top of page

Me mjeshtrin Nonda Kajno...

Updated: Jun 13, 2022


Emocionet e pavdekshme të një bisede me mjeshtrin Nonda Kajno

Fatmir Terziu


E kisha dëgjuar dhe ndjerë emrin e tij hershëm por ta dëgjoja me aq zell dhe entuziazëm në Kalarashi të Rumanisë më dukej disi fort emocionale. Kështu ky emër më ngjalli kurreshtje dhe respekt njëkohëisht. Ndërsa disa vjet më vonë atë do ta takoja personalisht në mjediset e Hotel Turizmit të Korçës, ndërsa në sfond dy altoporlantë të mëdhenj përcillnin me zërin e tij të mrekullueshëm disa serenata të mrekullueshme korçare. Dhe kështu ndërsa memorja, zëri dhe portreti i tij tashmë fiksoheshin pranë meje në një fotografi që mbeti si kujtim, ajo që shkonte më tej ishte shënimi që u ngjiz dhe duhej kohë që të shfaqej si një respekt i disafishtë për mjeshtrin e serenatave korçare, Nonda Kajno.

Në Bukuresht dhe në Kalarashi, viti 2009-të më kishte sjellë fatin që të jemi në krye të një grupi mediatik që do të pasqyronte një Festival të mrekullueshëm kur Grupi i Elbasanit do të fitonte Flamunrin e këtij Festivali në një konkurrencë mes disa shteteve. E aty do të ndjeja dhe dëgjoja për një grup me tre vajza e një djalë, që formonin grupin “Serenata” dhe që më e rëndësihmja ishte se atë kohë thuhej se ai drejtohej dhe menaxhohej nga një figurë publike, që kishte qenë mjaft dashamirëse e muzikës rumune dhe shqiptare. Vonë, fare vonë më sollën në mend një emër, me të cilin dukej se isha njohur gjatë atyre ditëve të qëndrimit në Rumani, e ai emër ishte Ioana Manolescu, një politikane dhe deputete e njohur e Parlamentit rumun, por që ishte me origjinë korçare. Ky grup, i cili ka ardhur disa herë në Korçë për koncerte, aktivitetin e tij e ka përqëndruar vetëm tek serenata korçare. Dhe kjo jo fare rastësisht, por si një dëshmi e asaj që historia ka vite e vite të përcaktuar fatet e mjaft emigratëve nga qyteti i Korçës, por edhe nga fshatrat e kësaj zone, Drenova, Boboshtica, Dardha, Sinica, Voskopoja, Polena, po aq edhe nga fshatrat e Devollit, si Hoçishti, Ziçishti, Progri e mjaft të tjerë. Ky grup ka qenë me këngët e serenatat korçare edhe në Shipkovicë dhe në Maqedoni, pasi dhe atje serenatat janë mjaft të preferuara.

Në mjedisin e paqtë dhe mjaft tërheqës të Hotel Turizmit të Korçës, ndërsa altoporlantët përcillnin serenatat “Korça”, “Qyteti i ëndrrave”, “Serenatë për qytetin e serenatave”, “Zemrën peng ma more”, “Lermë të të puth”, “Ditë karnavalesh”, “Pa ty”, “Kam një brengë në zemër”, biseda me mjeshtrin natyrshëm shkonte tek forca dhe timbri, tek muzika dhe shpirti, tek fati dhe rasti, teke jeta dhe e vërteta, tek jeta me dimra dhe muzika e serenatave me shifra. E mjeshtri pa u menduar gjatë na thotë se në arkivën e tij ka rreth 400 këngë të zhanreve të ndryshme, ku mbi 200 prek kësaj shifre janë këngë të serenatës korçare. Natyrisht dhe këtë e them me bindje, se që nga ajo kohë kur gjerbëm ekspresin në atë mjedis miqësor të Korçës, ky numër vjen gjithmonë në rritje.

E kështu biseda kapërcen në kohë, hapësirë dhe vend dhe shkon në një vit të ndjeshëm dhe të bukur për pasionantin, pikëtakon vitin 1970-të. Dhe ai e sheh atë si një entuziazëm të përshpirtshëm, ndërsa ne e ndjejmë si një bulë djerse që rrëshqet në baqthin ndanë ndarjes që bashkon buzët e tij që vazhdojnë të lëvizin për të na ritreguar si një këngë papushim. Po është e vërtetë. Në vitin 1970, kur në Shqipëri për çudinë e të gjithëve, kish filluar era e liberalizmit në art e në kulturë, ngrita nëj orkesëtr të tillë. Nga suksesi që kisha me këngët e mija në estradat amatore të qytetit të Korçës, mu bë ftesë nga regjisori i Estradës profesioniste të Korçës, z. Thimi Filipi që të këndoja si këngëtar në estradën profesioniste. Ftesën e prita me shumë kënaqesi. Fillova të këndoja këngët e mija dhe kisha shumë sukses, jo vetëm nga të rinjtë, por nga të gjitha moshat.

Në atë kohë, sekretar i dytë qe mbulonte kulturën mbas Mihallaq Ziçishtit, ishte Todi Lubonja. Nga suksesi që kisha me këngët e mija, të cilat bëheshin „biz“ sa herë që dilja në skenë, mu bë propozim, që të ngrija një grup rritmik, vetëm me kitara elektrike dhe bateri. Kështu u bë. U formua grupi, ku njerës kitarë i bija unë, njërës Vojo Memeli dhe tjetrës Ylli Cekrezi. Kurse në bateri, ishte bateristi i estradës, Agimi i Velës. Në përbërjen e grupit ishin edhe tre vajza, të veshura në mënyrë moderne, me pantallona kaubois, moda e asaj kohe.

Në prova vinte pothuajse çdo natë, vetë Todi Lubonja, i cili na inkurajonte për suksesin që kishim çdo natë. Kishim nisur ta krahasonim veten me grupet perëndimore të asaj kohe. Dita ditës grupi ynë bëhej më i famshëm dhe me i suksesshëm, jo vetëm në Korçë, por kudo ku jepnim shfaqje në qytete të tjera, në fshatra, reparte ushtarake etj. Kudo i njëjti sukses. Ishte hera e parë që në Shqipëri, doli një grup i përmasave perëndimore. Salla çdo natë mbushej plot e përplot. Altoparlantët gjëmonin. Duke parë suksesin që kishim, kompozoja vazhdimisht këngë të reja ritmike për të rinjtë. Por e gjithë kjo mbeti si një ëndërr e bukur.

Mbas Festivalit të 11 të këngës në Radio Televizion, ashtu si në gjithë Shqipërinë, filluan reprezaljet. Kurbani për Korçën u bëra unë. U bë mbledhja e posaçme e Degës së Lidhjes së shkrimtarëve dhe Artistëve të Rrethit të Korçës. U akuzova se kisha qenë liberal, kësha sjellë rritmet dhe muzikën perëndimore, kisha koncepte mikroborgjeze, desha të degjeneroja rininë etj. Të gjitha këto më ranë si rrufe. Për të gjitha këto, u propozova të mos dilja më në skenë, por të punoja në punë të vështirë në prodhim. Për një kohë të gjatë punova në minjere dhe në bujqësi. Por fati im ish qe i shpëtova burgut. Më vonë mësova që në Komitetin e Partisë të Rrethit, më kishin mbrojtur, drejtori i Teatrit Petraq Zoto, që ish edhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Korcën, regjisori Thimi Filipi dhe aktori Stavri Shkurti. Në Festivalin e 11-të, kam qenë në Korçë. Për mendimin tim, këngët e festivalit, përveçse ishin të bukura, të kompozuara dhe të interpretuara me aq dashuri nga këngëtarët pjesëmarrës nuk kishin asgjë të keqe. Ai festival u politizua tej mase. Veshjet që u përdoren në Festival kishin kohë që qarkullonin në Shqipëri. Kurse dënimet ishin të rënda dhe çnjerëzore. Në asnjë vend të botës nuk dënohen artistët në atë mënyrë siç u veprua në Shqipëri në atë kohë.

Biseda s'kishte të sosur. Ndërsa shënimet sa në diktofon, aq dhe në një bllok, mbanin peshën e viteve dhe mendimeve që rroknin njëherazi dhe këngëtarin brilant të serenatave dhe kompozitorin mjeshtër të këtyre mrekullive të pavdekshme korçare. E këtu vetë mjeshtri Nonda Kajno, ndërsa na dhuronte dhe tre CD me këngë, na e forconte mendimin tim se ai nuk mund të bënte diferencën midis këngëtarit dhe kompozitorit. E ai ndjehej mjaft mirë, dhe kur këngët ia këndonin të tjerët.

Kështu mjeshtri me një përkushtim dhe pasion të madh ka kontribuar dhe kontribon në forcimin dhe traditën e serenatave. Me këtë vrull dhe përkushtim në vite të Nonda Kajnos, vetë korçarët, në vite e vite po e ruajnë këtë pasuri të madhe korçare dhe shqiptare, dhe kur ata janë në emigracion. E që nga koha kur Nonda Kajno këndote serenatat korçare dhe kur ai kompozoi këngën e parë që ishte një këngë dedikuar një vajze shumë të bukur, me emrin Dadajka, ka një udhë të gjatë që duhen muaj e muaj për të shkruar.

Nonda Kajno, ai djalosh simpatik, që në vitet e para të gjimnazit ka kënduar me zell e pasion serenatat, të cilat jashtë syrit televiziv të munguar të asaj kohe i mbajti në memorje me respektin për serenatistët më të mëdhenj në moshë si Ligoraq Qano, Sotiraq Mitre, Dhimitër Hreshova (Taqkë Karmeni) e më tej me vëllezërit Ilija, Pandi dhe Gjergji Peleshi, Nasi Kondili etj. „Parera“ ishin një udhë e bukur për të por edhe një ndjesi e kënaqshme kur ndjeje dhe dëgjoje prindër që ti këndojnë vajzës së tyre me kitarë, këngë dashurije 3-4 metra larg dritares, dhe prindërit e vajzës të dëgjonin me kënaqësi. Ka qenë vërtet një popull me kulturë. Kjo ish si rezultat i emigracionit të korçarëve në vendet evropiane. Korçarët në emigrim zgjodhën Europën. Dhe kjo e bënte akoma më të domosdoshme për një mjeshtër si ai, për një zë brilant dhe talent kompozues si Nonda Kajno të shkonte tek fakti i angazhimit dhe tek udha me të cilën e kishin frymëzuar vetë nëna e tij, që ka qenë në një klasë me Tefta Tashkon, por që merrte mësime dhe nga piktori Vangjush Mio. Edhe babai i tij Xhuvi Kajno, që ishte tregëtar i njohur në Korçë, kishte një shtysë të fuqishme në vlerat që pasuan rritjen e përditshme të Nonda Kajnos. Duhet ujtuar se nga kjo shtysë nuk ishte rastësia, por fakti që i ati, në atë kohë kishte realizuar edhe pllakat e gramofonit me sazexhinjtë e korçës, me këngëtare Qerimenë, të vetmen këngëtare femër të asaj kohe.

E tashmë, mikja e tij e pandashme e jetës, Kitara është një dëshmi e pavdekshme e asaj që pasojnë duart e tij në vlera dhe kënaqësi të padiskutueshme serenatash. E ai vë në jetë dhe vlerat e poetëve korçarë, që me tesktet e tyre përjeton në zë e në kitarë një jetë tjetër më të mbarë. Këngët e kompozuara me lirikat brilante të poetit korçar Skënder Rusi, dhe me mjaft tekste të Rajmonda Moisiut, por dhe me lojën e kitaristit të talentuar korçar, Ylli Çekrezi janë një vrull i ri në vlerat e krijuara prej tij jo vetëm në Shqipëri e ku ka shqiptarë, por dhe në tërë hapësirat dashamirëse të serenatave në botën mbarë.

E ndërsa largohemi nga ai mjedis dyfish tërheqës, duke shtrënguar duart me mjeshtrin dhe talentin e pavdekshëm, Nonda Kajno, në një sfond të bukur korçar, duket se pasqyrohet një tjetër imazh. Korça e serenatave dhe bukuria e Mios, kanë më shumë arsye si dje dhe sot, që të ndjej timbrin e vlerës dhe atmosferës brilante në një pikë lotë. E ai pikë loti është jo më kot… Mjeshtri ka hallin e të nesërmes, hallin e serenatës, që duhet ti shpëtojë kohës, dimrit dhe shtrëngatës, injorancës dhe vetë neglezhimit pushtetar të radhës.



308 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page