Gjuha zyrtare, si forma më intelektuale e komunikimit, kërkon zbatimin e standardit gjuhësor. Si e tillë, ajo vjen e pastër, e pa mbingarkuar me terma të panevojshëm, e kuptueshme, pa ambiguitete (dykuptimësi) dhe direkte në mesazhin e përcjellë. Ky komunikim, si qëllimi kryesor, vjen nëpërmjet leksikut, frazave e shprehjeve gjuhësore me karakter serioz, i shprehur nëpërmjet gjuhës standarde, të shkruar në këto letra zyrtare. Pikërisht, këtë gjuhë të përdorur sot në letrat formale (zyrtare), të prezantuar në këtë artikull, do ta analizojmë nga këndvështrimi i përdorimit të fjalëve të ardhura nga anglishtja. Ky fakt sot, më tepër se kurrë, është bërë pjesë e pashmangshme në ligjërim dhe ka filluar të uzurpojë (zaptojë) edhe letrat zyrtare siç janë: kërkesat zyrtare, emailet zyrtare, letrat e rekomandimit, letrat e motivimit etj. Si rezultat i globalizimit, edhe tek letrat zyrtare, formale, anglishtëzimi apo futja e anglicizmave, jo vetëm që e rëndon, e vështirëson komunikimin shqip, por sjell anomali në të kuptuar dhe vlerësuar kuptimësinë apo substancën e tyre, duke zbehur dukshëm komunikimin zyrtar e duke cënuar standardin gjuhësor të tyre. Një analizë gjuhësore e tyre, si edhe avantazhet e disavantazhet në përdorimin e anglicizmave, do të na vërë para provave e fakteve të përdorimit të tyre, në mënyrë që të dimë të këmbëngulim në përdorimin e standardit si forma më e arrirë e komunikimit zyrtar.
Fjalët kyçe: letra zyrtare, anglishtëzimi, standardi gjuhësor, kuptimi semantik, gjuha shqipe.
Ndërtimi i punimit:
1. Modele të letrave zyrtare dhe analiza gjuhësore si pjesë e kuptimit substancial dhe semantikor në komunikimin zyrtar.
2. Përdorimi me tepri e pa kriter i anglicizmave tek gjuha e letrave formale.
3. Konkluzionet
4. Bibliografia
1. Modele dhe analiza gjuhësore në komunikimin zyrtar
Duke marrë në shqyrtim disa prej letrave zyrtare, vërejmë se gjuha e përdorur vjen më e sofistikuar dhe kuptimi semantikor flet për një përfshirje më të gjerë të një leksiku, i cili ose vjen si anglishtëzim ose si anglicizma të futura e përdorura brenda kontekstit. Kur flasim për anglishtëzim, vërejmë se një pjesë e leksikut prezantohet brenda shprehjes e veshur me mbaresa, parashtesa apo prapashtesa sikurse kategoritë e emrit, mbiemrit, foljes etj. Vëmë re fjalët: strukturoj, strukturim; kapitalizoj, kapitalizim; akumuloj, akumulim, akumuluar; konfirmoj, konfirmim; identifikoj, identifikim; koordinim, koordinoj; obligim, obligoj; aspiroj, aspirim; monitoroj, monitorim; administroj, administrim... por edhe praninë e anglicizmave të tilla si: asistencë, eksperiencë, proces, impakt, ekspert, fazë, transparencë, kontribut, intervistim, projekt, fokusim, aplikim, certifikim, kriter, konfigurim, autentikim, klikim, aktiv, inaktiv, implementim... madje edhe fjalë të përngjjitura, të kombinuara me leksik nga shqipja si: grantmarrës, moskonfigurim, makroplanifikim, projektzbatues, kontributdhënës etj.
Duke u përqendruar në formulimet e këtyre letrave në një analizë të gjuhës së përdorur, vërejmë se anglicizmat e futura brenda kontekstit e kanë fjalën gjegjëse në shqipe, dhe kjo fare mirë mund t'i zëvendësojë ato duke mos e ndërlikuar më kotë tekstin dhe kuptimin e tij.
Shëmbuj:
1. akumuloj (accumulate) - mbledh, grumbulloj
2. procesoj (process) - përpunoj
3. programoj (program) - planifikoj
4. aspiroj (aspire) - frymëzohem
5. identifikoj (identify) - njëjtësoj
6. strukturoj (structure) - ndërtoj
7. certifikoj (certify) - vërtetoj
8. aktiv (active) - veprimtar
9. kapitalizoj (capitalize) - (shkruaj me gërma të mëdha)
10. konfirmoj (confirm) - pohoj, vërtetoj
11. grant (grant) - dhurim, përfitim
Por shpesh përballemi edhe me leksik për të cilin nuk gjejmë gjegjësen në fjalorët shqip. Kryesisht ato janë fjalë që vijnë nga fusha e teknologjisë si:
Klikim (click), kriter (criteria), programim (program), programues (programmer), konfigurim (configuration), projekt (project) etj.
Në një email gjejmë:
Shembull 1
"Ju lutem na caktoni një datë dhe orë që të fillojmë me koordinimin e intervistave".
Këtu, fjala "koordinim" vjen nga coordinate (ang.) dhe nënkupton renditje.
Shembull 2
"...në mënyrë të paanshme dhe transparente ndërhyrjet e LA në fushën e demokracisë vendore".
Vëmë re se fjala "transparente" vjen nga transparent (ang.) dhe nënkupton "i tejdukshëm".
Shembull 3
"...përkon edhe me kapitalizimin e njohurive të akumuluara nga LA gjatë këtyre viteve".
Duket qartë se fjala "kapitalizim" këtu e vështirëson kuptimin e shprehjes së përdorur dhe fjala "akumulim" jep idenë e mbledhjes/grumbullimit të ideve.
Shembull 4
"...fokusi dhe rëndësia është vënë mbi kapitalizimin e njohurive, eksperiencave dhe praktikave më të mira të akumuluara nga Projekti".
Fjala "fokusi" - do të ishte më vend të thuhej: "përqëndrimi", "vëmendja"
Duket se këto emaile zyrtare, me gjuhë "formale" (zyrtare), kërkojnë që nëpërmjet një gjuhe "më të sofistikuar" të sjellin këndvështrimin e tyre ndaj informacionit të shpërndarë. Por a përbën kjo një komunikim më të mirë? A sjell risi në këtë komunikim? A është më i asimilueshëm si informacion?
A është i nevojshëm ky sofistikim i leksikut?
Në një letër rekomandimi gjejmë të shkruar:
Shembull 5
"...shpreh konsideratën time si kolege me aftësi shumë të mira kreative..."
ku spikat: "konsideratën" (consideration - ang.) gjykimin;
"kreative" (creative - ang.) krijuese.
Shembull 6
"...me ndihmesën e saj për një të ardhme më të mirë të shkollës dhe funksionit të njësisë së zhvillimit".
Fjala "funksion" nga (function - ang) - vjen me kuptimin e "mbarëvajtjes", gjë e cila do t'i shërbente më tepër anës kuptimore semantike tek shprehja e përdorur.
Ose, në një letër motivimi gjejmë të shkruar:
Shembull 7
"Si mësuese e suksesshme në mësimdhënie me një qasje proaktive, si specialiste në fushën e..."
Fjala "proaktive" nënkupton më së miri "një veprimtari të gjerë" dhe dukshëm është e tepruar dhe aspak e nevojshme në përdorim.
Shembull 8
"Performanca ime me potencial të vazhdueshëm profesional, për..."
Fjala "performancë" ka hyrë gjerësisht në ligjërim, e cila nënkupton "prezantimin dhe kryerjen e detyrave". Duket se ka edhe raste kur nuk gjendet një fjalë e vetme për të përshkruar kuptimësinë e saj në shqipe.
Shembull 9
"...shpreh interesin tim dhe aspiroj të kandidoj në thirrjen tuaj për t'u trajnuar për këtë pozicion pune".
Fjalët: interes, aspiroj, kandidoj, trajnuar - vijnë nga anglishtja respektivisht: interest, aspire, candidature, train.
Këto anglicizma, në ndonjë rast i japin shprehjes ngjyrime semantike të reja. Ato e zgjerojnë kuptimin e asaj, të cilën e sjell fjala në shqip. P.sh.: përdorimi i "kritere", "performancë", "konsideratë", "kontaktoj" e të tjera, sjellin një frymë ndryshe. Aty do të duhej më tepër leksik, më tepër numër fjalësh për të sjellë kuptimin e duhur. Duket se këto letra zyrtare, shpesh në kuadër të përdorimit me racionalizëm të leksikut, në disa raste, dukshëm përfshijnë përdorimin e anglicizmave.
2. Përdorimi me tepri e pa kriter i anglicizmave
Shpesh vërejmë një shumësi përdorimesh të panevojshme të anglicizmave në letrat formale (zyrtare).
Shembull 10
"...ka sjellë një model ekselent në funksion të zhvillimit e të lidershipit në grup".
Sipas standardit të shqipes mund të shprehej:
"Ka sjellë një shembull të shkëlqyer në drejtim të zhvillimit e të drejtuesit në ekip."
Shqipja i ka mjetet e saj shprehëse dhe shpesh futja e anglicizmave është e panevojshme.
Ose siç e vëmë re:
Shembull 11
"...ta vlerësoja performancën në punë dhe angazhimin e tij në aspektin profesional e social."
Mund të thuhet fare mirë:
"...ta vlerësoja performancën dhe angazhimin e tij në drejtimin profesional dhe shoqëror."
Shumë herë, vihet re se futja e anglicizmave është e tepruar, por ka edhe raste kur ato (anglicizmat e përdorur) sjellin ngjyrime të reja semantikore. Në këtë rast mund ta pranojmë përdorimin e tyre.
3. Si përfundim:
Në këtë artikull del qartë se anglicizmat:
1. Kanë hyrë edhe si fjalë të reja, të cilat kanë zënë vend në fjalorin e shqipes.
2. Ato kanë krijuar sinonimi në përdorim me fjalën gjegjëse të shqipes.
3. Ato janë shpesh të panevojshme kur e kanë gjegjësen e tyre në shqipe.
4. Përdorimi i anglicizmave shpesh e komplikon situatën dhe kuptimi semantik bëhet i vështirë.
5. Përdorimi i gjuhës standarde i jep mundësi atij që e lexon dokumentin, të jetë i qartë dhe mesazhi përcillet i kuptueshëm.
6. Duke përdorur standardin, i japim gjuhës një përdorim të drejtë, e ruajmë nga goditjet e jashtme, sjellim aty komunikimin e duhur.
__________
Bibliografia
1. Barbour, S. R., & Carmichael, C. V. (2000). Gjuha dhe Nacionalizmi në Europë. Oxford University Press.
- Ky libër diskuton lidhjen midis gjuhës dhe identitetit kombëtar, duke ofruar njohuri mbi rëndësinë e ruajtjes së pastërtisë gjuhësore përballë globalizimit.
2. Crystal, D. (2003). Anglishtja si Gjuhë Globale (Botimi i 2-të). Cambridge University Press.
- Vepra e David Crystal shqyrton ndikimin global të gjuhës angleze dhe implikimet që ka kjo për gjuhët e tjera, si shqipja.
3. Fiedler, S. (2011). Ndikimi i Anglishtes në Leksikun dhe Gramatikën e Gjuhëve Europiane. Mouton de Gruyter.
- Ky libër analizon ndikimin e anglishtes në gjuhët e ndryshme europiane, me fokus në ndryshimet leksikore dhe gramatikore, të rëndësishme për diskutimin mbi anglicizmat në komunikimin formal shqip.
4. Hoxha, E. (2016). Gjuha Shqipe në Epokën e Globalizimit: Sfida dhe Perspektiva. Albanian Studies Press.
- Ky punim adreson specifikisht sfidat me të cilat përballet gjuha shqipe në ruajtjen e integritetit të saj përballë futjes së fjalëve të huaja, sidomos nga anglishtja.
5. Lloshi, Xh. (2007). Sociolinguistika: Gjuha dhe Shoqëria në Shqipëri. Botimet Dudaj.
- Libri i Xhelal Lloshit ofron një perspektivë sociolinguistike mbi gjuhën shqipe, duke ekzaminuar se si ndryshimet shoqërore ndikojnë në përdorimin e gjuhës, përfshirë
huazimet dhe ndryshimin e gjuhës, të cilat janë të rëndësishme për diskutimin mbi anglicizmat në komunikimin formal në gjuhën shqipe.
Opmerkingen