top of page

MBYLLJA SEKRETE E TRURIT


 Vullnet Mato


MBYLLJA SEKRETE E TRURIT


Kisha humbur prej kohësh çelësin e mendjes sime.

Brenda trurit vërtiteshin veç njerëzit e shtëpisë,

si në një dhomë pa derë dhe pa brava intime,

ku dihen saktësisht, tërë imtësitë e brendisë.

Por një ditë më ndodhi, mbajta një sekret,

një femër më vuri në buzë një vulë të kuqe.

Rashë në të thella, veten time mbylla krejt,

si në një tunel me arsenal të rrezikshëm lufte.

Heshtja, në familje kish shkaktuar dyshime,

mos brenda trurit kisha fshehur mina qëllimi,

gjyle për zemra, kundërajrorë për fluturime,

flakëhedhëse grindjesh dhe bomba zemërimi.

Zbuluesit gjurmues, brenda rrethit familjar,

më shikonin me vërejtje, sikur diçka dinin,

sikur po prisja ditën fatale të trurit tradhtar,

të shpërtheja kundër tyre, gjithë armatimin.

Burgosa sekretin në qelinë e heshtur të burrit,

por në sytë e tyre dyshimi zuri të rritej për mua.

Më thanë haptas: ”Pse i ke vënë çelës trurit,

mos ke ndërmend, të marrësh tjetër grua?”...

Si dreqin ma gjetën, se fshehtësia ishte femër,

që mund t’i vriste më keq, se depo me predha?!...

Pse të bëhej kaq alarm puthja me një grua tjetër,

kur mendja ime kish qejf, të bënte pak dredha?!...

Se fizikisht isha i lidhur me disa palë zinxhirë,

prej çeliku aq të fortë, sa njëmijë puthje femrash,

nuk më shkëputnin dot, nga libri i shtëpisë,

ku kisha në ngarkim, një listë të plotë emrash…


36 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page