top of page

Marie-Luce Dayer dhe «Shqiponja mbretërore»


Alfred Papuçiu

Alfred Papuçiu: Marie-Luce Dayer dhe «Shqiponja mbretërore»

Kalojnë vitet dhe nuk mund të harroj, me tepër mirënjohje, se si profesori i nderuar zviceran, Jean-Philippe Assal, në fillimet e mija të ardhjes në Gjenevë, për herë të dytë, më erdhi dhe më dha çelësat e vilës së tij, për të qëndruar një kohë në të, pasi ai do të shkonte me pushime gjatë një kohe. Ai donte, në njëfarë mënyre, të shprehte në çdo rast që paraqitej, mirënjohjen e tij për ndihmesën modeste që unë i kisha dhënë për një projekt që ai kishte vënë në jetë me Shqipërinë. Në sajë të tij në Gjenevë erdhën mjekë dhe infermierë për tu formuar, ndër të tjerë dhe Prof. Dr. Isuf Kalo, Prof. Florian Toti dhe shumë të tjerë. Gjithashtu, prej ngulmimit të tij, në klinikën e Spitalit të tanishëm “Nënë Tereza” e sidomos në atë të diabetologjisë u çuan pajisje me vlerë. Unë kam patur fatin të përkthej botime të tij në shqip, si “Edukimi terapeutik i pacientëve me sëmundje kronike”, apo botimin “Mbi diabetin” së bashku me Prof. Alain Golay.

Në bibliotekën shumë të pasur të këtij njeriu fisnik , i etur pas profesionit të tij human, por edhe pas artit dhe librave, gjeta një nga vëllimet e shkrimtares zvicerane Marie-Luce Dayer, e cila për vite me radhë u ka dhënë mësim edhe nxënësve shqiptarë. Nuk e di, por ashtu krejt rastësisht u magjepsa me tregimin e parë që lexova. Pa e ndjerë, duke qëndruar vetëm në sallonin e shtëpisë së profesorit, ku isha ftuar prej tij të kaloja ato muaj të viteve 90-të, me familjen dhe duke dëgjuar një këngë të Julio Iglezias, kalova në tregimet e tjera. Thjesht, qartë, Marie-Luce përshkruante botën e brëndëshme të një personazhi, por në të njëjtën kohë paraqiste aq bukur edhe filozofinë e jetës, shqetësimet e njerëzve të thjeshtë, zemërgjerësinë, bukurinë, pasionin për një jetë më të mirë, dëshirën për të ndihmuar njerëzit e varfër, dhe mbi të gjitha për të ngjallur respektin për njerëzit e mirë, për Zotin, për gjithçka hyjnore dhe të pastër. Nuk e di në sa kohë e mbarova librin, por më kujtohet se ndjeva të njëjtën dëshirë si në vitet e para të 1965, kur fillova të lexoj frëngjisht e nga kënaqësia atëhere qëndroja deri në orët e vona të natës kur e nxirrja kuptimin e tregimit apo skicës. Pata fat, që një i njohuri im, Piro Misha, e kishte patur të jatin ambasador në Francë për një kohë dhe unë i lutesha të më jepte nga librat që ai i kishte në kartona akoma të pahapur. Kishte një bibliotekë të pasur dhe të rrallë. Atëhere nuk kishte rrugë tjetër për të lexuar diçka të mirë, tërheqëse, "të ndaluar", përveç autorëve të pranuar zyrtarisht dhe që në bibliotekë shpesh ishin libra "të rezervuara", pra jo për lexuesin e thjeshtë… Ashtu, nisur nga dëshira e mirë për t'i servirur diçka të bukur lexuesit shqiptar botova në gazetën "Drita" tregimin e autores me titull "Shqiponja mbretërore". Më kishte pëlqyer ai tregim pikërisht për idenë e lirisë së shqiponjës. Gjithshtu, pak më vonë u botuan po në gazetën “ Drita ” dy tregime të saj, të përkthyera nga unë, bashkë me disa fjalë për shkrimtaren.

Pa e zgjatur, një ditë u takova me tregimtaren e cila u gëzua kur mori vesh se një gazetë e shkrimtarëve shqiptarë kishte botuar një tregim të saj. Biseda kaloi lirshëm, ajo njihte diçka për Shqipërinë dhe shprehu dëshirën që të përktheja disa nga tregimet në gjuhën shqipe. Unë e pranova me kënaqësi këtë kërkesë, sidomos duke patur parasysh se ajo si tregimtare zvicerane do të pritej mirë nga lexuesi shqiptar. Nga vëllimet e saj zgjodhëm ndër të tjera tregime të mbledhura nga jeta e përditëshme e njerëzve të thjeshtë. Titulli i përmbledhjes "Karuzeli i ëndrrave" ishte dëshirë e vetë autores, për ta paraqitur para lexuesit shqiptar, të cilin ajo e njihte nëpërmjet leximeve të librave të Ismail Kadaresë, tregimeve të atyre që e kanë parë Shqipërinë dhe që janë vetë shqiptarë.

Pasi u botua vëllimi në shqip dhe u paraqit edhe në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Palexpo të Gjenevës, Marie-Luce Dayer më ftoi në një mbrëmje që do organizohej për botimet e saj. Kisha përshtypjen se auditori do të ishte tepër i ri, duke patur parasysh se tregimet e saj priren tek fëmijët. U çudita kur në atë mjedis jashtë Gjenevës ishin mbledhur rreth 150 veta, të moshave të ndryshme për të dëgjuar tregimtaren. Aty ishte paraqitur edhe një ekspozitë me piktura që pasqyronin tregimet e Dayerit. Mësova se tregimtarja e cila qysh në moshë të re e ka pasur pasion teatrin, poezine, tregimet dhe legjendat bëri për vete dhe auditorin e moshuar. Me atë pasionin e saj si tregimtare, me instrumentin e saj (piano e veçantë) ajo nisi të tregojë e të tregojë…Në atë çast m'u kujtua se gjithçka ajo e kishte krijuar me një punë të vazhdueshme: si aktore në "French Theatre in America" (Teatri francez në Amerikë) ku ajo ndoqi një shkollë të tregimtarëve dhe pati fatin të ketë midis profesorëve, tregimtarin e shquar zezak "Brother Blue" të Bostonit. Gjithashtu me rolin e saj si tregimtare në radio, televizion, në koncerte të ndryshme, krahas punës së saj si mësuese e gjuhës dhe letërsisë angleze…

Atë natë, qëndruam vonë midis miqsh, aty diku në rrethinat e Gjenevës dhe ajo më dha një kënaqësi të veçantë. Krahas botimeve të saj në gjuhën frënge paraqiti edhe "Karuzelin e ëndrrave" në shqip, si një dhuratë të bukur, si një mesazh miqësie. Tregimet e saj përshkruhen nga humanizmi i thellë, flasin për jetën e njeriut drejt të mirës, së bukurës, thjeshtësisë, dashurisë për njeri tjetrin. Unë ruaj si një dhuratë të çmuar përmbledhjen e Marie-Luce Dayer ku ajo më shkroi fjalët që më kujtohen gjithmonë : “ Kur thonë “ na ishte njëherë ” nis një udhëtim të gjatë që të shpie në vende të thella të mëdha…dhe që nuk gjenden në asnjë hartë gjeografie ”. Pikërisht për këto fjalë me një domethënie të madhe unë i kam dhënë fjalën shkrimtares së shquar se do të vazhdoj të përkthej me kënaqësi në gjuhën time amtare librat e saj që sjellin një botë të afërt me ne, njerëzore, me mesazhe për të ardhmen.

Pjesërisht, marrë nga libri dy gjuhësh shqip - frëngjisht « Nxënësja e etur e gjuhës romanshë »


***

Më poshtë po japim tregimin e Marie-Luce Dayer me titull : « Shqiponja mbretërore » , “Pasqyra e thyer” dhe “Zinxhiri i Krishlindjeve” që përfshihen në librin dy gjuhësh shqip frëngjisht « Në krahët e shqiponjës » që do të botohet së shpejti

Shqiponja mbretërore

Në një vend malor dhe fushor, një njeri kishte marrë një shqiponjë qysh në moshë të re. Shqiponja jetonte midis shpendëve të tjerë të oborrit dhe asgjë nuk e dallonte nga to përveç shtatit të vet. Sytë e saj, të krijuar për të vëzhguar qiellin nuk ngriheshin kurrë dhe ajo e kalonte jetën duke çukitur farërat e fermerit. Naanjëherë ndodhte që ajo hapte krahët me një vrull të papritur, sikur menjëherë asaj i kujtohej se nga vinte, por shumë shpejt ajo i mbyllte ato dhe bëhej përsëri si një qënie midis të tjerave. Një ditë, një udhëtar që kaloi aty pranë e pa shpendin. Ai e vëzhgoi atë gjatë dhe e pyeti të zotin. « Si është e mundur që një shpend kaq fisnik, aq mrebtëror të mundë të jetojë në një oborr dhe të bindet ndaj gjithë këtij mediokriteti, servilizmi ? » Fermeri spjegoi se kështu kishte ndodhur, shqiponja megjithëse ishte mbretërore qysh në lindje, kishte humbur instiktet e veta dhe jetonte shumë mirë midis shpendëve të tjerë. Udhëtari nuk mund të pranonte një rënie të tillë dhe kërkoi leje që ta bënte të fluturonte shqiponjën. Kjo leje ju dha, pasi fermeri ishte i sigurt për shqiponjën e vet. Në të vërtetë, udhëtari e hodhi shqiponjën në ajër. Ajo fluturoi dobët dhe u kthye ëmbëlsisht të çukiste farën. I huaji rifilloi edhe njëherë, e ngriti shqiponjën mbi murin e kopshtit dhe e lëshoi. I njëjti rezultat… Atëhere njeriu u ngjit tek kambana e kishës, duke menduar se për shkak të lartësisë, shqiponja do të gjente instiktin e vet. Fatkeqësisht, asgjë nuk ndodhi. Ai u ngjit më lart deri në majën e malit dhe pasi gjeti një majë shumë të lartë e hodhi edhe njëherë zogun në zbrazdësirë. Ky mori vrull, fluturoi fisnikërisht por u kthye urtësisht në oborr. I huaji nuk u mërzit, megjithë talljet e fermerit dhe të njerëzve të fshatit që ndiqnin eskperimentet e tij me qesëndi. Për të ishte e padurueshme që një shqiponjë e krijuar për të qënë e lirë dhe për lartësi, t’i nënshtrohej një mediokriteti të tillë. Ai mendoi gjatë dhe i lindi një mendim. U kthye tek fermeri dhe e mori përsëri shqiponjën. U ngjit përsëri në mal dhe gjeti majën më të lartë. Por këtë herë ai e mori kokën e shqiponjës midis duarve dhe e detyroi të shohë diellin. Zogu u përpëlit disa çaste, lëvizi sytë dhe pastaj papritmas diçka ndodhi. Ndodhi diçka sikur të gjithë instiktet e tij u ringjallën. Sikur paprimtas e kishte kuptuar se ishte krijuar për diellind he lirinë. Shqiponja lëshoi një thirrje dhe filloi të dridhej. Atëhere njeriu e lëshoi dhe zogu mbretëror mori vrull. Me përplasjen e krahëve fuqishëm, u ngjit në qiell, më lart, gjithmonë më lart. Nuk erdhi më kurrë të çukiste farërat e fermerit…


Pasqyra e thyer

Ishte një qytet i vogël, i qetë, i bukur. I vendosur pranë kodrave, ai kishte një klimë të këndshme sepse dimrat vetëm kalonin, pa qëndruar gjatë. Pranverat fillonin në shkurt, për t'u lënë vendin verave që flladet e detit i freskonin. Ndërsa vjeshtat, zgjasnin pothuaj pa pushim, edhe pas Shën Martinit.

Rreth burimeve të ujit të ngrohtë që gufonin aty këtu, ishin ndërtuar stacione termale, si edhe hotele. Megjithatë, qyteti kishte mundur të ruante, megjithë turistët, karakterin e tij të qetë dhe tregtia mbahej nga familje, ku të rinjtë dhe pleqtë shkonin mirë me njëri tjetrin.

Një ditë, aty ndaloi një limuzinë e madhe. Dolën njerëzit e veshur me rroba ngjyrë hiri, u ranë kryq e tërthor rrugëve, kopshteve dhe parqeve dhe disa muaj më vonë filluan punët tek pishnajat. U ndërtuan pallate madhështore, me banjo private dhe kopshte.

Aty u vendosën edhe njerëzit e veshur me rroba ngjyrë hiri dhe qysh nga ajo kohë në qytet pati një trazirë, me ec e jake misterioze, limuzina sa vinin e më të shumta, shoferë dhe transportues. Këta njerëz nuk bëheshin me popullsinë lokale, por shërbimet që kërkonin ata qenë të paguara mirë sa që filluan t'a tërhiqnin atë drejt vetes. Në këtë mënyrë rinia e qytetit u dha pas punëve të turbullta, që ishin në kufi të ndershmërisë.

Duke mos ditur se si t'i cilësonin zotërinjtë e pallatit, ata u quajtën « baronë » dhe u përhap fjala se të hollat e tyre nuk ishin të pastra.

Filluan grindjet nëpër familje : prindërit duke i këshilluar fëmijët e tyre, bile edhe duke i ndaluar që të bënin tregti me baronët. Por lakmia për fitime qe e madhe…të rinjtë e lanë veten të mashtrohen dhe u lëkund qetësia e qytetit të vogël…

U futën në një ngërthesë që kishte kuptimin e skllavërisë ; atë të parasë që të helmon.

Zotërinjtë e pallatit dukeshin vetëm rrallë. Ata mbrinin me limuzina, pastaj largoheshin në një drejtim të njohur vetëm prej tyre. Ata dukeshin sikur jetonin vetëm natën. Ditën, gjithçka ishte e qetë. Zotërinjtë flinin ose prisnin vizitorë misteriozë që iknin po aq në heshtje , ashtu si edhe kishin ardhur.

Sipas disa fjalëve, në pallat ishin organizuar gosti madhështore, të ndjekura nga orgji që mezi guxonin t'i përshkruanin.

Të moshuarit e qytetit të vogël ishin të pikëlluar, prindërit qanin, sepse fëmijët e tyre kishin ndryshuar…Pothuajse të gjithë ishin në shërbim të baronëve.

Një darkë, në një nga këto pallate, një i ftuar vuri re praninë e dikujt që ai nuk e njihte.U habit sepse atje mund të hyhej vetëm duke pasur një kartë anëtarësie. Ndërkaq, ky njeri, i mbështetur tek një faqe muri, nuk ishte anëtar i shoqatës. Ai e vëzhgoi. I panjohuri e hodhi vështrimin në drejtim të tij dhe shikimi i tij e shpoi tej përtej si një shkreptimë. Ndjeu që e pushtoi një shqetësim i thellë dhe duke ecur si i dehur, u ngrit dhe u largua nga salla.

Të nesërmen në darkë, ai vuri re se i panjohuri që qëndronte në të njëjtin vend, po e vështronte. Përsëri atij ju duk se një shkrepëtimë i përshkoi sytë dhe nuk e ndjeu veten mirë. Përsëri, duke ju marrë këmbët, u largua nga salla.

I njëjti fenomen ndodhi edhe darkën tjetër. I foli mikut të vet, i cili pati të njëjtën goditje nga shikimi i të huajit. Sëbashku, ata ju afruan atij, e pyetën për identitetin e tij. I panjohuri nuk u përgjigj, ai u largua. Roja i pyetur pohoi se ai e kryente mirë punën e tij dhe se çdo hyrje ishte e kontrolluar.

Por darkën tjetër, i panjohuri ishte aty…dhe vëzhgonte qetësisht. I kërkuan kartën e anëtarësisë. Ai nuk e kishte atë…

E përzunë.

Herët në mëngjez, kur të dy burrat dolën nga pallati, e panë, të mbështetur në murin e kopshtit. E kërcënuan me gurë. Por ai, pa hequr dorë nga qetësia e vet, u tërhoq, duke vazhduar t'i shohë pastaj u zhduk në pishnajë. Atëhere, të dy burrat i kapi paniku.

Kontrollet u dyfishuan…Nuk e panë më.

Pas disa kohësh, një mbrëmje nga mesnata, në një kohë që alkoli dhe droga kishin errësuar mendjet e njerëzve, papritur u dëgjua një zhurmë e madhe. Të gjithë të ftuarit u ndalën, dikush që kishte folur, që kishte pirë, përqafuar, përkëdhelur dhe qeshur. Të gjitha shikimet u drejtuan nga pasqyra e madhe. Ajo sapo ishte copëtuar. Toka u mbush me mijra copa kristali.

U vendos një qetësi e frikshme, pastaj një burrë u ul, mori një copë në dorën e tij dhe pa veten. Ajo që pa e bëri të tmerrohej. E shtrëngoi dorën tek copa e kristaltë. U spërkat me gjak. Njeriu u ngrit dhe, duke mbajtur copën e pasqyrës, u largua nga salla, duke ju marrë këmbët si një i dehur. Një burrë tjetër u përkul, mori një copë, pa veten e tij dhe u tmerrua. Si i mëparshmi, ai shtrëngoi dorën dhe u spërkat me gjak. Si i mëparshmi, doli nga salla, duke lënë pas tij traga të kuqe.

Të gjithë të ftuarit vepruan njëlloj.

Kur njeriu i fundit iku nga salla, toka ishte si një pellg gjaku.

Të nesërmen, pallati u mbyll dhe aty u vendos një tabelë njoftimi mbi derë: „ E mbyllur për shkak të dramës“.

Njëri pas tjetrit, baronët u larguan nga pallatet e tyre dhe u zhdukën.

Pak nga pak, qyteti i vogël, i spastruar nga ata miq të padëshiruar, gjeti përsëri qetësinë e vet. Por rinisë që kishte shijuar parajsën artificiale,ju desh shumë kohë që të mbyllte plagët dhe të shëndoshej.

Pallatet mbetën të mbyllur përgjithmonë.

Sot, ato janë si gërmadha dhe kopshtet e tyre janë kthyer në të egër, nuk vizitohen, veçse nga zogjtë shtegtarë që i kanë kthyer si një ndërresë në rrugën e udhëtimit të tyre të gjatë.

Zinxhiri i Krishlindjeve

Si çdo vit, qysh kur lufta bënte kërdinë, kryetarët e vendeve ndërluftues nënshkruan pezullimin tradicional të betejave gjatë festës së Krishlindjeve.

Në vendin ku takoheshin tre kufijtë, shtrihej një truall i pamatur që kishte shërbyer për beteja të shumta. Atë pasdite, duke u kthyer nga shkolla, fëmija që ishte vonuar, vendosi ta kalojë atë, për të fituar kohë, pasi ngrysej shpejt. Kur mbriti në mes të truallit të ngrirë, ai pa vijat e një trupi të bardhë të shtrirë në tokë. I bëri vetes mijra pyetje se çfarë mund të ishin ato vija të trupit të bardhë dhe ato mijra përgjigje e mbajtën shumë larg realitetit.

Kur u afrua shumë pranë, pranoi atë që dukej sheshit…Ishte një kafshë përrallore, e bardhë, me një bri të praruar.

“Unë ëndërroj, tha ai me zë të lartë…Kafshët përrallore nuk jetojnë më! Ato u përkasin botës së legjendave dhe përrallave, jo realitetit!”

Dhe megjithatë…sado e pabesueshme që mund të ishte, ai ndodhej përballë një kafshe përrallore që ju duk e sëmurë dhe shumë e trishtuar. Ju afrua ngadalë dhe e preku. Ajo ishte e ngrohtë…pra e gjallë. Sytë i dukeshin se i kishte gjithë lotë. Ai pyeti:

“Nga ke ardhur? Cfarë bën ti këtu?”

Asnjë përgjigje.

Ai tha përsëri: “Më dukesh fatkeqe…A mund të të ndihmoj?”

Pa se lotët e saj po derdheshin në tokë.

E përqafoi kafshën përrallore. „Po bie nata, është një vend i rrezikshëm…Do të vij përsëri nesër… »

Në ëndërr ju shfaqën plot kafshë përrallore, por ato ishin të gëzuara, ato lodronin, qeshnin…Ajo e truallit të pamatur qante.

Të nesërmen në mëngjez, kur u kthye nga shkolla, e gjeti përsëri. Ajo nuk kishte lëvizur. Ju duk se ishte më tepër e sëmurë, akoma më shumë e trishtuar. E përkëdheli dhe filloi të qajë. Në atë kohë gjeti një pergamenë midis dy putrave të saj. Në një gjuhë që ai e kuptonte, lexoi këto fjalë :

« PËR TË SHPËTUAR KAFSHËN E FUNDIT PËRRALLORE NË BOTË, KRIJONI… »

Aty, shkronjat zhdukeshin sikur të ishin fshirë.

« Si mund të shpëtoj, thirri fëmija, fjalët e fundit janë fshirë ! »

Në atë kohë, ai pa të mbrinin në shteg të dy zonjushat e verbëra, Maien dhe Madëlenën. Ato ishin motra dhe muzikante. Djali i njihte ato mirë…Për to flitej se shihnin dhe kuptonin gjithçka.

Ai vrapoi drejt tyre.

« Marie, Madëlenë, thirri ai (kur u flisnin atyre veprohej sikur ato të ishin një njeri i vetëm) hajdeni të më ndihmoni. Në bazë të thirrjes së tij, ato njohën Theofilin dhe ecën përpara, duke u mbajtur për krahu, duke drejtuar njëra tjetrën.

« Cfarë po ndodh ? » Zëri i tyre ishte krejt i melodishëm…

Djali shpjegoi pas dy lemzave se çfarë i kishte ndodhur dhe menjëherë ato u bindën. E përkëdhelën kafshën, ishin të vendosura që ajo ishte kafshë përrallore, më e bukura në botë, pa dyshim e fundit dhe patjetër që ajo duhej shpëtuar.

« Ma jep mua pergamenin », tha njëra prej tyre. Ajo i vendosi gishtat e saj mbi shkronjat që ishin fshirë dhe fëmija i dalloi ato.

« NJË ZINXHIR NJERËZISH, CDO HALLKË DO TË JETË NJË NJERI ME DËSHIRË TË MIRË QË DO TË VIJË NGA TRE SHTETET QË JANË NË LUFTË »

« Kjo ishte e thjeshtë, tha Maria ose Madëlena- pasi me to, asnjëherë nuk dihej se cila fliste, sepse ato ishin krejt të njëjta- duhen gjendur tridhjetë vetë dhe duhet krijuar një zinxhir ».

« Po kjo është e pamundur, rënkoi djali, nuk do ta krijojmë kurrë ».

« Kur një njeri kryen një gjë të mirë, bota ngrihet…kur e bëjnë tridhjetë, bota lëkundet », përshpëriti Maria apo Madëlena.

Atje sipër, Zoti Zhyst, nga prona e Mullinjve mbriti hypur mbi një karro. Fëmija vrapoi drejt tij, i shpjegoi shpejt dhe turbull se ç'kishte ndodhur. Zoti Zhyst mendoi se Theofili kishte ethe.

Megjithatë, ai e ndoqi dhe gjeti të dy të verbërat dhe kafshën përrallore…pikërisht siç e kishte përshkruar fëmija.

Në vend të shtangies, tek ai mbizotëroi arsyeja. Ai ishte zot i Mullinjve, kishte shumë pasuri dhe famën e një njeriu të ndershëm dhe të zgjuar. Ai nuk kishte frikë nga asgjë dhe asnjeri.

Të tre vendosën se çfarë plani do të ndiqnin.

Qysh të nesërmen në mëngjes, do të fillonin kryqëzatën. Vogëlushi do të qëndronte në vend, muzikantët do të kalonin një kufi dhe fshatari një tjetër.

Në fillim, Theofili takoi një të plagosur lufte të gjymtuar dhe shumë të trishtuar, i cili u bashkua menjëherë me të, pastaj ai rekrutoi mësuesen e vet me zemër të artë, pastaj gjyshen e tij, pastaj bukëpjekësin, mullisin dhe katër fëmijë të klasës së tij.

Maria dhe Madëlena e kaluan kufirin, të armatosura vetëm me bastunet e tyre të bardhë. Ato nuk patën asnjë pengesë për të bindur poetë, muzikantë dhe komedianë shëtitës.

Edhe Zoti Zhyst e kaloi kufirin me kalin dhe karron e tij.

Ai shkoi të takohet me fshatarë të tjerë. Solli me vete dhjetë prej tyre.

Kështu që llogaria u bë…

Pra u krijua një zinxhir, duke u mbajtur dora-dorës dhe duke bërë një rreth rrotull kafshës përrallore që dukej sikur po vdiste. Qëndrimi i saj nuk kishte ndryshuar. Mund të thuhet se dukej si një statujë.

Muzikantët filluan t'i bien violinës dhe këngët e Krishlindjes u dëgjuan në truallin e pamatur, të kënduara në tre gjuhë të nmdryshme…

Pastaj, Theofili nisi “Gloria in excelsis deo”.

Kësaj radhe të gjithë kënduan në të njëjtën gjuhë. Ishte e madhërishme! Cdonjëri mendoi se kufijtë ishin zhdukur, se të gjithë ishin vëllezër…

Pastaj kërcyen.

Pataj u ndez një zjarr, pasi ishte errur.

Në këtë zjarr, një nga fshatarët vendosi patatet, një tjetër preu djath, një tjetër sallam, një tjetër dha verë të prodhuar nga vreshti i tij, një tjetër musht mollësh, një tjetër dhe mollë të mira të kuqe.

Pra, hëngrën, qeshën, edhe kënduan dhe u argëtuan.

Ishin çaste të jashtëzakonshme.

Atëhere, kafsha përrallore lëshoi një hingëllimë dhe u ngrit.

Mbretëroi një heshtje e plotë.

Nën dritën e zbarët të flakëve, ajo qëndroi drejt, e bardhë dhe “bukuri e mishëruar” e praruar.

Ajo pa çdonjërin dhe çdonjërën, sytë e saj të përlotur panë më tepër Theofilin, të dy të verbërat dhe zotin Zhyst, pastaj ajo filloi të ecë. Hapat e saj të mëdha dhe të lehtë dukeshin sikur ngriheshin në qiell…

Ajo doli nga rrethi dhe u zhduk në errësirën e natës.

Për një kohë të gjatë qëndruan të heshtur, me sytë e kthyer nga vijat e trupit të bardhë që kishte përshkruar errësirën…

Të nesërmen, fshatarët mbollën një pemë në vendin ku kafsha përrallore kishte qëndruar shtrirë. Një pemë që ata e stolisën me drita dhe që e quajtën “Pema e paqes”.

Cdo hallkë e zinxhirit u kthye në vendin e vet dhe vazhdoi kryqëzatën. Dhe zinxhiri u zgjat.

Ushtarët lanë armët dhe nuk pranuan të luftojnë. Kështu, kryetarët e vendeve ndërluftuese u detyruan të vazhdojnë pezullimin tradicional të betejave gjatë festës së Krishlindjeve.

Deri më sot ky pezullim nuk është prishur!

Përkthyer nga #Alfred #Papuçiu

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page