top of page

Mallkimi i Shenjtëqytezës


Fatmir Terziu


Mallkimi i Shenjtëqytezës


Tregim nga Fatmir Terziu


Kam ditur për mesazhin e Kreonit edhe para se mesazhieri të vinte në ogragjën time. Lernida vrapoi te dera me mesazhin, dhe na tha se një korier kishte ardhur në ndenjëgjindjen e Mirës duke kërkuar Burrin, specialistin e Shtëpisë së Lindjeve dhe ishte parë pastaj të kapërcente nga letra e bardhë me shirit e vulë një miush i shkundabrinjur, duke shkuar drejt derës së Krozakës që ngjasonte si një konape e lartësuar në qelq të ftohtë.

Unë u gëzova nga ardhja e një letre tjetër nga djali im. Kishte kaluar më shumë se një vit që nga letra e fundit, dhe e imagjinoja veten atë moment, duke i treguar Krozakës të shkruarën e djalit tim në tabletën e gurit gëlqeror kur arriti në ogragjë atë mbrëmje me ikje dhe dhimbje.

Pastaj qëndrova në hyrje të derës, në ankth për të zbuluar përmbajtjen e kësaj shkrese, ndërsa goditja në anën e poshtme të qelqit bëhej herë e mugët e herë konvekse në përcëllim ftohtësie. Por, kur mesazhieri, që e solli atë, gati pikëtakoi qoshen e rrugicës, i rrethuar nga një grup me pleq të mbetur në botën e dominove, kuptova se ai ishte i dërguari që solli lajmin dhe e nguli në këtë qelq tërë ndjesinë time.

Rivura në punë dhe në kërkim miushin tim të vogël dhe unë, po edhe ai, pamë njëri-tjetrin. Pashë një njeri që nuk e njihja, imazhin e Imenës, përveç syve të saj, të cilët ishin të ngjashëm me të ëmën e tij. Unë nuk pashë asgjë nga vetja ime tek princi i Shenjtëqytezës, që qëndronte para meje, i veshur me një mbulesë liri të hollë, me një shkëlqim ngallsytshëms prej ari në gjoks dhe çuça të reja lëkurë kunalleje në këmbët e tij të mbërthyera me dhjetëra mbërthecka që shkëlqenin.

Unë nuk e dija, se çfarë ai vetë pa teksa më shikonte. Unë mendova se kam vërejtur një përçmim në sytë e tij, por ndoshta kjo ishte vetëm hamendësia ime. Pyesja veten nëse ai mund të dëshironte të shihte të isha më i paqtë tani dhe të mbaja më pak pikëllim në shpinë. Çfarëdo që ai pa, apo mendonte, ne ishim të huaj.

“Fali sjelljet e mia”, thashë më në fund. “Ejani në ndenjëgjindjen e Krozakës dhe më lejoni t’ju jap një gotë dhallë dhe fruta tejbotësie. E di që udhëtimi nga Kalamai është mjaft i pluhurosur.”

Edhe miushi u rikoperua dhe tha: “Më fal Atë. Kam kohë që s’e kam parë fytyrën tënde të dashur”. Fjalët e tij ishin, si të thuash të lezetshme, përkëdhelëse dhe përqafimi i tij ishte një përqafim i shpejtë si të gjitha përqafimet në ajër, edhe pse i vështirë për t’u konsideruar si i tillë.

“Unë me kënaqësi do të ngre një kupë, do ta pi një pije,” tha ai dhe më tërhoqi shkitazi e heshtazi, me pak turshmëri shkulmhutaqe në shtëpinë disformatëshe.

Pashë secilën dhomë përmes syve të tij, të cilat ishin kompletuar me bukuritë e bollshme të vilave mondane dhe tempujve. Hyrja e përparme, aty ku ndodhej dhoma ime, të cilën e diktova prej pikturës shumëngjyrëshe të murit, papritmas më dukej e vogël dhe e zhveshur, dhe u gëzova kur ai e përshpejtoi ta sfilonte atë si në një udhëtim magjik në ajri. Dhomëza e Krozakës ishte më e madhe dhe akoma më shumë e mobiluar me copa që shiheshin vetëm në shtëpi të mëdha dhe në ambiente luksi. Cilësia e karrigeve dhe shtratit gjeti aplikim dytësor në sytë e djalit tim, dhe unë e lashë jashtë retine atë të lirë që të marrë ngeshëm ushqim dhe pije në atë sallon me një tryezë marramendëse ku veç ushqimeve dhe pijeve shtriqeshin madhërishëm dritëfikëzat e qirinjve në mondana të florrinjta. Lernida na kishte ndjekur brenda dhe ridimensionohej në shkëlqimin e saj, sikurse i ndodh një njeriu të veshur bukur në shtëpinë e bujtsshme.

“A është kjo motra ime?” pyeti duke ritrazuar ngutshëm miushin e tij, dhe me atë rast u duk se ishte në qasjen kalimtare duke treguar me sy, se ti që e ndjek nga aty ke ende një mister për fëmijën e heshtur.



“Jo”, i thashë. “Kjo është mbesa e një miku dhe thuajse tashmë është edhe si një perëndeshë e ëmbël për gruan time, qëkur eskorta dinake ia këputi jetën babait të saj”. Përgjigja ime dukej se e lehtësonte. Por edhe e tejshpinte gjetkë…

Sytë iu zhgarravitën në gjoksin e saj të bëshëm, kokërzat e majthave të saj iu ngjizën në sy, buzët u dredhëzuan ngjyrëshe dhe duart gati u bënë dyfish rreth belit të saj. Por në atë botësi kaq mund të ndukej. Tjetra ishte në qelq dhe në gips.

“Zoti duket se ka paracaktuar që ju të mbeteni fëmija im i vetëm,” shtova unë.

“Jam i lumtur që ju shoh të shëndetshëm dhe të suksesshëm. Më thoni tani, në se jeni i martuar? A jam bërë unë një gjysh?”

“Jo”, tha trazuesi zhurmëcikës pas miushit. “Detyrimet dhe angazhimet e mia më mbajnë shumë të zënë, ndaj kam pak kohë të krijoj e të mendoj për familjen time,” tha ai, duke e trullosur miushin me një ngasmë të lehtë të dorës.

“Ndoshta një ditë situata ime do të përmirësohet dhe unë mund t’ju jap një laj…m ndryshe....”

Por kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një bisedë e hajthme, e cila varej në ajër dhe vinte hera-herës me aromë të një shijeje të pavërtetë. Hendeku midis nesh ishte shumë i gjerë për çdo familjaritet të tillë e më së shumti i ngjante një bisedimi në ato fillimet e vështira të kabinave telefonike kur të ikurit e anijeve të bujshme flisnin me mallim me prindërit e fjalët herë vinin në veshët e tyre, e herë ndaleshin diku gjetkë në atë ajri të lodhur nga dihamat dhe lotërrjedhjet. Nëse ndodh dhe kur të bëhem një gjysh, unë me sa duket do të gjej nga nipërit dhe mbesat e mia vetëm mesazhet e bëra dhe të dërguara në pllaka gëlqerore që synojnë të fshihen pasi të lexohen.

“Baba,” foli ai, pasi piu nga kupa e tij, “Unë jam këtu jo vetëm për kënaqësinë time. Mjeshtri im më ka dërguar të gjej maminë më të mirë në Shenjtëqytezë për të marrë pjesë në lindjen e gruas së tij.”

“Ah… ah… ah…”, shfryva unë me kraharorin të bërë sa një top.

“Jo, është e vërtetë,” ai tha, duke e neglizhuar shfryrjen time pluskuese në kraharorin tim. “Mos thuaj asgjë që e bën arsyen dhe gjykimin për të zvogëluar reputacionin tënd, sepse askush nuk e ka marrë vendin tuaj në Shenjtëqytezë. Zonja e Zotërisë tim ka shprehur keqardhje dy herë dhe gati sa nuk vdiq nga një lindje e tretë. Mjekët dhe nekrologët nuk mund t’i bëjnë asaj asgjë, dhe tani mamitë kanë frikë të shërbejnë për një princeshë, e cila ka pasur aq shumë fat të keq në prurjen në jetë të paktën të një fëmije. I gjithë fisi i saj mashkullor është shuar. Vetë babai i saj ka vdekur dhe ajo ka frikë. Ka frikë se po shuhet gjithë djelmëria në tërë gjëgjendjen e saj.

“Mjeshtri im vendos shuma marramendëse për këtë grua dhe nuk dëshiron asgjë më shumë se të ketë bijtë e saj. Ajo dëgjoi për aftësitë tuaja nga shërbëtorët e saj dhe i kërkoi burrit të saj të kërkonte njeriun me origjinë të huaj, atë profesionist me duar të arta, ata duar, të cilat dikur u shërbenin grave të Shenjtëqytezës. Mjeshtri im i kërkon nga unë të gjitha gjërat dhe ndaj më thirri edhe për këtë shqetësim.

“Imagjinoni befasinë time kur mësova se ai nuk kërkonte askënd përveç babait tim. Ai papritur u mahnit nga linja e familjes time kur mësoi se ju jeni një bashkëatdhetar i tij”, tha në mënyrë ironike shtrëngimi dinak i miushit.

“Veziri më ngarkoi të lija mënjanë detyrat e shtetit, të shkoj në luginën e Mbretërve dhe të të shoqëroj në shtëpinë e tij. Ai më urdhëroi të mos kthehesha pa ty”.

“Juve nuk ju pëlqen ky njeri”, i thashë disi me një ton të butë.

“Zerfin Kama është vezir në Shenjtëqytezë në kënaqësinë e mbretit”, tha djali im, me tone zyrtare, por tronditëse. “Ai është parashikuar të jetë një lider i madh global, i shkëlqyeshëm që shikon në të ardhmen dhe lexon ëndrrat aq lehtë sa një mjeshtër nakatosës që gërmon nëpër gipsat e punëdoreve të një nxënësi shkolle me aftësi të kufizuara. Por ai është vetëm një pikturues”, tha përsëri dhe miushi i tij i hidhur gati sa nuk u bë kurban në një sahan të madh të mbushur me disa specie të hatashme aty pranë tij.

“Ai nuk mund të shifrojë, as të shkruajë ose të lexojë, kjo është arsyeja pse mbreti më caktoi mua, si një nga më të mirët e studentëve të andejmatanit, që të jem dora e djathtë e tij. Dhe ja ku jam tani, pa familje, pa fëmijë, i dyti për një barbar. Unë jam zëdhënësi dhe mëkëmbësi i tij në të gjitha ekranet. Jo më kot më quan ai mua i paarritshmi Blaton”.

U ngurtësova me atë fjalë. Drithmëqeshja e miushit vërejti reagimin tim dhe u ngjyros në turp. “Oh, Bab, jo ti”, tha shpejt. “Ju nuk jeni si pjesa tjetër e tyre, ose përndryshe gjyshi im kurrë nuk do t’ju kishte zgjedhur. Ju jeni mirë,” tha ai. “Nuk ka baba në Shenjtëqytezë më të mirë se ti”. Gjuha e tij lajkatare më bëri të buzëqeshja përkundër vetvetes. Ai më përqafoi dhe për një moment rifitova djalin e dashur, që kishte qenë djali im.

E pimë gotën në heshtje për një moment, atëherë i thashë: “Sigurisht që do të të vijë në Shenjtëqytezë. Nëse Veziri i Mbretit urdhëron të të sjellë ty që të më marësh mua, unë do të vij. Por e para duhet të flas me miken time, Bukinën, që është dora ime e djathtë në Shtëpinë e Lindjes dhe ajo duhet që të bindet të vijë me mua.

“Unë duhet të bisedoj edhe me gruan time, Sela, që tashmë ka një kompani lulesh për këtë botë, kështu që ajo duhet ta di se ku shkoj dhe kur mund të kthehem”.

Shtriqmëmiushi i mblodhi përsëri buzët. “Nuk ka kohë për këtë, Ba. Ne duhet të largohemi tani, sepse zonja është në vështirësi dhe zotëria im pret çdo orë… Dërgoni atë vajzën këtu për të njoftuar të tjerët. Unë nuk mund të vonohem.”

“Kam frikë, ju duhet të prisni”, i thashë dhe u largova nga dhoma. Miushi kërceu nga ekrani dhe më ndoqi në kuzhinë ku menjëherë më kapi nga bërryli, si një mjeshtër i tejstërvitur për të goditur një shërbëtor të pabindur.

U tërhoqa pas dhe pastaj ngula vështrimin tim drejt e drejt në fytyrën e tij. “Të dhjefsha racën e miushave të mutit, unë do të pranoja që të vdisja më shpejt sesa të tradhëtoja e keqtrajtoja gjakun tim, fisin tim, një të afërm, aq më pak një baba, në këtë gjendje. A është kjo që ju nderon kujtimin e nënës së vetme që se keni njohur ndonjëherë? Unë e kujtoj atë si një grua fisnike, së cilës i detyrohesh gjithçka, dhe emrin e të cilës ju e bëni duke e kthyer në çnderim do të duhej ta…”.

Miushi shkundabrinjës ndaloi dhe vuri kokën në ekranin e ftohtë. Ambicia dhe zemra e tij ishin në luftë dhe fytyra e tij tregoi përçarje në shpirtin e tij. Ai ra në qelq si zgjatëshigjetës dhe u përkul poshtë, balli i tij gati sa u pllaqit në këmbët e mia.

“Unë ju fal”, i thashë. “Do të më duhet vetëm një moment për t’u përgatitur, dhe ne do të gjejmë shoqen dhe gruan time në rrugën tonë për në Shenjtëqytezë.”

Miushi u ngrit ngutazi nga qelqërima dhe përsëri dhe u lidh me gjësendërinë që shtriqej sa aty brenda dhe jashtë, ndërsa unë përgatitesha për një udhëtim, që urreja të bëja. Ndërsa mblodha çantën time dhe disa barishte, unë buzëqesha me guximin tim, duke turpëruar fuqinë time për vrazhdësinë e tij, duke insistuar në lamtumirat e mia. Ku mutin paska qenë ky burrë butak që jetonte në këtë shtëpi gjatë gjithë atyre viteve?

Por sytë, sikurse ndodh në atë qesëndisje botërash me frymë, ku pasqelqësia puthet e shtrëngohet me ftohtësi qelqore, në gipsin e shkruar frymërat u qafuan për së fundmi me Bukinën e cila priste në dritaren e saj të gjysmëhapur të shihte e paduruar miushin tim. Sytë e saj të jeshilta dhe të përhumbura në gropësi u lëngëplotën kur i sqarova se ky ishte djali im i vetëm, i fundmi që lindi në atë Shtëpi të Lindjes, atë djalë që ajo sikurse mjaft të tjerë nuk e kishin parë me sy që kur ai ishte një djalosh dhe iku me ato anijet e asaj kohe. Ajo e mbuloi gojën me frikë kur dëgjoi se ftesa ime ishte për të pritur lindjen e fëmijës për gruan e Vezirit të Mbretit, por Bukina e tha prerë se nuk mund të më shoqëronte. Tre gra në qytet duhej të lindnin në çdo moment, dhe njëra prej tyre ishte farefis, vajza e vëllait të saj. Ne u përqafuam, dhe ajo më uroi rrugëtimin e mbarë. Ajo qëndronte te dera e saj dhe tundte dorën e djathtë me një kërshëri.

“Më sillni lajme të mira,” bërtiti ajo dhe e qeshura e saj më ndoqi në rrugë.

Sela nuk më delegoi larg me të qeshura. Ajo dhe djali im e shikuan me qetësi njëri-tjetrin. Ajo zhyti kokën për një njohje më të thellë e të detajuar të pozitës së shkruesit, dhe miushi hodhi zhurmshëm në autoritetin e lulendjesimihësit mbi një punëtori kaq të rëndësishme që gjallonte varietshe në atë parajsë. Nuk kishte asnjë mundësi që gruaja ime dhe unë të bënim një qafim të duhur të njëri-tjetrit. Sidoqoftë cekëm aq sa mund të ceknim ato gjëra që na mbajnë frymërisht në shenjë të dashurisë. Ne shkëmbyem premtimet për ndarje me shkëlqimin e xixllëm në sytë tanë. Do të kthehem. Ajo nuk do të jetë e lumtur derisa unë të jem aty afër saj.

Miushi dhe unë u larguam qelqërisht nga aty, duke thënë pak për njëri-tjetrin. Para se të fillonim zbritjen nga lugina në Kalamai, unë vura dorën në krahun e tij, duke i sinjalizuar që të ndalet. Duke u kthyer në shtëpi, unë bëra një ndalesë të vogël dhe shkula disa fruta nga kopshti im dhe një copë bukë nga furra ime për të siguruar një rrugëtim të sigurtë e më të shpejtë.

Ishte errësuar mjaft kur arritëm në lumin Kalamai, por nuk kishim nevojë të prisnim trapin e mëngjesit. Bariku i mbretit, i ndezur me njëqind llamba, na priste. Shumë harqe na u rreshtuan nga pas dhe në asnjë moment nuk po dukej se nxitonim nëpër rrugët e gjumit të qytetit dhe në pallatin e madh, ku miushi më la në derë të çyrkut mugjarash të burrave. Pastaj, më çuan në një dhomë ku një grua e re, e mbuluar me një tis të zbehtë qëndronte në shtratin e saj të madh, krejt vetëm.

“Ju jeni Mjeshtri i Lindjeve?” pyeti ajo.

“Po Zonjë”, u përgjigja butësisht, duke vendosur raqet e mia në dysheme. “Më lejoni të shoh se çfarë kanë menduar për ne perënditë”.

“Kam frikë se edhe kjo krijesë ka vdekur”, pëshpëriti ajo. “Dhe nëse është kështu, më lejoni të vdes me të”.

E vura veshin në bark dhe duart e mia u shukatën butësisht nga anët e barkut deri tek të dy anët e belit të saj.

“Ky fëmijë është gjallë,” i thashë. “Mos ki frikë. Ai thjesht po pushon për udhëtimin e shumëpritur të këtij Populli”

Aty nga mëngjesi erdhi fëmija në dritë. Dhe unë bëra atë që më ishte parathënë. E ndreqa mallkimin e asaj ane dhe më tutje nuk fola më shumë. Mesazhe të shumtë kërcisnin sinjalet e tyre në frëngjisht, gjermanisht, anglisht, polonisht, kroatisht, e në dhjetëra e dhjetëra gjuhë të tjera të uronin dhe të siguronin, se tashmë kishte ardhur shansi i shumëpritur. Tashmë edhe ai i vend i quajtur Shenjtëqytezë do të bëhej palë me Familjen e Madhe. Aty në sheshin e madh turma të shumta të ardhura nga të gjitha anët falenderonin Liderin Global për këtë dhuratë të pasqindëvitshme e brohorisnin me të madhe: “E duam, e duam Familjen e madhe”.

Në dhomën tjetër, atë të madhen ndodhej fryma jonë. Gjithkush prej nesh kishte humbur tashmë memorjen. Ai, Veziri i gjithdukshëm po griste vendime të tëra në dosje marramendëse. I quante gënjeshtra dhe paturpësi. I quante dëme dhe mëkate…

“Unë do të iki tek djali im,” i thashë më fund. “Atëherë do të jem i ikur…”

“Qofsh në paqe,” më tha drithma depërtuese në atë qelqërimë të errët ndërsa ikja shënohej me padritësi.

Miushi i Shenjtëqytezës, sikurse ndodh me zëvendësat e tillë të vezirëve, nuk lëvizi nga ndenjësja e tij qelqanake, madje nuk tha asnjë fjalë, dhe unë e mora lejen time të ngrirë, me zemër të thyer por të lirë. Tashmë ishte zvenitur mallkimi i Shenjtëqytezës.


35 views0 comments

댓글


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page