top of page

MBRETËRESHA DHE SHENJTËRESHA


Dy ikona të shekullit XX: Nëna Tereza dhe Mbretëresha Elizabeth

Nga Frank Shkreli



Javën që kaloi ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare, Mbretëresha Elizabeth II e Britanisë së Madhe, pas 70-vjet në fronin mbretëror të Anglisë – një periudhë kjo më e gjata në historinë e Mbretërisë britanike. Ndërkohë që bota shqiptare dhe bota mbarë shënuan 25-vjetorin e kalimit në amshim të Nenë Terezës, si dhe 6-vjetorin e shenjtërimit të saj.


Gjatë mbretërimit prej 7-dekadash, Mbretëresha Elizabeth ka takuar shumë ikona dhe personalitete historike, por nuk besoj të ketë takuar ndonjë personalitet botëror më frymëzues për miliona njerëz anë e mbanë botës dhe më të shenjtë se Nenë Terezën shqiptare, e njohur për përkushtimin e saj, gjatë gjithë jetës, ndaj njerëzve më në nevojë – të varfërve, ndër më të varfërve të botës. Siç dihet, Nenë Tereza -- murgesha legjendare dhe misionarja shqiptare – një prej humanistëve më të njohur të shekullit XX, ishte një rreze shprese për të gjithë ata, të lenë e të harruar nga shoqëria, përfshir të moshuarit, të varfërit e më të varfërve, të papunësuarit, të sëmurët, e të tjerë, të përjashtuar dhe të harruar nga shoqëria ku jetojnë.


Ishte viti 1983. Nenë Tereza dhe urdhëri i saj, Misionarët e Dashurisë, ishin të njohur tanimë, botërisht, si një kujdestare e më të varfërve anë e mbanë botës, përfshir Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Nenë Tereza kishte hapur disa qendra të Urdhrit të saj dhe ku ishte dekoruar me disa nga çmimet më të larta që u akordon ky vend personaliteteve më të njohura të botës për vepra të dalluara, për të mirën, jo vetëm të shoqërisë amerikane, por mbarë njerëzimit. Shën Nënë Terezës: “Me gjak, unë jam shqiptare…” | Gazeta Telegraf. Ndërkaq, viti 1983 shënon gjithashtu takimin midis Mbretëreshës Elizabeth dhe Nenë Terezës. Atë vit, Mbretëresha Elizabeth ka bërë një vizitë në Nju Delhi të Indisë për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të kryetarëve të qeverive dhe shteteve anëtare të “Commonwealthit” britanik. Në kryeqytetin e Indisë ishin mbledhur gjithashtu disa nga udhëheqsit më të lartë të botës për të festuar edhe 50-vjetorin e pavarësisë së Indisë. Ishte pikërisht, gjatë kësaj vizite, pothuaj 40-vjetë më parë, që Mbretëresha Elizabeth II i dorëzoi Nenë Terezës -- njerës prej figurave më të njohura fetare të kohërave moderne -- dekoratën e lartë të Britanisë së Madhe, “Urdhri i Meritave”, që Britania e Madhe u akordon personave që kanë dalluar veten për shërbimin ndaj të tjerëve në nevojë, me veprimtarinë e tyre të vazhdueshme, në fusha të ndryshme të aktivitetit.

Kur Mbretëresha takoi Shenjtëreshën, Nju Delhi, 1983 dhe i dorëzoi Dekoratën e lartë të vendit të saj duke deklaruar se veprimtaria e Nenë Terezës dhe motrave të saja, “po ndryshojnë botën nepërmjet bamirësisë” dhe kauzave të shumta që kanë ndërmarrë për të ndihmuar më nevojtarët e shoqërive, kudo. (From Her Majesty’s Facebook Page)


Pas atij takimi, Mbretëresha Elizabeth gjithmonë ka folur me admirim për Nenë Terezën dhe veprimtarinë e saj ç’prej atij takimi në Nju Delhi në vitin 1983, e deri në ditët, para se të ndërronte jetë Mbretëresha britanike, javën që kaloi. Por, më kujtohet se ndryshe nga ceremonitë e tjera të dekorimit të Nenë Terezës, anë e mbanë botës, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, ceremonia e dorëzimit të Çmimit në shërbim të njerëzimit nga Mbretëresha Elizabeth II në Nju Delhi në vitin 1983, ishte shumë e thjesht në krahasim me ceremonitë e tjera që ishim mësuar të shihnim anë e mbanë botës kur dekorohej Nenë Tereza. Në përputhje me thjeshtësinë që karakterizonte Nenë Terezën, në atë ceremoni morën pjesë jo më shumë se 10-15 veta, përshir disa prej bashkpunëtorëve të afërm tëNenë Terezës. Me sa më kujtohet, as nuk u mbajtën fjalime me atë rast, qoftë nga Mbretëresha, qoftë nga Nenë Tereza, ndonëse Nenë Tereza u shpreh shkurtimisht se e pranonte Dekoratën nga Mbretëresha Elizabeth, “për lumturinë e Zotit dhe të punës tonë”.


Megjithkëtë, pas atij takimi, Mbretëresha Elizabeth ka kujtuar shpesh Nenë Terezën duke shprehur admirimin e saj për ‘të. Si për shembull, në mesazhin e saj me rastin e Krishtlindjes në vitin 2016, ajo ka shprehur mirënjohjen ndaj gjithë veprimtarisë së Nenë Terezës duke thenë se njerëz të thjesht, “mund të kryejnë vepra të jashtzakonshme”, nepërmjet përkushtimit të tyre për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Mbretëresha ka theksuar, me rastin e shenjtërimit të Nenë Terezës se nga njerëz të tillë, “ajo merr shembull dhe fuqi”. Dhe se njerëz të tillë, për ‘të dhe për të gjithë që i njohin, “ata janë një frymëzim”, për ne. “Jeta e tyre shpeshëherë mishëron të vërtetën e shprehur nga Nenë Tereza – nga sot e tutje, Shën Nenë Tereza”, ka thenë me atë rast Mbretëresha Elizabeth e II, në vitin 2016.


Mbretëresha britanike dhe Shenjtëresha shqiptare, dy ikona të shekullit të kaluar, kanë lenë pas një trashëgimi – secila në mënyrat e veta të ndryshme sipas vokacioneve të tyre dhe mënyrës së veprimit – por që në një mënyrë ose një tjetër, do të frymëzojnë brezat e ardhëshëm, jo vetëm të dy kombeve të tyre respektive, por edhe brezat në mbarë botën.

4 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page