MBISHKRIMI I FUNDIT
I ndrydhur në integritetin e një besimtari,
Do mbyllem si murgu në manastir;
Të falem për fajet e një mëkatari,
Në lutje kërkoj: “O Zot, ki mëshirë!”
Do end një pëlhurë për trupin tim,
Për gjumin e thellë që vdekatarin e pret;
Të rrethmbështillem me të bardhën qefin,
Siç krimbi i mëndafshit end veten e vet.
Si edhe një gur graniti të rëndë,
Ku do të shkruaj të fundit mbishkrim;
Një varg i skalitur me ar dhe ergjënd:
"Këtu prehet poeti, i lir' në amshim!"
Comentarios