E BUKURA POEZI, TUNGJATJETA POEZI!
Duke lexuar Mario Bellizzin poetin që paralajmëroi poetin Ali Podrimja tek poezia “Dita e Ballkanit”
Dr Fatmir Terziu
Kur mer e shkruan për poezinë e Mario Bellizzit, poetit arbëresh, para së gjithash të ndriçohet fakti se poezia e tij është ndjekësja më e mirë e poezisë arbëreshe të krijuar në vite, që nga koha kur një nga tre poetët më të mëdhenj shqiptarë, Jeronim De Rada, la fuqishëm filozofinë e tij poetike në vepra me vlera të mëdha letrare. Poezia e Bellizzit në fakt është krejtësisht e ndryshme. Ajo mund të thuhet me plot gojën se është frymëzuar nga një vijë jetike dhe metafizike të stimuluar nga sfidat e qartësisë dhe nga një koncept i lidhur me traditën e poezisë më të arirë, si një aspekt reflektues lirik, ku arsyet dhe faktet ngasin realitete shqiptare, të cilat shpesh kryqëzohen me majëforma tipike të traditës së bukur arbëreshe. Mario ka krijuar dhe format e tij tejet të ndjeshme poetike që së bashku na kujtojnë të gjitha poezitë e tij brilante, duke përfunduar në një pikë të vetme, atë që flet me fuqinë filozofike të fjalës së bukur arbëreshe. Libri i tij i fundit, është një joshës poetik jashtë skeleteve të rëndomtë, vjen si një postulat i qartë mesazhkrijues, tejet i lexueshëm dhe i mirëpritur. Le të kujtojmë poezinë e tij “Kosova”, dhe le të udhëtojmë në kohë, vend dhe hapësirë për të shijuar lexueshmërinë e poezisë dhe mesazhit të tij. Kosova nis me linjën e saj tipike “Tungjatjeta, moré!”, që na udhëheq menjëherë në hapësirën brilante që na bën të tingëllojë ndjeshëm me fuqinë e ndërlidhjes mesazhiere të udhëtimit në vite. Të atyre viteve kur mbi vargje lotësh ngrihej e bukura moré. Të atyre viteve që simbolizohen tek ky varg i fuqishëm, tek kjo poezi brilante që flet me një zë të pastër e tepër domethënës. Është një zë poetik që vjen aq fuqishëm, sa në pikasjen e përzgjedhjen e studiuesit të shquar, Robert Elsie, ka natyrshëm atë vend të merituar. Poezia e Mario Bellizzit ka hyrë në arkitekturën e poezisë shqiptare, jo thjesht si një dëshmi e nevojshme arbëreshe, por si një petale e bukur e rënë nga gonxhja erëmirë e poezisë më të lëvruar e më të vlerësuar. Kjo poezi ngjan me një femër bukuroshe arbërore që mban ngjizur të gjitha dhuntitë e bukurisë dhe të freskisë për të depërtuar krenare në këtë arkitekturë të artit poetik shqiptar. Poezia e Mario Bellizzit vjen në leximin tonë vitale dhe po aq krenare, për të dëshmuar atë lidhje orfike të vargut, atë pasuri të trashëguar me forcën e fjalës poetike tek ne:
“Tungjatjeta, moré!
Ty që ke vuajtur një
dhimbje që kurrë kishe
pësuar. Perëndi u bëre,
nga njeri që ishe.
Qengj re në qumsht.”
Dhe vetë autori dikton të na sqarojë: “Vargje orfike mbi një fletëz ari (E gjetur në Thurii-Sybari, vend arkeologjik, Kalabri. i përket sh. VII p.k.s.). Poeti e mpiks këtë zbulim arkeologjik mes vargjeve të tij dhe e mposht zbrazëtinë e krijuar me bukurinë e pashoqe poetike, me freskinë, elementin prekës, faktin tronditës, orët e mërzitshme të natës, orët policore, që në vargun e tij ndjehen ndryshe, kuptohen fuqishëm. Këto vargje vijnë diku në një hapësirë të ndrydhur, ku fati jetik i poetit parashtron lidhjet filozofike për të riprodhuar fatin njerëzor. Tek poezia “Orë policore”, poeti shikon “flamujt që valojnë në erë”, dhe nënshkruan me simbolikën e tij atë që vjen “nga shtëpitë e shembura nga predhat” dhe e përcjell me elementë të ndjeshëm figurativ aspektin e pavdekshëm të shqiptarit që mban gjallë kulturën, traditën, doket dhe zakonet e tij edhe nën gryka armësh duke lëshuar fuqishëm vargun poetik që të depërton fuqishëm dhe më shumë se një mesazh: “dëgjohen lahuta, daullja e surle!” Nëpërmjet kësaj poezie koncepti i dhënë nga poeti ridimensionohet fuqishëm:
“Këtu në Prizren ka orë policore.
Pas orës një të natës
Engjujt s’mund të dalin nëpër kalldrëmet
as të enden gjer tek Lumbardhi
të kalojnë urën e Gurit
dhe dashnorët s’kanë si të merren për dore
të shikojnë xhamitë dhe hënën,
flamujt që valojnë në erë
por nga shtëpitë e shembura nga predhat
dëgjohen lahuta, daullja e surle!
Do të jetë kjo muzikë hipnotike
që i gozhdon njerëzit këtu
midis Tankeve e Telave me gjemba
të mbytur në magnetizmin e Pentagramit
që është lindja.”
Poeti në mënyrë të ndjeshme ka ditur të gjejë në poezinë e tij edhe detaje të tjera dhe mënyra të qarta për të vizatuar dy faza të një kohë-konfuze: ferrin dhe parajsën. Këtë ai e bën me poezinë kushtuar mikut të tij, Isak Shema. Në këtë poezi që në titull kjo mënyrë përcakton: “Laboratori i ferrit dhe i parajsës”:
“Një rreth telash gjemborë
brenda trëndafilë të kuq
një urë
përmbi, dy tanke
më tutje, në fund, ende drejt pambarimit Xhamia
Që të gjitha në Prizren”
Është ky laborator feri dhe parajse, që vjen mes telash gjemborë, trëndafilash të kuq, mes një ure, përmbi tanke dhe një xhamie që e gjitha mbaron në një qytet historik shqiptar, Prizrenin e ndodhur nën tutelë armësh, tankesh e ferri. Kështu në këtë linjë është edhe poezia e tij “Fëmijët e Pejës”:
“Fëmijët e Pejës
dalën nga të gjitha anët
nëpër rrugica me filigranë
këndeve të praruara
nëpër pazaret
prapa ëmbëlsirave
prapa specave të gjelbër dhe domateve
një shkrepëtimë ngjyrash!
Gjithçka këtu është Ngjyrë!
Materia është Ngjyrë.”
Poezia në vazhdim ekëtij poeti, sidomos poezia e këtij cikli që i kushtohet Kosovës, mund të thuhet me plot kuptimin e fjalës është një poezi preambulë. E ndërtuar ndryshe, e gatuar me një kronologji ditareske, ku aspekti përshkallëzues figurativ kapërcen emocionalen dhe të depërton thellë e thellë në labirinthe të fjetura e tejet dëshmuese për historinë dhe pasurinë kulturoreshqiptare. Poezia në vazhdim vlen një vëmendje të veçantë, kërkon një studim më të detajuar. Dhe këtë ajo e meriton se ka gjuhë dhe shkollë reale poetike, ka vlera të padiskutueshme, por edhe krijon hapësira për të rikapur vlera të tjera studimore: “
“...Pa ndalur vargu i fëmijëve,
në rresht për dy, me nëna dhe gjyshër,
klithin për kafetë e mbyllura
ditëve do të ketë pranverë dhe akullore...”
....Asnjë balonë e asnjë akullore
helikopterët nga sheshi largojën
flutura, dallëndyshe, gra dhe pleq,
fëmijë të ngatërruar me përralla të merzitshme
...Vetëm ujë ... aspak raki
Herodoti shkruan se
'Barbarët vënë drejtpërdrejt në ujësjellës
fluor kundër kariesit e vaksinë kundër flamës'.
...në orën 9.20 të armatosur me autoblinda
në orën 10.15 një helikopter i tyre fluturon mbi Prishtinë
në orën 10.18 radhët e grave, të fëmijëve,
të burrave parakalojnë në qendër
në orën 10.25 gjendja merr tatpjetën
në orën 10.30 ndërhyjnë barbarët me artileri të rëndë
në orën 10.38 i mbyllin rrugët që derdhen në qendër
në orën 10.40 hedhin pa mëshirë edhe gasin lotsjellës
në orën 10.55 manifestuesit u shpërndanë, kuadrigat-xhipa
shkallmuan masën e çarmatosur
në orën 11.10 protesta qe mbyllur. Barbarët largohen.
Kronistët thonë se
së paku 100 të vdekur
me dhjetra të arrestuar e të rrahur
fluturat dhe dallëndyshet nuk ishin më në qiell
Senatorët, sipas burimeve historike,
duke ditur se barbarët do t’ishin kthyer
përsëri para kohës së paraparë
për nderim të barasnatës së pranverës
pa dyshim patën një ide
Poezitë e tjera si “Me fytyrë kthyer kah Meka” ku autori krijon një lidhje mes realitetit, apo “Dita e Ballkanit” kushtuar mikut poet Ali Podrimja janë një arsye më shumë që të bëjnë të shfletosh sa më shumë faqe të krijimtarisë së tij. Tek e para ai shkruan:
“Qindra të vrarë:
14 gra, 12 fëmijë, nga tre deri në dhjetë vjeç,
7 pleq mbi të shtatëdhjetat
dhe tre trupa të djegur në katundin e Prekazit.
Vllazëria Jashari mund të thuhet se u shua.
Ata kërkuan Ademin
nuk e gjetën ...
vranë Zarifen, Kushtrimin, Aliun, Faikun,
Beqirin, Sherifin, Hajzerin, Halitin
Halilin, Qazimin, Blerimin,
Bujarin, Abdullahun, Elhamen...”
Tek poezia “Dita e Ballkanit” ai gjen vargjet më të goditura për të përshkruar simbolikën e ndjenjës për poetin Ali Podrimja:
“... Imzot
ende s’qe i kënaqur me krijesën e tij!
Deshi të lagte atë petk
në muzikën e lahutës e të çiftelisë.
Pastaj i lodhur nga ai mundim krijues
vajti të pushojë pak.
I Tmerrshmi përfitoi nga çasti
shqeu në njëmijë copa atë veshje përrallore.
Ushtritë e engjujve fluturuan
t’i japin Perëndisë kumtin e zi!
Madhëri, Madhëri
Vështro ...!
Qajnë Kerubinët të helmuar.
Nga ai çast Hyjnia, në kohë të kohëve,
urdhëroi të qepin me tela gjemborë.
ata copa të shqyera
(janë kufijtë në gjeografi).
Edhe Ai vetë nuk dinte ç’duhej bërë ende.
T’i stiste sërish po sikur ishin nga fillimi?
U dëgjuan një mijë të folme
një mijë tinguj dionisiakë … lodrash, daullesh ...
e një mijë valle e njerëz që i luteshin Zotit
... lutje midis grumbujve të shtëpive të djegura
lopët që kullosnin anës rrugëve me varreza
me kryqa të vdekurish.
Sytë e En Theos-it panë atë errësirë!
Vetëm në Prekaz shkëlqente drita e atyre diamantëve
dhe në Rrotën e Kohës jeta hidhte valle me Vdekjen.
Në honet e syve të kopileve çdonjeri ish i rrëmbyer.
Imzot atëherë foli me zë jehonash e pëshpëritje flladi.
Ç’u bë u bë e Mira dhe e Liga rrinë bashkë.
Secila në Babiloninë dhe Kaosin bënte vullnetin e vet.”
Poezi të tilla si “Shadërvan”; “Fejesa”; “Ura e Gurit”; “Paqe në Ballkan”; “Gjakova”; “Serbë - Coca Cola & Kosovarë”; “Trance”; “Fushë Kosovë”; “Fyelli e dasma” kushtuar studiuesit Robert Elsie; “Babilonia, provincë e Prishtinës”, kushtuar mikut Rexhep Ismajli, “Udhëkryqë”; “Gjeografi e tërmet”; “Mohimi i lëvizjes”; “Guri e lëvizja”; “Lutje me porosi”; “Rapsodia n°28, ushtrim stili: mësues J. De Rada, viti 2001” etj të çojnë papritur tek ajo që shkrimtari shqiptar, Faruk Myrtaj shkruan për poezinë e Mario Bellizzit: “Të krijosh vetveten duke qenë i mbyllur, ky është një paradoks krenarie që reflektohet në poezinë e tij. Në të gjitha përpjekjet ai ndërton veten në kuptimin arkaik dhe modern, duke e sfiduar kështu globalizmin që shfaqet si fantazmë e frikshme. Kjo dëshmohet edhe me anë të gjuhës së tij specifike, e cila vjen nga lashtësia si përplasje me modernen, si kundërvënie kohësh dhe epokash, por edhe si identitet i pastër. Ky është synimi i këtij poeti i cili para lexuesit shfaqet me një detyrë të rëndë, për të vërtetuar se është pjesë e paprekshme e universit njerëzor, për t'ia dhënë vetëm një kuptim ekzistencës së tij personale dhe kolektive - se vetëm duke u dalluar mund të bashkohet, vetëm duke qenë i vetmuar mund të integrohet, vetëm me veçoritë e tij autentike mund ta pasurojë tërësinë, përndryshe e varfëron atë. Poezia e tij është thirrje jashtëzakonisht e arsyeshme, krenari e vërtetë personale.”
Mario Bellizzi (lindi 1957), një poet arbëresh shqipfolës i Italisë së Jugut, lindi në San Basile në provincën e Cosenza. Vargu i tij është shfaqur në revista të ndryshme arbëreshe në jug të Italisë, si dhe në Kosovë dhe Shqipëri. Bellizzi aktualisht jeton në Trebisacce, në Gjirin e Tarantos. Ndër koleksionet e vargjeve të tij janë: Kush jemi ne tani?, Pejë 1997; dhe Dalja e fundit tek Bukura Morea, Castrovillari 2003.
Comentários