top of page

Mbyllje e gjatë



Astrit Lulushi


Nga izolimi i gjatë njeriu del i çmendur (nëse është me fat për të jetuar), ose ndoshta i vdekur. Kjo ka ndodhur më parë, jo shumë kohë të shkuara, kur një popull u burgos për 45 vjet, pa asnjë kontakt me jashtë. Për të kuptuar se çfarë ndodh me një grup, deri diku, duhet parë se çfarë ndodh me një individ kur përjeton izolim të plotë.

Blanche Monnier (1849 - 1913), ishte një grua 25 vjeçare aristokrate nga Poitiers i Francës, e cila donte të martohej me një avokat të varfër. Por nëna e kundërshtoi dhe e mbylli në një dhomë të vogël të errët pa asnjë ekspozim ndaj rrezeve të diellit; çdo ditë i hidhej për të ngrënë një copë bukë e pak ujë, dhe nuk lejohej të shihte njeri. Blanche u bë anoreksike, dhe në kohën kur u shpëtua nga izolimi, pas 26 vjetësh, mezi peshonte 25 kg. Gjendja e saj mendore ishte shumë e rëndë, dhe shpejt çoi në shtrimin e saj në një spital psikiatrik, ku edhe vdiq në vitin 1913. André Gide (1869 - 1951), nobelist, botoi një libër në vitin 1930 në lidhje me këtë incident, me titull ‘La Séquestrée de Poitiers’. Libri pati ndikim të madh tek Michel Foucault, filozof, historian i ideve, shkrimtar, aktivist politik dhe kritik letrar (1926 - 1984). Teoritë e Foucault kryesisht adresojnë marrëdhëniet midis fuqisë dhe dijes, dhe si përdoren ato për kontroll shoqëror përmes institucioneve.

Sidoqoftë, efektet e një izolimi kaq ekstrem, kur ndodhin tek fëmijët, i bëjnë ata të mos jenë në gjendje të flasin - si në rastin e Xhinit, një vajzë e cila u mbyll nga babai i saj për 13 vjet kur ishte vetëm 10 muajshe. Xhini, lindur në vitin 1957, është pseudonimi i kësaj vajze amerikane, viktimë e abuzimit të rëndë, neglizhencës dhe izolimit. Rrethanat e saj janë shënuar dukshëm në analet e gjuhësisë dhe psikologjisë anormale të fëmijëve.

Ndryshe nga Blanche, Xhini e kishte më keq, sepse e mbyllur, ajo humbi periudhën kritike të përvetësimit të gjuhës dhe kjo e bëri të pamundur të kishte një gjuhë të parë. Kur u shpëtua nga izolimi, ajo filloi të mësonte fjalë dhe ishte gjithmonë e kënaqur kur mësonte fjalë të reja. Por gjuha nuk është fjalë, thonë ekspertët, gjuha është gramatikë, është fjali. Si pasojë, Xhini mund të flasë disa fjalë, por mbështetet në gjuhën e shenjave për komunikim.

Dhe tani që u njohët me këto raste, pyesni veten: Po një popull çfarë pasojash ka nga një izolim i tmerrshëm, ta zëmë, 45 vjeçar? A u trajtuan ndonjëherë këto probleme? Po përgjegjësitë kush i morri? Po llogari a u dha? Jo! Humbja, si në çdo sistem që përdor krime të tilla për të bërë zap një popull, iu faturua kombit, i cili sot paguan me reputacion, ose me të ikur që përfundojnë kryesisht rrugëve, kampeve e burgjeve të botës.


23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page