Albina Idrizi
MBRESA NGA TAKIMI POETIK I “TRIREMËS JONIANE”
Pothuaj është e pamundur të mos psherëtij heshtur nga kënaqësia sa herë vij në Sarandë dhe ndalem për ta vështruar nga lart, në hyrje të saj, këtë qytet perlë të bregut të jugut që të lë përshtypjen sikur është i mbuluar me një tis të tejdukshëm paqeje dhe shenjtërie, shtrirë ashtu prehës dhe i qetë duke mbajtur në përqafim Jonin e kristaltë ku luajnë duke u përpëlitur çakërqejf nëpër valët e tij rrezet e diellit. Një kuçumele[1] e vërtetë. Duhet të jenë fatbardhë njerëzit që jetojnë në një vend si ky, i pata pëshpëritur tim shoqi të cilit gjithashtu, magjia e pamjes i kishte ndriçuar fytyrën në një buzëqeshje moskokëçarëse ndaj lodhjes nga rruga e gjatë dhe e mundimshme e pasluftës. Edhe sot, kur mund ta quaj qytetin tim të dytë nga pushimet dhe ardhjet e shpeshta me familjen time, njësoj ndjej të më pushtojë po ajo mahnitje e parë. Po ajo mrekulli nga ledhatimi i Onhezit që të mbush qenien me një gjallëri dhe dashuri për jetën, për njeriun, për poezinë,... E cili vend do të mund t’i shkonte më shumë kësaj të fundit se kjo ‘hënë e prerë e ngulur në tokë’ (A. Mato). Ndaj, edhe manifestimet poetike të Triremës Joniane ngjajnë aq të këndshme dhe aq të natyrshme sepse pos që mbledh poetët nga vende të ndryshme të botës të ndajnë, mbushin dhe derdhin frymëzimet e tyre në Onhezmin e lashtë, ai shoqëron vargjet me drithërima shpirti përmes valëve të Jonit dhe pjesëmarrje statujash besnike më mirë se çdo instrument muzikor dhe auditor në botë. Dhe nuk është vetëm pjesëmarrja ajo që të bën të ndjehesh mirë. Vetë rruga që shpie deri atje është kënaqësi më vete, qoftë përreth bregdetit me bukuritë e natyrshme të Vlorës, Dhërmisë, Himarës, lartësisë së Llogarasë që prek qiellin, qoftë përmes rrugës së Gjirokastrës qytetit muze me pushimet e herëpashershme në pikat pitoreske të Parkut të Viroit, Syrit të kaltër etj. Kaq mjafton që mysafiri të arrijë i çlodhur dhe i frymëzuar në Sarandën nikoqire ku të pret me dashamirësi kryetari i Klubit Jonian Agim Mato, “biri i brigjeve të gjelbra/ biri i rërës dhe i detit’ fytyrën e të cilit ‘nuk mund ta ndash kurrsesi nga buzëqeshja e portokalleve/ nga trungjet e menduara të ullinjve”, aspak “far i vetmuar në jug” por rrethuar nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij si Timo Merkuri, ky fqi i Poseidonit që artin Jonian e kupton si ‘hapësirë të kaltër deti nëpër vargje (prozë, pikturë a muzikë), plot jod e lule të vockëla ulliri, që ndjell paqen edhe në mes të rrebeshit..’, Andrea Zarballa, brenda të cilit “shtrihen pranë e pranë deti e brenga”, Bardhyl Maliqi, poeti, pedagogu publicisti, Dashamir Malo poeti dhe moderatori i këtij manifestimi që njohu mes vete poetët e ardhur nga Spanja, Italia, Greqia, Maqedonia, Kosova, Shqipëria.
Në të vërtetë, nëse ka në botë njerëz që njihen dhe pa u parë, dhe pa u prezentuar, atëherë ata duhet të jenë poetët. Mjafton emri i tij dhe të klithësh pastaj: Ah, ti qenke Ymer Nurka! Ti, Petrit Ruka! Ti qenke Beatriçe Balliçi! Kolec Traboini! Flora Brovina! Xhelal Tosku! Ibrahim Kadriu! Zejnepe Alili Rexhepi! Sabit Rrustemi! Natasha Xhelili! Rudina Çupi! Nexhat Rexha! Guzepe Napolitano! Gema Bokardo! Prend Buzhala!Agim Vinca! Agim Gjakova! Alfred Molloholli! Agim Bajrami! Sejdi Berisha! ... dhe sakaq të të kujtohet se sa e sa kohë më parë jeni njohur, në cilën libër jeni takuar, nëpër cilën poezi keni rrugëtuar bashkë me te. Keni qeshur e keni qarë bashkë. Jeni gëzuar e jeni shqetësuar në të njejtën kohë.
Merre dhe lexoje poezinë për gruan, i thashë shoqes në krahë për librin e Rukës që ishte në tavolinë pranë nesh. Ajo e përpiu dhe mu drejtua: tani nuk mund ta lëshoj nga dora. Mbaje, qeshi Petriti përballë.
Akademia letrare e mbrëmjes së 26 shtatorit, pasuroi manifestimin me fjalën dinjitoze të prof. Fatmir Terziut, prof. Zejnepe Alili Rexhepit, prof. Anton Nikë Berishës, prof. Dhori Qiriazit, poetëve Sadik Bejkos dhe Petrit Rukës.
Nuk di sa ishte ajo që i dhamë Sarandës gjatë këtij takimi por di se ajo që morëm ishte e madhe, e çmuar, e paharruar. Dhe, sikur nuk të bën zemra të ikësh e “t’i lësh shëndenë” kësaj foleje të poezisë plot magji dhe mister ku ti për herë të parë gjendesh brenda enigmës së bukurisë së ngurtë të koralit të detit apo shkëlqimit farfuritës nga vuajtja dhe sakrifica e margaritarit të vërtetë “Ajo që të duket e ngurtë në bregdet është e gjallë dhe plot lëvizshmëri në thellësitë e detit” (T. Merkuri), me Korfuzin aq pranë sa të vjen t’i thërrasësh: ‘..afrohu dhe pak, edhe pak/ të kap një degë ulliri prej ullinjve të tua/ të përkëdhel çatitë e shtëpive të tua/ të mbledh një grusht dhe nga dheu yt/ dhe të ndjej mornica në trup/ të nxjerrin dallgët në bregun tënd pëllëmbën time/ si copë dërrase nga anija e shkatërruar e Odiseut/ të kapem nga një shkëmb e të çlodhem, të çlodhem..’( A. Zarballa), me Butrintin plot ankth statujash ku “prek gurët e tu e toka dridhet/ prek mozaikët dhe zgjohen agimet/ prek shkallaret dhe rënkojnë perëndimet” (B. Maliqi) dhe “...po të gërmosh/ të duket sikur do të prekësh dorën e një statuje që zgjatet drejt teje për ndihmë.”(A. Mato)
E megjithatë duhet. Kthehesh ta vështrosh edhe njëherë përmes kornizës së bungavileve të Naimit, si një panoramë, dhe: mirupafshim qytet i bukur me “agimet si një puthje dhe mbrëmjet si dashuria vetë”(T. Merkuri)
(25.26.27 shtator 2015)
Comments