FRAN GJOKA
Akademik Mark Tirta në një intervistë për revistën “Albanian Post” në Londër, flet për lëvizjet të shqipëtarëve ndër shekuj. Cilat qenë arsyet e largimit të shqiptarëve nga atdheu, në cilat shtete shkuan ata dhe përse? Cilat janë zonat e Shqipërisë më të prekua nga migrimi dhe cilat ishin shqiptarët që emigruan në vende të ndryshme, por që luajtën rol të rëndësishëm në botë??
- Prof Marku, cilat kanë qenë disa nga shkaqet më kryesore që Shqiptarët janë shpërngulur nga trojet e tyre gjatë gjithë periudhave të historisë?
Shkaqet e lëvizjeve migruese të Shqiptarëve janë nga më të ndryshmet. Në disa raste janë shumë e shumë faktorë shtysë për migrim të popullsisë, po për dyndje të caktuara mund të jetë vetëm një shkak i rastit, po doemos një ndodhi tepër e rëndë. Kështu, fshatrat Shestani, Brisku e Livari u detyruan të ikin natën, sa andej-këndej më 1726 e deri më 1733 e së fundi, me ndihmë të arqipeshkëvit Vinçens Zmajeviç u vendosën për jetesë në Borgo Erico pranë Zarës në Dalmaci, ku ishin nën mbrojtjen e Venedikut. Po si ndodhi kjo? Disa ushtarë të ushtrisë së shtetit turk, ashtu si thuhet në disa shkrime, kishin përdhunuar femra të këtyre fshatrave. Si rrjedhojë, fshatarët vranë disa ushtarë. Nga kjo, këta të fundit do ta pësonin tepër rëndë. Kështu, për këta banorë nuk kishte rrugë tjetër veçse të iknin me tërë familjet e tyre, gjë që e bënë menjëherë.
Arsyet e migrimit të popullsisë, si më thelbësore, se ato në kuptime të ndryshme, që janë tepër të shumta, mund t'i përmbledhim në 4 shtysa kryesore: 1. pasiguria, ku rrezikohet jeta e njerëzve; 2. përzënie e popullsisë me forcë, gjë që ndër të tjerë e kanë bërë Serbët që i kanë shpërngulur Shqiptarët nga trojet e tyre në Jugosllavi e më tej për t'i populluar ato vende me popullsi sllave; 3. varfëria e tepërt i detyrojnë njerëzit, familjet, që të emigrojnë; 4. njerëzit, familjet, emigrojnë për të gjetur një vend më të mirë për jetesë, edhe pse nuk janë dhe shumë të varfër. Nga malet jo pak popullsi ka zbritur nga malet e vendosur në ultësira fushore, në bregdet, ku jetesa mund të organizohej dhe më mirë. Në jo pak raste, nga luftërat, nga pasiguritë e jetës, popullsia ka ikur nga fushat e është vendosur me banim në male.
- Migrimi i jashtëm ka qenë një plagë e rëndë për popullin tonë ndër shekuj. Cilat kanë qenë momentet më tronditëse që e kanë detyruar popullin tonë të migrojë në mënyrë masive nga vendi i tij?
Është e vërtetë se mërgimi në kohë të ndryshme ka qenë një plagë e rëndë: na ka penguar shumë në zhvillimin ekonomik e shoqëror. Po duhet ditur se migrimet e ndryshme, ndonëse të dhunshme e në fatkeqësi, na kanë lidhur me popujt më të qytetëruar. Jo pak emigrantë, djem e nipa të tyre, në vendet e huaja ku jetuan e u shkolluan, u bënë njerëz të mëdhenj për ato vende ku jetuan, shumë prej tyre i shërbyen së tepërmi dhe atdheut prej nga e kishin prejardhjen.
Ndodhi tronditëse, që kanë detyruar bashkësi të mëdha të popullit tonë të ikin nga atdheu i tyre e të vendosen në vise të popujve të tjerë, kanë qenë të shumta. Janë larguar prej këtej për të shpëtuar jetën e tyre, për të shpëtuar fëmijët. Disa iknin në male a në vende më të mbrojtura, ku përgatiteshin dhe për qëndresë ndaj pushtuesve grabitës e përdhunues; të tjerë iknin ose drejt Greqisë, me varka drejt Italisë të larguar nga Veriu, nga Mesi a nga Jugu i këtij vendi. Këto batërdi me plaçkitje e me masakra i kanë bërë ndër Ilirë: pushtuesit romakë e ata helenë, i kanë bërë turma fisnore, popujsh të ardhur nga Veriu i Europës, nga Perëndimi (deri nga Anglia), po dhe nga lindja e Europës e nga Azia. Nga koha në kohë, në Antikitet e në Mesjetën e Herëshme, po dhe më vonë, vërshuan mbi viset e Ilirisë grupe fisnore e bashkësi luftarake për të grabitur e ku bënin masakra tepër të egra. Ndër këta ishin: Keltët, Vizigotët, Normanët, Hunët nga Azia, Vandalët, Vikingët, Tartarët. Është e çuditshme se si në këto përjetime tragjike, ka bërë dhe të organizohen e të njejtësohen më fuqishëm në një etni të gjerë e kompakte. Një pjesë e popullsisë dhe ka emigruar në vende të huaja për t'u shpëtuar masakrave e atje janë shpërbërë si njësi etnike stërgjyshore. Duhet theksuar se në disa vende u kompaktësuan emigrantët e ruajtën gjuhën e veçoritë etnike të prejardhjes.
Masakra të përbindëshme dëshmohen dhe në kohën e sundimit Bizantin, po dhe kur u lëshuan mbi trojet arbërore pushtuesit bullgarë, aq më shumë kur në këto bashkësi arbërore u vërsulën Serbët rrëmbyes e shfarosës të popullsisë arbërore. Doemos, edhe në këto kushte ka pasur lëvizje migruese të popullsisë. Rreziku i zhdukjes e bënte këtë: që të iknin e të fshiheshin ndër popuj të tjerë. Në një pjesë të trojeve arbërore popullsia, për t'i shpëtuar tmerrit u bullgarizua e më në veri u serbizua. Po më në jug të trojeve arbërore banorët u greqizuan. Pra në ato kohë nga pushtimet Arbërorët kanë përjetuar tmerre. Kjo është krejtësisht e vërtetë, edhe pse dëshmitë janë më të pakta e anësore.
Koha e pushtimit osman e masakrat e pushtuesit janë edhe më të dëshmuara në shkrime të kohës. Një pjesë jo e vogël nga popullsia iku në Greqinë Perëndimore. Prej andej një pjesë e saj kaloi në Italinë Jugore. Emigroi popullsi për në Dalmaci që akoma nuk ishte pushtuar e në tërë bregdetin shqiptar, iku jo shumë popullsi për në Itali të Mesme e në atë të Veriut. Jo pak nga këta emigrantë, nga Veriu apo Mesi i Italisë, kaluan te bashkëkombësit e tyre në Jug. Dëshmitë na e thonë se në këtë kohë, pra të pushtimit Osman, andej-këtej, te popuj të ndryshëm, ka pasur dhe shumë grupe të tjera mërgimtarësh. Kjo batërdi e madhe e pushtimit Osman detyroi grupe të tëra njerëzish të iknin jashtë atdheut për të shpëtuar jetën.
Shpërnguljet e Shqiptarëve me dhunë nga trojet e tyre, shoqëruar me masakra të bëra nga Serbët e nga Grekët, janë të shumta e të rasteve të veçanta, sidoemos më së termpi më 1877-1878, më 1911-1914, më 1918-1924, më 1939-1943. Po sjellim vetëm pak të dhëna: janë zhdukur fizikisht ose janë përzënë nga trojet e tyre më 1877-1878 më shumë se 200.000 Shqiptarë që nga Korshumbia e deri në Nish e Vranjë. Nga Fusha e Nikshiqit në Mal të Zi u masakruan e u shpërngulën më 1895: 400 familje shqiptare me më shumë se 2000 frymë. Më 1914 u masakruan e u shpërngulën me forcë 16.530 Shqiptarë e shumica e tyre u drejtuan për në Turqi... Ushtria serbe e ajo malazeze më 1912 kanë vrarë në Kosovë 12.777 Shqiptarë. Akademiku bullgar, profesor i Universitetit të Sofjes, na vërteton se më 1913 janë masakruar nga ushtria serbe 120.000 Shqiptarë në vatrat e tyre në Maqedoni.
Shifrat e masakrave e të dyndjeve me forcë nga vendbanimet e tyre nuk kanë të sosur
Një nga destinacionet e lëvizjes migratore të Shqiptarëve ishte edhe Jugu i Italisë, ku u ndërtuan fshatra të tëra me Arbëreshë, të cilët kristalizuan gjuhën, zakonet, traditat që i ruajnë edhe sot. Kur ka ndodhur saktësisht kjo lëvizje migratore dhe cilat kanë qenë arsyet?
Vërehet se së paku që nga epoka e bronzit e ajo e hekurit, në bashkësi të ndryshme të Europës, ndër fise të ndryshme, mbizotëronte mendimi i lëvizjes drejt ultësirave mesdhetare, po dhe praktikohej në shumë bashkësi, të emigruarit drejt vendeve më në Jug të Europës, pra dhe afër brigjeve të Mesdheut, në ultësira, ku klima ishte më e ngrohtë, ku kishte vende të përshtatshme për bujqësi. Prej andej mund të shkohej më lehtë në vende të tjera me varka. Në Bregdetin Jugor dhe komunikimi ekonomik, shit-blerja, ishin më të lehta, më të praktikueshme.
Ashtu si ka ndodhur dhe me popujt e tjerë, dhe Ilirët e Parailirët, si bashkësi të veçanta të tyre, kanë emigruar e janë vendosur në Greqi, në ishujt më jugorë të Greqisë, në brigjet e Marmaras, në jug të Italisë, në ishuj të saj. Këto migrime e ngulime janë vërtetuar nga dijetarë seriozë, edhe pse dëshmitë themelore janë të pakta e disa herë të sipërfaqshme.
Për shek. XV me pushtimin Osman, migrimet e Shqiptarëve në Greqi e në Itali janë shumë të mbështetura në dëshmi të ndryshme të pakundërshtueshme. Së paku Greqia Jugperëndimore e ajo Perëndimore, kur Osmanët pushtuan pjesë të trojeve shqiptare e më vonë të tërë Arbërinë, nuk dukej se do të pushtohej prej këtyre Aziatikëve, dhe kështu shumë turma Shqiptarësh ikën e u vendosën në Greqi, në More e në shumë ishuj të saj. Kur u duk dhe atje pushtimi Osman, shumë emigrantë shqiptarë kaluan në Italinë Jugore ku jetuan për disa shekuj. Në këtë kohë (shek. XV) jo pak Shqiptarë kaluan nga brigjet e Adriatikut e të Jonit e u vendosën në Itali. Kaluan disa dhe nga Shkodra, bregdeti Ulqin-Tivar, nga Dalmacia e u vendosën në Trieste, në Venedik, po dhe në vise të tjera të Veriut të Italisë. Një pjesë e madhe e këtyre që u vendosën në Italinë Veriore e atë të Mesme, pas disa kohësh shkuan e u vendosën në Jug, duke mbushur fshatrat arbëreshë të atij vendi, pranë bashkëatdhetarëve të tyre.
Në këto kushte është formuar e zmadhuar bashkësia Arbëreshe në Jug të Italisë, në Siçili. Arsyet e shkuarjes janë: "bashkëvëllezërit" e tyre, klima, vend më i mirë për burime të jetesës, për tregti dhe në raste të ndonjë rreziku dhe më lehtë për të ikur në vende të tjera të Mesdheut.
Për lëvizjet migratore është shkruar shumë. Kam parasysh studiuesin e njohur Kolë Kamsi, Eqerem Çabejn, Gjovalin Shkurtajn, e ndonjë tjetër. Ç'të reja sjell vepra juaj në krahasim me këta autorë të njohur?
Kur shkruhet një punim shkencor, qoftë ky prej disa faqeve ose dhe një libër me shumë faqe, merren të dhëna si fakte vërtetuese ose dhe si mendime, nga autorë të ndryshëm seriozë, qoftë dhe kur ka shkruar për këtë dhe vetëm një a dy faqe. Ato që merren, referohen në një mënyrë a në një tjetër, sipas rregullave të kodit të punës shkencore.
Emrat që përmenden këtu janë gjuhëtarë e janë marrë dhe me probleme të folklorit. Brenda këtij kuadri (gjuhë e folklor), kanë shkruar dhe për jetën e historinë e Arbëreshëve të Italisë. Migrimi nuk ka qenë temë qendrore e studimeve të tyre. Për ato që janë marrë nga ato shkrime janë vënë referenca, ashtu si dhe për shumë e shumë autorë të tjerë. Të marrësh mendime e dëshmi vërtetuese nga autorë të ndryshëm, kjo është brenda kodit të kërkimit, duke përmendur burimin; unë kështu kam bërë e mendoj se jam krejtësisht brenda rregullave të lojës. Unë i kam parë migrimet shqiptare në syrin e etnologut e në vështrim gjithpërfshirës. Pra kjo nuk ka të bëjë më plagjiaturë, me vjedhje të punës së tjetrit. Në vendin tonë ka shumë të ashtuquajtur "studiues" që janë plagjiaturistë, pra vjedhës së punës së të tjerëve. Janë bërë dhe "Prof.Dr.", po ata mendoj që me ligje shtetërore të quhen "Hajdutë Prof.Dr.". Këtë ta bëjë Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Historiani, profesor i mirënjohur Zija Shkodra, ka bërë disa shkrime shkencore për diasporën shqiptare e për migrimet shqiptare, për këto ka folur dhe në librat e tij shkencorë. Unë jam mbështetur në dëshmitë vërtetuese e në mendimet e tij, po gjithnjë me referenca. Zija Shkodrën e kam pasur udhëheqës shkencor në proçesin e mbrojtjes së doktoraturës në vitet '80 të shek. XX, me temë "Migrimet e Shqiptarëve". Para mbrojtjes e deri në mbrojtje është diskutuar disa herë në nivele të ndryshme e kurrë njëri ndër diskutuesit nuk u tha edhe një fjalë për plagjiaturë.
Shpesh studiuesit që janë marrë me lëvizjet migratore flasin me kompetencë për vendndodhjen e shqiptarëve të emigruar nëpër vende të ndryshme të botës, por shpesh mungon prejardhja e tyre, madje në shumë raste jepet vetëm krahina, mungojnë fshatrat, fiset etj. Nuk gjenden dokumente dhe dëshmi për të saktësuar prejardhjen e tyre?
Emigrantët kur largohen nga atdheu i tyre nuk bëjnë regjistrime në vendlindje, po vetëm në vendin e ri ku ngulen. Largimet nga vendlindja në përgjithësi janë bërë në heshtje, pa u ndjerë e pa bërë regjistrim në ndonjë vend të vendbanimit. Kanë ikur prej andej duke u përqafuar vetëm me të afërm e miq që i përcjellin. Në këto rrethana studiuesi e ka të vështirë të gjejë dëshmi të plota, statistika për tërë ata që ikin nga fshati a lagjia ose qyteti i tyre. Ata ikin në mënyrë të çrregullt, të thuash se në heshtje, disa herë në "fshehtësi". Kur kalojnë kufirin e në vendin ku ngulen me banim bëhen rregjistrime të rregullta, madje dhe disa herë. Emigrantët në vendin ku ngulen studiuesi i studion me shumë dëshmi e regjistra popullsie. Pra ky është shkaku që në vendin ku ngulen ata të studiohen më në hollësi e me shumë dëshmi e statistika të shkruara. Edhe vendi prej nga largohen është mirë të studiohet e të saktësohen në hollësi gjërat, po kësaj së parës nuk i japin dhe shumë rëndësi. Ka raste që atë ta japin në përgjithësi, po ka dhe pasaktësi. Kjo gjë e dëmton studimin.
Ju në libër thoni se në Greqi kanë emigruar ilirë, arbër, shqiptarë. Cilat kanë qenë arsyet e këtij migrimi periodik nga Shqipëria në Greqi dhe ku janë vendosur ata, veç Çamërisë?
Jo pak popuj indoeuropianë që banonin në mesin e Europës në Neolit, zbritën në Jug të Europës, pranë Mesdheut ku klima ishte e butë, kushtet natyrore për jetesë për t'u ushqyer ishin më të mira; lidhjet ekonomike, tregtare me popuj të tjerë e bënin jetën më të mirë. Në periudhën e Bronzit erdhën në Ballkan Ilirët që më shumë u vendosën në Perëndim, po jo pak prej tyre u vendosën në Jug të Gadishullit, pra në Heladhën e lashtë; Grekët erdhën e u vendosën aty ku janë edhe sot duke shpërbërë e helenizuar bashkësitë Ilire të atyre vendeve. Në tokën helene erdhën në ato kohë dhe Trakë, Dako-Getë, Dorë e bashkësi të tjera që më vonë u shpërbënë, u helenizuan. Shtresën më të vjetër të popullsisë ilire në Greqi, në ishujt e saj e vërtetojnë, e përcaktojnë disa dijetarë të mëdhenj me gjetje mbijetoja toponimesh, antroponimesh, mbetëza fjalësh e shprehjesh që i takojnë gjuhës Ilire. Ilirët më të lashtë në Greqi janë shpërbërë që në Antiktiet.
Migrime ka pasur edhe në shumë vende të tjera të Ballkanit. Kam parasysh këtu pakicat kombëtare në Ukrainë, Bullgari, Rumani e sidomos në Kroaci. Pse përmenden rrallë nga studiuesit këto lëvizje migratore?
Në Rumani ka pasur shumë emigrantë shqiptarë; jo pak ka pasur dhe në Bullgari, madje në Rumani e në Bullgari kanë pasur dhe organizim shoqërish; në Rumani dhe shkolla shqipe. Në shumicën e rasteve emigrantët shqiptarë në Ballkan, pra dhe në Dalmaci e deri në Ukrainë e në Poloni kanë shkuar më shumë nga vende të tjera e jo nga Shqipëria, prandaj janë njohur pak e aspak e nuk është shkruar për ta fare ose tepër pak.
Ç'dihet sot për lëvizjet migratore, të ndodhura pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, dyndje e cila vazhdoi deri në vitin 1945. Ku u vendosën Shqiptarët në këtë periudhë?
Nga koha e Shpalljes së Pavarësisë e deri më 1945 ka pasur shumë migrime Shqiptarësh: disa si shpërngulje me forcë e disa nga varfëria: migrim për një jetë më të mirë e më të qetë. Brenda vendit: nga malet kanë rënë e janë ngulur në kodrina e fusha bregdetare. Shumë Shqiptarë emigruan në vende të ndryshme të Europës e në Amerikë (kryesisht në SHBA). Sipas librit "Amerika", ku në tërësi flitet për emigrantët në SHBA, në atë vend kishte 50.000 Shqiptarë, kryesisht nga Jugu i këtij vendi e shumë pak nga Veriu.
Shpërngulje me forcë, me përdhunë e popullsisë shqiptare nga trojet e saj amtare kanë ndodhur disa herë që nga projekti "Naçertanie" i Garashaninit më 1844 dhe "Megallo Idheja" greke e po kësaj kohe. Që nga ajo kohë kanë nisur migrimet me forcë: Kostur, Follorinë e vise të ndryshme të Çamërisë. Nga vitet 1877-1878 pati dyndje të shumta nga viset shqiptare të Maqedonisë, nga vise të shtetit serb, nga Mali i Zi. Po nga këto vise dyndje të mëdha me përdhunë ka pasur më 1911-1914, më 1920-1924, po dhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Me dhjetëra mijëra Shqiptarë myslimanë i nisën me forcë për në Turqi. Shumë prej tyre, për t'u shpëtuar barbarizmave serbe e në Çamëri të Grekëve ikën në mërgim në shtete të Perëndimit e me mijëra erdhën e u vendosën në Shqipëri.
Masakrat ndaj Shqiptarëve në trojet e tyre në Maqedoni, në Çamëri, në Nish-Shkup-Kurshumli, në Mal të Zi, kanë qenë marramendëse, po këtu po paraqesim vetëm ndonjë shembull: Sipas të dhënave të një komisioni ndërkombëtar, më 1920-1922 në Dibër - Maqedoni kemi nga masakrat 8609 të vdekur; 1394 të masakruar në vatrat e tyre, 3744 vdiqën nga plagët e sëmundjet mbinjerëzore, 4855 u vranë në ndeshje me Serbët. Në këtë kohë u larguan nga Dibra këndej e andej kufirit 55068 frymë (sipas të njëjtit komision).
Cilat qenë arsyet e mungesës së migrimit gjatë viteve 1945 – 1990. A pati lëvizje migratore gjatë kësaj periudhe dhe si realizohej kjo lëvizje?
Nga 1945 deri 1990, në kohën e regjimit komunist, kufijtë u mbyllën, pra nuk i lejonin njerëzit të iknin jashtë Shqipërisë. Kanë ikur vetëm duke u arratisur e shuma e tyre, sipas dëshmive arkivale, shkon në 3000 vetë. Në përgjithësi këta kanë ikur në SHBA, po pak prej tyre janë vendosur me banim në shtete të ndryshme të Europës si në Itali, Holandë, Angli, Zvicër e në ndonjë vend tjetër. Ndalohej nga shteti çdo komunikim me këta "të arratisur", veprime të tilla dënoheshin shumë rëndë.
Migrime të shumta pati edhe nga Kosova, sidoemos në kushtet e terrorit serb. Cili ishte destinacioni i të përngulurve kosovarë në Europë?
Shpërngulje me forcë, me përdhunë, bërë nga Serbët, e Shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë, në Shkup, në Prokuplje, në Leskovsk, në Mal të Zi, ka pasur me shumicë e me masakra rrënqethëse më së shumti më 1877-1880, më 1912-1914, 1920-1924 e së fundi më 1998-1999. Në këto shpërngulje tmerruese janë masakruar e vrarë jo vetëm burra që ishin në shesh të luftës për mbrojtje, por dhe gra, fëmijë, pleq e plaka. Disa emigruan në Turqi se andej i shtynte Serbi, disa në perëndim dhe jo pak mundën të vijnë në Shqipëri e të ngulen në viset fushore.
Cilat qenë zonat më të prekura nga lëvizjet migratore gjatë shekujve, pasi nga studiuesit flitet për vale lëvizjesh, por nuk jepen saktë vendet nga kanë lëvizur masat migratore?
Migrime në periudha të ndryshme historike ka pasur nga tërë trojet shqiptare, por gjatë Rilindjes e Pavarësisë shumë më tepër migrime ka pasur nga Gjirokastra, nga Korça, Kolonja e Përmeti, nga Bregdeti Himarë-Sarandë. Këto vise, ndër shekuj kanë qenë të lidhura me tregti me Greqinë, me Turqinë, me vendet e lindjes, me Mesdheun. Pra për këta kanë qenë vende të njohura. Prej andej u njohën dhe me vendet e Perëndimit e së fundi dhe me Amerikën, me SHBA. Migrime të rregullta për në SHBA, në vazhdimësi kishte që nga viti 1897 e këtej. Më 1910-1911 në SHBA kishte, sipas statistikave, 10.000 Shqiptarë, më 1918 kishte rreth 30.000 Shqiptarë, po 15.000 u kthyen për të organizuar e mëkëmbur shtetin shqiptar. Disa nga këta e të tjerë me shumicë, nga varfëria ikën përsëri në SHBA. Dëshmitë e shkruara thon se më 1945 në SHBA kishte rreth 50.000 Shqiptarë, nga të cilët vetëm 3000 nga Malësitë e Veriut. Këtu ka jo pak nga ata të përzënë me përdhunë nga Serbët e nga Grekët, në trojet e tyre, por që nga Fuqitë e Mëdha iu ankesuan këtyre shteteve.
Mund të na thoni disa figura shqiptarësh që kanë emigruar në vende të ndryshme, por që kanë luajtur rol të rëndësishëm në botë si p.sh Papa Klementi XI, emigruar nga Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut, a ndonjë tjetër?
Janë të shumtë emigrantët, fëmijë e pasardhës emigrantësh që u shkolluan në shtetet ku u ngulën. Disa prej tyre u bënë njerëz të mëdhenj në kulturë e dije, në veprimtari shkencore e shoqërore në shërbim të vendit ku jetonin e sidomos të atdheut nga e kishin prejardhjen. Nuk është e mundur të qartësohen si duhet e të tëra ato figura të shquara të dijes, të veprimtarive shoqërore, të atdhetarizmit, siç ishin ta zëmë Rilindësit tanë Abdyl, Naim e sidoemos Sami Frashëri që u bë dijetar i madh, autor librash, hartues i enciklopedisë së parë të Turqisë ....., ku përshkruhen dhe mendje të ndritura të shqiptarizmit. Po japim disa fytyra të shquara në emigracionin shqiptar e që bënë emër në histori, në kulturë:
Si na e qartësojnë disa të dhëna të shkruara të Mesjetës e si e vërteton me burime të ndryshme e zbërthime të thelluara studiuesi i shquar Kristo Frashëri: ka qenë Papë i Romës Inoçenti I, me prejardhje Ilire, nga fisi Albanoi, në vitet 401-417. Kjo është shumë domethënëse për Ilirët e Albanët e Mesjetës.
Gjon Gazulli (1400-1465), lindur në Raguzë e me prejardhje nga një vëllazëri fisnike e Vigut të Mirditës. U shkollua në Raguzë e universitetin e bëri në Padova të Italisë ku dhe u doktorua më 1430. Profesor në matematikë e astronomi, përgjegjës katedre e pedagog për disa vjet. Bëri shpikje në kërkimet shkencore në astronomi e për këtë njihet në botë. Është marrë me diplomaci në Raguzë. Lidhje kishte me Skënderbeun e kontribuues në çështjet shqiptare të kohës.
Papa Klementi XI (1649-1721), lindur në Udino (Itali), prejardhje stërgjyshore nga Laçi i Kurbinit. Arbëresh. Pati një squetësi të jashtëzakonshme. E ngarkuan me detyra në hierarkinë kishtare. Nga dijet e shkathtësia e zgjodhën Papë. Ndihmoi shumë në probleme të atdhetarizmit shqiptar. Qe shtysë e programues i Kuvendit të Arbërit që u bë në Mërgijë të Lezhës më 1703 e që e organizoi Vinçens Zmajeviq me disa Shqiptarë atdhetarë të tjerë.
Karl Gega (1802-1960). Origjinë shqiptare, nga malësitë e Veriut. Lindur në Venedik. Mbaron kolegjin ushtarak për filozofi e matematikë; u diplomua në Universitetin e Padovës për inxhinieri. Më 1919 mori titullin "Doktor" në matematikë. U muar me ndërtim të kanaleve të ujërave e të rrugëve, kryesisht hekurudha në Itali e Austri. Si kryeinxhinier, u ngarkua me studimin, projektimin e ndërtimin e hekurudhave. Bëri gjetje shkencore të panjohura në ndërtime hekurudhash dhe me shumë tunele e kështu u bë i njohur në botë si zbulues kodesh të reja në këto ndërtime.
Hasan Tahsini (1811-1881). Lindi në Ninat të Çamërisë (Sarandë). U vendos me banim në Stamboll ku vazhdoi studimet, i specializuar në matematikë, astronomi, psikologji; shkroi punime shkencore e libra me shumë vlerë. Për gjerësinë e thellësinë e dijeve që zotëronte tërhoqi vëmendjen e të diturve dhe u bë rektori i pari i Universitetit të parë në Stamboll (1870). Si dijetar i shquar u bë i njohur në tërë Perandorinë Osmane. Ishte aktiv në veprimtaritë kombëtare të Rilindasve Shqiptarë në Stamboll. Bëri një alfabet të shqipes. Ishte në komisionin e krijimit të alfabetit të shqipes më 1878. U dha me mish e me shpirt në shërbim të Pavarësisë dhe të shkollës e të librave shqip.
Elena Gjina (Dora D'Istria) (1829-1888). Shkrimtare e publiçiste e lindur në Shqeri të Përmetit; migroi me prindërit e saj në Rumani ku dhe u shkollua e u bë një emër shumë i njohur në Rumani e ndër Shqiptarë, në atdhe e në mërgim. Ajo shkroi shumë për Shqiptarët, për figurat e shquara të këtij vendi në mërgim. U lidh me Rilindasit, me mërgimtarët e dha ndihmesë të madhe në shërbim të lëvizjes kombëtare të Rilindjes. Në studimet e saj pasqyroi historinë dhe atdhetarizmin shqiptar përmes këngëve popullore.
Françesko Krispi (1818-1901). Lindi në Ribera të Siçelisë nga prindër Arbëreshë. Qe personalitet i madh në organizimin e shtetit të ri italian. U zgjodh deputet i Parlamentit të parë italian (1861) për Firencën. Qe kryeministër i Italisë (1887-1891, 1893-1896). Ndihmoi në hapjen e shkollave italiane e shkolla shqip në Shqipëri e në Arbëreshë.
Sami Frashëri (1850-1904). Nuk mund të lëmë pa përmendur tre vëllezërit Frashëri, të lindur në Frashër të Përmetit, të shpërngulur nga vendlindja e të ngulur në Janinë ku dhe u arsimuan. Prej këtej shkuan në Stamboll ku e kaluan jetën. Këta qenë tre kolosë të mëdhenj të lëvizjes kombëtare gjatë Rilindjes. Qenë organizues të veprimtarive atdhetare. Abdyli shkëlqen në lëvizjen politike, atdhetare, për pavarësinë e Shqipërisë; Naimi shkëlqen në shkrime letrare e me frymë atdhetare; Samiu qe një dijetar i veçantë në shkencat shoqërore. Shkroi shumë libra shkencorë e kulturorë për atdheun e tij të lindjes e për Turqinë: fjalorë e vepra historike. Është autor i fjalorit enciklopedik Osman (Kamus-ul alam), 1900, në 6 vëllime ku flitet shumë për historinë e për figura historike shqiptare. Problemeve të Rilindjes shqiptare u kushtoi jetën. Libri "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e çdo të bëhet" është një manifest i Rilindjes Kombëtare shkruar prej tij.
Viktor Eftimiu (1889-1972). Lindi në Boboshticë të Korçës e jetën e kaloi në Rumani. Radhitet ndër përfaqësuesit më në zë të letërsisë rumune të shek. XX. Si dijetar e shkrimtar mori titullin akademik. Ruajti lidhjet shpirtërore me Shqipërinë e shkroi shumë për Shqiptarët e Shqipërinë, përkrahu me forcë interesat e atdheut ku lindi.
Personalitetet e shquara të migrantëve shqiptarë janë të shumtë e me shumë veprimtari ndaj atdheut, po këtu nuk është e mundur të jepen.
Ç'mendim keni për studimin e thelluar të lëvizjeve të jashtme migratore. A ka ardhur koha që studiuesit të punojnë më me interes në këtë fushë pasi ka shumë pika të errëta dhe paqartësi në këtë aspekt! Si mund të organizohet një studim i tillë?
Migrimet e jashtëme, po dhe ato të brendëshme duhet të studiohen në thellësi e në gjithanshmëri, me projekte të bëra me përkushtim e me dije të thella për popullsinë. Deri sot ka shumë gjëra të pasqaruara. Studimet bëhen me statistika, po duhen bërë me eksplorime gjithëpërfshirëse me burime nga më të ndryshmet. Sot, sipas të dhënave të ndryshme të shkruara, ka në botë rreth 16.500.000 Shqiptarë; 6.500.000 në trojet e tyre stërgjyshore e 10.000.000 në diasporë. Këto shifra nuk janë të vërtetuara sa duhet. Duhen specialistë të përkushtuar që ta bëjnë këtë kërkim shkencor për migrimet.
Rreth librit të tij "Lëvizjet migruese të shqiptarëve..."
Comentários