top of page

Me anglezët jemi takuar dhe kemi biseduar në Paris, Romë, Gjenevë, Tiranë e gjetkë


Prof Dr Ksenofon Krisafi

Më poshtë po ju japim një intervistë të prof.dr. Ksenofon Krisafit,

Keni nxjerrë nga botimi librin tuaj “Në kërkim të arit”, ç’do të thotë ky titull?

Titulli ka të bëjë me një çështje të një rëndësie të veçantë politike, diplomatike, ekonomike dhe natyrisht edhe historike. Ka të bëjë me një ndër episodet më interesante të historisë diplomatike të çështjes shqiptare, me kërkimin e një sasie ari që ishte pronë e shtetit shqiptar, që ishte njohur e pranuar si e tillë edhe nga strukturat kompetente ndërkombëtare, por që u bllokua për shkak se u ndërthur me incidentin e kanalit të Korfuzit, që ndodhi në tetorin e vitit 1946. Titulli, pra do t’i japë lexuesit idenë e rrugës së gjatë e të mundimshme, që u desh të përshkohej për rikthimin e së drejtës së pronësisë së shtetit shqiptar, mbi 15745 kg ar. Zanafilla e saj është viti 1925, kur u themelua Banka Kombëtare e Shqipërisë me një kapital fillestar italian. Do të vazhdonte me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, për t’u përfshirë më vonë në ngjarjet që përshkuan historinë e trazuar të Shqipërisë së asaj kohe. Më konkretisht fjala është për një sasi ari, e cila sipas statutit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, të vitit 1925 duhet të qëndronte në Shqipëri. Në shkelje të dispozitave të tij u vendos në Romë. Kur Italia u pushtua nga gjermanët, në shtator të vitit 1943 ata morën nga Banka e Romës arin shqiptar dhe e transportuan në Gjermani. Me pushtimin e Gjermanisë nga Forcat Aleate, e gjithë sasia e arit që u gjet në depozitat e Reichbankës u mor nga aleatët dhe u vendos në Angli. Si u ndodhët ju në mes të kësaj historie?

U ndodha fare rastësisht. Kur fillova punë si pedagog në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Drejtësisë, pata si titullar prof. Arben Puto, i cili ishte bashkëpunëtor i jashtëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në atë kohë ishte çelur për diskutim dosja e dëmshpërblimeve të Luftës dhe mes tyre edhe çështja e arit. Profesori im i nderuar më rekomandoi të fokusohesha tek tema e përgjegjësisë juridiko-kombëtare me mendimin se do të ishte e nevojshme një ekspertizë e kualifikuar, nëse më vonë do të nisnin bisedimet me gjermanët, apo anglezët. Studimi dhe thellimi në aspektet teorike të çështjes, bëri që Ministria e Punëve të Jashtme të më aktivizonte fillimisht si bashkëpunëtor të jashtëm e më pas si punonjës të saj. Kur u mendua t’i jepej përgjigje pozitive propozimit britanik për bisedime, u caktova pjesëtar i grupit të punës, që do të përgatiste platformën e dosjen dhe më vonë edhe anëtar i delegacionit. Me këtë cilësi kam marrë pjesë në të gjithë raundet e negociatave për një periudhë të gjatë kohe.

Me anglezët jemi takuar dhe kemi biseduar në Paris, Romë, Gjenevë, Tiranë e gjetkë. Sa i vështirë ka qenë ky proces?

Ka qenë shumë e vështirë. Grupi negociator merrte përsipër një ndërmarrje delikate në një kohë kur pozicioni politik i Shqipërisë ishte i dominuar nga qëndrimet tradicionale tepër të ideologjizuara të tipit, që “ne edhe bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim”. Ndërkohë, ne në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të informuar më shumë se të tjerët për shkak edhe të faktit që dilnim jashtë dhe e kishim më të qartë realitetin, kishim një ndjenjë padurimi për kapërcimin e asaj gjendjeje asfiksuese izolimi, në të cilin ndodhej vendi. Nga kjo pikëpamje, oferta që u bë nga anglezët dhe amerikanët përmes francezëve për të filluar negociatat për çështjen e arit, na u duk një rast fatlum. Besonim se fillimi i bisedimeve me anglezët mund të kontribuonte për fillimin e një epoke të re hapjeje të Shqipërisë drejt botës së jashtme. Filluam punën, përgatitjet paraprake dhe bisedimet. Bëmë kujdes maksimal, që informacionin për propozimin britanik ta formulonim në një mënyrë të tillë, që të siguronim miratimin e udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë, që ishte forca e vetme drejtuese e vendit. Në krye të grupit të punës qëndronin Reis Malile dhe Sokrat Plaka, përkatësisht ministër dhe zëvendësministër të Punëve të Jashtme. Ministri kishte raporte të veçanta me Ramiz Alinë, i cili faktikisht drejtonte vendin, sepse Enver Hoxha, dergjej në shtrat shumë rëndë dhe pas pak javësh do të vdiste. Shpresonim se do të mund ta bindte atë që të jepte dritën jeshile për bisedime. Nga ana tjetër edhe vetë anglezët e lehtësuan shumë pozitën tonë, sepse pranuan që ne të bënim propozimet tona për formulimet e paraqitura prej tyre. Ata pranuan p.sh., që të mos përmendej në asnjë dokument incidenti i kanalit të Korfuzit dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare që e dënonte Shqipërinë, që ishin tema tabu për Shqipërinë e asaj kohe. Shpresonim gjithashtu, edhe sepse gjendja ekonomike e vendit ishte shumë e rënduar dhe po kërkoheshin shtigje, rrugëdalje nga ajo gjendje. Marrja e kësaj sasie ari, që nuk ishte më shumë se 1574 kg, do të shërbente qoftë edhe në aspektin propagandistik se diçka po bëhej dhe po gjendeshin zgjidhje. Këtyre vështirësive iu shtohej edhe fakti se mbi materialet e përpunuara nga ana e MPJ duhet të shpreheshin edhe disa punonjës në Komitetin Qendror të PPSH. Ata në përgjithësi nuk ishin specialistë apo ekspertë të politikës së jashtme. Dinin sloganet e kohës, por nuk merrnin vesh nga teknika e bisedimeve, nga nevoja e kompromiseve, si rrugë për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare. Atje sundonte ende fryma e përgjunjies së kundërshtarit, e detyrimit të tij që të pranonte propozimet dhe kërkesat tona, pa i lëshuar asgjë. Ata vinin nga fusha që nuk kishin lidhje me politikën dhe diplomacinë. Ata nuk ishin në favor të kompromisit me britanikët dhe amerikanët. Edhe pse miratimi për bisedime u dha, u kushtëzua me shumë vështirësi. Kjo u manifestua edhe gjatë bisedimeve. Kur ne ishim në Paris, duke biseduar dhe mund të thuhet se kishte shenja për një kompromis të pranueshëm për të dyja palët për zgjidhje të shpejtë, pati një tërheqje të menjëhershme nga KQP. Morëm urdhrin për të ndërprerë bisedimet. Pati një pauzë të gjatë gati 5-vjeçare, nga viti 1985-1990. Bisedimet tashmë bëheshin në mënyrë të tërthortë përmes ambasadorit tonë në OKB, në Nju Jork dhe përfaqësuesve britanikë. Bisedime në tavolinë nuk kishte më. Ato rifilluan në vitin 1990, në kohën kur ishte bërë e qartë, që kishte filluar hapja e detyruar e vendit. Kjo e lehtësoi situatën tonë, por për paradoks, në kohën kur pritej zgjidhja e shpejtë e çështjes, pala britanike u ngurtësua në mënyrë të çuditshme dhe të pakuptueshme në pretendime të tepruara. Në fillim, në Paris, në vitin 1985, kishin kërkuar, që për shlyerjen e pretendimeve të tyre financiare të shpërbleheshin me një shumë prej jo më shumë se 2 milionë dollarësh amerikanë. Ky ishte një term i gjetur nga të dyja palët. Me këtë anglezët kuptonin shpërblimin për dëmin e shkaktuar në incidentin e kanalit të Korfuzit në vitin 1946, mbi bazën e në vendimi, që kishte marrë Gjykata e Hagës në vitin 1949. Askund nuk do të përmendej e nuk do të shkruhej ky fakt, sepse ne nuk e pranonim për shkak të qëndrimeve politike të kohës. Prandaj, siç thashë të dyja palët ranë dakord të quheshin pretendime financiare. E pra, në kohën kur Shqipëria po ndryshonte dhe po ecte me shpejtësi drejt ndryshimeve, britanikët ashpërsuan qëndrimin e tyre, deri në absurditet. Nga 2 milionë e rritën pretendimin e tyre në 5,6 milionë dollarë. Të kërkoje një shumë të tillë në atë situatë, nuk kishte sens, sepse e gjithë vlera ishte rreth 16 milionë dollarë. Nga ana tjetër edhe amerikanët kërkonin një dëmshpërblim prej 2 milionë usd. Për shtetasit amerikanë me origjinë shqiptare, që ishin shpërblyer nga ana e qeverisë amerikane për dëmet e pësuara në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Kështu që mbetej fare pak nga ari ynë për Shqipërinë. Më pas, anglezët do të tërhiqeshin nga ky pretendim i ekzagjeruar dhe në maj të vitit 1992, në Romë u arrit kompromisi dhe britanikët zbritën në kërkesën e tyre fillestare prej 2 milionë usd.

Si trajtohej ky problem nga qeverisja e asaj kohe?

Trajtohej jo me sens realist. Dominonte ndjenja e megalomanisë. Qeveria e kërkonte arin, por papranuar të hynte dhe të bënte kompromis. Çështje të tilla madhore e delikate, kërkojnë me çdo kusht kompromis dhe tolerancë nga të gjitha palët negociuese. Ari kërkohej, madje bashkë me interesat për gjithë kohën që kishte qëndruar në Angli, kurse kërkesa britanike për shlyerjen e pretendimeve financiare (që nënkuptonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për incidentin e kanalit të Korfuzit, por pa e përmendur shprehimisht) konsiderohej si një kërkesë absurde. Të mos harrojmë se në korrespondencën e shkëmbyer para fillimit të negociatave në Paris, në vitin 1985, qeveria shqiptare kishte pranuar propozimin britanik për një zgjidhje të çështjes në formë pakete, të dyja palët do të jepnin e do të merrnin diçka dhe çështja do të konsiderohej përfundimisht e mbyllur. Sa i njohur ishte ky problem për opinionin e gjerë?

Opinioni i gjerë mund të kishte dëgjuar ndonjë gjë nëpër të për problemin e arit, por më shumë e ngatërronte me arin, që mori me vete familja mbretërore kur u largua nga Shqipëria në prag të pushtimit fashist italian. Ministria e Jashtme, doemos ishte në dijeni dhe madje, e kishte në dosjen e përparësive, por ndodhej gjithmonë e bllokuar nga qëndrimet e ideologjizuara që përpunoheshin e shpërndaheshin nga KQ i PPSH. Herë pas here jepeshin direktiva për përfaqësitë tona diplomatike në vende të ndryshme, të bënin sondazhe të tërthorta nëse kishte ndonjë predispozicion nga ana britanike për këtë zgjidhjen e kësaj çështjeje. Por, gjithmonë me idenë që të mos lëshojmë nga parimet, sepse ne jemi në të drejtën tonë dhe në këtë pikëpamje jemi superiorë.

Trajtohej jo me sens realist. Dominonte ndjenja e megalomanisë. Qeveria e kërkonte arin, por papranuar të hynte dhe të bënte kompromis. Çështje të tilla madhore e delikate, kërkojnë me çdo kusht kompromis dhe tolerancë nga të gjitha palët negociuese. Ari kërkohej, madje bashkë me interesat për gjithë kohën që kishte qëndruar në Angli, kurse kërkesa britanike për shlyerjen e pretendimeve financiare (që nënkuptonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për incidentin e kanalit të Korfuzit, por pa e përmendur shprehimisht) konsiderohej si një kërkesë absurde. Të mos harrojmë se në korrespondencën e shkëmbyer para fillimit të negociatave në Paris, në vitin 1985, qeveria shqiptare kishte pranuar propozimin britanik për një zgjidhje të çështjes në formë pakete, të dyja palët do të jepnin e do të merrnin diçka dhe çështja do të konsiderohej përfundimisht e mbyllur. Sa e ndihmoi Shqipërinë çështja e arit?

Ari nuk ishte pak, por vlera dhe përfitimi ekonomik i tij ishte kurrgjë përpara avantazhit të jashtëzakonshëm, që i solli Shqipërisë zgjidhja e çështjes së tij. Ai inauguroi negociatat e para për hapjen e Shqipërisë drejt botës, realizimin e një aspirate sublime të brezave të tërë në dhjetëra vjet. Ai ishte episodi i parë politiko-diplomatik, që e përballi Shqipërinë me dy fuqi të mëdha, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke u treguar fleksibël deri në atë masë që lejonin kufizimet e asaj kohe, Shqipëria iu përgjigj pozitivisht sinjaleve, që erdhën nga Perëndimi dhe nisi hapat e parë edhe pse me shumë ndrojtje drejt thyerjes së izolimit.

Kjo ishte arritja më e madhe se vete vlera ekonomike apo financiare e arit. Le të kthemi tek libri, si është ndërtuar ai?

Lënda e librit është shtjelluar duke kombinuar stilin dhe rigorozitetin e nevojshëm shkencor me shënimet dhe përshtypjet e çastit nga ditari im diplomatik. Tregohet historia mbi bazën e dokumenteve, por edhe mbi bazën e përshtypjeve dhe përjetimeve personale. Duke qenë aktor, pjesë e grupit negociator, madje i vetmi që nuk ndryshoi gjatë gjithë kohës, pasi disa anëtarë të grupit u zëvendësuan, sepse u emëruan në poste të tjera të rëndësishme, kam privilegjin të njoh gjithë rrjedhën e ngjarjeve, me të gjitha hollësitë, si dhe me episode që përbëjnë ngjarje dhe madje kuriozitete unikale.

Jam përpjekur t’i pasqyroj në libër edhe në një formë letrare dhe shpresoj të kem arritur të zgjoj kureshtjen dhe interesin e lexuesit.

Ç’ju ka mbetur veçanërisht në mendje?

Në mars të vitit 1985, ndodheshim në Paris për bisedimet e para me anglezët. Ishim boll të impresionuar, sepse pas një periudhe 35-vjeçare, dy delegacione, një shqiptare dhe një britanike takoheshin ballë përballë. Ne arritëm në tre raunde bisedimesh, të gjenim një gjuhë kompromisi dhe ishim shumë afër zgjidhjes së problemit. Na vjen një porosi në një orë të vonë, pak pasi kishim mbaruar takimin, që në orën 7.00 të mëngjesit të nesërm duhet të ishim në zyrën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë, Ramiz Alisë. Ishte e parealizueshme kjo kërkesë, sepse në atë kohë nuk kishte linja direkte Paris-Tiranë dhe lidhjet e Tiranës me kryeqytetet e tjera të Evropës ishin shumë të pakta. Ishin vetëm 3-4 shoqëri ajrore që fluturonin në Tiranë. Prandaj na u duk një kërkesë e çuditshme, megjithatë të ndodhur para presionit dhe frikës se mund të kishte ndodhur diçka, aq më tepër që nuk na u tha motivi i kësaj kërkese kaq urgjente, i kërkuam kolegëve tanë në Paris të gjenin një mënyrë për ta zgjidhur këtë situatë. Ishte fati ynë që u gjet një fluturim i “Air France”-s në drejtim të Vjenës, në orën 10 e gjysmë, ku qëndruam 2-3 orë dhe me një makinë të ambasadës shkuam në Budapest. Në orën 5.30 të mëngjesit shoqëria ajrore “Malev” kishte një fluturim për në Tiranë. Erdhëm në Tiranë, të palarë, të parruar, mbërritëm në zyrën e Ramiz Alisë me një ndjenjë ankthi dhe frike, ku pasi informuam gjerësisht për bisedimet, ndonëse nuk u qortuam, u duk se diçka nuk ishte pëlqyer. Me sa duket kishim avancuar më shumë se ç’duhej në kompromis me britanikët.

Sa e pranishme ishte frika se mos bënit ndonjë “gabim politik”?

Gjendja e frikës ishte evidente. Ajo përplasej me dëshirën e grupit të punës për të bërë diçka, për t’i sjellë një gëzim këtij populli. Ne ishim para një momenti historik, që do të hapte rrugën drejt perëndimit dhe në këtë përplasje frikë dhe përgjegjësie historike, kishte raste që frika dominonte. Kjo ishte arsyeja pse në negociatat me britanikët, kishte edhe momente kur ne prezantoheshim të ngurtë dhe përsërisnim deri në mërzi veten tonë. Duhet të përcillnim slogane, të cilat ishim të detyruar t’i thoshim. Ishin direktiva nga udhëheqja e lartë e asaj kohe.


19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page