top of page

MAKSIM KULLA: "LUSHNJË E DASHUR MIRËMËNGJES"



IBRAHIM ALLA... Lindi dhe u rrit nё qytetin e Lushnjёs nё vitin 02/05/1930, nё lagjen Derexhik nga njё familje e varfёr, ku ai qysh ne moshёn dy vjeçare do tё mbetej pa nёnё dhe do tё rritej nga gjyshja e tij nga fisi i Gjylёve. Shkollёn fillore e vazhdoi pranё shkollёs sё pёrroit me mёsues Aleks Dani, Thoma Papa, Harun Sefa me moshatarёt e tij, Raqi Pisku, Roza Haxhiu, Ali Haxhiu, Isuf Xhindole, Adem Gjata etj. Nё moshёn 17-18 vjeçare aktivizohet me ekipin e futbollit tё Lushnjёs 1947–1948. Me krijimin e shtёpisё sё kulturёs nё vitin 1947 duke qenё se kishte talent pёr tё kёnduar e shohim tё aktivizohet si solist, por edhe nё korin e qytetit nёn drejtimin e Vangjel Myzeqarit dhe muzikantёve tё tjerё si Feridun Xhindole, Lavdi Hakiu, Luigj Koçi, Anton Kiçi, Agim Prodani e Mehdi Prodani. Merrte pjesё nё programet e emisionit “Ora gazmore”, e cila transmetohej nё qytet dhe dёgjohej nёpёrmjet njё autoporlanti duke kёnduar kёngё tё cilat ngjallnin interes pёr kohёn dhe do tё ishte pjesëmarrës nё koncerte tё shumta qё jepeshin nё fshat e nё qytet. Nё vitin 1948, do tё vazhdonte shkollёn pёr ndihmёs traktorist nё Sukth dhe nё pёrfundim tё saj fillon punё nё S.M.T. e Lushnjёs, si njё nga traktoristёt e parё ku do tё vazhdonte deri nё vitin 1952. Mё pas do tё kryente shёrbimin ushtarak dhe duke qenё se kishte cilёsi vokale do tё ishte pjesё e korit tё Ansamblit tё Ushtrisё Popullore nё Tiranё. Nё vitin 1957 do tё shkonte pёr studime nё Rumani nё Konservatorin “Cipriano Porumbeski”, nё degёn Teoritik  ku pasi kryhen tre vite, tё gjithё studentёt qё vazhdonin shkollat nё vёndet e kampit socialist tё detyruar nga zhvillimet politike tё kohёs do tё ndёrprisnin studimet dhe kёshtu Ibrahimi do tё vazhdonte Konnservatorin e Tiranёs pёr tre  vjet tё tjera dhe nё vitin 1964 diplomohet pёr Teoritik muzike. Pas mbarimit tё shkollёs do tё emёrohej shef muzike nё Shtёpinё e Kulturёs nё Elbasan, ku do tё punonte gati pёr dy vjet nё vitet 1965-1966 dhe mё pas nё Radio Tirana. 

Nё vitin 1968, transferohet nё Lushnje ku do tё punojё nё Shtёpinё e Kulturёs pёr 10 vjet  dhe do tё merret kryesisht me grupet korale. Ai do te jetё njё nga muzikantёt qё ka meritёn e ngritjes sё ansambleve artistike, grupeve korale nё Divjakё, Krutje, Kёmishtaj, Fiershegan, Bubullimë si qёndra kёto mё tё fuqishme tё lёvizjes amatore nё fshat. Me ardhjen e Vangjo Novёs nё Lushnje ai bashkёpunoi ngushtёsisht me tё duke qenё nё stafin drejtues tё pёrgatitjes sё ansamblit folklorik të Rrethit të Lushnjës, nё Festivalin Kombëtar të Gjirokastrёs nё vitet 1968-1973 dhe 1978 si dhe nё Takimet Kombёtare tё Ansambleve Artistike nё Vlorё 1969 dhe nё Durrёs nё vitin 1974. Bёri pёrpjekje maksimale nё punё me zёrat koral  sidomos tё burrave, ku ndikoi mjaft mirё nё formimin e korit tё Shtёpisё sё Kulturёs qё dallohej pёr nivelin cilёsor dhe zёra shumё tё bukur tё kёngёtarёve. Pati vlerёsime edhe nga specialistёt e artit e tё kulturёs pothuajse nё tё gjitha takimet kombёtare, ku nё mjaft prej tyre janё vlerёsuar edhe me çmime. Ka organizuar mjaft mirё punёn me kualifikimin e instrumentistёve amatore nё Shtёpinё e Kulturёs, por edhe duke i dёrguar herё pas here nё Tiranё,  gjё e cila solli rritje cilёsore tё grupeve amatore tё ndёrmarrjeve nё qytet dhe tё Shtёpive tё Kulturёs nё fshat. Ka kompozuar edhe disa kёngё kryesisht korale me tematikё tё karakterit epik e heroik nё koncerte tё shumta tё shfaqura nga ansamblet artistike tё rrethit, por qё fatkeqёsisht nuk disponojmё asnjë partiturё, pёr shkak tё parregullёsisё sё ruajtjes sё dokumentacionit tё materialeve tё kulturёs nё rreth. Nё vitin 1979, do tё largohet pёrfundimisht nga Lushnja për të filluar punë nё Radio Televizionin Shqiptar, nё redaksinё e muzikёs me drejtor Shaqir Rrexhvelaj dhe do tё merrej kryesisht me pёrgatitjen e ansambleve dhe grupeve artistike tё rretheve pёr inçizime e filmime tё ndryshme duke shkuar nё qytete e fshatra tё Shqipёrisё pёr tё ndjekur e ndihmuar nga afёr grupet amatore artistike. Dy vajzat e tij do tё vazhdonin tё merrnin edukim nё rrugёn e artit, ku njёra do tё mbaronte studimet pёr Koreografe dhe vajza tjetёr, pёr aktore nё degёn e dramaturgjisё.

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page