top of page

Lumturia është të këndosh këngën tënde, si zogjtë...


Lumturia është të këndosh këngën tënde, si zogjtë...

… zogjtë nuk e dinë kush po i dëgjon dhe çfarë mendojnë për ta ata që i dëgjojnë.


Mëngjeseve e shihja gjithnjë kërrusur mbi një shat. Ujiste perrimet në kopshtin e vogël buzë Remës (kanalit që vinte nga lumi Shkumbin në Elbasan për të ujitur bahçet). Më bëri përshtypje një ditë dhe u afrova më afër. Ishte veshur si një nuse. Fshiva sytë. Nuk doja ta besoja.

-Eh, u bëre kureshtar? - më tha.

-Si të them, nuk dua të të gënjej. – ia ktheva.

Ja që edhe unë kam dëshira… ndoshta dhe këto janë të tjera. Kam pasur më saktë… Doja të isha si ajo. Kisha një shoqe komshije përpara … Madje isha dhe e dashuruar, por pastaj … Asgjë. Kam qarë. Por më shumë kam qarë kur u bë nuse moshatarja ime. Ajo e kishte nënën e saj mësuese. E kështu, e kështu… Dhe tani vishem vetëm të hënave kështu…. Dua të ngjaj me dikë tjetër… Ndoshta ndonjëherë edhe ju dëshironi të ishit dikush tjetër, duke jetuar jetën e dikujt tjetër. Dua të jem e bukur. Dua të jem e lumtur.

-E lumtur?- mërmërita unë, ndërsa e shihja ashtu në atë gjëndje të rënduar.

-Po. - më tha. Ja si ato zogjtë atje. Ja… A keni menduar ndonjëherë se çfarë do të donte ky “dikush tjetër”? Dëgjojeni këtë histori që do t'i përgjigjet pyetjes suaj...

Çdo mëngjes, rrugës për në punë, ai kalonte nga kjo rrugë. Një ditë, duke menduar për problemet e jetës së tij dhe i mërzitur nga përditshmëria e tij gri, monotone, u ndal në sheshin e qytetit, shikoi me ëndërrim përqark dhe psherëtiu:

- Eh, pse nuk u bëra i pari si ky në këtë zyrë ... Sa detyrë të bukur dhe të qetë do të kisha, sa interesante do të ishin ditët e mia... Dhe tani rri gjithë ditën mbi karrocë i mbytur me urdhëra pa lidhje. ..

Në skajin tjetër të sheshit po ndërtohej një godinë e re, nga ku dëgjoheshin goditjet ritmike të çekiçëve të marangozit dhe britmat e punëtorëve. Një nga mjeshtrit e ndërtimit u ndal për një minutë për të pushuar nga puna e tij e vështirë dhe për të fshirë djersën nga balli. Kur u kthye nga sheshi dhe sytë i ndaluan te ai mbi karrocën e komunales, psherëtiu rëndë:

- Eh, pse nuk kam lindur që të kisha një mik... Tani do të isha dhe unë atje me punë më të lehtë... Çfarë do të kisha? Një jetë të bukur dhe të qetë. Dhe tani qëndroj jashtë gjithë ditën, në të ftohtë dhe në vapë, dhe mbaj çekiçin e rëndë...

Në të njëjtën kohë, i pari i qytetit, qëndroi përballë njërës prej dritareve të mëdha të zyrës së tij dhe shikoi pa mendje jetën e zhurmshme në rrëzë të godinës. Sheshi u mbush me njerëz dhe kudo dëgjohej një zhurmë gazmore. Njerëzit iknin evinin, nënat me fëmijë ndalonin dhe bisedonin shkujdesur, nëpunësit e nxituar hidheshin poshtë e lart, dhe nga ndërtimi aty pranë dëgjoheshin britmat dhe goditjet monotone të çekiçëve.

"Oh," mendoi i pari i qytetit, sa jetë të thjeshtë dhe të qetë kanë gjithë këta njerëz të qytetit... Ecin të shkujdesur, janë gjithë ditën në ajër të pastër, dita e tyre është e mbushur me punë fizike dhe në mbrëmje ata shkojnë në shtëpi të lodhur këndshëm në familjet e tyre dhe flenë të qetë. Dhe unë kam çështje kaq të rëndësishme dhe serioze për të zgjidhur, qëndroj gjithë ditën midis mureve të gurta të zyrës dhe mendoj problemet politike që vijnë nga lart. Si do të ishte të ishe një karrocier i thjeshtë, apo një usta që punon jashtë, shijon diellin dhe mendon vetëm çekiçin e tij... Dhe gati sa nuk preku tavanin.

-Shkundu more, shkundu se po flet budallalëqe - ia ktheu gruaja që ndodhej afër krevatit ku flinte gjumë ai duke i shtuar me zë të lartë…

-Eh, në ëndrra të duket e lehtë dhe duket se puna e jeta e tjetrit është bukë me sheqer.

-E tashti e kam me ty, me ty. A e di se çfarë e pyeti pastaj gruaja e tij?

-Jo.

-Është lumturi kjo që kërkon?

- Po ai si iu përgjigj? – e pyeta unë.

- Ai? E ku dinte të përgjigjej ai. – ia ktheu ajo.

- Po ti si mendon? – e pyeta unë.

Heshti një copë kohë dhe vazhdoi.

-Lumturia është të këndosh këngën tënde, si ata zogjtë atje ... zogjtë nuk e dinë kush po i dëgjon dhe çfarë mendojnë për ta, ata që i dëgjojnë, ka thënë Rumi.

9 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page