top of page

ME PENELË DHE DALTË NË DORË NËPËR UDHËT E BOTËS


Miho Gjini

Këshu si jemi katandisur nga një mut virusi i padukshëm, u trëmba kur më thanë se Covid-19-ta e mori me vete edhe piktorin Bullgari nga Fieri, me të cilin i kisha shtyrë më se 10 vite, pranë e pranë në tokën Greke, përreth ca fshatrave arvanitase. Ma bënë të sigurt lajmin ogurzi e u ngrita e vajta në Shqipëri , pa u friguar se mund t'a humbja edhe unë jetën time që më kishte mbetur akoma pa e jetuar. Mirëpo aty, nëpër rrugët e Fierit, tek zbrita nga autobuzi i linjës Athinë-Tiranë, Top-Lines, nuk pashë asnjë Lajmërim -Vdekjeje nëpër shtylla. Qe koha kur ndofta, nuk bëheshin më njoftime, jo vetëm se ishin shumë ata që iknin, po edhe ngaqë dhe vdekjet e natyrshme, nuk di sepse i deklaronin si " peshqeshe" të këtij virusi , që errdhi nga Kina e largët, sikundër thonë deri tani! Po mirë që pyeta dynjanë, për të mësuar se ai që kishte "zaptuar Covidi" nuk qe Leonidha, po i vëllai, piktor edhe ai, nga më të mirët që kishte Fieri, edhe më gjërë..., Gjithsesi vdekja e njëllojtë ështe e unë do të qaja tani mbi supet e Leonidhës të vëllanë, Viktor Bullgarin, piktorin impresionistë, atë të pamartuarin, që jetën i'a kushtoi hedhjes në telajo të natyrës përreth, detit e sidomos "bythave të ullinjëve", duke e trajtuar këtë pëmë shekullore , si burimin e jetës. Edhe kur i shpura Leonidhës në Fier Urdhërin "Naim Frashëri"- i Artë" që i kishte akorduar Presidenti Bamir Topi , me prpozimin e "Liter-Art"-it e të Ambasadort Bashkim Zeneli, i ndjeri Viktor Bullgari më vendosi për të fjetur në dhomën më të mire, ku u ndodha si të isha midis ullinjëve të fshatit tim, ngaqë njerën nga faqet e murit e zinte piktura murale "Ulliri", me trungun gjigand, të punar me shpatull e me degët e gjelbëra, me reflekse ari, në të dyja faqet anësore. E gjitha në stilin e impresionizmit, që do më linte pa gjumë, prej një soditjeje admirimi të gjatë, nën refleksionin e ngjyrave xixëlluese. Dhe, në mëngjesin e asaj dite do të më falte një tablo me det, ashtu sikundër e doja edhe unë, kur më pyeti me shumë respekt e dashuri, që do ta vendosia paskëtaj, në murin e shtëpisë time në Piqeras, po karshi detit, me po atë dallgëzim që piktori kishte arritur t'a realizonte mrekulluisht. I pa harruar qoftë! Njeriu vërtetë ikën , po mbetet vepra e tij,sikundër thonë! Ja se si, kujtimi i piktorit Viktor Bullgari, më shtyri që të flasë tani, edhe për gjithë ata piktorë e skulptorë shqiptarë, të gjallë e të ikur, të cilët i reklamojnë veprat e tyre nëpër udhët e Botës dhe që zbukurojnë edhe ekspozitat, lulishtet, mjediset publike, sallonet e murret e vilave dhe apartamenteve në Athinë, Nw Jork, Pragë, Romë, Londër, Toronto, Berlinë e kudo nga janë sosur e qëndruar ata. Leonidha Bullgari hapi 15 ekspozita në Athine dhe pasi fitoi edhe Çmimin Kryesor midis 400 konkuruesve Grekë, nuk i mbeti asnjë pikturë me vlerë në shtëpinë e tij. Ato i'a bleu një Koleksionist Grekë, Kapedan Vapori, i cili i shiste shtrenjtë nëpër portet e Botës dhe një Mjek i dëgjuar e i "marrosur" ndaj artit të Leonidhës, këtij piktori kubist që dikur kishte punuar edhe pranë Ibrahim Kodrës. Disa nga veprat madhore të Leonidhës mbi ciklin "Katastrofa e Izmirit", që u ekspozuan në një Muze të Athinës, askush nga vizitorët nuk do të kuptonte se kush i kshte realizuar këto vepra monumentale, përveç meje që pija raki e verë me autorin e tyre në një bodrum të kryqëzimit, ku ndahet rruga e Rafinës me Nea Makrin dhe Marathonën e lashtë, të legjendës së vërtetë të atij Marathonomakut që shpuri deri në Athinë fitoren e luftës kundër persëve dhe pastajë dha shpirt!..."Ecë, ore ecë,-i thoshnja unë atëhere , mikut tim Leonidha, se krijove një emër të pavdekshëm!". Po nuk do të ndodhte kështu, se Loni do të kthehej në Fier, ashtu edhe sikundër errdhi këtu, me robat e trupit, me penelat që pikturonte e me trekëndeshin e kanavacës! Vizitorë të shumtë të vëndit Helen, jo më pak të habitur, do të ndiqnin ekspozitat e skulptorit Ilirian Shima, në mesin e Athinës, i cili punonte me mermerin, duke realizuar disa vepra të përkryera, që dikush aty i krahasoi të bëra si me dorën, daltën e shpirtin krijues të Praksitelit të lashtësisë, kur do të shihte se si ai e kishte kthyer masivin e mermerit, në bukurinë femërore, si edhe të të gjithë gjymtyrave të saj, sa edhe të gjithë ekspozitën e tij e quajtën nëpët gazetat e revistat e ilustruara greke:"Erotika e mermerit". Një tjetër skulptor që punonte në qeramikë: Kiço Krisiko, -dikur Pedagog i kësaj lënde në Akademinë tonë të Arteve, po-mjeshtër absolut i punimeve në qeramikë, do të tërhiqte vëmëndjen në trajtimin e larmishëm e me art të madh të tarikotave, objekteve e miniskulpturave në qeramikë, sikundër ndodhi edhe me ekspozitën e tij të viteve të fundit në Galerinë e Arteve të Tiranës, ku u fol për Kiçon si për një "Zbulues të Madh të arrdhur nga Kozmosi", kur atë, aty e kishin, harruar fare, asnjëherë të vlerësuar për krijimet e tij të vlerës universale. Një skulptor tjetër në Greqi, -nxënës i Odise Paskalit, që nuk pranon të identifikohet (punë e tij!?), ka realizuar edhe skulptura të një niveli artistik të lartë në mjedise të jashtëme, parqe të mëdha e lulishte, ku ndjehet dora mjeshtërore e Paskalit dhe e Paços , që dikur ishin pedagogët e tij! Përreth rrugicave të lashta me kalldrëm, poshtë Akropulit ke gjithmone piktorë e skulptorë shqiptarë që shesin veprat e tyre për hiçmosgjë (!) nga turistë të shumtë që gëlojnë aty dimër e behar...Po unë do të ndalesha tek njeri prej tyre, te piktori Ari Metollari, i cili edhe punonte me telajon përpara , i rrethuar nga admirusit e huaj e të panjohur, edhe fliste me ta, po edhe shiste punimet e tij, Po, pas disa vitesh, nuk do ta gjeja më aty. Mësova se, kishte zgjedhur për të jetuar e krijuar tashmë udhët e Londrës, të Oksfordit e të Uindstorit. Një tjetër piktorë, Agron Dingo,-dikur nxënës i Shkollës së Mesme të Kulturës, ku unë jepia mësim në tre vitet e fundit, para se të më nisnin të "riedukohesha!", kur i shkova që t'i shihnja punët e tij, pashë që, edhe ky, e kishte kthyer shtëpinë e tij në nje Ekspozitë Arti. Po kështu kishte bërë edhe piktori tjetër, nga Vlora, Librand Dhrami, shtëpia e të cilit është e mbushur me punimet tij, ndërsa gjatë verës, me penel në dorë, atë do ta gjeni në bregun e detit të qytezës së vet ku banon e krijon, në Porto Rafti, duke fiksuar detin, në të gjitha reflekset e tij, në orë të ndryshme të ditës e të mbrëmjes, duke hedhur nëpër telajo edhe diçka nga dielli ynë i Jugut, nga ato ngjyra farfuritëse që enden nëpër tablot e vajit dhe Akuarelat, pikturat e pastelit. Por, gati po e harroja edhe njerin nga piktorët më në zë këtu, të cilin e ka "zaptuar" Televizioni Grek, ERT 1-2-3 dhe që unë, me plot 30 vite këtu, nuk e kisha diktuar e njohur! I heshtur si vetvetja! Dhe mendoja se, sa e sa të tjerë te panjohur ka këtu e gjetkë, si ky Jani Zhonga, i cili , ndonse ka marrë pjesë në 200 festivale ndërkombëtare për filmat multiplikativë, si piktor e regjisor i tyre dhe ka fituar 30 çmime ndërkombëtare, përsëri figuron i panjohur në Shqipëri, bile fare i pa vlerësuar, as edhe me ndonjë Flete-Lavdërimi që jepeshin atëhere në vëndin tonë, në kohën e diktaturës, për punët e papaguara e të pavlerësuara asnjëherë materjalisht, të artistëve tanë! Ç'më afronte vallë me këta mjeshtra të penelit e të daltës, që e derrdhin tani energjinë e tyre nëpër udhët e Botë? Po isha edhe unë një admirues e studius i arteve të bukura, nga ata, për të cilët Lasgush Poradeci thonte shpesh se "na pëlqen e bukura"!...Po kisha edhe shumë shokë të kesaj pune të hollë e estetikisht të përkryer , deri në detaje, nga ajo " e bukur " që e cilësonte Lasgushi. Shikoja me admirim treshen e famshme të skulptorëve Rama, Dhrami e Hadëri, tek venin e ktheheshin nga studjua e tyre, në afërsi të shtëpisë time në Tiranë, dhe mbeta i mahnitur një ditë, kur pashë me sytë e mi punën torturuese e me ngulm, që bënin ata, nga shkallaret e hekurta, me dalta nëpër duar. Kisha shoqëri në vitet e shkollës me piktorin Bashkim Ahmetl e, kur pashë para pak vitesh Ekspozitën që hapi në Tiranë, pas kthimit nga Nw Yorku,u shtanga me orë te tëra para veprave të tij madhore, frymëzuar nga legjenda e Argjiros , si edhe nga cikli i veprës së Kadaresë,,,Bëja shoqëri në Institutin e Arteve edhe me Alush Shimën, të cilin e emërruan si piktor të filmit, pa e menduar shpërthimin e tij të mëvonshëm, si piktorë modern , nga më te preferuarit në botën e jashtëme , veprat e të cilit do të bliheshin shtrenjtë në Londër, Nw York e në kryeqytete të tjera të botës, deri në Tokio, për kolorin e rrallë të ngjyrave, Po edhe me Sabaudin Xhaferin, Skënder Kamberin, Nestor Jonuzin, Hasan Nallbanin, Isuf Sulovarin, Çlirim Cekën, Jorgji Gjikopullin, disa vite me vonë edhe me Kujtim Buzën , për të përfunduar në një miqësi shumë të afërt, në ditët e sotme me studjuesin e Artit Pamor, Dr.Prof.Ferit Hudhrin. Do të njihesha me studjot e rralla të piktorëve Vlonjatë e do më lidhte aty një miqësi e afërt me piktorin Rakip Shabani, ashtu si do me lidhte ca më tepër miqësia, me piktorin e Korçës Koço Ristani, të cilit Dritëroi i kishte veshur nofkën "Mbreti i Pastelit" , i cili do të shiste edhe mjaft punime të tij në Athinë e në qytetet greke, afër kufirit me Korçën. Pa harruar, jo e jo, piktorin e mrekullueshm të Liqenit të Pogradecit e të Ohrit, Anastas Kostandinin. Vetëm të shihje një vepër të tij për Lasgushin, nga më të thjeshtat , kur atë duket sikur e merr era e liqenit , me cepat e palltos ngritur, -do të mbetesh pa frrymë e pa mëndje fare!...Po sa e sa vite të tëra, edhe ky piktor me talent, i la në tokën greke, tok me shumë vepra të krijuara prej tij. Një art i madh, doems, i shitur lirë, nga hallet e tyre të medha, gjithashtu.Po, a nuk të linte pa mënd, vepra e Ndue Pepës në Laçë, me "Kokën e Ali Pashës në sini", ashtu si e kërkonte Sulltani,-nje vepër e dimensioneve të mëdha, po ashtu, nga ku bindesh se, kur penelin e ka në dorë nje piktor i talentuar, tronditja, estetikisht si koncept, stil e ndijesi, është shpartalluese, po aq edhe e bukur, në madhështinë e saj . Po ajo shtëpia e Pashkë Përvathit në Lezhë, e kthyer rrishtazi në Galeri Arti, a nuk është një marramëndje, në harmoninë që ka Arti Pamor, për t'a ngritur realitetin në një gamë universale ngjyrash?! E gjithë natyra, sikur ka hyrë në ato tablo e pejsazhe drite e gjethnajash të asaj shtëpie...E pikërisht, po këtu do të më kujtohej piktori i burgosur (që i'a kishin thyer penelat!) në shkallaret e pafundme të oborrit të Burgut të tmerrshëm të Spaçit, tek më thoshte me një hidhërim të pazakontë se :"Ne do ti duhemi Kombit përsëri!".Po s'qe e thënë! Nuk do ti duhej më! Se vdekjen do ta kishte shumë më të afërt! Dhe une do të kisha "fatin" të endesha edhe diku tjetër, në këto udhë të panjohura e të parapëlqyera nëpër ëndërrimet tona, për të "gjetur" kudo e ngado edhe piktorët e skulptorët tanë. Në mjediset turistike të qytetit të vjetër të Pragës në Çeki, përbri murreve të lashta të Kështjelles së Mbretit Karl, nga ku shihej krejt Praga e vjetër dhe e re, piktori Mihallaq Gjiçali, bënte vizatime të çastit e njëkohësisht shiste piktura e tarikota të krijuara me një art të madh dhe ,turistë nga e gjithë bota, nuk i ndaheshin as edhe një herë....As pëllumbat nuk i trëmbeshin e i bënin sehirë mbi bedenin 500 vjecarë, mësuar me piktorin prej kohësh. Ne qytetin e Pescarës në Itali do të isha mysafirë i skulptorit Vladimir Nikaj, që punonte me hekurin, duke krijuar shqiponja, zogjë, lule dhe objekte zbukurimi , nga më te rrallat, si të ishte hekuri njëfarë plasteline e lakuar që mund të merrte trajta mbresëlënëse prej duarve të tij! Po nuk arrijë të shpreh të plota emocionet që do të ndjeja në Nw York, kur miku im, piktoti i ish Kinostudjos tonë në Tiranë, Astrit Toto, do të më shpinte në shtëpine-muze të piktorit Zoi Shyti... Tronditja emocionale do ishte e dyanshme, nga gama e rrallë piktorike e tij , po dhe nga jeta e tij e jashtëzakonshme. Nuk e pata njohur, po unë i sillja përshëndetjet e të vëllait, aktorit virtuoz Ilia Shyti (pa më thënë fare ai!), ngaqë e dija se ç'hoqi ai, pas aratisjes së këtij njeriu ,në vitin1964, kur Ilian donin ta hiqnin nga Teatri Popullor! Në këtë Galeri të Vërtetë Arti, e gjitha prej duarve e shpirtit të Zoi Shytit, unë pashë disa kryevepra arti dinjitoze, sikundër qe portreti i Nënë Tërezës, ai i Skëndërbeut "që ai i'a kishte dhuruar origjinalin Bashkisë së Parisit!), kompozime e peisazhe të shumta dhe nudo të ndryshme, ku spikaste vlera e së bukurës dhe e nje arti të lartë. Piktori kishte kryer edhe "University of Pensiylvania!" (best fine art Schols) dhe tashmë jepte edhe mësime në Firence, Meksiko e San Françisko. Veprat e tij ndodhen në Washington, Nw York,Paris, Meksiko e gjetkë,si vlera të qënësishme edhe të Artit Shqiptarë. Ndërkohë, do të mësoja se një piktor i huaj, nga Irani, i cili jetonte në Trieste dhe kishte marrë edhe Çmimin Nobël (për paqen në botë) , me zhvillimet e para demokratike në Shqipri , kishte kërkur edhe pasaportë Shqiptare, që i'a kishin dhënë menjëherë e kështu vinte shpesh edhe në vëndin tonë, duke mbështetur edhe fillimet e gazetës "Rilindja Demokratike". Përmes veprimtares shoqërore, emigrantes Vitore Stefa , të cilën ai e kishte quajtur "Nënë Tereza e Triestes", u njoha edhe me këtë artist, duke krijuar një korespondencë të rregullt e miqësore, po edhe për punimet e tij të mrekulluehme në pikturë. Me vajtjen e aktores Merita Dabulla, në Trieste, Nobelisti Mansur Imani njohu edhe jetën e krijimtarinë time e, në shenjë respekti e nderimi, me dërgon Trofeun "Luani i Artë" që ai e kishte fituar ne Bienalen e Venecies! Qe një nder për mua, si edhe një simbol. Pata kënaqësinë edhe t'i veja për vizitë në Trieste,mikut tim të ri, njeriut me tri pasaporta, piktorit e Nobelistin për Paqe, Mansur Imani e u bëmë miqë të mirë! Një simbol si ky, gati i njëllojt do të ndodhte midis meje dhe aktores greke Mimi Denisi, me mbështetjen e skulptorit , mikut tim Muntaz Dhrami, i cili, kur unë bëra kthimin e parë nga mërgimi e dhashe një vit mesim ne Instiitutin e Arteve, errdhi e piu një kafe në shtëpinë time, ku u njohë me një revistë greke , ku ishte fiksuar bukuria e artistes Mimi Denisi e, sa e pa skulptori, edhe pa e njohur fare, e realizoi atë në studjo, si dhuratë për miken time greke, kokën e saj në allçi, ashtu sikundër dinte të punonte ai, me daltën e mjeshtrit të përkryer, Dhe kur i'a çova Mimisë në shtëpi dhe grisi me thonjë pështjelljen e veprës së skulptorit shqiptarë, tha me entusiazm :"Katapliktiqi! (e mrekullueshme!), duke shtuar: si e qysh është e mundur, pa bërë unë asnjë ekspozim para tij!,,,,S'di si të them a ç'farë të them, që t'u falenderoj ju të gjithëve që jeni aq të mirë e keni artistë kaq të mrekullueshm dhe me një shkollë arti, për t'a patur zili e admirim!" * * * Solla fare pak shembuj në një shkrim fare të thjeshtë, i nisur nga rasti i dhimbshem që vdekja na i mori edhe një piktor të talentuar, VIKTOR BULLGARIN!...Dhe, pas këtyre që thashë e që i kam thënë, jo pak herë, më duhet që përsëri e përsëri të pyes veten: Përse kjo Zonja e mësipërme, Drejtuese e një Shkolle Aktrimi dhe e një Teatri në Athinë që është i saj, interpretuese e Perandoreshës së Bizantit dhe e Ana Kareninës në skenën e teatrit , si edhe e disa filmave artistikë e televizivë, ka aq simpati për artin e aktrimit në Shqipëri sa që, edhe kërkoi të vinte këtu të merrte përvojën a artit tonë të interpretimit, derisa Minsitri i Kulturës i asaj kohe , nuk e pa të mundur arrdhjen e qëndrimin e saj?! Përse aktoria e madhe Greke e karaktereve, njeriu më humanist Helen, Titika Sariguli, e cila sapo iku nga jeta, ajo grua e rrallë, që ushqente pëllumbat në Athine, bashkë me emigrantët që i kishin arrdhur ne "pragë të derës", njëherësh edhe dramarturge e regjisore, vuri në skenë "Paqia" të Aristofanit me pjesëmarrjen e aktorëve grekë e Shqiptarë? Perse Regjisori Greke Filipos Cipos realizoi një vepër kinematografike me subjekt shqiptarë , anti racist e human, me artistë të të dy vëndeve e fitoi kështu disa çmime ndërkombëtare? Përse nje artist grekë ulet në gjunjë publikisht, para artistes Margarita Xhepa,-NDER I KOMBIT SHQIPTARË, qe triumfoi para 5 nënave të tjera ballkanase që lozën tek "Kush e solli Doruntinën?",-legjendë e gjithe Ballkanit, në skenën e Athinës, duke i puthur dorën e duke e quajtur para të gjithëve se e kishte për nder t'i përulej DIVËS SHQIPTARE? Perse në "Megalo Muziqi" të Athinës orkestra sinfonike është e tejëmbushur me instrumentista shqiptarë virtuozë, ashtu sikunder janë të dukshëm balerinët e mërguar të këtij vëndi, solistë baletit, kudo ku kane shkuar e rrëfyer artin e tyre të madh, në EUROPË, AMERIKË e kudo në BOTË. Pa përmendur asfare imponimin e kollosëve tanë te Letërsise, të Operas e Baletit ndaj Botes së kulturuar, e cila s'e ka për gjë që të bleje në Nw Jork një natyre të qetë të piktorit tonë modern Alush Shima deri në nje milion dollare?!! Flitet tani, jo për një shtet të vogël, që po i ikin përhere vlerat, talentet, kapacitetet e mëdha, po për nje KOMB VITAL, që ka nxjere e nxjerrë përherë figura të shquara, edhe kur shtrëngesat e poblemet e brendshme, nuk kanë qenë e nuk janë të vogëla, (sikunër, nuk janë të pakta "kusure" si këto tonat, edhe midis tyre!), ama, kur indiferentizmi Europës mbetet gjithsesi e "tirret" pafundërisht! Kur gjithë këta njerëz të talentuar të të gjitha fushave, me vitalitet të jashtëzakonshëm i kanë hyrë aty brënda, kudo ku ka "dyer e dritare"EUROPA?! Ç'mbeti më, ju lutem?! Ja, se si Forca e Artit , delë e shprehet edhe mbi FORCËN E POLITIKËS!

( Shkruar në Athinë, në ditët e fundit të jenarit 2021, në kushte NOCK DAWNI)



59 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page