Fatmir Terziu
Si rallë ndonjëherë ndodh kjo magji festive. Nuk është ndonjë festë. Nuk është as edhe përsëritja e momenteve magjike dhe emocionuese të Pavarësisë së Kosovës. Por është shqiptaria, është Kosova e shqiptarëve që tregon kulturë, respekt, mirëpritje… Mirëpritje që respektohet dhe habit edhe tifozët e ardhur nga e gjithë Britania e Madhe…
Prishtina e futbollit të sotëm duket qartë se i ka rezervuar një moment të ndjeshëm e të bukur historik takimit mes dy Kombëtareve të Futbollit të Kosovës dhe Anglisë. Një atmosferë mjaft e gëzuar, një mjedis tejet shqiptar që nga veshjet, këngët, vallet dhe tërë arsyet e një feste që tregon se shqiptarët gjithnjë kanë qenë dhe mbeten njërëz të qetë, dashamirës, respektues dhe mbi të gjithë të haresë, gëzimit dhe kulturimit të vlerave. Në të gjithë hapësirën e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, harreja, gëzimi dhe festivja janë bërë një kryefjalë e bukur e një fjalie që shënohet në Kanunin e vjetër të shqiptarëve: “Shtëpia e shqiptarit e mikut dhe e Zotit!” Dhe këtë e vërteton kjo festë, kjo dashuri dhe arsye që përbën respektin dhe në këtë mjedis ku mjaft herë janë parë gjakra të ndezur në futboll.
Le ta themi bashkërisht dhe me një zë se kjo që ndodh tashmë në Kosovë është një vlerë dhe një fitore më e madhe se të gjitha fitoret e tjera.
Fitoftë në lojën e blertë ekipi që e meriton, gëzofshin për herë dhe mbarëhera shqiptarët e mirëpritjes festive.
Ju lumtë Prishtinë! Ju lumtë shqiptarëve!
Comments