top of page

Mburrja


Mburrja

Nga Fatmir Terziu


Për ty nipi im do të gjej kohën e duhur. Edhe pse koha më ka zënë tëposhtë në kthinat e saj, prapë, mendova të rikthehem tek ai emaili yt. Duke bërë këtë them se kam gjetur kohën e duhur. Kohën të cilën më kërkon me lutjen tënde të parë, me emailin tënd të radhë. Më shkruan me mall. Më shkruan shqip. Më shkruan në hall. Më shkruan nga larg. Më shkruan nga dheu im. Më shkruan nga dheu yt. Më shkruan nga Atdheu, dheu i të parëve tanë. Më shkruan se jemi gjak. Më shkruan se e ke hak një fjalë të mbarë. Më shkruan të më pyesësh. Më shkruan të të ndihmojë. Më kërkon me emailin tënd të të ndihmoj. Por këtë të fundit nuk e kuptoj. Vërtet nuk e kuptoj! Ti nuk kërkon ndihmë të veçantë. Ti nuk kërkon para. Ti nuk kërkon rroba. Ti nuk kërkon të ndajmë pronat. Ti nuk kërkon të vëmë kufirin tek toka. Ti nuk kërkon asgjë nga ato që mund të kërkonte një nip. Ti nuk kërkon pra asgjë nga këto. Por më kërkon ndihmë. Ndihmë?! Më kërkon këtë ndihmë në një fushë që as ti, as unë, as ne që jetojmë në këtë botë nuk e dimë. Më kërkon një ndihmë që nuk varet nga unë. Një ndihmë që nuk është as në dorën time, as në mendjen time, as në njohuritë e mia. Nuk është as në xhepin tim. Nuk është askund në këtë hapësirë. Më kërkon të dish se ku jetohet më mirë? Pra ku jeta bëhet më e mirë për ty? Më thua se këtë ma kërkon me lotë në sy. Dhe e nxjerr këtë lot mëngjes, drekë e darkë. E nxjerr në shtëpi, në shkollë e në mbrëmje kur gjendesh me tët atë bashkë. Këtë lot e bën pastaj pikiatë. E trazon ekranin e kompjuterit tat. Dhe thua me vete pa e zgjatë: “Xhaxhin tim, që e dua shumë do ta vikat. Ai më tregon përgjigjen e saktë.” Dhe unë ndihem ngushtë me kërkesën tënde në fakt. Ne kemi lindur në atë tokë të begatë. Unë, ti, vëllai im, që është dhe babai yt, të gjithë ata që ke larg dhe pranë, të gjithë që janë në këtë botë dhe atje matanë. Ardhëlindjen aty e kishim fat. Dhe jemi mburrur, jemi krenuar, jemi lëvduar me ditë e me natë. Nuk kemi bërë gabim, nuk kemi bërë mëkatë. Por, i dashur nipi im, ndoshta padashje kemi bërë një gabim. Dhe këtë e kam dhe për veten time si qortim. Ndoshta lëvdatat paksa i kemi fryrë. Kur gjithnjë kemi thënë se ne jetojmë nga të gjithë më mirë. Kur kemi thënë se jeta jonë është për të gjithë të tjerët një pasqyrë. Dhe në atë jetëpasqyrë kemi ngrënë çdo fytyrë. Padashje kemi ulërirë nga mbrëmja në të gdhirë. Kemi thënë se jetojmë të lirë. Kemi thënë se dashurojmë pa frikë. Kemi thënë se ushqehemi sikurse ushqehet një princ. Pikërisht, pikërisht këtë kam frikë. Këtë kam frikë nipi im. Ama kam frikë të të them se diku jetohet më mirë. Ne, nipi im, kemi një dhuratë më të madhen në botë: Jetën tonë! Dhe vetëm kur atë e duam, kur atë e kuptojmë, ne jetojmë. Vërtet ne e jetojmë përgjithmonë, vetëm jetën tonë. Jeta jonë është ndryshe. Ka një lidhje të mistershme me miliona vite. Ajo është e lidhur me gurin, dheun, pluhurin, drurin. Ajo është e lidhur me emrin, me gruan, fëmijën, gjyshin, gjyshen, me burrin. Jeta jonë ka lindur në dashuri. Është një lidhje që e gjen në Bibël, që e gjen në mitologji, është një lidhje që e gjen dhe ka bërë vetë histori. Gjon Pagëzori në Bibël ishte një djalë gjakftohtë që jetonte mjaft i qetë kudo që ndodhej. A do të thotë kjo se ai kurrë nuk kishte qenë gjaknxehtë dhe jeta gjithnjë i kishte pëlqyer atje ku ndodhej? Përgjigja varet pjesërisht se kush e tha këtë, kur u tha, përse u tha, ku u tha, e mjaft të tjera nipi im, që vetë jeta i merr me vete dhe rrugëtimit të saj u jep shpjegim. Rrëfimet rreth perëndive, të quajtura mite, u bënë mijëra vjet më parë. A kishte një Herkul të vërtetë, një njeri, që sipas këtyre tregimeve jetonte i lumtur? Ne kurrë nuk do të dimë të vërtetën se si ishte jeta e tij. Megjithatë, historia e tij është e një njeriu që ishte kaq i fortë dhe i guximshëm, veprat e të cilit ishin kaq të fuqishme dhe që i duronin të gjitha vështirësitë që i ishin dhënë atij. Sepse kur ai vdiq, pra Herkuli, u çua në malin e Olimpit për të jetuar me perënditë. Dhe atje thuhet se jeta për të ishte edhe atje e mirë. Historia na sjell orrigjinën e jetës në tokë 3.8 bilion vite më parë. Dhe historia gjithnjë më pas flet për këtë jetë. Pra jeta është pjesë e vetë asaj ku jetohet. Dhe aty ku jetohet vërtet jetohet më mirë. Prandaj ne jetojmë në këtë trilogji misteresh, të ndërtuar nga të tjerë, të shkruar nga të tjerë, të treguar nga të tjerë, të jetuar nga të tjerë. Të jetuar nga të thjeshtë, etër, të vuajtur dhe mbretër. Prandaj ne duhet të jemi të qetë, diplomatë të vërtetë, qoftë thjesht dhe për një jetë. Dhe jetën duhet ta duam patjetër, ashtu sikurse e kanë dashur të gjithë që nga koha e vjetër, tek e fundmja, larg nga mburrja. Nipash i dashur, jeta është sikurse dëshirat. Dëshirat janë sikurse vetë jeta. Mes të dyjave gjendet ndoshta ajo që të shpie tek e vërteta, larg nga tkurrja, larg nga mburrja. E vërteta është një telajo që na mbulon dhe na zbulon me krahët e veta të urta, duke na lënë tek e keqja, e paturpshmja, mburrja. Ne e dimë se ajo është e paqtë si era, por e fraqtë si hekuri. Mjafton të ta fiksojë mendja për ta prishur paqen e saj dhe je trullosur, pa mundur të gjesh melhemin e duhur të rikthimit në vetvete. Mjafton të lëvizësh dorën dhe hekuri i fraqtë me ty të tretet. Me të dyja është vetëm ikja. Ikja nga vetvetja. Ikja nga e vërteta. Ikja nga jeta. Ikja pa mundur të ndërtosh jetën. Ikja duke tretur të vërtetën. Dhe kështu ajo që na lanë të parët, aftësia për të mbushur hambarët, mbetet një ëndërr, ajo që na zgjon netëve të gjata: pa vare, pa nuanca, pa identitet, jetë pa jetë. Në lëvizjen tonë, ne humbin vetveten, humbim malin tonë, tokën tonë, humbin detin, flakim tej pa e kuptuar identitetin. Prandaj këtu është më mirë, të më mirëkuptosh në këtë pikë. Mburrja nuk ka qenë soj i racës sonë. Këtë na e injektuan të tjerët, një gjysëm shekulli më vonë. E kupton sa kemi gabuar? Jemi hutuar, tradhëtuar, masakruar, kemi lënë të gjitha, mburrja na ka përvëluar. Të gjithë e kuptojmë, por e kemi vështirrë të pranojmë. Ndaj ikim, ikim dhe në fakt me kohë jemi të fikur duke ikur. Të gjithë e dimë se kemi ikur, por nuk e besojmë se kemi lajthitur. Të gjithë duan të ikin, më thua nipi im, dhe këtë e kuptoj si një mallkim. Mallkimi nuk vjen nga dashuria, por nga dhimbja. Nga dashuria, vetëm nga dashuria nuk mallkohet askush. Ka të tjera mallkime, që vijnë nga hallet, të tjera probleme që janë bërë prush. E di, mjaft mirë të kuptoj, kur thua se të tjerët nga keqqevirisja heqin, s’kanë punë, s’kanë të ardhme, s’kanë shpresa, vetëm heqin, por dije mirë nipi im, se kjo ikje nuk shuhet pa e larguar të keqin, maskarain, dreqin. Po ditëm si të veprojmë me këtë plagë të vjetër, si mbretër do të jetojmë atje, patjetër. Por kjo nuk është thjesht një literaturë me referenca, as dhe një leksion pa libër, ajo varet nga vetë preferenca, kur vetë njeriu do dimrin e bën verë, por kur hesht edhe vera i bëhet dimër. A të kujtohet poezia e Shilerit që të kam lexuar njëherë me zë dhe që të pata porositur ta mësosh përmendësh? Nëse jo, ja po ta kujtoj: “Kush do të argëtojë veten me hijet, ose lavdëroj jetën e tij me drita që shkëlqejnë më kot, apo mban shpresat e rreme, mashtron të vërtetën? Megjithëse me ëndrrën time, qielli im duhet të dorëzohet - megjithëse shpirti i lirë i zhvendosur që dikur mund të qëndronte në perandorinë e madhe të mundshme, kjo jetë pune me zinxhirë hekuri mund të lidhet, megjithatë, pra, mjeshtëria e gjen veten, dhe detyra solemne ndaj akteve tona dekretohet, kështu na mëson të mësojmë në orën e nevojës...”. Vërtet na mëson. Na mëson nipi im, pikërisht në orën e nevojës. Na mëson. Na mëson ku jetohet më mirë. Ku jetohet njerëzisht. Ku jetohet pa frikë, ku jetohet përditë. Ku jeta dominohet nga e urta, ku jeta është vërtet si kurba, por larg, mjaft larg nga mburrja. Mburrja po ta them pa frikë është më shumë se një armik. Mburrja ka lënë nënën shtatëzënë me foshnjën e saj në det, mburrja ka vrarë dhe ende vret. Mburrja ka mbetur e tillë kudo sot, edhe pse ka ndërruar modë. Mburrja nuk është e vërtetë, mburrja nuk është jetë. Mburrja është fëlliqësirë... Tani po të përgjigjem nipi im i mirë, shkurt dhe qartë, vetëm pa mburrje, larg nga mburrja, jetohet më mirë.


45 views34 comments

34 Comments


Nashi Brooker Fatmir nje thirrje per brezin e ri te shqiperis do ta quaja kete shkrim.

Like

Nashi Brooker Nje shkrim e goditur i Dr Fatmir Terziu. Nje shkrim qe shtjellon ne menyre perfekte pasojat e mburrjes ne pergjithesi tek shqiptaret. Demet e medha, thuajse te pa riparueshme qe i eshte shkaktuar shoqeris shqiptare jane kolosale ne te ardhmen, e cila eshte nje fenomen teper serioze. Nje shoqeri e cila ka operuar mbi genjeshtren. Nje shoqeri e cila nuk do te ta shikoj te verteten ne sy. Nuk ka deshire te ta mesoj ate.

Nese ky mesazh/shkrim do te vinte nga Ismail Kadare, Blendi Fevziu, ose nga ndonje politikan shqiptar do ishin bere me qindra mijera komente, like dhe share. Por ne shqiptaret dashurojm ende me te madhin. Ate qe eshte i superfuqishem. Ne ndjekim dhe besojm…

Like

Qeparo Pushotekne nje proze poetike qe nipat ta mbajne vath ne vesh. (Miri Dhrami)

Like

Perparim Hysi Më thoni dot pse emri Fatmir rimon me xhevahir?

Like

Luan Krashi kryeveper te lumte pena .z Fatmir Terziu

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page