Nga Fatmir Terziu
Kënga e Isuf Myzyrit „Ma mirë në pyll se në qytet“ është një tekst dhe muzikë që orvatet midis termave të popullores dhe radicionales, ose qytetares. Jo thjesht si aspekt i krijuar në qytet dhe tekst të ndjeshëm që përfshin gjeografi më të gjerë, por se nga ana e kumtit të saj dhe kuptimit që mbart rrek të vendoset në këtë shtrat. Dihet se ky shtrat muzikor ka kuptime të gjera. Pasi, si muzika popullore ashtu edhe muzika qytetare, kanë kuptime shumë të veçanta për zonat e ndryshme populluese të njerëzve. Sidoqoftë, pyetja është me të vërtetë, çfarë përshkruajnë këto terma në të vërtetë? Ka qenë një diskutim mjaft i larmishëm i kësaj teme në vite për muzikën qytetare dhe popullore (për të mos përmendur më etnomuzikologjinë më gjerësisht), por tema ende pret me të vërtetë një analizë të thellë që mund të krijojë të paktën një përkufizim të dobishëm shkencor .
Përdoret shpesh si pikënisje, Johann Gottfried Herder (1744-1803) që e përcaktoi muzikën popullore „direkt nga një mjedis shoqëror,“ të shekullit të 18-të. Vëllezërit Grimm gjithashtu ndoqën këtë mënyrë ndriçuese për të gjetur tjetrin brenda. Për ta muzika popullore ishte muzikë e analfabetizmit, rurales, fshatarësisë brenda shoqërisë me shkrim. Kjo ishte thelbësore për zhvillimin dhe konsolidimin e Herderit të idesë së frymës së kombit ("Nationalbildung") të cilën ai ndjeu se mund të gjendej në formën e tij më të pastër midis këngëve gojore dhe poezisë së tillë nga goja e popullit.
Cecil Sharp (1859-1924) përcaktoi muzikën popullore si „Kënga e Krijuar nga Njerëzit e Përbashkët“, përpara se të vazhdonte të jepte përkufizimin e tij më të hollësishëm dhe më të njohur, i cili ka qenë baza për shumë përpjekje të mëvonshme të përcaktimit. Përsëri, ai vendos muzikën popullore në një zonë rurale, e cila për të ishte garantuesi i vërtetësisë. Përkufizimi i vitit 1955 nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzikës Popullore në Sao Paolo ishte: „Muzika popullore është muzikë që i është nënshtruar procesit të transmetimit gojor. Është produkt i evolucionit dhe varet nga rrethanat e vazhdimësisë, ndryshimit dhe përzgjedhjes“.
Ky përkufizim është sigurisht disi i vjetëruar kur merret parasysh varësia e tij nga idealet jashtëzakonisht evolucionare të koleksionistit të muzikës popullore Cecil Sharp. Shumica e përkufizimeve të Muzikës Popullore ose Këngës Popullore në shekullin e njëzetë kanë tentuar të mbështeten ose në nacionalizmin, etninë, vendndodhjen, klasën dhe funksionin (ose kombinimet e tyre) për të provuar caktimin e kufijve të vërtetësisë në Muzikën Popullore; i cili është koncepti kryesor në fjalë në shumicën e përkufizimeve të muzikës popullore dhe muzikës tradicionale.
Kjo këngë e Isuf Myzyrit, është si e tillë e krijuar në kërthizë të Shqipërisë, në Elbasan, ka etninë e pastër shqiptare dhe po ashtu dhe vendndodhjen e qartë e të saktë, po ashtu dhe klasën që i përket njeriut të thjeshtë, punëtor e të dashuruar me natyrën dhe lirinë e saj, ka funksionin e edukimit dhe dashurisë për të tërën, për anën e bukur rurale, për fshatin, malin, bariun dhe në thelb ka mikpritjen dhe derën e hapur të njeriut të thjeshtë në pyll, aty ku jeta ka lirinë dhe dashuria merr formën e saj më të ndjeshme.
Që në strofën e parë përcaktuese është jeta e një çifti. Përcaktimi është i qartë „ne të dy“ dhe përtej kësaj mbetet e kuptueshme se atje, pra „ma mirë në pyll se në qytet“ ka liri, ka qetësi, askush nuk të gërget, askush nuk të trazon, e madje nuk ke asnjë dyshim se atje „T'amël jetën ne t'a çojmë“. Vendimi i përket të propozuesit, pasi ai është që bën thirrjen dhe qartëson se „ne të dy atje do t'rrojmë“, që nënkupton edhe anën tjetër të dakordësisë, atë përcaktor të detyruar të një lidhjeje, të një jete, që kërkon më shumë e më shumë tek vetja, dashuria, liria dhe thjeshtësia, qetësia e një jete të lumtur.
Gjeografia saktësohet në strofën e dytë, aty ku autori i tekstit njeh mirë anën e një udhe që të shpie pikërisht në destinacionin e duhur, pasi thotë se „Kapërceva maln e Krastës“ dhe e lë pas qytetin, duke i thënë „Të mir meç mor Elbasan“. Dhe rruga ka njërën këmbë në „mal t'Vashës“ në atë pikë të lartë ku autori sheh Sopotin dhe Vasjanin. Tashmë konsiderat shkon më tej syrit, prek majat dhe lartësitë e tyre, me qëllim që të nënkuptohet se në lartësi është edhe lutja e plotësuar nga Zoti, sepse është tashmë e realizuar ajo që kërkohet nga të dy „muk ka tjetër lumtuni“.
E përtej kësaj është ana rurale, e thjeshta e jetës, një kasolle e mbuluar me bar dhe jeta do të jetë e ngjashme si jeta e një bariu në mal. Kjo e bën atë më të ngjashme e më të ndjeshme me përcaktimin e përkufizimit të lartcituar dhe me atë që në thelb kënga shfaq dhe meton sipas Sharp dhe Herder në kuptimin dhe klasifikimin e saj. Kjo këngë tashmë e rrëfen dhe modulin e saj, mesazhin e saj të qartë se njeriut të humbur në pyll i bëhet vend në kasollen e një bariu, atje është mikpritja më e kuptimshme, më e ndjeshme, më dedikuar në mesazhin e artistit. E kjo përshkon bujarinë e zotit, kur njeriu nuk lihet jashtë e më tej aty ka „bukë, venë dhe raki“ edhe pse kjo kasolle është e mbuluar me kashtë. Kjo është në thelb ajo që qas dhe meton kënga në fjalë, ku muzika e saj cilësi të veçanta (si zanore ashtu edhe shoqërore) që janë rezultat i shkëmbimit socio-muzikor me kalimin e kohës dhe të cilat mund të dëgjohen dhe ndihen në strukturat sipërfaqësore të muzika. Kjo këngë është vetë struktura e qartë e këngës së këtij lloji dhe konceptimet janë tjetër gjë.
Të gjithë kemi konceptime pak a shumë të ndryshme dëgjimore për këto struktura, por unë do të këmbëngulja që ekziston një qendër kanonike e cila është e rëndësishme për krijimin e trashëgimisë kulturore (dhe për ligjërimin kritik kulturor). Kjo është arsyeja pse unë do të vazhdoja të mbroj traditën gojore si në drejtim të krijimit të një përkufizimi, ashtu edhe në kategorizimin e muzikës tradicionale të sapoformuar. Për mua, kufijtë mund të dëgjohen dhe ndihen, pasi është një nga mënyrat në të cilën vendoset për vërtetësinë e muzikës.
Kjo është vetëm pika fillestare për një diskutim më të gjerë që duhet të kemi në lidhje me këtë temë, ju lutem mos ngurroni të komentoni mbi këtë, do të ishte mirë të dëgjojmë zëra të tjerë.
Comments