MASAKRA E LADORISHTIT TË STRUGËS – ENIGMË DHE SFIDË PËR STUDJUESIT DHE HISTORIANËT”
Prof. Dr. Nebi Dervishi
Me rastin e 75 vjetorit “MASAKRA E LADORISHTIT TË STRUGËS (28TETOR 1944) –
ENIGMË DHE SFIDË PËR STUDJUESIT DHE HISTORIANËT”
Nga ngjarjet dhe datat të historisë sonë më të re në trevat lindore shqiptare në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ndër më tragjiket e të dhimbshmet, është edhe Masakra e Ladorishtit të Strugës (28 tetor 1944), kur brenda disa orëve nga “falanga nazifashiste” u vranë dhe u dogjën disa në zjarrë 84 persona (burra , gra e fëmijë) dhe me dhjetra të tjerë u plagosën (Nebi Dervishi, Struga me rrethinë në vitet e Luftës së Dytë Botërore”, Strugë, 2012, faqe 119-135). Fshati Ladorishtë në trevën e Strugës është i njohur për vepra atdhetare në këto anë. Viteve të fundit, në çdo përvjetor, dita e 28 tetorit përkujtohen 84 viktima e terrorit “nazi-fashist” në këtë lokalitet, i cili edhe pas kaq vitesh (75 vite) ende fletë si nëpër ëndërr me sy hapur për një ditë të zbehtë tetori të vitit 1944, atëherë kur mendohej se “Liria” qe e afërt, por, atë ditë u zgënjyen tërësishtë. Në vjeshtën e vitit 1944, sin ë gjithë Ballkanin Perëndimorë, ashtu edhe në rajonin e Strugës, zhvilloheshin luftime të ashpra nga ana e kualicionit antifashistë kundër forcave nazifashiste. Në mëngjesin e 25 shtatorit 1944, trupat gjermane tentuan të zhbllokonin rrugën Strugë – Elbasan duke sulmuar nga ana e Quksit, me autokolonën e ardhur nga ana e Strugës, e me një battalion të Regjimentit 524, që ndodhej në marshim nga Struga në Elbasan me batalionin fushor autonom të Divizionit të 297. Në të dy drejtimet e trupave gjermane i mbështetnin altileria dhe mjetet e blinduara. (Historia e LANÇ të popullit shqiptar. Vëll. IV, Tiranë, 1989, f. 717). Gjatë ditëve të 27 e 28 shtatorit 1944 partizanët e Brigadës së XX të UNÇSH-së, kryen edhe dy sulme të tjera kundër garnizonit të Qukësit. Ushtarët gjermanë jo veëm që s’guxuan të dilnin nga fortifikatat, por për t’i shpëtuar asgjasimit, e braktisin pikëmbështetjen dhe largohen në Prrenjas.
Natën e 29-30 shtatorit efektivat e Brigadës së XX, e goditën garnizonin e Prrenjasit (po aty). Më 30 shtator, afër mesditës zbuluesit diktuan një kolonë këmbësorësh gjermanë me kuaj, karroca e altileri, e cila vinte nga ana e Prrenjasit. Këto ishin forcat e një batalioni të Regjimentit 524, që marshonte nga Struga në Elbasan. (po Aty, faqe 718). Goditjet që kreu një battalion i Brigadës së XX, kundër armiqëve, midis Qafës së Thënës dhe Strugës pati për pasojë ndërprerjen e komunikacionit në rrugën Strugë – Elbasan – Tiranë prej 21 deri 26 tetor të 1944. Këto veprime u kryen me iniciativën e Shtabit të Brigadës së XX, i cili me miratim të Shtabit Korparmatës së I (pare) të UNÇSH-së i propozoi Shtabit të Divizionit të 48 të UNÇM-së që vepronte në zonën e Strugës të bashkërëndonin veprimet për ndërmarrjen e sulmit të përbashkët kundër autokolonave gjermane në sektorin Qafë e Thënës-Strugë. Në mbremjen e 21 tetorit 1944, Batalioni i IV i Brigatës XX të UNÇSH-së zuri pozicione në Qafën e Radozhdës, mbi rrugën automobilistike, përtej kufiri shtetëror me Jugosllavinë. (Po aty, faqe 720). Ndërkaq në sektorin e pritës hyri një autokolonë gjermane me rreth 10 makina që vinte nga Struga. Luftimet u zhvilluan në një kohë të shkurtër, sepse autokolona u shtrëngua të kthehej në drejim të Strugës. Të nesërmen (22 tetor), Batalioni i IV i Brigadës XX goditi në Qafën e Frengovës, 7-8 km nga Struga, autokolonën armike, që kishte urdhër të hapte rrugën drejtë Qafë Thënës. Komanda gjermane u befasuan nga sulmi në këtë sektor nga që e prisnin atë rreth 5-6 km, më tutje nga Qafa e Radozhdës.
Efektivi i UNÇSH-së duke i goditur njësitë gjermane për herë të dytë në befasi, me sulmë të fuqishëm, i detyruan kundërshtarët të ktheheshin përpsëri në Strugë. Pas këtij përparimi batalioni i IV i Brigadeës XX të UNÇSH-së manovroi për të zënë pozicione në sektorin nga fshati Radozhdë e deri në kufirin shtetëror. Sektorin nga Radozhda në Radolishtë (Ladorishtë – N.D.), në jugperëndim të Strugës, do ta zinin dy batalionet maqedonase të ngarkuara për veprim me partizanët shqiptar. Duke zbardhur 23 tetori i 1944 autokolona gjermane bëri orvatjen e tretë për të ç‘bllokuar rrugën drejt Elbasanit. Ndonëse partizanët maqedonas nuk kishin dalur në pozicionet e pritës, kjo orvatje dështoi përballë goditjes që ndërmorën partizanët e UNÇSH-së në afërsi të Mali Vllait (Ermëzit). Më 24 tetor batalionet maqedonase zunë pozicionet në sektorin e vet dhe organizuan bashkëveprimin edhe me Batalionin e Brigadës së XX. Por më datë 24 tetor gjermanët nuk bëjnë asnjë orvatje për të ç‘bllokuar rrugën (po aty). Në mengjesin e 25 tetorit 1944 Batalioni i IV i Brigadës së XX sulmoi pikëmbështetjen gjermane në Qafën e Lerës (2 km në very të Qafë Thënës) dhe e asgjesoi efektivin e saj. (po aty, 721). Të nesërmen (26 tetor 1944 N.D.), autokolona gjermane u përforcua me mjete të blinduara dhe u nis nga Struga për herë të tretë. Afër fshatit Fërngovë ajo u sulmua nga partizanët maqedonas, por, kjo goditje u dha para kohe, kur kolona e automjeteve ende nuk ishte future e gjitha në sektorin e pritës së zënë nga partizanët maqedonas e shqiptarë. Ushtarët gjermanë u hodhën në kundërveprim mbi partizanët maqedonas, ndërkaq partizanët shqiptarë të cilët ndodheshin në ato moment largë vendit të goditjes u shkuan në ndihmë. Por, pas një luftimi të shkurtër partizanët maqedonas qenë tërhequr, kështu që një pjesë e forcave të batalionit partizanë shqiptarë iu desht të zinte me shpejtësi pozicione afër Frëngovës, pa lëshuar pozicionet prej Radozhde në Qafën e Lerës.
Në mesditë, autokolona me luftime të ashpra me partizanët shqiptarë përpiqej të çante me forcë rrugën për të dalur në Qafë të Thanës, ndërkohë që nga kjo qafë me një pikësynim të njëjtë u hodh në sulm në Qafë të Lerës një kompani gjermane. Partizanët e batalionit të tretë dhe të katërt të Brigadës së XX të UNÇSH-së i thyen kundërshtarët në të dyja drejtimet e kundërta dhe i detyruan të tërhiqen dhe të hiqnin dorë nga pikësynimet e tyre dhe të ktheheshin përsëri në Strugë dhe në Qafë të Thënës (po aty, f. 721-722). Aty nga mesi i muajit tetor 1944, Shtabi i Divizionit të 48 të UNÇM e AP-së mori vendim që të shkatërroi mbrojtjen e këtij teritori nga forcat ushtarake gjermane, që shtriheshin nga Struga deri në Qafë të Thënës (Mihajllo Apostolski, Zavrsnite operacii na N.O.V. za osloboduvanjeto na Makedonija, Skopje, 1953, god., str. 1470152). Në këtë aksion u angazhuan efektivat e Brigadës IV Shqiptare dhe njësitë e Brigadës së Maqedonase, në bashkëpunim me Brigadën e XX të UNÇSH, me të cilat kontakti ishte vendosur që më parë. Më 23 tetor 1944, në jug- perëndim të fshatit Ermëzë (Mali Vllaj), në afërsi të kufirit shtetëror, është mbajtur një takim, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Shtabit të Brigadës së Maqedonase, të Brigadës IV Shqiptare, si dhe përfaqësuesit e Batalionit të IV të BRigadës së XX të UNÇSH-së.
Aty është arritur marrëveshja që në formë të koordinuar dhe me forca të përbashkëta, të sulmohen kolonat gjermane, të cilat ishin në lëvizje në relacionin Qafë e Thanës-Strugë. Më 24 tetor 1944 forcat gjermane u sulmuan nga tre drejtime dhe thuajse u shpartalluan tërësisht , duke pasur shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në ditët që pasuan njësitet gjermane do të sulmohen pandërprerë. Këto sulme të njësive antifashiste do ta shqetësojnë komandën ushtarake e policore gjermane që ishte stacionuar në Strugë, e cila ishte vendosur që me gjithë mjetet që kishte në dispozicion, t’ua mundësojë në mënyrë të sigurtë tërheqen e ushtarëve gjermanë nëpër rrugës strategjike për në Qafën e Thënës. Për këtë qëllim, Komanda në Strugë formon njësi të posaçme patrolluese me detyrë: kontroll permanent shërbyes në relacionin Strugë- Qafë e Thënës dhe Strugë-Ohër, e cila ishte nën përgjegjësinë e Felt- komandaturës, që ishte rangu më i lartë policor. Njësitë ushtarake patrolluese të felt-komandurës dhe njësitit i Lajtnantit Vajs (“njeringrënësi”), do të siguronin edhe kolonën e fundit më të madhe gjermane e cila në orët e fundit të 27 tetorit të 1944 nga Ohri do të arrijë në Strugë, e cila menjëherë do të vazhdojë rrugën për në Shqipëri. Dhe kjo atëherë do të sjellë ngjarjen, e cila do të jetë shkaku që një fshatë i qetë, jo shumë larg Strugës, i banuar tërësisht me shqiptarë, pra fshati Ladorishtë, ditën e 28 Tetorit 1944 do të mbulohet me flakë dhe do të notojë në gjak. Duke u ndodhur pandërprerë nën trysninë e pritave dhe sulmeve të befasueshme, nazistët gjermanë në shenjë hakmarrjeje vendoset që ta ndëshkojnë Ladorishtin. Në mëngjesin e hershëm të 28 tetorit, forcat e shumta gjermane të armatosur deri në dhëmbë e rrethojnë fshatin, pa lënë asnjë mundsi për t’u larguar askush nga fshati. Shtëpive iu vu zjarri, ndërsa popullatën e tubuar e dërgojnë në fund të fshatit në vendin e quajtur “Vakçare”, pranë rrugës Strugë – Qafë e Thanës. Ata banorë që u përpoqën të çanin bllokadën gjermane qëlloheshin dhe vriteshin në vend. Në këtë masakër nuk u kursyen as pleqtë, gratë e fëmijët. Nga 84 të masakruar nga xhelatët e pashpirtë, 7 ishin gra, 30 të moshuar, ndërsa 54 të tjerë të rinjë, burra e pleqë. Në “Vakçare” ekzekutimi kryhet pasi i rradhisin në kolona dhe më pas i qëllojnë me breshëri mitralozi. Për të qenë të sigurtë se të pushkatuarit janë vrarë, ato do t’i qëllojnë edhe nga një herë në kokë vitimat e tyre. Në këtë kasaphane hordhitë naziste do të kryenin një nga masakrat më të mëdha në vitet e Luftës së Dytë Botërore, brenda një dite në trevat e Ballkanit. Bilanci i kësaj masakre ishte i tmerrshëm: 84 persona u vranë, mbi 40 të tjerë përjetuan lëndime të tmerrëshme fizike, mbi 60 shtëpi dhe mbi 30 kasolla u dogjën e u rrënuan nga themeli, ndërsa numri i kafshëve dhe zahireja për ato u dogjën në flakët e luftës. Ladorishtarët pa përjashtim, edhe pas 75 vitesh nga masakra ende i ruajn kujtimet e hidhura të kësaj golgote. Të gjithë ato që e përjetuan masakrën e 28 tetorit, janë të një mendimi se masakra ka qenë me skenar të parapërgaditur për të cilën sot flasin qart dëshmitë. Ato ditë tetori në Ladorishtë hynë eprorët e Brigadës së IV Shqiptare, dhe pasi formojnë “Njësinë” apo “çetën e të rinjëve për vetëmbrojtje, ose çetën që do të bënte roje në fshat, do të largoheshin në fshatin Vishnjë. Kjo të shton dyshimin për të menduar se “kush u dha urdhër atyre të rinjve ose detyrë të moshuarve që të sulmojnë patrullën gjermane, e cila lëvizte pandërprerë në rrugën Strugë – Qafë e Thanës që pastronte terenin për t’u tërhequr forcat gjermane. Ky provokim i 24 tetorit të shton dyshimin dhe dilemën se kjo masakër ka qenë e parapregatitur, të cilën fshatarët nuk e kanë kuptuar, ose ashtu ka qenë komanda nga lartë. Mëndej kush ka qenë personi (ladorishtarët e dinë, por publikisht u mungon guximi të tregojnë), i cili një natë para djegjes së fshatit ka trokitur në disa shtëpi duke i paralajmëruar të largohen pa humbur kohë nga fshati, se të nesërmen fshati do të digjej? Kush i dinte pikat më të ndjeshme të fshatit Ladorisht, të cilat ishin të bllokuara që në orët e herëshme të mëgjezit të 28 tetorit, që t’i pamundësohet banorëve ladorishtarë që të largohen, edhe pse Brigada e IV Shqiptare e cila gjëndej në afërsi, në fshatin Vishnjë (rreth 700-800 në vijë ajrore), nuk u dha urdhër luftëtarëve të vet të sulmojnë dhe së paku të parandalojnë masakrën e ushtarëve me uniform gjermane të cilët tërë ditën e 28 tetorit kryen masakrën ndaj banorëve të pafajshëm? Pse krerët e Brigadës së IV Shqiptare, më 3 nëntor 1944, pesë ditë pas masakrës në Ladorishtë do të interesoheshin se “çka flet popullata e rajonit të Strugës për rastin e Ladorishtës” e cila mësohet nga një letër që është nënshkruar nga eprorët e Brigadës së IV, Qemal Agolli dhe Esat Doko? Ka edhe shumë pikëpyetje të tjera për këtë masakër…. Deri në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar nuk u tha e vërteta e hidhur, pasi të gjitha tragjeditë që pësoi popullata e pafajshme ia mbathin pushtuesve gjermanë, bullgarë e italianë, si dhe paramilitarëve e forcave nacionaliste e shoveniste, por kurrsesi komunistëve e jo më komandatëve të brigadave dhe divizioneve. Deri atëherë këto ishin tema tabu, të padiskutueshme, të paprekshme, sekrete dhe të mbuluara me vellin e errësirës, që edhe një pjesë e luftëtarëve e zhytur në oportunizëm e kishte fshehur. Më 29 gusht 1996, në Strugë, në një ndeje rasti, së bashku me studjuesin Zejnulla Qyra zhvilluam një bisedë me Zot. Qemal Agolli, ish-epror i Brigadës së IV Shqiptare, i cili na evokoi kujtimet e tija për vitet e Luftës së Dytë Botërore, e në mes tjerash për Masakrën e Ladorishtit tha:
“MASAKRA E LADORISHTIT DUHEJ PATJETËR TË NDODHTE, SEPSE ATO (ladorishtarët) ISHIN TË PABINDUR NDAJ KËRKESAVE TË EPRORËVE TË BRIGADËS SË IV SHQIPTARE, TË CILËT PËR DISA DITË BËNË PËRPJEKJE PËR TË HYRË NË FSHATIN LADORISHTË NË MËNYRË PAQËSORE, ASHTU SIÇ HYMË MË PARË NË FSHATRAT E TJERË SHQIPTARE… PAS DISA TAIMESH ME KRERËT E FSHATIT MË NË FUND GJETEM NJË ZGJIDHJE, QË ATA (fshati) TË NA FURNIZOJË ME USHQIME, NDËRKAQ FSHATI DO TA MBRONIN “ÇETA E FSHATIT”, QË NUMËRONTE RRETH 40 VETË…”
Edhe me Nafi Sulejmanin – Ish komandant i Brigadës së IV Shqiptare, në bisedën që zhvilluam në Manastir më 15.07.1993, rreth Masakrës së Ladorishtës, në mes tjerash tha: “… Efektivat e Brigadës së IV Shqiptare në ditën kritike 28 tetorit të 1944, gjindeshin në afërsi të fshatit Ladorisht. Ne nuk mund të intervenonim, sepse nuk na u lejua nga komanda e Ushtrisë NÇ, pra nga lartë, megjithëse nga luftëtarët e Brigadës kishte disponim për t’u rënë gjermanëve që bënin kërdi duke djegur, vrarë e plaçkitur fshatin Ladorisht…” Ato që e përjetuan këtë masakër, edhe sot në ndeje e biseda që kamë zhvilluar në katër sy deklarojnë se në radhët e ushtrisë gjermane që kreu masakrën ka pasur edhe së paku 4 persona me tesha gjermane nga Struga, emrat e të cilëve nëpër buzë i përshpërisin, si Simon Uzuni, Jone Llozari, Gligor Jordanovski, etj., si dhe ca shqip-folës, të cilët pas përfundimit të luftës kanë qenë të privilegjuarit e sistemit. Është në derin e gjeneratave të reja, t’i përkujtojnë këto viktima në mënyrë dinjitoze, ndërkaq studjuesit e historianët jo të mirren me llafe, por e kanë për obligim të zbardhin këtë enigmë me shumë të panjohura dhe sfiduese.
Comentários