top of page

Mbi debatin e rilindur mbi iso-polifoninë shqiptare


Tjetërsimi i thelbit të një problemi. Mbi debatin e rilindur mbi iso-polifoninë shqiptare.

Nga Timo Mërkuri

III-Prapavija reale e debatit. Në pamje të parë, krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një debat shkencor, për të eleminuar disa gabime të një akademiku, (V. Tole) i cili paska …devijuar në hullitë antishqiptare me tezën e tij iso-polifonike. Madje jo vetëm kaq, por e paska veçuar popullin shqiptar si “dhinë e zgjebosur” (sic) nga vendet e tjera polifonike. Për këtë arsye…është e nevojëshme që të nënshkruhet një memorandum drejtuar kësaj Ministrie (të Kulturës dhe Turizmit) dhe UNESCO që…të korigjohet emri iso-polifoni dhe ajo të mbajë emrin e vërtetë “Polifonia shqiptare”. Në kushtet e sotme, vijojnë debatuesit, ….rëndësi ka organizimi i një veprimtarie shkencore, ku … të vendosin kolegjialisht se çfarë emri duhet ti sugjerohet UNESCO për të ruajtur traditën tonë në brezat e ardhshëm… Me këtë mënyrë …eleminohet gabimi dhe faji i madh i akademikut V.Tole i cili, nuk ka marë mendimin e kundërshtuesve dhe as ndonjë vendim ministrie apo qeverie, por… e ka bërë si Mehmeti me kokën e vetë, duke i vënë këngës sonë shumëzërëshe emrin “Iso-polifoni”, në kohën që ajo thirej me emrin “polifoni”. a-Se sa seriozisht mund të miret një sugjerim i tillë drejtuar UNESCO, unë nuk kam ndërmënd të shprehem e të debatoj, por unë do ti ftoja miqësisht debatuesit kundërshtues që të shohin me qartësi se në cilën rrugë po ecin, ashtu të zemëruar siç janë. Këtu nuk është fjala për Vaso Tolen, por për diçka shumë më të madhe, para së cilës edhe V. Tole, por edhe kundërshtuesit e tij janë shumë të vegjël. Këtu është fjala për këngën tonë popullore me iso, identitetin shqiptar të saj, origjinën e saj nga rritet mortore, fenomenin vetëmshqiptar “iso”, origjinën, rolin dhe funksionin e tij në këngën popullore, duke dëshmuar në këtë mënyrë direkt lashtësinë e saj dhe indirekt edhe lashtësinë e popullit tonë në këto troje ku jemi sot, madje dhe më gjërë. Dhe së fundi edhe vlerësimin që i bëhet nga institucione prestigjioze si UNESCO, kësaj aritjeje të popullit tonë, duke e marë në mbrojtje si një kryevepër e njerëzimit. b-Unë ju theksoj tre momente të vlerësimit të këngës sonë popullore me iso. -Rasti i parë është fakti që kolosët e tragjedive të antikitetit e morën iso-polifoninë nga populli, ende “foshnjë”, e përpunuan dhe e bënë pjesë organike të artit skenik. Kundërshtuesit e kësaj teze e mohojnë këtë fakt, por ja që kori dhe korifeu qëndrojnë kokëfortë te arti skenik i antikitetit. -Rasti i dytë është kur korifejtë e krishtërimit e morën iso-polifoninë nga populli, e përpunuan dhe e bënë pjesë organike të hymneve fetare. Studimi i Jan Kukuzelit mbi mënyrat e mbajtjes së iso-s ( në hymnografinë kishtare) dhe aplikimi i tyre në ritet kishtare (madje edhe sot) është dëshmi e vitalitetit të iso-s, në radhë të parë. -Rasti i tretë është vlerësimi që ju bë nga UNESCO duke e shpallur iso-polifoninë si një kryevepër të njerëzimit. c-Kundërshtuesit kërkojnë që, UNESCO të anullojë aktin e njohjes së këngës sonë iso-polifonike si kryevepër të njerëzimit dhe të presë sa të mblidhen ata në një konferencë shkencore, të gjejnë një emër dhe, pasi t’ja japin UNESCO, ajo ta çertifikojë. Që në pamje të parë duket mungesa e një serioziteti sepse trajtohet UNESCO si gjëndja civile e ndonjë komune, ku çdo shtetas mund të ndërojë emrin apo mbiemrin sa herë që dëshiron. c.1–Kërkohet firmosja e një memoradumi dhe organizimi i një veprimtarie shkencore për heqjen e emrit iso-polifoni dhe rivendosjen e emrit polifoni. Por askush nuk na thotë se me çfarë memoradumi apo vendim i organizmave shtetërore apo shkencore është vendosur emri“polifoni” Nuk ka pasur asnjë vendim të tillë. Pra me vendosjen e emrit iso-polifoni nuk është shkelur asnjë vendim i mëparshëm shtetëror apo shkencor. Është hera e parë që zyrtarizohet dhe institucionalizohet emri i këngës sonë popullore me iso. Emërtimi “polifoni” nuk ka qënë një një emërtim zyrtar dhe shkencor. Theksuam më sipër se i pari që e përdori këtë emër ka qënë R.Sokoli, por edhe ai e quajti …kënga polifonike me iso… Pra e kushtëzoi emrin e këngës sonë popullore me iso, të cilën kundërshtuesit e iso-polifonisë e përjashtojnë kategorikisht. c.2-Kërkohet heqja e iso-s nga emërtimi i këngës sonë iso-polifonike duke e quajtur vetëm polifonike. Sepse, sipas autorit të studimit…Vaso Tole… e ka veçuar popullin shqiptar nga vendet e tjera polifonike…si dhinë e zgjebosur…duke i vënë këtë emërtim…, ndërsa në një faqe më parë shtron pyetjen …Çi prishi punë popullit shqiptar dhe kulturës shqiptare termi polifoni? Popullit shqiptar nuk i prishi punë termi polifoni, por ama duhet të theksojmë se ky emërtim nuk e dalloi artin e tij oral nga arti oral i vendeve fqinje apo dhe më larg. Shumica e popujve ( për mos të thënë të gjithë popujt) kultivojnë polifoninë, në kuptimin e këngës me shumë zëra. Karakteristika thelbësore e këngës sonë popullore që e dallon nga popujt e tjerë, nuk është polifonia, por është iso-ja.. -Iso-ja është pashaporta e identitetit kombëtar të këngës sonë popullore. Kënga popullore pa iso mund të jetë këngë e cilitdo popull që praktikon polifoninë. -Iso-ja nuk është bishtsqepari, siç e quan studiuesi F Ç. Ajo është më e vjetër se kënga, është fara nga mbiu kënga, është rrënja që ushqen pemën e këngës, është deti që mban anien dhe aniet e këngës. Ta quash iso-n, bishtsqepari i këngës sonë popullore, do të thotë që nuk e njeh fare botën e këngës sonë popullore. c.3- UNESCO pikërisht për këtë e vlerësoi këngën tonë popullore me iso, për ison dhe jo për polifoninë. Sepse, në rast se kënga jonë nuk do kishte iso-n, nuk kishte asnjë arsye pse të shpallej si kryevepër e trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Kandidatura e këngës polifonike e çdo shteti ballkanik do ishte një rivale serioze përballë kandidaturës shqiptare. Dhe në qoftë se kësaj kandidature të vendit tjetër pretendent, do ti shtonim edhe suportet eko-politike të vendit përkatës, atëherë mundësia e vlerësimit të kandidaturës shqiptare do minimizohej deri në eleminim. Kandidatura shqiptare kishte një element bazë që nuk e kishte asnjë shtet tjetër, dhe ajo që është më kryesorja është se ky element vinte që nga lashtësia e kombit (më të vjetër në Ballkan) dhe nuk ishte prodhim teknik por ishte produkt shpirtëror. Në rast se shtetet e tjera kishin guslën apo mandolinën, dajren apo violinën, kënga shqiptare kishte dhe ka iso-n.Në morinë e polifonive botërore kënga popullore shqiptare dallohet për vetë faktin, se shtylla e saj veterbrore është iso. Nuk është as zëri i rastësishëm i këngëtarëve dhe as veglat muzikore që shoqërojnë këngën. Këtë element bazë të këngës sonë popullore vlerësoi UNESCO në vendimin e saj. Dhe propozimi na bëhet tani pikërisht për të hequr nga emërtimi i saj këtë element bazë të këngës, këtë gurthemeli të kësaj kështjelle arti. Na rrofshin bedenat pastaj… c.4-Dhe për sa i përket cilësimit… i veçuar si dhi e zgjebosur…unë përsëri i ftoj autorët për korigjim teksti. Populli ynë është i veçantë nga popujt e tjerë, është nga popujt më të vjetër në Europë, ka gjuhën e tij të veçantë e të vjetër, ka doket e zakonet e tij, veshjen e këngën e tij të veçantë nga të tjerët, AND dhe identitetin e tij. Kjo e bën atë popull më vete dhe jo …dhi e zgjebosur e veçuar, nga ndonjë… stan polifonik. ç-Po për çfarë arsyeje filloi ky sulm ndaj iso-polifonisë duke u fshehur pas kritikave ndaj akademikut të nderuar V.Tole? Këtë pyetje e shtron edhe vetë studiuesi F.Ç, por e kufizon vetëm te …fillimi i polemikës me akademikun V. Tole dhe po vetë përgjigjet duke parashtruar si : -arsye të parë: -origjinën e tij ( e F.Ç.) nga vendi i (iso)polifonisë. -arsye të dytë- ka punuar me këngën popullore mbi dyzet vjet, duke organizuar shumë koncerte polifonike, lëndën muzikore e ka mbledhur direkt në fshatrat dhe stanet e labërisë, disa prej tyre i ka regjistruar në TVSH dhe i ka future edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit, Teatrin e Estradës, Qëndrës Ndërkombëtare të Kulturës, në Korfuz, Janinë, Kozencë etj etj . në një kohë që V. Tole nuk ka pregatitur as një koncert polifonik… -arsyeja e tretë- ai ka ngjitur në kalanë e Festivaleve Folklorike disa këngë cilësore të epikës dhe lirikës labe, ndërsa V. Tole nuk ka shpurë asnjë këngë… ç.1-Unë skam ndërmënd të lexoj të tjera për Belulin, por asnjë nga arsyet e paraqitura nuk është argument thelbësor. Unë mendoj se ndjenja e inferioritetit që manifeston autori, ndjenja e lënies mënjanë në “festën e triumfit të këngës sonë popullore” që është vlerësimi nga UNESCO, ndjenja e “shpërfilljes”, sipas tyre, nga akademiku V.Tole …pas një pune dyzetëvjeçare të tyre në shërbim të kulturës popullore etj etj, kanë gjeneruar (në degjenerim) një …fillim i polemikës me akademikun V.Tole. Dhe ky nuk është një process individual i një personi të vetëm. Ky filloi si një process individual me një shkrim në internet, por vazhdoi me zgjimin e të gjithë të mënjanuarve (gjasme), të shpërfillurve (gjasme). ç.2- Duhet të kuptojmë se askush nuk ka mënjanuar njeri, askush nuk ka mohuar punën dhe kontributin disa vjeçar të njerëzve të kulturës popullore, askush nuk ka privatizuar dafinat e fitores… Kjo nuk është fitorja dhe suksesi i një individi të vetëm, ky nuk është suksesi i një brezi të vetëm. Ky është vlerësim për gjithë brezat shqiptarë në shekuj, për gjithë kombin shqiptar sepse kënga është e gjithë kombit dhe jo e një individi. Të gjithë ne shqiptarët jemi triumfatorë me këtë vlerësim që i bëri UNESCO këngës sonë iso- polifonike. Por në radhë të parë të “paradës së triumfatorëve”, sigurisht, janë ata që kanë lëvruar këngën tonë popullore, qofshin këta këngëtarë apo specialistë kulture. Dhe mbi të gjitha, nderimi u takon nënave tona, që me lotët e ligjërimeve të tyre kan vaditur pemën stërshekullore të këngës sonë popullore. Emrat nuk kanë asnjë rëndësi. Madhështia e tyre qëndron pikërisht aty ku qëndron edhe madhështia e këngës sonë popullore, te anonimati dhe kolektiviteti i saj. Edhe unë, ashtu si edhe studiuesi F. Ç, ashtu si edhe akademiku V.Tole, ashtu si të gjithë shqiptarët kudo që janë, kemi mbi balliin tonë, në mos një gjethe dafine të kurorës triumfatore të vlerësimit të këngës sonë popullore së paku, hijen e e kësaj kurore të dafintë. Edhe për këtë duhet të jemi krenarë. ç.3- Nuk është vetëm kaqë. Vendimi i 25 Nëntorit 2005 i UNESCO për të shpallur këngën iso-polifonike si kryevepër të trashëgimisë kulturore të njerëzimit dhe për ta marë atë nën mbrojtje, xhelozoi jo pak vende fqinjë dhe më tejë. Mendoni pak, vetëm në Shqipërinë e Jugut, janë katër kryevepra të njerëzimit të mbrojtura nga UNESCO. Dhe konkretisht Butrinti, Gjirokastra, Berati dhe si qershia mbi tortë erdhi dhe Iso-polifonia. Një dëndësi të tillë kryeveprash të njerëzimit, të mara në mbrojtje nga UNESCO, rrallë kombe të tjera e kanë. Ngjashmëria e polifonisë shqiptare (duke përjashtuar prej saj ison) me polifoninë e vendeve të tjera është një shteg i mirë pretendimi prej atyre vendeve për të ulur nga piedestali iso-polifoninë shqiptare dhe për të ngjitur në vend të saj polifoninë e vendeve të tyre. Por këtë ulje nga piedestali nuk mund ta bënte askush më mirë se vetë shqiptarët. Nisja e debatit të disa studiuesve me akademikun V. Tole për …shpërfillje, lënie mënjanë, mosvlerësim të kontributit të tyre etj etj. ishtë si një shi i papritur në kufijtë e shkretëtirës. Veçse ky sulm, veç akademikun e nderuar duhej të godiste pikërisht elementin më thelbësor, më karakteristik, më të lashtë dhe më të fortë të këngës sonë popullore. Pikërisht iso-n . Iso e ardhur nga shekujt, duhej të vritet pikërisht në kohën e kurorëzimit, si dhëndëri ditën e dasmës..Në pragun e shtëpisë. Ajo nuk do jetë vrasje. Ajo nuk do jetë vdekje.Ajo do jetë gjëmë. Dhe atëherë do vajtohet me shkulje flokësh e me çjerje faqesh, me klithma plot llahtar…Mjerë etnomuzikologjia shqiptare dhe kënga popullore shqiptare…ç’i bënë bijtë e saj*.

*- Reshti i fundit, në korsiv është perifrazim i rreshtit të fundit të librit “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare” të F.Çaushit. Botuar i plotë te libri “Identiteti Iso-polifonik” MILOSAO Sarandë 2018

40 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page