor i një sërë veprash madhore poetike si “Mrizi i Zanave”, “Vallja e Parrizit”, “Anzat e Parnasit”, “Gomari i Babatasit” etj., ky themeluesi i gazetës autoritare “Hylli i Dritës”, ky kontribues i madh në gjuhën tonë dhe në çështjen kombëtare si politikan, pas një pune 35 vjeçare, botoi të plotë kryeveprën e letërsisë tonë, “Lahutën” në vitin 1937, pra vetëm tre vjet para vdekjes. Madje, për vlerat e jashtëzakonshme të saj, ai mbetet shqiptari i parë i propozuar për çmimin “Nobel”. Ndërthurrja madhështore e historikes me mitiken nga pena e tij gjeniale, u bënë shpejt pronë e të gjithë popullit tonë, pikërisht në kohën kur ai kishte më shumë se kurrë nevojë për të. 16.838 vargjet e alternimit të krijimtarisë epike popullore me talentin krijues të vetë autorit, ishin dhurata më e vlefshme dhe më ndikuese që vetë shqiptarëve ju bë, dhe sikurse shprehet Patër Anton Harapi në tekstin “Shqiptari i madh”, “…edukoi edhe të huejtë për Shqypni, d.m.th. bani, qi edhe të huejtë të kishin nderim e interesë per gjuhë, per zakone e per gjithshka i përket çashtjes shqyptare”. Kjo “pomendore kombëtare” e ngritur mbi 30 këngë që i bëjnë mrekullisht artistikisht jehonë, ngjarjeve tona gati 500 vjeçare dhe që na bëjnë të ndihemi krenar, e shkruar aso kohe, sikurse thotë vetë poeti kur “Shqipëria ish bërë, tani duhej të bëheshin shqiptarët”, njohu lavdinë dhe anatemimin e saj, si rezultat i mbrapështive politike, dhe jo vetëm që asaj nuk mund t`i përmendej emri, por edhe vetë Fishtën e vdekur, do ta zhvarrosnin dhe do t`ia flaknin eshtrat në lumin Drin. Dhe pse i gjithë ky mllef ndaj atij që kërkonte marrëdhënie me SHBA? Apo ngaqë kishte shkruar kundër turkoshakëve dhe mizorive të serbo - malazezve dhe që kishte kërkuar gjithmonë pavarsinë e vendit të tij, dhe që thosh: “Pse s`t`a njof asnji per be: / Un Shqyptar, ata janë Shkje: / Ne na dan nji gjak e i`fe: / N`mni t`shoqishoqit kemi le: / Kem` ndermjet nji qiell e i`dhe!...” Pra, paradoksalisht u dënua me harrim ky atdhetar i pashoq, me pretekstin se ishte zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Italisë. Por nuk e harroi kurrë atë ndërgjegja e popullit, e cila e ruajti me dashuri e fanatizëm thellë në zemër, të gjithë veprën e atij që e përcollën në varrim me aq nderime, duke e quajtur “mësues i të gjithë shqiptarëve”, “flamurtar i kombit”, dhe “poeti ma i perzemert i këtij populli”. Po cila qe jeta e Gjergj Fishtës? I lindur në fshatin Fishtë të Lezhës më 23 tetor 1871, me baba Ndokën dhe nënë Prendën, si më i vogli i pesë fëmijëve, dhe me emrin fillestar Zef, ai ishte vetëm shtatë vjeç, kur klima atdhetare sa vinte e po rritej, pas poshtërsive si të Traktatit të Shën Stefanit, ashtu dhe të Konferencës së Berlinit, ku vendi ynë ishte kafshuar si mos më keq, nga orekset e pa ngopura të fqinjëve dhe paturpësisë hileqare të Fuqive të mëdha, çka shpuri burrat e shquar në mbajtjen e Lidhjes së Prizrenit. Ishte pagëzuar nga një prift françeskan që ishte dhe poet dhe që quhej Leonardo Di Martino, dhe qysh i vogël ishte dalluar për shkathtësi e zgjuarsi. Binte në sy zelli për dije i Zefit në Kolegjën e Troshanit që qe çelur qysh në vitin 1880. Ndaj një tjetër prift italian, Atë Marjani, meshtar i Famullisë së Troshanit, duke nuhatur vlerat e këtij djaloshi, me lejen e prindërve e dërgoi atë në shkollën Françeskane të qytetit të Shkodrës. Françeskanët, nga ana e tyre ishin anëtarë të urdhrit katolik që e kishte krijuar Francesko d`Asissi nga provinca e Umbrias në fillim të shek. të XIII - të dhe që e kishte nisur veprimtarinë e vet humanitare si ndihmës për lebrozët, ashtu dhe ndaj atyre që ishin penduar. Në vitin 1886, gjashtë nxënësit më të mirë, mes tyre dhe Zefi, dërgohen për të vazhduar studimet në kuvendin e Guçjagorës në Bosnje dhe pikërisht këtu sipas rregullave që praktikoheshin, ai ndërroi emrin, dhe nga Zef e ktheu në Gjergj. Me emrin e heroit tonë kombëtar, ai lëvizi në kuvende të tjera dhe filozofinë e përvetësoi në Sutiskë, kurse teologjinë, në Livno. Rol të rëndësishëm, në edukimin e kulturimin e tij, dhe në arritjen e rezultateve shumë të mira, luajtën mësuesit që gjeti atje dhe që i kishin kryer shkollat në Romë e vende të tjera me tradita. Në studimin e tij “Zani i Shna Ndout” A. P. Bardhi thotë se “në Bosne i xuni edhe shllimet e para e dashnin e parë ndaj atdhen” dhe se këtu “filloi pikë së parit me qitë vjerrsha”. I tërheqin vëmendjen poetët rrëfimtar At Ndreu Kaçiq dhe At Gega Martiq, por po ashtu studion edhe poetët klasikë si latinë ashtu dhe ata italianë. Nga ana tjetër, nuk resht së ndjekuri nga afër poezinë tonë popullore, të cilën pas një pune plot përkushtim, mjeshtërisht do t`ia kthejë po popullit. Kur së bashku me ata shokët e tjerë, fretërit e parë shqiptar, i kryen studimet në Bosnje, dhe kthehen në atdhe, Gjergjit i ngarkohet detyra e meshtarit. Data 25 shkurt e vitit 1894 është ajo, kur ai mbajti në kishën e Troshanit, meshën e parë, ku dhe kreu detyrën si profesor në këtë Kolegj Françeskan. Më pas caktohet si famullitar në Gomsiqe, Abacinë e Mirditës, ku duke u qëndruar pranë banorëve të atjeshëm, pasuroi dijet e tij me visaret e folklorit, të cilat i përdori gjatë strukturimit të veprës së tij, e sidomos “Lahutës”. Studiuesi i nderuar Robert Elsie, në shkrimet e tij tregon se tani nis dhe bashkëpunimi i tij me intelektualë me emër si abati Preng Doçi, dom Ndoc Nikaj, Pashko Bardhi etj. Dhe nisin gjithashtu edhe përpjekjet për të themeluar shoqërinë letrare “Bashkimi” që synonte për të zgjidhur përfundimisht çështjen aq të rëndësishme të alfabetit. Pak kohë më vonë, falë cilësive të veçanta të tij, Fishta emërohet sekretar i Komisarjatit General të Misjonit Françeskan të Shqypnis dhe Drejtues i Shkollës Françeskane në Shkodër. Ishte i pari drejtues shqiptar në një shkollë ku përdorej gjuha shqipe. Nën drejtimin e tij shkolla pati ecje përpara dhe numëri i nxënësve u rrit ndjeshëm, siç u rrit edhe vetëdija kombëtare e tyre. Si rezultat i rritjes së kësaj vetëdije në shkallë vendi, në datat 14 - 22 nëntor 1908 u mbajt në Manastir, Kongresi i famshëm, ku Fishta, tashmë i burrëruar, mori pjesë aktive si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”. Vetë Fishta u caktua që të drejtonte komisionin për zjedhjen e alfabetit, nga ato të propozuarat dhe dihet përfundimi; miratimi i atij latin që ishte dhe i “Bashkimit” . Pasi botoi revistën letrare, folklorike, politike dhe historike “Hylli i Dritës” dhe kreu dënimin për të mërguar 20 muaj, ai në vitin 1916, drejtoi gazetën “Posta e Shqypnies” dhe me patriotë si L. Gurakuqi, N. Mjeda, M. Logoreci etj. organizuan Komisin Letrare të Shkodrës që kishte si qëllim unifikimin e gjuhës tonë. Ndërsa, kur autoritetet urdhëruan mbylljen e “Posta e Shqypnisë”, populli i qytetit në gjashtë vjetorin e shpalljes së Pavarsisë, protestoi me anën e një demonstrate. Në verën e vitit 1919, Fishta me cilësinë e sakretarit të përgjithshëm të delegacionit, shkon në Konferencën e Paqes në Paris e më tej në SHBA, ku duke udhëtuar me transoqeanikun “Cameronia” përjeton një aventurë të rrezikshme që e përshkruan vetë imtësisht, gjersa shprehet se “Nuk laçë as Shejt as Shejtneshë, pa merzitë at ditë”. E megjithë atë, ai po në këtë vapor, shkruan kangën e gjashtë “Dervish Pasha”, prej 483 vargjesh, mbi luftën turko - malazeze, me një vërtetësi të habitshme, sikur t`i kishte para syve ato vende dhe ato ngjarje, ku vajton edhe hallin e shqiptarëve. “Po aj vjen perse Stamolla / S`do qi t`hijë n`Shkoder Nikolla / Pse do vetë, po, edhe mbas sotit / Me t`majtë rob ajo si motit”. Në vitet 1931, 32, 33 Gjergj Fishtën e gjejmë respektivisht në Athinë, Sofje e Bukuresht, ku merr pjesë në Konferencat Ballkanike që zhvilloheshin. Ai, largohet nga jeta politike për t`iu kushtuar fesë dhe sidomos krijimtarisë letrare, atje në Gjuhadoll, gjersa siç thamë, në vitin 1937 e boton të plotë “Lahutën e Malcisë” të cilën duar - duar kishte nisur ta botonte me kohë. Ndërroi jetë në fund të dhjetorit të vitit 1940, duke lënë pas një vepër të madhe që i dha emrin e një eruditi dhe atdhetari nga më të shquarit që vendi ynë ka nxjerrë gjatë gjithë historisë së tij. Te ne, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e më tej ku ka shqiptarë, por edhe studiues të huaj, janë të shumtë ata që janë marrë me analizën e “Lahuta e Malcisë”. Vlen të përmendim disa prej tyre, si fjala vjen Eqrem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Stefan Çapaliku, Ndue Ukaj, Gjergj Zheji, Rudolf Marku, Zef Harapi, Martin Camaj, Anton Berisha, Kolë Kamsi, Lasgush Poradeci, Anton Harapi, Xhavit Beqiri, Tonin Çobani, Vehbi Bala, Robert Elsie, Shefkie Islamaj, Pjetër Jaku, Ali Aliu, Idriz Ajeti, Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Bajram Kosumi, Milazim Krasniqi, Blerina Suta, Moikom Zeqo, Namik Resuli, Enver Mehmeti, Hektor Çiftja, e plot të tjerë, që i kam marrë nga autori serioz Xhavit Beqiri dhe që po i rreshtoj jo vetëm me mangësi, por edhe rrëmujshëm, gjë për të cilën kërkoj falje. Secili prej tyre jep mendimet dhe konsideratat e veta sipas asaj se ç`ka dashur të kumtojë nga kjo vepër, por në një gjë të gjithë bijen dakord; “Lahuta e Malcisë” është një epos heroik popullor. Edhe popujt e tjerë në trashëgiminë e tyre kulturore kanë pasur disa vepra të cilave u janë referuar herë pas here dhe kur kishin nevojë për një gjendje të shëndoshë shpirtërore, i nxirrnin ato në dritën e diellit. Kështu, mund të kujtojmë veprën e Homerit te grekët, “Eneida” e Virgjilit te latinët, “Ramajanan” e indianëve, “Eddan” e skandinavisë, “Nibelungo” e gjermanëve. Edhe në traditën tonë njihet si i tillë “Cikli i Mujit dhe Halilit”, pra eposi i kreshnikëve. Dhe, pavarësisht se na parakalojnë heronj të bëmave, kohëve dhe vendeve të ndryshme, përsëri ata i bashkon e njëjta frymë: dëshira e pashuar për liri, trimëria deri në vetflijim për mbrojtjen e nderit dhe atdheut dhe mençuria gjatë dialogut me miq e armiq. Në këtë kuptim, të gjithë ata, që nga Gjergj Kastrioti e deri te Ded Gjo Luli, ruajnë po atë burrëri e guxim ndaj pushtuesve: “N`at Malci, n`at Rapshë t`Hotit / Dedë Gjo Luli, burrë si motit, / …Shtremnon ksulen, del në shkallë, / Bedri Pashës po i çon aj fjalë: / … Se ma sodjet, emni i Zotit! / Shka jem nipash s`Gjergj Kastriotit / E “Shqyptarë” qi i thomë na vedit, / Ma duva nuk i bajm Mbretit.” Por, “Lahuta” nuk është vetëm memorie historike. Studimi i saj është bërë dhe do të vazhdojë të bëhet edhe letrarisht edhe gjuhësisht, pasi ai mbetet një thesar i vyer i kulturës tonë, të cilin koha kur u ndalua, jo vetëm që nuk arriti ta çrrënjosë nga kujtesa popullore, por dhe ja shtoi edhe më shumë rëndësinë. Se është ashtu sikurse pohon Sh. Islamaj: “Fishta e gjeti rrugën e rrahur, por nuk u mjaftua me kaq: ai ndihmoi që gjuha popullore, jo vetëm të ecë qëndrueshëm nëpër kohën e saj, po të bëhet gjuhë, vërtetë artistike, me tiparet e një gjuhe të zhvilluar e të gatshme për t`u bërë gjuhë për vepra të mëdha, që do të krijohen pas tij e në historinë e saj të pashkëputur”. Dhe ndofta, gjuhëtari austriak, pjesëmarrës në punimet e Komisisë Letrare Shqipe, ai që veç të tjerash ka shkruar në vitin 1958 “Epika popullore shqiptare” , pra Maksimilian Lamberci, e ka përcaktuar rëndësinë e vërtetë të kësaj kryevepre, duke thënë se “… sa më shumë vjet që të kalojnë aq ma vlerë merr, tue qenë se ajo është pasqyra, magazine e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave, e përpjekjeve, e luftës dhe vdekjes së shqiptarëve.” Pra, “Lahuta e Malcisë”, me nxitjen e dashurisë për Atdhe dhe krenarisë për të shkuarën tonë, merr rëndësinë që ka Himni ynë Kombëtar, ndaj do njohur nga brezat e sotëm dhe ata që do të vinë. Po ashtu, nuk duhen harruar kurrë fjalët e fundit të Homerit tonë, që së shpejti i bëhen plot 79 vjet që u nda nga jeta se: “Po des kondend, përse kam punue për Fe, për Atdhe e për Provinçë; e po ju a le porosi, qi edhe ju të punoni për Fe, për Atdhe e për Provinçën tonë”.

24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page