FRAN GJOKA
Me Prof. Dr. Akad. Mark Tirta
(Me rastin e 5-vjetorit të ndarjes nga jeta)
- Profesor, kaluan 5 vjet që që “Mësuesi i popullit” Mark Vuji u nda nga jeta, një nga figurat emblematike në fushen e padagogjise dhe psikologjise . A mund të na thoni si e keni njohur profesorin?
- Ishte një ngjarje tepër e dhimbëshme: ndarja nga kjo jetë në mënyrë krejt të papritshme të studiuesit, kërkimtarit të shquar në fushë të arsimit, të shkencës, Prof. As. Dr. Mark Vujit. Kjo na bëri të përjetojmë me mallëngjim, me shpirt e me zemër të kaluarën e largët e të afërme, prej nga erdhi e si shkëlqeu ky njeri dritëdhënës.
Me Mark Vujin jam njohur më 1957, kur isha student në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, isha Kryetar i Këshillit Kulturor të konviktit e kisha një zyrë të vogël ngjitur me zyrën e drejtorit të konviktit, Hysni Ymeri. Mark Vuji vinte herë mbas here aty te drejtori e kuvendonin bashkë. Kishin qenë shokë të ngushtë prej kohësh si arsimtarë, si drejtorë shkollash. Drejtori në fjalë më ka folur për Mark Vujin, duke e vlerësuar si i përkushtuar në veprimtarinë arsimore, si kërkimtar shkencor në dukuri pedagogjike, si njeri punëtor i pakrahasueshëm, i drejtë e i matur e dashamirës me njerëzit.
Shkolla e mesme e Lezhës, ku ishte drejtor Mark Vuji, ishte një model i veçantë në cilësi mësimi, në metoda të edukimit, në formimin kulturor të nxënësve, të njerëzve të ardhshëm që do të drejtonin dijen e kulturën. Nga këto vlera si sipër, Ministria e Arsimit me ministër Thoma Deljanën e Bedri Deden, specialistin shumë të njohur në pedagogji e psikologji, janë bërë disa herë seminare kombëtare në Lezhë... për metodat e mësimdhënies, për cilësinë në formimin e nxënësve në dituri. Veprimtaria bëhej te shkolla e mesme e Mark Vujit ishte ndër referuesit kryesorë. Janë bërë dhe diskutime ku një rol të rëndësishëm e kishte ky drejtor në trajtimin e problemeve të mësimit në shkollë, ku në qendër ishin përgatitja e puna me përkushtim e mësuesve.
Jam njohur më së afërmi me Mark Vujin e kemi shkëmbyer mendime që kur isha mësues, drejtor shkolle, inspektor i arsimit në Mirditë. Jemi takuar shumë herë në seminare, në konferenca në Lezhë, në Shkodër, në Tiranë, në Vlorë e me radhë. Ishte një njeri shumë i ditur, i dhënë mbas librave, mbas shkrimeve pedagogjike. Dukej një thesar i dijes në arsim, në studimet pedagogjike. Ishte eksplorues, vëzhgues i thellë në proçesin mësimor e në bazë të këtyre, bënte përgjithësime, zbërthime, trajtime shkencore.
Ishte model i veçantë, i përkushtuar i punës në arsim si drejtor shkolle, si njeri i lidhur me librat shkencorë, si shkrues me peshë në fushë të pedagogjisë, të të nxënit, në fushë të edukimit të nxënësve, të rinisë.
- Keni qenë dy persona publikë, njerëz të shkencës, shokë dhe miq të mirë. Ç’marrëdhënie e veçantë u krijua gjatë kohëve mes jush, kur dihet se bashkëshortja Juaj, Maria, ishte motra e prof. Mark Vujit?
- Që kur jemi fejuar e më vonë martuar me motrën e tij, Marien, kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me Markun e bashkëshorten e tij, Bukurien, që ishte një zonjë e përkryer, qoftë si arsimtare shumë e ditur në matematikë e fizikë, qoftë në jetën familjare, qoftë me ne si të afërm të tyre. Ne shkonim e vinim te njëri-tjetri si njerëz të afërm e dashamirës.
Pasi ndërroi jetë bashkëshortja e tij, Bukuria, Marku mbeti si i vetmuar në shtëpi. Unë e Maria e kemi ftuar që të vijë e të rrijë, të punojë me shkrimet e tij në shtëpinë tonë. Po ai ka ardhë e qëndruar një ditë, dy a tre ditë, tepër rrallë ka qëndruar në shtëpinë tonë për 7, 8, 10 a 12 ditë. E lutnim të rrinte te ne për shumë ditë, po ai largohej për në Lezhë me arsyen se ka në bërje në kompjuter libër a studime, se duhet që sa më shpejt t'i korrigjonte e t'i çonte për botim. Ne gjithnjë e kërkonim në telefon që të vinte e të rrinte te ne, ku bënim dhe kuvendime të këndshme. Ai na arsyetonte dhe se donte të konsultonte librat që kishte në bibliotekën e tij, po dhe shënime e skeda që i kish bërë shumë kohë më parë. Arkivin e tij të punës shkencore nuk mund ta merrte me vete kur vinte te ne. Do të konsultonte atje materiale, dëshmi, shënime e skedime nga më të ndryshmet, po dhe shënime të tij në vëzhgime në shkolla, në mësimdhënie.
Si arsimtar, si drejtor, ka qenë shumë i përkushtuar në punë. Nga puna e tij e madhe dhe përgatitja profesionale, me dije të gjera në metoda të veprimtarisë, natyrisht dhe me arsimtarë të tjerë të ditur, kanë dalë nga ajo shkollë njerëz të shquar, kuadro që i kanë dhënë e i japin shumë kombit. Këta i ka formuar me një punë të mundimshme, të bërë me shumë përkushtim.
Duhet ta theksojmë se ka sakrifikuar shumë për arsimin, po dhe në studime e kërkime shkencore në fushën e pedagogjisë, të mësimdhënies, për edukimin e brezit të ri, për pajisjen e tij me dije të thella. Marku gjithnjë mbi studime: nuk e ka ditur as se ç’është e diela, ose pushime në fund të semestrit a në pushime verore, as ditët e festave. Ai gjendej gjithnjë në studime, në kërkime shkencore, në tavolinë, në terren, në punë të ndryshme të profesionit të tij, si mësimdhënës, si drejtues, si pedagog universiteti, në pedagogji, në metoda të mësimdhënies.
- Mes dy kolosëve të shkencës, doemos ka edhe bashkëpunime të ndërsjellta. Cila ka qenë strategjia e ndihmës dhe bashkëpunimit me Prof. As. Dr. Mark Vujin?
- Mes ne të dyve ka pasë gjithnjë diskutime për dukuri të ndryshme shkencore. Këtë e kemi bërë me shumë dashamirësi e mirëkuptim, edhe pse mund të kishim mendime disi të ndryshme për probleme me rrënjë tepër të errta. Duhet vënë në dukje se fusha ku bënte kërkime Mark Vuji e etnologjia, me të cilën merresha unë, ishin disi larg nga njëra-tjetra. Pra, dhe programime shkencore të përbashkëta nuk mund të bënim. Gjithsesi ne kemi diskutuar bashkë për orë të tëra dhe për tema të pedagogjisë, ashtu si dhe për ato të etnologjisë. Këtu, në mendime, kemi plotësuar njëri-tjetrin.
Në foto Bukurie Kovaçi (Vuji), Mark Vuji
- Profesor Marku ka botuar shumë vepra, kryesisht në fushën e pedagogjisë dhe të mësimdhënies. Cila nga veprat e tij të ka lënë mbresa më të shumta dhe për ç’arsye?
- Mark Vuji ka botuar mjaft studime e vepra të veçanta, kryesisht në fushën e pedagogjisë, po dhe për edukimin e vetëdukimin e fëmijëve, gjëra që nuk bëhen vetëm në shkollë, po dhe në familje, në shoqëri. Urtësia popullore thekson: "Më thuaj me kë rri e të të them se kush je!".
Librat e këtij studiuesi, për mua, janë shumë të mirë e nuk di të ndaj njërin nga tjetri, në dhënien e dijes. Libri "Filozofia arsimore e akademikut Gjergj Fishta" (2007) më ka tërhequr vëmendjen, në mënyrë të veçantë, në problematika e në stilin e të shkruarit. Në mënyrë të gjithanshme ka hyrë deri në thellësi të gjërave e ato i ka ndriçuar në gjithanshmëri. Me këto i ka dhënë lexuesit shumë dije të panjohura më parë, është libër që lexohet këndshëm nga çdo njeri, nga ata që i njohin dhe i vlerësojnë si duhet veprat e Fishtës.
At Gjergj Fishta, përmes veprimtarisë arsimore si mësimdhënës, si edukues i të rinjve, si mendimtar në zhvillimin e dijes në shkollë, në shoqëri, na paraqitet në këtë vepër si një profet në zhvillimin e dijes në shkollë, si mbështetje në qytetërim të shqiptarëve.
Edhe pse nuk jam specialist i veçantë i pedagogjisë e i mësimdhënies, dy veprat e fundit shkencore e mjaft voluminoze "Vetëvlerësimi mësimor" (Tiranë, 2012) dhe "Vizioni mësimor" (Tiranë, 2015) më duken botime me shumë vlerë, që çdo njeri me kulturë duhet t'i lexojë e të mësojë shumë gjëra për t'u orientuar si duhet në jetën e tij, për të edukuar fëmijtë, për komunikim e sjellje në shoqëri, aq më tepër këto janë me shumë vlerë për punën e arsimtarit, të pedagogut. Personalisht gjykoj se ai i ka dhënë shumë shoqërisë në tërësi dhe edukimit në vecanti, tek sa për vete mori pak, në kuptimin e interesimit dhe të vlerësimit të përhershëm të kësaj ikone të arsimit në shkallë kombëtare. Vetëm ata që e kanë studiuar me kujdes veprimtarinë studimore dhe shkencore e kuptojnë se sa i thellë ishte në mendime, sa i plotë ishte në konkluzione.
- Profesori ka disponuar një bibliotekë mjaft të pasur, ndër më të pasurat ndoshta edhe në Shqipëri. Cili do të jetë fati i kësaj pasurie letrare edhe pse kanë kaluar 5 vjet nga ndarja e tij nga jeta, nuk po dimë se ç’po behet në biblioteken e tij?
- Mark Vuji, me të vërtetë ka pasë të tijën një bibliotekë shtëpiake shumë të madhe, me libra shkencorë e kulturorë me shumë vlerë. Pasardhës nuk ka lënë që ta trashëgojnë e ta përdorin si kabinet të punës shkencore. Ajo ndodhet e mbyllur me dry në shtëpinë e tij. Tash për tash nuk e dimë se çdo të bëhet me këtë bibliotekë.
- Motra e profesor Markut, Maria, njëherit edhe bashkëshortjaj Juaj, e ka përjetuar mjaft dhimbshëm humbjen e vëllait.
- Maria, motra e tij e bashkëshortja ime, vdekjen e papritur me një atak në zemër, e ka përjetuar me një dhimbje, me një dëshpërim marramendës. Nuk kishte si të mos tronditej kur Marku e ka drejtuar në jetën e saj, në arsimin në 7-vjeçare, në të mesme, në të lartën (universitet), në formimin e saj me dije të gjera, në aftësimin e saj të përkryer si arsimtare. Kjo tragjedi e papritshme as që shkohej nëpër mend më parë. Kjo shkaktoi tronditje rrënqethëse te motra e tij, po dhe te tërë të afërmit, miqtë e dashamirësit e tij. Të tërë e përjetuam këtë me shumë dhëmbje. Ky nuk ishte një njeri sidokudo, po ishte një mendje e ndritur në arsim, në kulturën shqiptare, në kërkimet shkencore. Deri në ditën kur u nda nga jeta, punonte në studion e tij, në projekte të tij në studime e libra shkencorë. Me vdekjen e tij nuk humbën vetëm të afërmit e dashamirët e tij, po humbi mbarë shoqëria shqiptare. Ka dhënë e do të jepte me shkrimet e tij e me leksionet në universitet një ndihmesë të madhe.
- Profesori u nda nga jeta 5 vjet më parë, një natë të nxehtë korriku, pa njeri afër dhe pa patur kujdesin pothuajse të askujt. Si e vlerësoni humbjen e një njeriu me aq vlera edhe pse kanë kaluar disa vite, në kushte të tilla?
- Është e vërtetë: jo pak figura të shquara, që i kanë dhënë shumë shoqërisë, me veprat, me bëmat e tyre të mëdha, kanë shkuar në atë jetë në gjendje tronditëse. Kjo është një tërmet i madh drithërues. Në jo pak raste, njerëzit e mëdhenj, që i kanë dhënë shumë shoqërisë, kanë vdekur shpejt e papritur. Kuptohet, këta konsumohen shumë me punë të përkushtuar. Njerëzit e këqij, që nuk lodhen fare, hanë në kurrizin e të tjerëve, bëjnë korrupsion, na kapërdisen me fjalë sikur ata e kanë krijuar botën, jetojnë shumë. Këta njerëz plangprishës i bëjnë keq shoqërisë. Këtu Perëndia nuk i ka bërë vlerësimet mirë. Ajo duhet të ruajë njerëzit e mirë e të çojë në ferr sa më shpejt njerëzit keqbërës, të pa vlerë.
- Në kushte të tilla kanë ikur mjaft figura të shquara botërore dhe kombëtare. Përmendim këtu Tolstoin e madh, që vdiq një natë të ftohtë dhjetori të vitit 1910 në një stacion treni afër Moskës, ose Kolë Jakova, që u nda nga jeta në një azil pleqsh në Tiranë etj. A duhet t’i lerë shoqëria dhe shteti figura të tilla të ikin kështu dhimbshëm dhe në mungesë totale vlerësimi dhe përkujdesjeje?
- Mark Vuji, sipas mendimit tim, nuk është vlerësuar si duhet nga shteti. Me të vërtetë i janë dhënë disa dekorata; ka titullin "Mësues i Popullit", po disa tituj të lartë as që është interesuar kush t'ia japë. Një jetë të tërë mbeti me gradën shkencore Prof. Asoc. Dr., kur të tjerë kanë marrë tituj e grada shkencore pa i merituar. Kanë marrë vlerësime "Mjeshtër i Madh" ose dhe "Nderi i Kombit" pa i merituar ato aspak. Këto gjëra bëhen me nepotizëm, me interesa vetiake, me vlerësime sipas krahinës së të mëdhenjve. Këto qëndrime nuk i bëjnë mirë kombit.
Comments