top of page

Mbretëria e Vendeve të Ulëta


TË NJOHIM HOLANDËN

(Mbretëria e Vendeve të Ulëta)

Nga Luan Çipi


Vendimi


Vendimin për ta vizituar sërish e për ta njohur edhe më shumë Holandën e mori, këtë radhë prerazi, vajza jonë, Arta.  Ajo, prej më se 12 vjetësh, familjarisht banon në periferi të Roterdamit, ku, me Willem, burrin e saj Holandez dhe vajzën Anxhela, kanë atje edhe një biznes privat të licencuar, për këshillim, shitje, montim e mirëmbajtje panelesh diellore. Unë me gruan time, Hanëmen, nuk e refuzuam dot këmbënguljen e vajzës dashamirëse, të vendosur e të përsëritur, për një vizitë, qoftë dhe të shkurtër atje, që të na kishte atje për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2020.


Mbretëria e Vendeve të Ulëta


Holanda (emri i plotë Mbretëria e Holandës, më saktë Vendet e Ulëta, ose Mbretëria e Vendeve të Ulëta; holandisht Nederland, emri i plotë Koninkrijk der Nederlanden), është shtet parlamentar, nën mbretërinë konstitucionale dhe ndodhet në pjesën perëndimore të Evropës, me posedim edhe të  disa ishujve në Karaibe. Ajo ka një  sipërfaqe totale 41528 km2, dhe popullsi 16 587 551 banorë.

Ky vend i vogël po shumë i begatë, laget nga Deti i Veriut në veri e perëndim, kufizohet me Belgjikën në jug dhe Gjermaninë në lindje. Kryeqytet i vendit praktikisht është Amsterdami edhe pse rezidenca e trupës qeveritare faktikisht është në Hagë. Gjeografikisht vendi është fare i ulët dhe rreth 25% e sipërfaqes së saj dhe 21% e popullsisë ndodhet nën nivelin e detit, ndërsa 50% e tokës  ndodhet më pak se një metër mbi nivelin e detit. Një veçori e vitalitetit dhe dinamizmit të popullit të saj punëtor, duket me faktin e rrallë në botë, se sipërfaqe e konsiderueshme e tokës së shtetit, është fituar nga deti, nëpërmjet vetëndërtimit të pritave gjigande.

Pjesa dominuese e Holandës është e formuar nga grykëderdhja e tre lumenjve të rëndësishëm evropianë, të cilat, së bashku me degët e tyre, formojnë deltën Rhein-Meuse-Scheldt.  Nga kjo, pjesa më e madhe e vendit, është shumë e sheshtë, me përjashtim të zonës së pakët kodrinore, ​​në skajin juglindor dhe disa vargjeve kodrash, në pjesën qendrore.     


Në Holandë ndodhet Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike

                

Holanda historikisht është një nga vendet e para, që ka pasur një parlament të zgjedhur. Ajo është anëtare themeluese i BE-së, NATO, OECD dhe OBT. Holanda, së bashkë me Belgjikën dhe Luksemburgun, formojnë “Bashkimin Ekonomik të Beneluksit”, model ky i bashkimit rajonal ekonomik, që tentohet të ndiqet dhe nga disa shtete te Ballkanit.

Në Holandë ndodhet Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike dhe pesë gjykata ndërkombëtare: Gjykata e Përhershme të Arbitrazhit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Tribunali special për Libanin.

Holanda ka një ekonomi tregu kapitaliste, duke u renditur e 13-ta ndër 157 shtete, sipas “Indeksit të Lirisë Ekonomike”. Në maj të vitit 2011, Holanda, sipas rezultateve të publikuara nga “Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim”, u rendit si vendi "më i lumtur" në Botë.

Emri "Holandë", në disa gjuhë të huaja, ka disa kuptime dhe shpesh ndodh që në gjuhët e tjera, nën këtë emër, të nënkuptojnë shtete në rajonin e Beneluksit dhe pjesë të Mbretërisë Holandeze. Është kjo një nga arsyet që asaj vendësit, me vendim unanim, nuk e thërresin më “Holandë” por Nederlandë.

Holanda ka qenë një monarki kushtetuese, që nga viti 1815  dhe një demokraci parlamentare, që nga viti 1848. Politika holandeze dhe qeverisja janë karakterizuar nga një përpjekje për të arritur konsensus të gjerë mbi çështje të rëndësishme, brenda komunitetit politik dhe shoqërisë në tërësi. Në vitin 2010, “The Economist” e renditi e Holandën si vendin e 10-të më demokratik në Botë.

Mbreti është kreu i shtetit. Sipas Kushtetutës Holandeze, mbreti ka kompetenca të kufizuara. Ai ushtron ndikim gjatë formimit të një kabineti të ri, ku ai shërben si arbitër neutral midis partive politike, si dhe ka të drejtë të informohet dhe konsultohet për çështjet e rëndësishme shtetërore.


Pushteti ekzekutiv


Në praktikë, pushteti ekzekutiv është i formuar nga ajo që quhet "ministerraad", që është faktikisht “këshilli vendimor” i kabinetit holandez. Ky kabineti përbëhet zakonisht nga 13 deri në 16 ministra dhe nga një numër i ndryshëm i sekretarëve të shtetit. Kreu i qeverisë është kryeministri i Holandës, i cili që nga viti 1973 është lider i partisë më të madhe të koalicionit. Kryeministri është "i pari ndër të barabartët", që do të thotë se ai, ndryshe nga ç’ ndodh në shumë vende të tjera, nuk ka kompetenca të veçanta përtej atyre të ministrave të tjerë.

Kabineti jep llogari në parlamentin dy-dhomash, që ka gjithashtu fuqi legjislative. Të 150 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, të Dhomës së Ulët si quhet ndryshe, zgjidhen drejtpërdrejt. Zgjedhjet mbahen çdo katër vjet ose pas rënies së kabinetit (për shembull: kur një nga dhomat mbart një mocion mosbesimi, Kabineti i ofron dorëheqjen e tij mbretit). Dhoma e Provincave zgjidhet gjithashtu drejtpërdrejt çdo katër vjet. Anëtarët e asambleve të provincave zgjedhin 75 anëtarët e Dhomës së Provincave (Dhoma e Lartë), e cila ka kompetenca legjislative më pak, pasi ajo thjesht mund refuzojë ligjet, por nuk propozon apo i ndryshon ato.

Sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve janë gjithashtu organizma me vlerë e me peshë paraprake politike e konsultative. Ato takohen rregullisht me Qeverinë në Këshillin Social-Ekonomik.

Holanda dallohet edhe për një traditë të gjatë të tolerancës religjioze, në të cilën grupet fetare jetojnë veç e veç dhe ndërthuren në nivel qeveritar.

Holanda ka 12 njësi administrative të nivelit të lartë të quajtura provinca, të cilat gjenden nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të mbretit. Vija bregdetare e Holandës është 451 km e gjatë dhe kufiri tokësor është 1,027 km, ndërsa 7643 km2 nga sipërfaqja e përgjithshme, ose 22.55% e saj, mbulohet nga uji.

Klima e Holandës është e thuajse e butë, me verë të pëlqyeshme, të freskët deri të ftohtë dhe dimër relativisht të butë.



Kur analizojmë ekonominë e Holandës në tërësi, bie në sy raporti specifik i elementeve natyrore, i zhvillimit shoqëror dhe i prodhimtarisë së saj që rrallë kund ekziston në botë. Sipërfaqet e kufizuara të tokave, por që janë në mënyrë intensive të punuara, i japin përparësi bujqësisë, ndërsa mungesa e pasurive natyrore e bën të varur nga jashtë. Numri i madh i popullsisë në një territor të vogël ia ka imponuar nevojën e përhershme që sa më shumë sipërfaqe të tokave t’i shndërrojë në toka pjellore dhe në sera diellore. Rezultat i kësaj lufte është edhe ekonomia në shkallë të lartë të zhvillimit. Me 484 banorë për kilometër katrorë, Holanda është një ndër shtetet me dendësinë më të madhe në botë, (krahas KinësMonakos) .


Sipas statistikave


Sipas statistikave, një tjetër veti karakteristike e holandezëve është se ata  janë populli që dallohen për nga gjatësia, sepse janë me gjatësi mesatare 1,81 m meshkujt dhe 1,68 m femrat.

Holandezët përbëjnë 80,6 % të popullatës. Më së tepërmi të huajt kanë ardhur nga Gjermania Indonezia, Turqia, Surinami dhe Maroku.

Gjuha Holandeze është gjuhë zyrtare, edhe pse nuk është e rregulluar me ligj. Në provincë  e Frizisë  shfrytëzohet edhe gjuha e tyre e veçantë.    

Holandezët tradicionalisht dallohen për njohjen e gjuhëve të huaja. Rreth 85 % e popullsisë flasin gjuhën angleze, 55–60 % flasin gjuhën gjermane, ndërsa 25 % gjuhën franceze.

Sa i përket strukturës fetare Holandezët janë : 30 % katolik, 20 % protestant, 9 % të tjerë (5,8 % islame, 0,6 % hinduizmibudizmijudizmi etj.), 41 % ateist.

Paraqita më lart (të mara kryesisht nga Interneti) njoftime historiko gjeografike për Holandën, për këtë vend përrallor, faktikisht në sipërfaqe gati sa dyfishi i vendit tonë, por gjashtë herë më shumë nga ne, në popullsi dhe që ka siguruar nivel të lart jetese, demokracie  e lumturie, (klasifikuar nga specialistet kompetent botëror), edhe pse nuk disponon, siç kemi ne me shumicë,  burime pasurore nëntokësore.

Ajo që më bëri përshtypje të veçantë këtu në Holandë është impenjimi dhe përgjegjësia që ka qytetari ndaj detyrimeve shtetërore për rregullin, pastërtinë e mjedisit dhe shlyerjen e detyrimeve financiare. Të krijon respekt autoriteti i shtetit mbi pjesëtarët e vet dhe fakti që nuk ka asnjë fshat me diferenca të theksuara jetese, bukurie e pastërtie nga qyteti.  Fshati holandez dallohet prej qytetit, thjesht nga shtëpi të ulëta dhe ndofta nga që është pa ‘’qiellçarrëse” e pa ashensor. Pra, të banosh në fshat është më praktike e më komode për jetesë, ndërkohë që rrugët, pastrimi, ndriçimi e ngrohja dhe furnizimi me mallra të çdo lloji, janë po  njësoj. Këtu shpesh dëgjohen edhe mendime se “pasanikët e ndjejnë veten më të lumtur, kur banojnë në fshat”, ndërsa qyteti (ku janë fabrikat, uzinat, qendrat e mëdha të punës fizike e mendore), është kryesisht “për të punuar”. Qytetet në Holandë i preferojnë të huajt, të cilët, në mungesë të autoveturave edhe mund të shfrytëzojnë për lëvizjet brenda tyre autobusët dhe biçikletat. Për të banuar qyteti njëkohësisht është më i mundimshëm dhe më i zhurmshëm.

Familja e vajzës time Artës, jeton e lumtur në një qendër të banuar rurale. Shtëpia që kanë ndërtuar është njëkohësisht dhe si model reklame për biznesin e tyre, e kompletuar në çatitë me penela diellore dhe super e elektrifikuar, drejt tendencës për të përballuar konsumin e energjisë elektrike vetjake, me burimet energjetike brenda saj.


Arta, vajza ime e vogël


 Arta, vajza ime e vogël, ka kryer studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës për ekonomi dhe ka përfunduar pas kësaj dhe një master ekonomik amerikan në administrim biznes. Burri saj  Willem është holandez, me begraund inxhinieri, arkitekturë dhe informatikë dhe vajza Anxhela, ka përfunduar po me sukses studimet në Universitetin emërmadh “Ersamus të Roterdamit”, duke mbrojtur njëkohësisht dy mastera: për juridik dhe ekonomi.

Qendra e banuar, ku ndodhet shtëpia e vajzës, është me rreth 29 mijë banorë, me banesa një deri tre kate, që shikojnë në rrugët e shtruara bukur e me dritare vezulluese, ku ekspozohet mirësia e bukuria , mjedise të pastra e të pajisura ngado me kazanë plehrash të shumtë e të komanduar. Në krahë të trotuareve, parkojnë autovetura, shumë prej tyre elektrike, apo hibride dhe më së shumti, të markave gjerman e japoneze, thuajse të reja e me ngjyra të ndezura, ndërsa rreth shtëpive, sheh oborre të mbjellë me pemë e lule, të selitura për bukuri dhe të rrethuara me gardhe rrjetë teli.

Në dritaret e shtëpive dhe ne fasadat e dukshme të oborreve, gjithandej sheh të ekspozuara lloj, lloj zbukurime reliktesh e lodrash të zgjedhura me merak, si dhe piktura e skulptura të larmishme dhe tepër interesante, shumica të improvizuara nga vet ata, çka tregon edhe për talentet artistike dhe individualitetet e theksuara të banorëve holandezë. Gjithkush të grish e të tërheq interesin për ta parë krijimtarinë vetjake e sikur të thotë: “kthehu, më shiko, jam edhe unë këtu, njeri perëndie, që meritoj edhe vëmendjen tënde” dhe po qe se është diku aty, prag dere a dritareje, të begenis e  të grish,  të buzëqesh e të përshëndet me dashamirësi.


Për ta ndjerë veten të lirë


Për ta ndjerë veten të lirë, në një prej njëzet ditëve të ndenjes në Holandë, u “arratisa” i vetëm nga vila e vajzës, ku banoja edhe për “kalitje fizike”, thashë të bëja disa kilometra rrugë më këmbë, anës trotuareve. Shëtisja, i kënaqur nga pamja e qytezës, kur gjithandej ndeshesha me gra e burra të veshur bukur, shumica si unë të moshuar, po që shoqëronin për lumturinë e tyre qentë, që i tërhiqnin nga litarët e gjatë. Më shihnin mua të vetëm në rrugë dhe edhe pa qen, buzëqeshnin dhe më përshëndesnin me ngrohtësi, sikur të isha i njohur e miku i vjetër i tyre... Unë ecja i vetmuar, si qen i zgjidhur nga litari, pa vëmendje, pa kërkuar shenja e gjurmë, duke u larguar disa kilometra nga shtëpia e vajzës sime.  Ngado kanale plot me ujë e diku një liqen i madh me ujë të kthjellët dhe për rreth lodra fëmijësh. Shihje aty këtu zogj  e rosa, që fluturonin, apo qëndronin të shkujdesura dhe të mësuar e pa frikë nga njerëzit. Godinat, në shumicë me murre tulle të pa suvatuara e me çati tjegullash, me dritare të mëdha e oborre te gjelbëruara. Rrugët: të gjitha njësoj dhe unë në të ftohtë, u kujtova, po neglizhova të regjistroja emrat e rrugëve e rrugicave të shumta, që në fakt dalloheshin të shkruara në çdo cep, duke menduar se po të  ishte nevoja do të mund të komunikoja me çupën, së fundmi në celular. Kur u ktheva nga udhëtimi, pas ndonjë ore, nuk po e pikasja dot shtëpinë, megjithëse e dija se ajo ishte e madhe dhe tjetërsoj: e bardhë krejt dhe me panele diellore të vendosura në çati.

Tentova të lidhesha në celular me vajzën time, po u befasova se nuk kisha internet.


Ç’të bëja?


Abonimi im internetik, vlente vetëm për bisedat në Shqipëri.  Ç’të bëja? Mos kisha humbur? Ndërkohë , po ndieja dhe të ftohtit e acartë dhe pikat e para të shiut. Dallova para meje një kishë dhe me celular në dorë, të hapur atje ku kisha regjistruar adresën e shtëpisë së vajzës, i drejtohem një burri të moshuar, që duket pas faljes, sa kishte dalë prej andej. E pyes, duke u prezantuar me celularin të shtrirë dhe me ato pak fjalë anglisht që dija: “Ju lutem në se mund të më ndihmoni, për të gjetur një adresë?”. Nuk gabova në zgjedhjen time: Holandezi besimtar, u tregua më se i gatshëm dhe, me ndihmën e tom-tomit të autoveturës së vetë, e kërkoi dhe e gjeti shpejt  adresën time. Isha fare afër shtëpisë dhe mu desh ta falënderoja njeriun e mirë, po që, megjithëse i kërkova emrin, nuk ma dha dhe mirënjohja ngeli kështu e stampuar në mendjen time, si për një bamirës anonim holandez.

Sa trokita te porta, i pash të shqetësuar të gjithë, të veshur për të dalë në kërkim, me çadra në dorë: Menduan se unë kisha humbur në labirintet e qytezës së pa njohur dhe po nxitonin për të më kërkuar.

Unë vazhdoja të barisja brënda shtëpisë e të belbëzoja: “Po si nuk ma tha emrin dhe adresën e tij elektronike plaku besimtar, ai njeriu i mirë holandez? Në pritje derisa të më gjenit ju, unë do lagesha nga shiu e do ngrija së ftohti...!”

Roterdam, 9 Janar 2020


#Luan #Çipi

65 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page