top of page

Lumnie Thaçi-Halili: QASJE HOLISTIKE NDAJ ROMANIT...


Lumnie Thaçi-Halili

 

QASJE HOLISTIKE NDAJ ROMANIT “HIJA E MALLKUAR”

TË THANAS MEDIT

(Botoi, URA, Prishtinë, 2024)

 

 

 

Eksplorim mbi bazën e shumëllojshmërisë së kuptimeve

Autori Thanas Medi, tashmë me romanet e tij, si prurje të veçanta në letërsinë shqipe do të jetë identitar vetëm me aureolën e tij krijuese. Mirëpo, fillimisht për ne “Hija e Mallkuar” është një libër frymëzues dhe i denjë për admirim. Romani do të jetë sot e mot në letërsinë shqipe të tranzicionit një testament faktologjie artistike që dëshmon për kohën e një vendi dhe njerëzit e tij.

Për të mos u mjaftuar vetëm me kënaqësinë e leximit të përjetuar, librit iu riktheva për t’i bërë një eksplorim më të detajuar mbi bazën e shumëllojshmërisë së kuptimeve brenda kompleksitetit të nëntekstit përmbajtësor, sepse ai do përqendrim përgjatë leximit për shkak të thellësisë që ka. Kështu që, për ta zbërthyer atë, vendosa një qasje të integruar klasike dhe bashkëkohore: rreth strukturës narrative; aspekteve etike dhe filozofike; simboleve, figuracionit dhe retrospektivës; ndryshimit të njeriut në postkomunizëm; konstruktivizmit dhe psikanalizës së personazheve (më gjerësisht) nga prizmi psikologjik dhe emocional; kontekstit social dhe kritikës sociale; intertekstualitetit dhe referencave kulturore; prizmit të identitetit dhe multikulturalizmit; estetikës dhe simbolizmit modern, mbase për të sjellë një perspektivë më ndryshe, mbi çështjet që romani ngre. 

Pra, me një qasje hibride për një analizë të plotë, që përfshin elemente të stilit klasik dhe bashkëkohor, e cila është më e përshtatshme (sipas teorisë letrare) për romane të tranzicionit. Për arsye se, siguron një perspektivë të plotë historike dhe sociologjike, duke analizuar ndryshimet në strukturën shoqërore dhe kulturore; lejon eksplorimin e ndërlidhjeve ndërmjet narrativës klasike dhe moderne, si p.sh., mënyra se si ndikojnë transformimet e mëdha sociale në jetën individuale, ofron hapësirë për interpretim të thellë të konflikteve të brendshme të personazheve në roman, të cilat shpesh pasqyrojnë përplasjet mes traditës dhe modernitetit. Duke u nisur nga kjo qasje, secili nga ne si lexues dhe gjykues me një mendim kritik, mund të zbulojmë aspekte të reja të romanit në fjalë që mund të mos jenë të dukshme në leximin e rëndomtë, nga koha e lexuar për herë të parë (para disa vitesh) dhe rikthimit tani (sivjet). Lidhur me rikthimin e leximeve, në mënyrë të drejtë R. Qosja thotë se “Veprat letrare, qoftë edhe të të njëjtit shkrimtar, nuk lexohen njësoj në çdo kohë, prandaj edhe nuk përvetësohen as me ndjenjë, as me kuptim njësoj” (R. Qosja, Ramiz Kelmendi, Vija e vragë në jetën tonë, Rilindja e dytë, Kompleti, vëll. 22, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2010, f. 343).

Vetë titulli i romanit “Hija e Mallkuar”, na bën me dije se këtu është fuqishëm i pranishëm miti i hijes, ngase ai është i fuqishëm dhe universal te të gjithë popujt, në mitologji, folklor dhe letërsi. Nisur nga ky mit, paraprakisht po fillojmë nga ndërtimi fjalëformues i vetë titullit të librit: “Hija e mallkuar" që është njësi fjalësh apo një bashkim sintagmash, i përbërë nga një emër (hija) dhe një mbiemër (e mallkuar), ku që të dy pjesët përbërëse, kanë formime të qarta brenda sistemit morfologjik të shqipes. Të shohim shpjegimin e fjalës hije: HIJ/E,~A f.sh.~E,~ET. 1. Hapësirë e errët a me fare pak dritë pas një trupi, i cili nuk lë të kalojnë nëpër të rrezet e diellit ose të një burimi tjetër; mungesë drite ose errësirë jo e plotë pas dikujt a diçkaje që e zë dritën..., ; figurë e paqartë, pamje e turbullt e dikujt ose e diçkaje në errësirë a në mjegull etj., me gjithsej trembëdhjetë shpjegime ndarëse e nëndarëse figurative (Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, ASHSH, f. 679, Tiranë, 1980). Kurse hija, në mitologjinë popullore shqiptare është qenie fantastike e përfytyruar si një fantazmë e ëndrrave të frikshme...Por më shpesh ajo ishte hija e ligë...etj., (f. 115, Fjalori mitologjik, Rilindja, Prishtinë, 1988).

 

Hija dhe Njolla si antroponim, të ndërlidhura në mit e mallkim

Në tradita të ndryshme letrare, miti i hijes mund të interpretohet dhe të përshtatet në mënyra të ndryshme, por thelbi mbetet përballja me atë që është e errët dhe e pavetëdijshme brenda njeriut dhe përreth tij.

Është një koncept që shfaqet në shumë kultura dhe tradita, duke u lidhur shpesh me ide të tilla si misteri, pjesa e errët e njeriut, dhe frika nga e panjohura. Hija shpesh përfaqëson anën e errët ose të fshehtë të personalitetit, diçka që ekziston, por që ne mund të mos e pranojmë apo ta injorojmë. Ekzistojnë shumë motërzime (variante) në kultura të ndryshme, që nga antikiteti në legjendat antike si shenjë e pranisë së një shpirti ose një etniteti tjetër, po ashtu edhe anën misterioze të ekzistencës. Ndërsa në folklorin popullor të disa kulturave, hijet shpesh janë të lidhura me shpirtrat ose me forcat e liga. Disa mite flasin për hije që përndjekin njerëzit, që janë shenja të fatkeqësive të ardhshme ose që mbartin një mesazh nga bota e përtejme. Ndërkaq në letërsi, hija shpesh përdoret si një simbol i brendshëm që përfaqëson frikën, dëshirat e shtypura, ose natyrën e dyfishtë të njerëzve. Shumë romane klasike përmbajnë karaktere që janë të ndjekur nga hijet e tyre metaforike, të cilat përfaqësojnë anën e errët të personalitetit të tyre. Përgjithësisht, parë prej shumë aspekteve miti i hijes është i fuqishëm dhe universal, duke pasqyruar aspektet e fshehura të natyrës njerëzore që janë gjithmonë të pranishme, por jo gjithmonë të dukshme. Ai na kujton se për të qenë të plotë, duhet të pranojmë të gjitha pjesët e vetes sonë, edhe ato që janë më të errëta apo të panjohura. Mirëpo, si pjesë interesi për romanin në fjalë është mallkimi i hijes, është një temë intrigante që siç u tha më sipër, mund të gjendet në mitologji, folklor dhe letërsi, duke përfaqësuar idenë e një hije që është e mallkuar ose që mbart një mallkim, që ndjek një individ apo një grup njerëzish. Kjo temë, shpesh simbolizon ndëshkimin për mëkatet ose gabimet e së kaluarës, dhe hija shërben si një shprehje e kësaj ndjekjeje të pashmangshme që ndjek dikë pa pushim. Ky mallkim mund të ketë mbetur si pasojë e ndonjë akti jo të mirë të kryer në të kaluarën... Kështu që, pa ia nda, hija ndjek personazhet-vetëzat, e veçanërisht kryevetëzën-kryepersonazhin kudo, duke ia kujtuar atij ngado e kudo që është, që nuk mund t’i shmanget asaj, motiv i cili shfaqet kryekëput në këtë libër. Pavarësisht sa larg përpiqet të largohet, siç ndodhi edhe me largimin e atij apo atyre, hija është gjithmonë aty, e pashmangshme duke simbolizuar se asnjë mëkat nuk mund të fshihet plotësisht, pavarësisht largimit-ikjes, ajo është përndjekëse. Përkundër egos dhe qëllimit si dy forca të fuqishme që e drejtonin kryepersonazhin të mos dorëzohet nga sfidat që has; luftoi për të realizuar ëndrrat e tij, duke përfaqësuar shpirtin e palëkundur të njeriut. Ashtu si në mite dhe legjenda, edhe  këtu në këtë roman, mallkimi i saj kaloi ndër breza, duke ndjekur pasardhësit e fshatit, por pa treguar a nënvizuar idenë për lexuesit që këtë përndjekje cili akt madhor shlyerjeje mund ta zgjidh?! Mund të thuhet se, jo rastësisht autori Th. Medi e emëroi kështu një libër të tillë, ngase përmes tij ai diti të krijojë aty një atmosferë tensioni, ankthi, pasigurie dhe vendosmërie; parë nga prizma të ndryshëm. Një fshat me një emër karakteristik si "Hija e Mallkuar" tingëllon si një vend me histori të errëta dhe legjenda të frikshme, që mund të ngjallë imagjinatën për mistere dhe sekrete të fshehura. Duke qëndruar vetëm te titulli, pa hyrë ende në leximin e librit, lexuesi sikur e koncepton përshkrimin  fshatit "Hija e Mallkuar", bashkë me vendndodhjen e tij, si një fshat i izoluar, i vendosur thellë në malet ose pyjet e dendura, larg qytetërimit. Qasja në të është e vështirë dhe rrugët drejt tij shpesh janë të mbuluara me mjegull, atmosfera në fshat është e zymtë dhe e rëndë, me një fjalë, të gjitha të këqijat që ju vijnë vendasve aty, ata ia atribuojnë hijes së mallkuar, pa e ditur origjinën, kufirin  kohor të mallkimit, por vetëm të mjaftuar me krijimin e legjendës së saj, pa rituale flijimesh e sakrificash. Pra, fshati "Hija e Mallkuar" përfaqëson një vend ku e kaluara dhe e tashmja përplasen, duke krijuar një atmosferë të mbushur me frikë, mister dhe një ndjenjë të pashmangshme të ndjekjes së të keqes. Emri dhe legjenda e tij na grish e na tërheq pa hamendje vazhdimisht. Titulli dhe emri i protagonistit janë të lidhur thellësisht përmes idesë së pashmangshmërisë së mallkimit dhe stigmatizimit. "Hija e Mallkuar" ndjek gjithnjë "Njollën", duke krijuar një lojë simbolike të fuqishme: hija është njolla, dhe anasjelltas njolla është hija. Vetë protagonisti Vangjel Njolla përfaqëson një individ që mbart mbi vete një barrë të padukshme, të cilën e ndjek si hije kudo që shkon. Atëherë lindohet pyetja, çfarë mund të jetë kjo barrë-rëndesë? Ndaj kësaj pyetje si dilema përgjigjesh rrjedhin këto se, kjo barrë mund të jetë e kaluara e tij, mëkatet e paraardhësve, ose paragjykimet e shoqërisë që nuk e lënë të çlirohet. Në një kontekst më të gjerë, kjo mund të interpretohet si një kritikë ndaj kulturës së mospërfshirjes, ku personazhe si Vangjeli mbeten gjithnjë në hije, të njollosur nga paragjykimi dhe injoranca e shoqërisë përreth. Mallkimi nuk është vetëm rezultat i fatit, por edhe produkt i shoqërisë që krijon hierarki dhe stigmatizime për ata që janë jashtë normës-rregullit.

Në këtë kontekst, hija mund të interpretohet si simbol i diskriminimit social dhe ekonomik që përjetojnë emigrantët. Kjo hije nuk është vetëm një prani e jashtme, por përfundimisht bëhet pjesë e identitetit të individit, duke u kthyer në një njollë që ai nuk mund ta lajë.

Emri “Vangjel” është një emër që pasqyron një identitet të përzier kulturor, në një shoqëri ku emrat kanë domethënie të thella identitare, sikurse në Greqi, aty ku edhe zhvillohen e luhen gati tërësisht ngjarjet e romanit. Duke u parë nga ta-grekët-vendasit, emri Vangjel (i një shqiptari), jo vetëm që mund të nënkuptojë një përpjekje të tyre për asimilimin e tij, por edhe përjashtimin e zhdukjen. Si një emër që mbart traditën greke, por që shpesh përdoret edhe nga shqiptarët ortodoksë, ai simbolizon tensionin mes integrimit dhe ruajtjes së identitetit origjinal. Ndërsa mbiemri “Njolla”, nënkupton  njollën si metaforë e moralitetit dhe e turpit. Ai është zgjedhje e qëllimshme nga autori për të përfaqësuar një njollë të dukshme në ndërgjegjen e personazhit dhe të shoqërisë që e rrethon. Njolla është një simbol i përhershëm i fajit, turpit dhe mëkatit. Ajo bart kuptimin e një njolle që nuk mund të hiqet, një e kaluar që nuk mund të harrohet ose shlyhet lehtë.

Njolla, brenda kontekstit në roman, mund të interpretohet në disa nivele: si njollë personale – Njolla e Vangjelit mund të jetë e lidhur me një të kaluar të përgjakshme ose mëkat, një sekret që ai mban me vete dhe që e shtyn drejt vetë-përçmimit; si njollë kolektive – Njolla mund të simbolizojë turpin kolektiv të shoqërisë që ka diskriminuar dhe përjashtuar të tjerët për shkak të paragjykimeve. Kjo njollë e përfaqëson mallkimin shoqëror që ai bart për shkak të prejardhjes së tij; si njollë historike – Njolla mund të jetë edhe një reflektim i të kaluarës historike dhe plagëve të pashëruara të konflikteve midis shqiptarëve dhe grekëve, një shenjë e paprekshme që vazhdon të ndikojë mbi marrëdhëniet ndërkulturore...

Lidhja midis Hijes dhe Njollës, apo kombinimi i hijes dhe njollës krijon një strukturë dialektike, ku njëra përfaqëson të pashmangshmen e kaluar dhe tjetra është dëshmi e dukshme e përjashtimit dhe stigmatizimit. Në thelb, hija është një metaforë për pasojat, ndërsa njolla është simbol i shenjës së dukshme të fajit. Vangjel Njolla jeton në një gjendje të vazhdueshme ankthi dhe vetëdyshimi, duke u përballur me një shoqëri që i vendos etiketa dhe e mban në hije.

Në kontekst filozofik, mund ta shohim Vangjelin si një figurë ekzistencialiste, një personazh që përpiqet të shlyejë njollën e tij përmes përpjekjeve të vazhdueshme për integrim dhe vetërealizim, por gjithmonë përballet me pengesa të jashtme që i kujtojnë hijen e mallkuar, e cila e ndjek. Nëse e  shohim këtë nga një këndvështrim psikoanalitik, hija dhe njolla mund të përfaqësojnë aspektet e pavetëdijshme të vetes, që individi përpiqet t’i shtypë ose të mos i pranojë. Për Vangjelin, i vetëdijshëm është se, përballja me hijen dhe pranimi i njollës është pjesë e procesit të rritjes dhe vetëpërmbushjes. Fill pas leximit të romanit, po ta bëjmë një reflektim mbi integrimin dhe identitetin, do të bindemi përfundimisht, se titulli dhe emri i personazhit krijojnë një lidhje të fortë simbolike që eksploron temën e identitetit të dyfishtë dhe vështirësitë e integrimit. Thënë shkurt,"Hija e Mallkuar" dhe Vangjel Njolla janë dy faqe të së njëjtës medalje, e dukshmja dhe e padukshmja, të cilat përshkruajnë luftën e individit për të balancuar atë që është dhe atë që shoqëria e detyron të jetë: një personazh që përpiqet të shpëtojë nga e kaluara, të shlyejë njollën dhe të çlirohet nga hija, por që përfundimisht kupton se këto janë pjesë të pandashme të identitetit të tij. Titulli i veprës, “Hija e Mallkuar”, e shtrin simbolikën e njollës në një dimension më të gjerë. Në tekstin letrar, hija funksionon si një simbol që nuk mund të ndahet nga personazhi, një element që e ndjek kudo. Në këtë rast, hija është një shtrirje metaforike e njollës, duke e bërë atë jo vetëm personale (njolla e dukshme), por edhe ekzistenciale (hija që nuk largohet). Përveç kësaj, ndjehet dhe mallkimi si forcë e jashtme që sugjeron një fat ose peshë që i është imponuar personazhit nga jashtë. Ndryshe nga njolla, që është e dukshme dhe konkrete, hija është më abstrakte dhe më universale, duke i shtuar tekstit një dimension të errët dhe fatalist.

Funksionin letrar, më mirë se kushdo për këtë çështje, e plotësojnë edhe mjetet stilistike, ngaqë autori e ka parasysh teksa ka ndërtuar ndërlidhshëm mbiemrin dhe titullin si një nga mjetet stilistike unike këtu, për të krijuar një efekt të fuqishëm letrar. Kryesisht shquhet mbiemri si karakterizim i drejtpërdrejtë "Njolla", i cili del në pah si një mënyrë e drejtpërdrejtë për të karakterizuar personazhin dhe për të përcjellë simbolikën e tij që në emër. Më pas vjen titulli si metaforë gjithëpërfshirëse "Hija e Mallkuar" e cila e shtrin përvojën personale të personazhit në një nivel përgjithësues, duke i dhënë lexuesit një pamje më të gjerë të temave të veprës. Më tej ndalon te kohëzgjatja simbolike, ku Njolla parashtron një moment ose ngjarje të caktuar (një mëkat, turp, ose gabim), ndërsa hija tregon peshën e vazhdueshme të asaj ngjarjeje, duke krijuar një ndjenjë kohe të paprerë, mbase edhe të përhershme.

Përfundimisht, ashtu edhe siç u prekën në zanafillë, nga aspekti analitik, mbiemri Njolla dhe titulli “Hija e Mallkuar” janë dy elemente që jo vetëm ndihmojnë në ndërtimin e karakterit dhe konfliktit narrativ, por gjithashtu ndërtojnë një sistem simbolik që pasqyron temat kryesore të veprës: identitetin, fajin, stigmatizimin dhe pashmangshmërinë e pasojave të së kaluarës. Në këtë mënyrë, autori ndërton një lidhje të fuqishme midis jetës së brendshme të personazhit dhe ndikimit të botës së jashtme mbi të. Çuditërisht, në kuptimin kontekstual fetar, po të bëjmë një analizë simbolike, do të shohim që emri Vangjel përfaqëson idenë e shpresës, lajmeve të mira dhe një identitet të lidhur me traditën e shpalljes së diçkaje të rëndësishme (Evangelos, ka kuptimin e plotë “Ungjilli”, “lajmëtar i së mirës”). Në kulturën shqiptare, emri Vangjel është i përhapur veçanërisht ndër shqiptarët ortodoksë dhe mban një lidhje të fortë me traditën dhe historinë fetare. Në vepra letrare, ai mund të përdoret si një emër që kundërvihet (kontraston) me fatin ose realitetin e personazhit, duke krijuar një ironi të qëllimshme, si në rastin e Vangjel Njollës në kontekstin e titullit “Hija e Mallkuar”.

  

Zhanri i romanit

Përkatësisht sa i përket zhanrit apo llojit, romani "Hija e Mallkuar" hyn në kategorinë e disallojshme të romaneve, si: psikologjikë dhe socialë me elemente simbolike. Gjithashtu, ky roman, shpesh përfshihet në disa nënkategori letrare, parë nga këndvështrimi i analizës sonë, dhe ja disa nga arsyet mbështetëse:

1. Është roman psikologjik, sepse përqendrohet thellësisht në ndërtimin e botës së brendshme të personazheve, duke eksploruar ndjenjat e tyre, luftën e brendshme, traumat dhe përplasjen mes dëshirës dhe realitetit. Konfliktet e brendshme të protagonistëve dhe procesi i përballjes me identitetin e tyre emocional, moral dhe shpirtëror përbëjnë bërthamën e rrëfimit në roman. Ja një shembull nga teksti: Të çuditshëm e quaja adhurimin tim ndaj neverisë gati të hapur të saj (Hija e Mallkuar, URA, Prishtinë, 2024, f. 11). Analiza e protagonistit përballë dashurisë së ndaluar dhe ndjenjës së fajit tregon qasjen psikologjike të autorit.

2. Roman social, i cili trajton tema të mëdha shoqërore, si emigracioni, paragjykimet, racizmi dhe ndarjet klasore. Ai eksploron marrëdhënien midis individit dhe shoqërisë, duke trajtuar se si presionet shoqërore ndikojnë në formimin e identitetit dhe në vendimet jetësore të personazheve. Shembull nga teksti: Ka aq frikë (thotë Timo) se mos e marrin vesh shoqet greke që ajo është shqiptare, sa s’na lë të flasim as shqip (po aty f. 36). Përballja e protagonistit me një shoqëri që e përjashton për shkak të kombësisë është një analizë e mprehtë e paragjykimeve sociale dhe e dinamizmit ndërkulturor.

3. Shihet edhe si roman simbolik me elementet e shumta simbolike në rrëfim, si errësira, drita, pasqyra, dhe shtresëzimi i kuptimeve filozofike, shumë nga këto, e vendosin këtë roman edhe në rrafshin simbolik. Këto simbole i japin romanit një dimension ndërkombëtar, duke e bërë të kuptueshëm përtej kontekstit të tij të ngushtë social dhe kulturor. Shembull nga teksti: Kjo linte për të kuptuar se unë, isha një qenie që duhej të vegjetonte në errësirë dhe t’i shmangej dritës...I vdekuri i dritës dhe i gjalli i errësirës (po aty f. 224). Errësira dhe drita simbolizojnë fshehjen dhe zbulimin e së vërtetës, si dhe konfliktin midis dëshirës për intimitet dhe frikës nga shoqëria.

4. Roman filozofik me shumë elementet filozofike të reflektimit mbi dashurinë, identitetin dhe drejtësinë, si dhe mbi natyrën njerëzore përballë presioneve sociale dhe paragjykimeve, e kategorizojnë romanin edhe në këtë nënkategori. Shembull nga teksti: Nuk do  iki, - i thashë më i vendosur se kurrë, - këtu është shtëpia ime...Të pëlqeu apo s’të pëlqeu ty, Kristjana do bëhet gruaja ime (po aty f. 238)! Lufta e protagonistit për të ruajtur dinjitetin dhe dashurinë përballë një shoqërie paragjykuese është një reflektim mbi lirinë dhe humanizmin.

Në një kuptim më të gjerë analitik, "Hija e Mallkuar" përfaqëson një roman modernist, që sfidon kufijtë tradicionalë të narrativës dhe përdor introspeksionin dhe simbolikën për të eksploruar çështje universale.

"Hija e Mallkuar" mund të përfshihet edhe në kategorinë e romaneve historikë, por me disa nuanca dhe karakteristika të veçanta që e dallojnë krejtësisht nga romanet historikë tradicionalë. Pikërisht për këto argumente:

1. Posedon mjaft elemente historike në rrëfim. Romani pasqyron ngjarje, atmosferë dhe situata historike të një periudhe të caktuar kohore. Ai përshkruan dinamikat shoqërore, politike dhe kulturore të kohës, duke u mbështetur në kontekste të sakta historike. Shembull nga teksti: Paska edhe këtu radhë si tek ne në kohën e Enverit (po aty, f. 10). Përfshin një kontekst kohor të identifikueshëm historikisht, si periudhë të rëndësishme politike- komunizmin. Kjo e bën atë pjesë të romaneve historikë.

2. Vërehen mjaft karaktere dhe ngjarje të lidhura me historinë. Dihet që personazhet dhe ngjarjet e romanit janë ndikuar tek autori drejtpërdrejt nga ngjarje reale historike, ngase janë të vendosura në një periudhë historike të njohur, andaj romani fiton një dimension historik. Shembull nga teksti: Që kur u hap greku, si gjithë shqiptarët që i ndërruan emrat, e ndërrova edhe unë, e bëra Vangjel (po aty f. 21). Përballja e personazhit me emigracionin e lëvizjet nacionaliste sugjeron një angazhim të drejtpërdrejtë me historinë.

3. Dimensioni simbolik i historisë është mbërthyes. Në disa raste, në këtë roman shfaqen elemente të forta simbolike dhe personale, jepen ngjarjet historike jo thjesht si përshkrim faktik, por si sfond për të reflektuar mbi ndjenjat dhe dinamikat universale. Shembull nga teksti: Të ikim, thamë atëherë bashkë me Timon, të ikim nga ky vend se është i mallkuar (po aty f. 13). Simbolika e mallkimit e interpretuar si një referencë për një barrë historike që trashëgohet nga brezi në brez.

4. “Hija e Mallkuar” është roman që modernizon rrëfimin historik. Edhe pse qëllimisht nga autori elementet historike janë të pranishme, ai megjithatë, përkap një qasje më introspektive dhe të ndërlikuar sesa romanet klasikë historikë, duke kaluar përtej narrativës kronologjike dhe duke përdorur historinë si mjet për të ndërtuar një pasqyrë të brendshme objektive dhe shpirtërore të personazheve që përbëjnë ngjarjet e një kohe.

"Hija e Mallkuar" ka edhe elemente të një romani romantik, por jo në kuptimin klasik të zhanrit ku dashuria është tema kryesore dhe qendrore këtu. Ja si mund të përfshihet ose ndërlidhet me këtë kategori:

1. Prania e një historie dashurie brenda romanit është shumë e fortë. Brenda rrëfimit ka një lidhje dashurie të ndjeshme dhe të ndërlikuar, dashuria e Vangjelit dhe e Kristjanës, kjo e përfshin romanin në zhanrin romantik pjesërisht, me disa çaste. Pavarësisht, mospërcaktimit si roman romantik në tërësi, historia e dashurisë së dy të rinjve është shumë thelbësore, e cila ndikon edhe rrjedhën kryesore të ngjarjeve.

2. Dashuria si një shtysë e brendshme në roman me çastet e bukura romantike, pa dyshim që ngjall te lexuesi emocionin dhe shpirtin e dashurisë. "Hija e Mallkuar" trajton dashurinë si një element simbolik që reflekton luftën e brendshme të personazhit- Vangjelit (përballë kontekstit historik). Ai, Vangjeli, dikur me durim synonte te qëllimi, pushtimi i Kristjanës, prandaj pas pagëzimit thotë: Koha ishte e përshtatshme për të guxuar dhe për të vepruar (po aty f. 92).

3. Romantikja në kuptimin filozofik

Në letërsinë romantike (sidomos asaj të shekullit XIX dhe fillimshekullit XX), shpesh gjejmë një fokus tek emocionet, idealizimi i ndjenjave dhe lidhja e tyre me natyrën, fatin apo ndonjë pengesë a mallkim metafizik. Atëherë edhe "Hija e Mallkuar" përshkruan një histori të tillë ku dashuria është e lidhur me natyrën, fatin ose idenë e tragjikes, andaj edhe ky roman, pra, mund të konsiderohet me disa elemente romantike, vetëm në kuptimin e një letërsie filozofike-romantike.

Ndërthurje zhanresh të ndryshme përfshin romani “Hija e Mallkuar”, kështu që parësisht e përfundimisht, vetëm dashuria nuk është kryefjala e romanit, meqë nuk qenka si kryefjalë dashuria, atëherë të ndërlidhur edhe me tema tjera, të lartcekura, si historike, psikologjike apo simbolike, mund ta konsiderojmë edhe si një roman me elemente romantike.

 

Romani brenda hapësirës dhe kohës

Nga ana tjetër, “Hija e Mallkuar” përcaktohet edhe sipas kohës dhe hapësirës që përfshijnë ngjarjet e t’bëmat. Duke lexuar, akëcili prej nesh do të shohë mjedisin- gjeografinë ku zhvillohen ngjarjet dhe mënyrën sesi ato lidhen me periudhat historike dhe atmosferën.

Në këtë roman, ngjarjet janë përcaktuar në kohë historike, ani pse s’ka kronika përshkruese historike. Ai përfshin elemente specifike historike, si ngjarje, personazhe, ose një epokë të caktuar (p.sh., ngjarjet zhvillohen pas viteve ’90, periudhës së tranzicionit shqiptar, fundshekulli XX), kohë kur u hapën kufijtë e u dyndën shqiptarët nëpër vendet e Europës dhe lëshuan atdheun e tyre – Shqipërinë. Ngarje të tilla, kryesisht janë ndikuese të drejtpërdrejta edhe në formimin e karakterit të romanit. Shembulli vijues jepet me ngjyra trishtimi nga zbrazja e fshatit: Me shpërnguljen time të përhershme, Hija e Mallkuar nuk do të kishte më endacakë. Fshatit ku më ra koka, i kishin ikur të gjithë. Tash e mbrapa aty kishin mbetur vetëm pleq të vetmuar dhe ndonjë fëmijë tek-tuk, si lule që s’dihej nëse do të çelnin të tjerë ndonjëherë (po aty f. 13),; Emigrantin nuk e pyesin ndonjëherë “si vete me shëndet”, e pyesin gjithmonë “si vete me punë”, sepse puna për të është para shëndetit- është vetë shëndeti (po aty, f. 53).

Brenda kohës bashkëkohore ngjarjet në vepër ndodhin në një kontekst modern, aq larg shkojnë në kët rast sa e lidhin mallkimin me problemet e sotme sociale, psikologjike apo kulturore. Krejt natyrshëm, e shkuara shfaqet përmes kujtesës, retrospektivës, trashëgimisë ose përballjes simbolike. Shembull: Për emrin e fshatit kishte shumë variante shpjeguese, por më bindësi qe ai, i cili tregonte, se njerëzit e parë që e populluan atë vend, lindnin me hije në trup. Një hije a njollë që s’dihej pse u quajt e mallkuar. Atje kishte ujë për të pirë, por s’kishte për t’u larë. Kishte drita, por të shumtën e kohës mbeteshe pa dritë. Kishte lëndina me lule të bukura, por s’kish ëndje, dëshirë apo oreks për të shijuar bukurinë. Kishte zogj që cicërijnë, por s’kishte njerëz për të dëgjuar cicërimat. Kishte veç pleq e plaka që varrosnin njëri-tjetrin, por jo fëmijë që t’i përtërijnë (po aty, f. 175). Fshati me misterin e pazgjidhshëm të emërtimit dhe vetminë e lënë. Një familje moderne që përballet edhe sot me një mallkim të trashëguar nga paraardhësit.

Nga pasazhi i sipërvënë, kuptohet që koha e nemës-mallkimit, është e paqartë, e papërcaktuar, shumë e largët, s’kapet dot, s’mbahet mend, gati si në përrallë-ndodhi dikur, duke krijuar një atmosferë mistike ose mitologjike. Kjo mund të jetë një zgjedhje e qëlluar tjetërsuese kohore nga autori, për ta bërë romanin më mistik.

Përbrenda romanit “Hija e Mallkuar”, përcaktuese është edhe hapësira. Shumë vendngjarjesh, janë hapësira konkrete (p.sh., shtet- Shqipëria: Dikur u përgjigja se, mirë ishte familja ime në Shqipëri, saktësisht, në fshatin me emrin e çuditshëm Hija e Mallkuar (po aty, f. 174); Greqia: Deri atëherë bridhja nëpër fshatrat e Greqisë nga fusha në fushë (po aty, f. 12); një qytet-Hrisupoli: ... po ashtu edhe për mbarëvajtjen e nguljes së përhershme në Hrisupoli (po aty, f. 12); fshat grek ose rajon shqiptar: Kisha mbledhur mollë starkinga në Makrinicë, domate salce në Metali, ullinj të bardhë në Shën Triadhë etj. (po aty, f. 12); Vendosa të bëj prokopi në vendin tim, në Hijen e Mallkuar, bashkë me Timo Murrizin..., fillimisht me gica që i merrnim në Karbunarë të Lushnjës (po aty, f. 13). Nga vetë shembujt e ilustruar, romani lidhet me gjeografinë reale lokale e rajonale, për t’ia bërë më të lehtë fokusin-objektivin përqendrues lexuesit.

 Përveç hapësirave reale, në roman ka hapësira simbolike, të cilat nuk janë reale, por të ndërtuara si vende imagjinare ose simbolike, ku ato mund të shërbejnë për të krijuar një atmosferë gjithëpërfshirëse, tek të cilat lexuesi fokusohet më shumë te mesazhi dhe ndjenjat sesa te vendndodhja. Shembull: E që mua më kujtonte gjithmonë vendin ku bëra ushtrinë, një repart kundërajrorësh në kodrinat përballë Hijes së Mallkuar (po aty, f. 18). Mund të jetë një kështjellë, një pyll misterioz- Mali i Nemërçkës, ose një fshat që nuk gjendet në asnjë hartë-Hija e Mallkuar etj.

 Duke iu referuar stilit narrativ, “Hija e Mallkuar” është roman realist, ngase ai përshkruan ngjarje dhe personazhe me besnikëri ndaj realitetit, duke përdorur një gjuhë të thjeshtë dhe përshkrime të detajuara të mjedisit, për këtë edhe klasifikohet si realist. Madje, në këtë rast, edhe mallkimi mund të jetë krijuar si një besëtytni (supersticiozitet) ose si një metaforë për ngjarje reale.

Mirëpo, brenda librit ka tekst stilistik, ku lexuesi përqendrohet e përjeton emocione të thella, përshkrime të pasura objektive e subjektive, me një narracion dramatik e deri edhe idealist.

 Parashtrohet pyetja, a mund të themi që ky roman ka edhe elementet e stilit gotik? Mendoj se po, vetë nga emërtimi, i cili kombinon elemente të misterit dhe të binatyrshmes, siç janë hija/hijet, mallkimi, xhindet: Korijet mbi Hijen e Mallkuar, fshatin tim, thuhej se qenë plot me xhinde që kërcenin duke tundur shaminë (po aty, f. 120). 

 Veç tjerash, ky roman mund të quhet edhe si ekzistencialist, sepse eksploron kuptimin e jetës së një kohe, dilemat e ekzistencës së personazheve, bashkë me pasiguritë e së ardhmes që kishin ata. Parë nga ky kontekst, libri në fjalë simbolizon edhe absurditetin ose frikën ekzistenciale, siç thoshte dhe G. Luboteni “Njeriu arrin të njohë absurditetin e ekzistencës së vet në botë, në të cilën çdo gjë është e huaj dhe e pakuptueshme për të” (A. Kamy, I huaji, Rilindja, Prishtinë, 1978, f. 7).  

 Hasen edhe elemente të stilit magjik-realist, ku autori me një qasje narrative në roman, pa sforcim, lehtësisht, elementet fantastike ose të mbinatyrshme – të hijes/hijeve; fatit të cunguar, i përfshin në një botë realiste në një mënyrë të natyrshme dhe të zakonshme, pa i veçuar ato si të pazakonta apo të pabesueshme për personazhet, teksa më vonë, të bëra njësh duke i përçuar te lexuesi. Ky stil në këtë vepër, ndërthur realitetin e përditshëm me magjinë, duke krijuar një atmosferë ku të dyja dimensionet ekzistojnë njëkohësisht dhe në harmoni të pandarë. Stili magjik-realist është i zakonshëm sot në letërsinë bashkëkohore.

“Hija e Mallkuar” është dukshëm edhe roman simbolist, ngase ai është i pasur me shumë simbole. Autori, Th. Medi përmes një teknike shprehëse të admirueshme, përdor simbolet për të përfaqësuar ide, ndjenja ose koncepte abstrakte në vend të përshkrimit të drejtpërdrejtë, kjo shihet vetëm duke lexuar nëntekstin e romanit. Kjo qasje e autorit, përqendrohet në fuqinë e imazheve, metaforave dhe përfaqësimeve të fshehta, për t’na komunikuar kuptime më të thella dhe shpesh shumështresore. Gjuha e romanit është e mbushur me simbole dhe metafora të fuqishme që zbulojnë thellësinë e dhimbjes dhe shkatërrimit, ja një ilustrim: "trëndelinë e tharë" dhe "shpirti pa zjarr" japin imazhe të fuqishme të degradimit dhe humbjes njerëzore.

Po sipas qëllimit dhe audiencës ky roman mund të kategorizohet në disa mënyra, autori përmes synimit të tij, ka përcaktuar edhe grupin e lexuesve të rritur, mes këtyre objektivave: mësimore (didaktike), i cili ka për qëllim të edukojë ose të japë një mësim moral, etik ; argëtuese, qëllimi është që t’u ofrojë lexuesve një histori emocionuese, dramë, mister; reflektues, ku si qëllim ka nxitjen e lexuesit të mendojnë për tema madhore të jetës; historik dhe dokumentues, sepse synon të dokumentojë ngjarje historike duke pasqyruar realitete të një periudhe të caktuar, duke përdorur elemente fiktive. Romani ndriçon një periudhë të errët të historisë, atë të tranzicionit shqiptar, pas viteve ’90; sa është shqetësues po aq edhe provokues, synon të “shkund” lexuesit, të sfidojë bindjet e tyre dhe të nxisë reagime të fuqishme emocionale.

 

Konstrukti i romanit

Romani "Hija e Mallkuar" tërësisht përbëhet nga narrativa prozaike e kombinuar me realizmin social dhe simbolizmin letrar. Ku përveç ndarjesh e nënndarjesh të sipërcekura, sipas formës mund të klasifikohet edhe në disa kategori bazuar në strukturën e tij, stilin dhe elementet narrativë që përdor. Po të shohim konstruktimin e tekstit në roman (të cilin do ta shqyrtojmë hap pas hapi), do të shohim se ai është në kuptimin konstruktivizmit edhe:

· Roman episodik, i përbërë nga pesëmbëdhjetë krerë (kapituj), të cilët shfaqin episode dhe histori sa të bashkuara, po aq edhe të ndara mes vete, në formë tregimesh; secili kre i shkëputur, mund të formojë një tregim më vete përmes protagonistëve e ndodhive të ndryshme në secilin kapitull. Ku radhazi, të mbërthyera në strumbullarin kryesor ndërlidhen të gjitha përmes një teme qendrore me emrin “Hija e Mallkuar”.

· Roman i ndërlidhur , sepse ngjarjet dhe personazhet në këtë libër ndërlidhen përmes kthesave të shumta, ndërthurjeve të historive dhe qasjeve jolineare, andaj romani hyn në këtë formë, rrëfimi brenda tij lëviz mes kohëve të ndryshme, duke zbuluar histori personazhesh, gradualisht përmes perspektivave të ndryshme.

Kurse sipas rrëfimit ky është roman në vetën e parë (të shumtën nga vetëdije personale), sakaqherë historia rrëfehet nga një personazh (Vangjel Njolla) që ndan perspektivën e tij personale, duke përjetuar ngjarjet nga afër dhe risjellë përmes kujtimit nga larg, duke ofruar një qasje subjektive dhe intime, prandaj hyn përcaktueshëm te kjo formë. Detajizimi dhe përshkrimi i ambientit - përshkrimet vizuale dhe ndjesore të vendeve, njerëzve dhe situatave janë të theksuara nga ai. Shpërfaq kontrastin midis përjetimit personal dhe realitetit shoqëror nga njëra anë, kurse nga ana tjetër botën e brendshme plot ndjesi të tij, si dhe realitetin e vështirë të emigrantit.

Përpos kësaj, rrëfimi në roman paraqitet edhe nga këndvështrime të ndryshme personazhesh, duke krijuar ndonjëherë rrallë edhe një qasje polifonike (më pak), ku nga format e hasura si të tilla, për rrjedhojë ky është edhe roman me shumë perspektiva.

Ndër të tjera, “Hija e Mallkuar” sipas ritmit është roman dinamik, ngase ngjarjet në të kanë një dinamizëm, kanë një ritëm të gjallë dhe energji të përhershme, historitë aty vijnë  natyrshëm e shpejtë, me plot veprime dhe kthesa dramatike. Ndërsa sipas qasjes narrative, e ripotencoj se ai bën pjesë te romani jolinear, sepse sipas narracionit ngjarjet e tij përzihen në kthime kohësh ose përparime të papritura: (Dukej, se ato punë nuk qe hera e parë që i bënte dhe unë u habita, pasi burrin e kushërirës nuk e kisha parë ndonjëherë në kuzhinë. - Kanë ndryshuar kohërat Vangjel- ma shuajti habinë ai, -sot të merr lumi po nuk i bëre të gjitha.). Shprehur shkurt, sipas shumë elementeve artistikë, ai është një roman realist ku ngjarjet dhe personazhet janë ndërtuar me një përqasje të besueshme, bazuar në realitet; është roman fantastik, sepse ka një histori mallkimi prej kushedi se kur vjen gjer sot, që vepron si një element i mbinatyrshëm te personazhet; është shumë alegorik, përdor simbole për një realitet të fshehtë shoqëror, filozofik dhe etik. Gjithashtu e shoh edhe si roman tragjik. Lind pyetja po nga kjo përse? Sepse duke u nisur nga zhvillimi i ngjarjeve që u jep fokus pasojave fatale në roman (vrasjet-e P. Zallit, B. Mavromati (të madhit), dhunimet- e Albanës, fatet...), ndëshkimeve morale dhe konflikteve të pashmangshme midis personazheve, ai mund të përfshihet edhe në këtë zhanër.

Krahas të tjerave, ai përmban dhe një dozë përzierjesh të elementeve moderne e postmoderne (pjesërisht), dhe disa referenca të stilit klasik, që bashkë krijojnë një strukturë komplekse narrative. Ja një përshkrim i shkurtër për secilën qasje të fundme:

· Elemente moderne: ajo që bie në sy është eksplorimi i brendshëm apo  introspektivizmi. Protagonisti (Vangjel Njolla) reflekton shpesh mbi ndjenjat, përvojat dhe kuptimin e marrëdhënieve, duke përfshirë një analizë të thellë të jetës së tij emocionale dhe shpirtërore. Pra, ky introspeksion i thellë është një tipar i qartë modern. Si indikator tjetër  vjen konflikti i brendshëm dhe dinamikat sociale: pavarësisht konflikteve të jashtme (p.sh., gjyqi për Albanën dhe marrëdhëniet e ndërlikuara me të tjerët), konflikti i brendshëm mbetet thelbësor. Pyetjet për identitetin, dashurinë dhe drejtësinë janë qartësisht moderne. Shenjë tjetër vije edhe realizmi i thellë: përshkrimet e ambientit, si edhe jetës së përditshme, janë të detajuara dhe shpesh të përshkruara në mënyrë të papërpunuar, duke i dhënë historisë një ndjesi autentike dhe të prekshme, ashtu sikurse jetohet në përditshmëri, rëndom.

· Elemente postmoderne janë përzierja e stileve dhe zhanreve: struktura rrëfimtare apo narrativa kombinon momente refleksioni personal me episode dramatike dhe tensione të mëdha shoqërore, duke kaluar midis këndvështrimeve intime dhe tablove të gjera shoqërore. Tjetri tregues është fragmentariteti dhe ndërprerjet narrative: ngjarjet përshkruhen shpesh në mënyrë fragmentare dhe jolineare. Kujtimet dhe rrëfimet ndërthuren me realitetin, duke krijuar një narrativë që shpesh i përngjan një rrjedhe mendimesh. Diskutimi i identiteteve dhe ndërveprimi i kulturave (shqiptare e greke): tensioni midis shqiptarëve dhe grekëve përfaqëson një temë të gjerë postmoderne, që përqendrohet në ndarjet hullore kulturore dhe përplasjen e identiteteve. Dëshmi tjetër janë imazhet simbolike dhe ironia: retë, shiu dhe detajet simbolike krijojnë një atmosferë që shpesh tingëllon ironike dhe poetike, duke sfiduar pritshmëritë konvencionale të lexuesit.

Pra, e përmbledhur me pak fjalë nga ajo që u tha, romani kryqëzon një qasje moderne në introspeksionin e thellë dhe përshkrimin realist, një postmodernizëm në strukturën fragmentare dhe tensionet ndërkulturore, po ashtu dhe një qasje klasike përmes temave universale të drejtësisë, dashurisë dhe pasojave të fatit. Ky kombinim e bën tekstin shumëdimensional dhe të pasur në shtresa interpretimi.

 

Tematikat kryesore të romanit dhe disa nëntema

“Hija e Mallkuar” mbulon një sërë tematikash të pasura dhe komplekse që reflektojnë një ndërthurje të aspekteve personale, sociale dhe kulturore. Tejembanë romanit tematikat kryesore që dominojnë janë:

·    Jeta e emigrantit: një theksim i fortë është mbi përvojën e emigrantit, duke përshkruar sfidat, kompleksitetin dhe përpjekjen për të ruajtur dinjitetin në një mjedis të huaj. Ndjenja e të qenit i huaj, lidhja me punën dhe perceptimi si një burim shfrytëzimi janë të theksuara mjaft qartë.

·    Dashuria e ndaluar dhe ëndërrimet romantike: dashuria e protagonistit-Vangjel Njollës për vajzën e gjeneralit-Kristjanën, e ndërthurur me ndjenjën e inferioritetit dhe pamundësisë për ta arritur atë, krijon një linjë të fuqishme narrative. Ky raport romantik përshkruhet me një intensitet emocional dhe simbolikë të pasur.

·    Konflikti kulturor dhe etnik: romani eksploron marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve, përmes paragjykimeve, stereotipeve dhe ndryshimeve kulturore, duke reflektuar tensione të thella historike dhe perceptime reciproke.

·    Ndjenja e vetmisë dhe kërkimi i përkatësisë: protagonisti përjeton një ndjenjë të thellë vetmie dhe të qenit i papërfshirë në shoqërinë ku jeton, e cila pasqyrohet në përpjekjen për të krijuar një lidhje personale edhe në marrëdhëniet e tij me njerëzit përreth.

·    Elementet fetare dhe shpirtërore: feja shfaqet si një prani herë e paqartë, varësisht nga rrethanat: ...në qoftë se ka qenë pak i krishterë, mysliman i vërtetë s’ka qenë asnjëherë. Ose provoi që edhe Krishtin edhe Muhamedin i mbante në trup si këmisha të lagura, për t’i flakur sa herë që duhej të jetonte më mirë (po aty, f. 127); herë e qartë: -Pagëzomë mua!.. - Kur më erdhi ora mua për t’u pagëzuar, - i thashë, - pushoi së punuari ora e kishës. Atëherë tek ne, kishat i mbyllën ose i prishën nga themeli. I kthyen në vatra kulture, apo depo zarzavatesh. Kurse priftërinjve u prenë mjekrën me gërshërë bagëtish (po aty, f. 88) , qoftë në pagëzimin e propozuar nga Lenjoja, në traditat për të vdekurit, apo në perceptimin e Zotit si një forcë e pranishme dhe ndonjëherë shpëtimtare në jetën e protagonistit.

·    Identiteti dhe ndarja midis "vetes së jashtme" dhe "vetes së brendshme": protagonisti lufton mes asaj që është realitet dhe asaj që dëshiron të jetë, duke krijuar një "vete të dytë" për të fshehur ndjenjat dhe dëshirat e tij të ndaluara.

·    Simbolika dhe përshkrimi i ambientit: mjedisi fizik përshkruhet me detaje të pasura simbolike që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të protagonistit dhe ndërlidhjet emocionale që ai bën me vendlindjen dhe rrethanat aktuale.

·    Pozita gjinore dhe marrëdhëniet shoqërore: marrëdhëniet midis burrave dhe grave, ndarja e roleve dhe pritshmëritë sociale janë trajtuar përmes ndërveprimeve me personazhet femra dhe përshkrimit të normave shoqërore.

·    Kujtesa, paharrueshmëria, se cili apo cilët janë dhe nga vijnë, me ngjyra evokuese shpeshherë përmes krahasimesh, kur për shumë çështje thonë: si tek ne në Hijen e Mallkuar...

Përpos këtyre, ekzistojnë edhe tematika tjera përkatëse të përzgjedhura në roman:

·    Identiteti dhe vetëvlerësimi: shqiptarët në emigracion përballen me përçmimin e vendasve dhe dilemën për ruajtjen e identitetit të tyre. Ky konflikt përfshin ndërrimin e emrave (konvertimin) dhe ndryshimin, thuajse, të gjithçkaje  për të arritur pranimin shoqëror.

·    Frika dhe paranoja: personazhi kryesor përjeton frikë e pasiguri të vazhdueshme nga policia, paragjykimet, dhe hakmarrja pas puthjes së Kristjanës, duke reflektuar kështu tensionin midis emigrantëve dhe vendasve.

·    Dinamika e fuqisë dhe e autoritetit: autoriteti i gjeneralit dhe pushteti që ai imponon ndaj të tjerëve pasqyron marrëdhëniet e ndërlikuara të hierarkisë shoqërore dhe etnike.

·    Përplasja kulturore: përshkruhet ndryshimi i perceptimeve midis shqiptarëve dhe grekëve, sidomos në lidhje me mënyrën e jetesës, veshjen dhe sjelljen në hapësirat publike.

·    Dashuria dhe ndërlikimet e saj: marrëdhënia mes protagonistit dhe Kristjanës paraqitet si një përzierje komplekse e dëshirës, turpit dhe ndjenjës së fajit.

·    Varfëria dhe mbijetesa: përpjekjet për të mbijetuar ekonomikisht dhe për të kursyer përshkruhen përmes detajeve të zgjedhjeve të protagonistit në ushqim, banesës dhe rregullimeve të shtëpisë.

·    Shpresë dhe transformim personal: protagonisti synon ta përmirësojë jetën e tij dhe të ndërtojë një shtëpi më të mirë, duke simbolizuar aspiratat për një jetë më të dinjitetshme.

·    Margjinalizimi dhe dinjiteti: emigrantët përshkruhen si të përjashtuar nga shoqëria greke, por megjithatë ata përpiqen të ruajnë njëfarë dinjiteti personal.

·    Fryma e përballjes me padrejtësinë: Ilir Hormoviti (punëtor në hekurishte) përfaqëson qëndrimin kritik ndaj pabarazisë dhe padrejtësisë, duke nxitur mendime mbi ngjashmërinë midis pushtuesve të shkuar dhe të tanishëm.

·    Ndikimi i dashurisë në jetën personale: dashuria e protagonistit për Kristjanën bëhet një shtysë për ndryshim, duke pasqyruar rolin transformues të ndjenjave.

·    Raporti me natyrën dhe hapësirën: përshkrimi i shtëpisë, oborrit, luleve dhe rrugës "Kollokotroni" tregon marrëdhënien e protagonistit me mjedisin fizik dhe përpjekjet për të krijuar një hapësirë të re identitare.

·    Simbolika e pagëzimit dhe e ndryshimit fetar: pagëzimi në kishë paraqitet si një simbol i pranimit dhe adaptimit shoqëror, duke ngritur pyetje mbi kompromisin mes vetëvlerësimit dhe integrimit.

·    Roli i patriarkalizmit dhe autoritetit familjar: gjenerali mishëron fuqinë patriarkale dhe kontrollin mbi familjen dhe fqinjët, duke nxjerrë në pah ndërlikimet e pushtetit brenda dhe jashtë familjes.

Në tërësi, vepra eksploron tema komplekse të identitetit, emigracionit, marrëdhënieve kulturore, dhe transformimeve personale në një kontekst plot tensione sociale dhe etnike.

Përgjithësisht, romani “Hija e Mallkuar” është një narrativë sa komplekse po aq edhe e pasur, që trajton një gamë të gjerë temash e nëntemash. Këtu po theksojmë dhe disa nga to:

1.   Konflikti moral dhe identiteti njerëzor: historia fokusohet në përpjekjet e individëve për të gjetur vendin e tyre në një botë të trazuar nga pabarazia, hipokrizia dhe padrejtësia; protagonisti dhe personazhet përreth përballen me dilema morale, ku jeta shpesh kërkon sakrifica dhe kompromis.

2.  Dëshira, dashuria dhe tradhtia: marrëdhënia mes Petro Zallit dhe Albanës zbërthen një dinamikë të ndërlikuar të dashurisë së paplotë dhe dominimit; dashuria trajtohet si një fuqi komplekse, shpesh toksike, që përzien epshin, fajin dhe nevojën për t’u ndjerë i dashur.

3. Objektifikimi dhe shfrytëzimi: Albana paraqitet si një viktimë e shfrytëzimit dhe e  objektifikimit nga burrat që e rrethojnë; bukuria e saj shihet si një mallkim, që e bën pre të epshit dhe të manipulimit.

4. Njeriu përballë padrejtësisë me sistemin: romani në plotni ofron një analizë të pabarazisë sociale dhe abuzimit të pushtetit; Baltazar Mavromati me nofkën e vënë nga shqiptarët “i madhi” simbolizon një strukturë të korruptuar, ku më i fuqishmi dominon mbi të dobëtin.

5. Fati, pendimi dhe vdekja: rrëfimi përshkohet nga një ndjenjë e fortë fataliteti dhe pashmangshmërie: vdekja e Petro Zallit dhe amaneti i tij janë një kulm që thekson pendimin dhe përpjekjen për kuptim në fundin e jetës.

6. Dhuna dhe shpëtimi: episodi i përdhunimit në shpellë është një pikë e errët, që nënvizon dhunën dhe trajtimin e pabarabartë të grave; nga ana tjetër, sjellja e protagonistit- Vangjel Njollës ndaj Albanës, tregon përpjekjen për të ruajtur një lidhje të shenjtë, atë “të motrës.”

7. Tensionet etnike dhe përkatësia kombëtare: shqiptarët përshkruhen si të margjinalizuar dhe të stigmatizuar nga grekët, duke përfshirë diskriminim dhe dhunë; ky tension shfaqet përmes gjuhës së përdorur, trajtimit të shqiptarëve si të huaj dhe ndërveprimeve në kontekste të ndryshme.

8. Natyra dhe njerëzorja: natyra dhe peizazhi malor (Nemërçka, pyjet, shpellat) përdoren si sfond për ngjarjet, duke simbolizuar ashpërsinë e jetës dhe të pafajshmen e natyrës përballë komploteve njerëzore.

9. Dyjëzimi (dualiteti) i njeriut dhe i botës: në roman shpesh kontraktohen diametralisht të mirët dhe të ligjtë, duke treguar se edhe të mirët mund të përzihen me të keqen; ky dyjëzim përfaqësohet edhe në marrëdhënien mes jetës dhe vdekjes, shpresës dhe zhgënjimit.

10. Amaneti dhe lidhja mes të gjallëve dhe të vdekurve: amaneti (një porosi e lënë në çastet e fundit të jetës),  i Petro Zallit dhe përpjekja e protagonistit V. Njollës për ta përmbushur atë, krijojnë një urë mes të gjallëve dhe të vdekurve, duke nënvizuar rëndësinë e kujtesës dhe trashëgimisë shpirtërore.

11. Çlirimi dhe shpresat e shtypura: përpjekja për të shpëtuar nga kufizimet fizike dhe emocionale, qoftë përmes emigrimit, dashurisë apo fuqisë, përshkon gjithë narrativën e romanit; në fund, mbetet një ndjenjë shprese e vakët dhe një kuptim më i thellë i lirisë individuale.

Romani në fjalë, është një reflektim i ndërlikuar mbi natyrën njerëzore, duke trajtuar temat universale të dashurisë, fajit, vuajtjes dhe shpëtimit në një kontekst të veçantë kulturor dhe historik, duke vazhduar tutje me motivet, të cilat përshkruhen me intensitet narrativ dhe emocional. Disa nga to kryesore që mund të dallohen janë:

1.      Dashuria dhe pasioni: episodet e natës dhe marrëdhënia e protagonistit me Kristjanën,  përshkruhen me një ndjeshmëri të thellë dhe pasion. Romani trajton dashurinë si një përvojë transformuese, por njëkohësisht edhe mjaft komplekse dhe të mbushur me ankth.

2.      Ndarjet sociale dhe racizmi: marrëdhënia e një shqiptari me një greke nxjerr në pah paragjykimet dhe barrierat sociale e kulturore, duke reflektuar tensionet etnike dhe çështjet e përkatësisë identitare.

3.      Errësira dhe drita si simbolikë: errësira dhe drita përdoren në mënyrë simbolike për të shprehur intimitetin, mungesën e transparencës dhe gradualitetin e zbulimit emocional midis dy personazheve.

4.      Konflikti ndërbrezor dhe autoriteti prindëror: kundërshtimi i gjeneralit ndaj marrëdhënies së vajzës së tij trajton temën e konfliktit ndërbrezor, normave patriarkale dhe kontrollit prindëror mbi zgjedhjet e fëmijëve.

5.      Turpi dhe pranimi shoqëror: romani eksploron ndjenjat e turpit, përjashtimit dhe dëshirës për pranueshmëri, si për individët ashtu edhe për komunitetet.

6.      Përvoja (eksperienca) emigrante dhe identiteti: pasqyrimet e shumta mbi jetën si emigrant, ndjenja e të qenit "të përgjithshëm" dhe përpjekja për të krijuar një vend në një shoqëri të huaj janë motive që përforcojnë fabulën e romanit.

7.      Natyra e dashurisë dhe e sakrificës: pasioni midis protagonistit dhe Kristjanës përshkruhet si një përvojë e fuqishme, që kërkon sakrificë dhe ballafaqim me paragjykimet e shoqërisë.

8.      Rendi shoqëror dhe hierarkitë e pushtetit: tensionet mes klasave sociale dhe trajtimi i emigrantëve si “të poshtëruar” janë pjesë e dinamikës së pushtetit dhe shfrytëzimit.

9.   Dashuria dhe ndërlikimet e saj: marrëdhënia mes protagonistit dhe Kristjanës, e      mbushur me ndjenja të thella, keqkuptime dhe tensione kulturore; dëshira për të ndarë jetën me dikë, duke përfshirë kompromiset dhe vuajtjet që vijnë nga pabarazia emocionale.

10. Kulturat dhe identitetet përballë njëri-tjetrit: tensionet kulturore mes shqiptarëve dhe    grekëve, të pasqyruara në paragjykimet dhe racizmin që përjeton protagonisti dhe Albana; reflektimi mbi përkatësinë kombëtare dhe dinjitetin individual në një shoqëri që shpesh kategorizon sipas stereotipave.

11. Roli i traumës dhe dhunës: përdhunimi dhe abuzimi i Albanës si simbol i dhunës sistemike ndaj të dobëtëve; Vrasja e Baltazar Mavromatit si pasqyrim i rebelimit të një individi të shtypur kundër një sistemi të padrejtë.

12. Drejtësia dhe perceptimi i saj: gjykimi i Albanës si një arenë e ndarjes mes “të egërve” dhe “të butëve”; pyetjet morale mbi të vërtetën dhe mënyrën se si drejtësia perceptohet nga turmat dhe sistemi ligjor.

13. Natyra e identitetit të ndarë: konflikti i brendshëm bipolar i protagonistit, mes personalitetit të tij të butë dhe të ashpër, varësisht nga konteksti; përballja me stereotipet e të qenit “shqiptar” në një kontekst armiqësor.

14. Familja dhe lidhjet sociale: mungesa e mbështetjes nga të afërmit dhe mënyra se si kjo ndikon në marrëdhëniet personale dhe sociale; pesha e të kaluarës dhe e përkatësisë në marrëdhëniet e individit me të tjerët.

15. Humbja dhe frika nga humbja: frika e komunikimit për të mos folur në gjuhën amtare-shqipe, që nga fëmijët deri te të rriturit, një mohim; frika ndaj emrit shqiptar identifikues;  frika e protagonistit nga humbja e Kristjanës dhe reflektimi i kësaj ndjenje në përkufizimin e tij për lumturinë; humbja e shpirtit të lirë të Albanës, që mbetet peng i dhunës dhe gjykimit.

16. Pozita e grave në shoqëri: pozicioni i Albanës dhe Kristjanës si gra që përpiqen të mbijetojnë dhe të përcaktojnë veten përballë forcave shtypëse dhe patriarkale; dëshira për liri dhe respekt përkundër kufizimeve të imponuara.

17. Roli i shoqërisë dhe presioni i turmës: përfaqësimi i turmave si forca, të cilat ndikojnë tek individët, duke ushtruar gjykime dhe dhunë sistematike emocionale.

18. Dëshira për pranimin nga shoqëria dhe përballja me refuzimin, dominon kryekreje në roman.

19.  Kuptimi i lumturisë është një koncept i qartë në roman, që ndonëse duket i thjeshtë, por   shpesh përfshin aspekte komplekse dhe më të shumtat subjektive. Qartësia e saj varet nga perceptimi personal i protagonistit kryesor dhe personazheve tjerë, më pas edhe nga përvoja dhe kushtet sociale e kulturore. Këtu kuptimi i lumturisë dhe kotësisë janë të barabartë: reflektimet e protagonistit mbi lumturinë dhe kotësinë e jetës përmes përvojave të tij me dashurinë dhe humbjen; kufijtë dhe ndarjet; kufijtë emocionalë mes protagonistit dhe Kristjanës si metaforë për ndarjet e tjera në roman; kufijtë shoqërorë dhe kulturorë që ndikojnë marrëdhëniet dhe identitetin e personazheve.

20. Faji dhe pendimi: tensioni moral që lidhet me dëshmitë e protagonistit dhe vendimet e tij, por gjithashtu edhe të tjerëve shqiptarë për të ekspozuar të vërtetën; faji i Kristjanës për mënyrën se si trajtoi Albanën dhe reflektimi i kësaj në veprimet e saj etj.

Ky roman është një eksplorim kompleks i ndërlikimeve të ndërveprimeve njerëzore, duke përzier aspektet personale, sociale dhe morale në fabulën e fuqishme të romanit.

 

Mozaiku narrativ dhe thellësia filozofike

Kreu i parë

Qysh në kreun e parë të romanit, autori krijon një portret të veçantë të protagonistit dhe mjedisit social ku ai jeton, duke ndërthurur përjetimet personale me ndryshimet shoqërore dhe kulturore, të cilat ndikojnë thellë mbi karakteret dhe veprimet e tyre. Në zemër të ngjarjeve është protagonisti: Thënë troç, deri vonë quhesha Vesel, me emrin e gjyshit nga nëna...Dhe kështu më shkruan në gjendjen civile: Vesel! Vesel Njolla. Gjë që u quajt një humbje e madhe nga ana e gjyshes, megjithëse armët nuk i dorëzoi kurrë. Veç lutjeve që i bënte netëve Shën Mërisë, mua nuk më foli asnjëherë me këtë emër-Vesel. Më fliste gjithmonë me Vangjel, një përshtatje e goditur me emrin e regjistruar (po aty, f. 20), ky është identiteti, ku në roman emri dhe mbiemri përmendet pak herë, në (f. 20- katër herë përmendet si Vesel dhe veç një herë Vangjel, pastaj në f. 165 dhe f. 166 si Vangjel dy herë).  Ai është një personazh i përshkruar me ndjeshmëri të thellë dhe kontradikta të brendshme, i cili ndodhet mes tronditjeve të brendshme dhe presioneve të mjedisit përreth, ku qëndrimi dhe veprimet e tij zbulojnë një dëshirë të fortë për të respektuar kufijtë shoqërorë dhe për të ruajtur dinjitetin e tij, dinjitetin e të qenit shqiptar, pavarësisht fyerjeve dhe poshtërimeve që i shkakton ambienti. Një nga momentet kyçe që thekson portretin e protagonistit është reagimi i tij ndaj përbuzjes nga grekja e bukur. Ndryshe nga të tjerët, që do të ishin hedhur përpjetë për të kërkuar drejtësi, protagonisti vendos të heshtë, duke parë heshtjen si zgjedhjen më të arsyeshme dhe më të respektueshme. Citati: E pashë heshtjen si gjënë më të mirë për të dy (po aty, f. 5), ilustron qartë qasjen e tij të kujdesshme dhe të përmbajtur, që përthyhet me sjelljen impulsive të atyre që e rrethojnë.

Është një portretizim kompleks i jetës së emigrantit dhe, njëkohësisht, një koment mbi ndjenjat e përkatësisë dhe pranimit në një shoqëri të huaj. Rrëfimi mbart një thellësi psikologjike që e zhyt lexuesin në botën e personazhit kryesor, një shqiptar që jeton në një vend të huaj, mes njerëzve dhe normave të një kulture tjetër. Përmes personazheve dhe ngjarjeve, autori shqyrton ndasitë ndërkulturore dhe përballjet emocionale të individit me botën përreth, duke ilustruar kështu një realitet të ndërlikuar dhe të hidhur të përvojës së emigrantit.

Personazhi kryesor, një shqiptar i përulur nga të tjerët dhe i ndjeshëm në këtë pikë, përpiqet të gjejë një lloj kuptimi në botën ku ai përballet me përbuzje të hapur dhe indiferencë të ftohtë. Karakterizimi i tij, që ndjek kontrastin mes respektit të madh për të tjerët dhe vetëbesimit të ulët, është i realizuar me një vërtetësi të jashtëzakonshme. I përballur me greken, e cila për të përfaqëson një ideal të paarritshëm, admirimi i tij për të dhe ndrojtja janë ndjenja që shpesh kalojnë në idealizim. Ai e shikon atë si Perëndi: Pa u penduar aspak që iu solla grekes sikur të qe Perëndi, edhe pse ajo më vështroi si të isha plehërishte (po aty, f. 5) dhe është i gatshëm të sakrifikojë vetëvlerësimin për të shmangur një konflikt që, në një shoqëri tjetër, mund të kishte kaluar lehtësisht. Kjo vetëpërmbajtje dhe përulësi për t’u perceptuar më mirë nga të tjerët është një reflektim i përjetimit të tij të izolimit dhe vetëdijes për pozitën e tij të ulët në sytë e shoqërisë greke. Siç ai reflekton në fillim të librit, heshtja dhe qëndrimi i tij i "pazëshëm" e "paqësues" i japin kuptim vetes së tij.

Nga ana tjetër, grekja është një figurë që mishëron tërheqjen e ndaluar dhe indiferencën e pandjeshme të një kulture që nuk arrin të kuptojë plotësisht ndjesitë dhe identitetin e të huajit. Ajo është e largët dhe e ftohtë, një “ëndërr e bardhë,” një imazh që për protagonistin është pothuajse i shenjtë dhe i paarritshëm. Përballë refuzimit të saj, ai bën një vetëanalizë, duke kuptuar që indiferenca e saj nuk vjen prej një natyre të keqe, por nga paragjykimi dhe frika ndaj shqiptarëve, për të cilët në Greqi ekziston një imazh stereotipik. Momenti kur ajo shfaq një farë ndrojtjeje për t’u afruar me protagonistin, edhe kur janë të detyruar të ulen pranë njëri-tjetrit në autobus, është i thellë në simbolikë dhe tregon për hendekun e pakapërcyeshëm ndërmjet tyre. Grekja nuk është thjesht një individ i veçuar, por është pjesë e një konteksti të gjerë kulturor dhe social, që e largon atë nga protagonisti dhe e izolon këtë të fundit në një pozitë të përhershme nga i huaji.

Piloti dhe miqtë përbëjnë një pasqyrë të dyanshme të emigrantit, janë pasqyrimi i një aspekti tjetër të emigracionit. Ndryshe nga protagonisti, që përpiqet të mbajë një sjellje të përmbajtur dhe të pranueshme, Piloti dhe miqtë e tij shfaqin një qasje të hapur dhe shpesh herë agresive ndaj rregullave të vendit mikpritës. Në libër, Piloti përshkruhet si një njeri që përpiqet të bëjë humor me komentet dhe ngacmimet vulgare që adreson ndaj grekes. Një citim që e ilustron këtë është fraza e tij: shtype p... patriot (f. 6) që tregon jo vetëm vullgaritetin e tij, por edhe përpjekjen për ta zhveshur kulturën nga normat e saj dhe për të shfaqur një version të parregullt të vetvetes.

Sjellja e Pilotit dhe shokëve të tij është një përzierje e dëshpërimit dhe e prirjes për të sfiduar stereotipet që vendi mikpritës ka krijuar për ta. Megjithatë, duke e trajtuar të renë greke me gjuhë të rëndomtë dhe të hapur, ata forcojnë edhe më shumë mendimet e tyre negative. Protagonisti, përkundër qëndrimeve të tyre, përpiqet ta dallojë veten si të ndryshëm dhe shpesh e sheh grupin bashkudhëtar si një burim turpi dhe mungese respekti. Për të, këta emigrantë të tjerë përfaqësojnë një formë tjetër të “padukshmërisë” – ata janë të dukshëm, por nuk kuptohen dhe nuk pranohen. Kjo “padukshmëri” është e ngulitur thellë në roman dhe e portretizuar në mënyrë simbolike përmes figurës së tij si një "hije" që endet nëpër vende të huaja.

Një element kyç në tekst është ndarja e thellë ndërshoqërore midis shqiptarëve dhe grekëve. Ky dualizëm vjen në pah në mënyrë të veçantë përmes ndërveprimeve të protagonistit me greken, e cila e shikon atë me përçmim që në momentin e parë. Teksti eksploron me subtilitet mënyrën sesi stereotipet dhe paragjykimet i ndajnë njerëzit në “ata” dhe “ne.” Grekja, me indiferencën e saj dhe shmangien nga kontakti me protagonistin, përfaqëson refuzimin e shoqërisë greke për të pranuar emigrantët shqiptarë si të barabartë. Për të, pranimi i protagonistit dhe afrimi me të do të nënkuptonte tejkalimin e stereotipeve të saj për shqiptarët, të cilët i konsideron si të prapambetur dhe të pavlerë.

Protagonisti e përjeton këtë ndarje dhe paragjykim si një dëm që i bëhet identitetit të tij, dhe ky përjetim ndjenjash e çon atë të besojë se: Padukshmëria është këmisha e çdo njeriu që quhet emigrant (f. 30). Ky citat i dhimbshëm ilustron ndjenjën e përhershme të distancës dhe vetmisë që e ndjek emigrantin, duke sugjeruar se të qenit “i padukshëm” përbën një realitet të përhershëm për të dhe se dëshira për t’u dukur dhe pranuar për të është pothuajse një iluzion. Padukshmëria, sipas tij, nuk është vetëm një rezultat i një jete të fshehur apo të larguar nga syri publik, po është edhe një formë e qetësisë së imponuar, një mekanizëm për t’u mbrojtur nga dështimi, për t’u pranuar.

Gjatë gjithë tekstit të romanit, autori Th. Medi përdor fraza dhe dialogë që u japin jetë përjetimeve të protagonistit dhe konflikteve të tij të brendshme. Një nga momentet më delikate dhe të ndjera është kur protagonistit i vjen keq për të kaluarën e tij të humbur dhe për përpjekjet e pasuksesshme për të ndërtuar një jetë më të mirë. Mbeta me një shkulm zëri të ëmbël në vesh dhe me sytë mbi ca flokë që treteshin në turmën laramane të njerëzve (f. 34) është një frazë që kap në mënyrë të përsosur dëshpërimin dhe ndjesinë e mungesës së përkatësisë. Ajo përfaqëson ndjesinë e humbjes dhe të zbrazëtisë që ai përjeton në fund të rrëfimit, kur përpjekjet për t’u afruar me greken dështojnë dhe ai mbetet përsëri i huaj në një shoqëri të huaj.

Momenti i fundit ku ai vendos të heqë dorë nga përpjekjet për t’u afruar dhe për të ndërtuar një lidhje simbolike është kur ai refuzon të marrë më tej rolin e një "kufome që ëndërron".

Një reflektim i brishtë mbi përkatësinë dhe ndjenjat e tjetërsimit përmes një portreti të fuqishëm dhe emocional nga përvoja e emigrantit, bëhen të qarta që në fillim të librit. Përmes rrëfimit të protagonistit, lexuesi përballet me ndjenjat e thella të përkatësisë, izolimit dhe ndarjes kulturore që personazhi kryesor përjeton në përditshmëri. Autori, përmes një stili të pasur dhe introspektiv, sjell në dritë ndjenjat e lëndimit, përulësisë dhe idealizimit, duke ilustruar një luftë të vazhdueshme për të gjetur identitetin dhe përkatësinë. Përmes personazheve, situatave dhe dialogëve që ilustrojnë fragmentet kyçe të rrëfimit, vepra arrin të japë një përshkrim të gjallë të jetës së një njeriu që, në kërkim të një jete më të mirë, përballet me humbjen e vetvetes dhe ndjenjën e tjetërsimit.

 

Kreu i dytë

Shqyrtimi i thelluar i veprës trajton tematikat qendrore që lidhen me kontekstin e emigrimit shqiptar në Greqi, duke analizuar thellësisht përvojat e protagonistit në kuadrin historik, social, kulturor dhe filozofik.

Në planin historik dhe social, migrimi shqiptar në Greqi është një dukuri e rëndësishme që u intensifikua në fund të shekullit XX, pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Emigrantët shqiptarë, përfshirë protagonistin e veprës, largohen nga vendi i tyre për të kërkuar një jetë më të mirë. Megjithatë, konteksti socio-historik e bën këtë emigrim sfidues dhe shpeshherë armiqësor. Grekët, të cilët në vepër simbolizohen nga figura të ndryshme, kanë një histori të gjatë marrëdhëniesh komplekse me shqiptarët. Ajo që shihet në roman është një përplasje e heshtur mes identiteteve, ku emigranti shqiptar përballet me një realitet të ashpër, shpeshherë të mbështetur në stereotipe dhe ndarje sociale të ngulitura thellë në shoqërinë greke.

Protagonisti është dëshmi e një klase sociale të nëpërkëmbur dhe të margjinalizuar, që shihet jo vetëm si "i huaj", por edhe si një element i padëshiruar brenda strukturave të ashpra të një shoqërie që i përjashton lehtësisht ata të cilët nuk përmbushin idealet e saj. Figura e Baltazarit (të madhit) dhe gjeneralit grek përfaqësojnë pikërisht këtë përjashtim, duke e bërë protagonistin dhe shqiptarët e tjerë në punën e rëndë të fabrikës së hekurave një klasë të poshtëruar.

Në aspektin kulturor, kemi një ndërthurje të botëkuptimeve shqiptare dhe greke, të shprehura përmes protagonistit shqiptar, grekes së autobusit dhe figurave tjera dytësore që i japin ngjyrim etnik përvojës së tij. Protagonisti e sheh Kristjanën si një ideal të dashurisë dhe të bukurisë së huaj, një ideal që mishëron një imazh ekzotik dhe të paarritshëm. Por ai gjithashtu përjeton një ndarje të brendshme, duke qenë i vetëdijshëm për të kaluarën e tij dhe për vendin e prejardhjes. Në sfond, vepra flet për dashurinë dhe përçmimin që kanë dy popuj fqinj për njëri-tjetrin, një lloj dualizmi që lidhet me përvojat historike dhe përplasjet që kanë ndodhur mes tyre.

Kjo përvojë ndërkulturore reflektohet në formën se si protagonistit i shfaqen figurat e grekëve. Për shembull, gjenerali që tregon për “heroizmat” e tij kundër shqiptarëve në kufi është një shëmbëlltyrë e mospërfilljes greke dhe shfaq hapur krenarinë e tij, duke forcuar stereotipet ndaj “tjetrit”. Protagonisti ndjen përbuzje ndaj gjeneralit, i cili është një simbol i armiqësisë së hapur dhe përdhosjes, por ai është nga ana tjetër i tërhequr nga vajza e tij Kristjana. Ky dualizëm i pandërgjegjshëm mes dëshirës për t’u pranuar dhe refuzimit të njëkohshëm është një tregues i brishtë i konfliktit të tij të brendshëm, ku dëshira për dashuri përballet me faktin e të qenit i përjashtuar.

Nga një pikëpamje filozofike, vepra ka një thelb të ngarkuar me nocionin e tëhuajësimit dhe kuptimit të ekzistencës. Protagonisti shqiptar përballet me një krizë identiteti: nga njëra anë, ai dëshiron të integrohet, por nga ana tjetër, e ndjen pamundësinë e kësaj përpjekjeje. Vetë koncepti i dashurisë në vepër është filozofik dhe ekzistencial, sepse Kristjana përfaqëson një ideal të lartë, por edhe një rrugë drejt zhgënjimit dhe refuzimit. Ky raport me Kristjanën dhe e tërë përvoja e tij e emigrimit bëhen një përballje me vetveten, ku ndërthuren dy dëshira kontradiktore: të pëlqehesh dhe të pranohesh, por edhe të ruash identitetin tënd. Përplasja e tij e vazhdueshme me shoqërinë greke është një përplasje me vetë idenë e ekzistencës dhe të humanitetit.

Pohimet “Të dua” mbi letrat higjienike apo diskutimet e protagonistit për të folur shqip në shtëpinë e Timo Murrizit, nxjerrin në pah simbolikën e dashurisë së pamundur dhe të ndarjes së madhe që e ndan protagonistin nga “tjetri”; Këtu flasim vetëm greqisht!...Këmbëngulja e saj për të mos folur shqip edhe në shtëpi, më kujtoi atë përbaltje që pësoja unë...(f. 36). Ironia e fjalës “Të dua” mbi një produkt të përdorimit të përditshëm shpreh një shthurje të dashurisë dhe një reduktim të saj në lehtësimin më të zakonshëm, të përçudnuar në një mjedis ku edhe dashuria është bërë simbol mallkimi. Dëshira për të folur shqip brenda shtëpisë greke është një element që zbulon përpjekjen për të ruajtur identitetin, edhe kur kjo konsiderohet një lloj ndalese brenda një mjedisi ku përkatësia etnike e protagonistit është problematike.

Në zemër të veprës qëndron përplasja e protagonistit me humbjen e identitetit. Si emigrant, ai nuk është thjesht i ndryshëm nga të tjerët, por përfaqëson gjithashtu një identitet që të tjerët e refuzojnë. Ky refuzim i vazhdueshëm në shoqërinë greke përjetëson një tëhuajësim të madh për protagonistin, i cili, duke u ndodhur në mes të një shoqërie që nuk e pranon, përjeton edhe një izolim të thellë ekzistencial. Figura e Kristjanës - grekja e ëndërruar, është një përpjekje për të ndërtuar një urë midis dy botëve, por për protagonistin ajo mbetet një ideal i paarritshëm, ashtu si dhe prania e dashurisë brenda një jete të pamëshirshme që duket se e ka ndëshkuar.

Identiteti i protagonistit nuk kufizohet vetëm në përkatësinë kombëtare, por është një koncept shumë më i thellë që lidhet me ndjenjat e tij të përjetshme të të qenit i paplotë dhe i papërkufizuar. Ai ndodhet midis dy shoqërive, shqiptar dhe emigrant në të njëjtën kohë, pa u bërë pjesë e plotë e asnjërës. Pavarësisht përpjekjes së tij për t’u përshtatur, ai është i detyruar të ruajë një pjesë të vetvetes, që të mbetet gjithmonë shqiptare. Nga njëra anë ai e kupton se shpresa për të qenë pjesë e shoqërisë greke është iluzion, kurse nga ana tjetër e ndien se ky është një mision që ia vlen të ndiqet.

Përvoja e tij e tëhuajësimit thellohet kur përballet me gjeneralin dhe stereotipet që ai mishëron për shqiptarët. Kjo përplasje e qartë mes dy popujve flet për identitetet e tyre kontradiktore. Në një botë ku shqiptarët shihen si të rrezikshëm dhe të huaj, protagonistit i duhet të luftojë me dëshirën për të pasur një identitet të pranueshëm në shoqërinë greke. Kjo kontradiktë bëhet e dukshme në përpjekjet e tij për të mbajtur gjuhën dhe kulturën e tij brenda shtëpisë, megjithëse kjo dëshirë përballet me një kundërshtim të madh.

Dualizmi ndërkulturor që shfaqet në vepër nuk është thjesht një përplasje mes dy identiteteve etnike, por një përplasje e dy botëkuptimeve të ndryshme dhe kuptimeve të kundërta për konceptet themelore si dashuria, miqësia dhe mirëkuptimi. Në një kontekst të caktuar, Kristjana përfaqëson një botë që protagonisti dëshiron ta kuptojë dhe ta bëjë pjesë të vetes, ndërsa për Kristjanën, emigranti shqiptar është një botë e huaj, një element që nuk arrin ta pranojë me lehtësi.

Përpjekja e protagonistit për të komunikuar me Kristjanën dhe për ta bërë atë të kuptojë se edhe ai, si ajo, kërkon dashuri dhe afërsi, tregon për vështirësitë që vijnë me lidhjet ndërkulturore. Ky raport e nxjerr protagonistin si një figurë që kërkon afrim dhe përfshirje, por që përballet menjëherë me një refuzim të heshtur dhe të nënkuptuar. Këtu lind kontradikta kryesore, teksa ai sheh tek grekja një simbol të një bote më të mirë dhe më të lartë, ndërsa vetë Kristjana e sheh atë me mosbesim dhe indiferencë: Në qoftë se vetë isha dashuruar rrufeshëm, ndërsa për vajzën e gjeneralit, nuk besoja aspak se ajo e ndjente të njëjtën gjë (f. 60).

Simbolika që përshkon skenat mes protagonistit dhe Kristjanës shpaloset përmes përshkrimeve të hollësishme të autorit mbi ndërveprimet e tyre të përditshme. Gjestet dhe dialogët e tyre të kufizuara paraqesin një botë të heshtur që nuk ka aftësinë të krijojë një marrëdhënie të qëndrueshme. Shmangia e buzëve të Kristjanës, një detaj që përmendet shpesh, është në vetvete një shenjë e ndarjes së madhe midis tyre. Ajo shpreh pamundësinë për të ndarë një intimitet të vërtetë me dikë që e konsideron të huaj, duke vendosur kështu një kufi të qartë dhe të pakapërcyeshëm.

Emigrimi në këtë vepër nuk përbën thjesht një lëvizje fizike, por një proces kompleks psikologjik dhe filozofik që i ndryshon thellësisht individët. Emigranti shqiptar e ndjen veten të humbur në një botë që nuk e kupton dhe nuk e pranon. Përmes përpjekjeve të tij për të gjetur punë dhe për të krijuar lidhje, ai shfaq një dimension filozofik të emigrimit që përshkohet nga dilema ekzistenciale mbi vlerën dhe kuptimin e jetës. Në një botë ku gjithçka e tij, përfshirë ëndrrat dhe dëshirat, reduktohen në përpjekjen për mbijetesë, vlera e qenies njerëzore shihet me një lente të zbehtë dhe të vakët.

Mund të thuhet se figura e protagonistit është një metaforë e shpirtit njerëzor që kërkon vazhdimisht kuptim dhe pranim. Në sytë e shoqërisë greke, ai mbetet një trup i huaj, por në sytë e tij vetë ai është dikush që po e rinjeh veten përmes kalvarit të vështirësive. Këtu, emigrimi nuk përkufizohet si një akt që buron vetëm nga motivi ekonomik, por edhe më shumë, është një akt kërkimi për një kuptim më të thellë të jetës.

Shumë shprehje në libër shërbejnë si pika reflektimi që zbulojnë natyrën ironike dhe shpeshherë të hidhur të situatës së protagonistit. Shenjat dhe gjestet që përbëjnë përvojën e tij me botën e re janë të ndërthurura në mënyrë të hollë për të sjellë në pah përvojën e dhimbshme dhe shpesh groteske të të qenit emigrant: “i papranueshëm”, “i padurueshëm”, “i papërfillshëm”. Duke qenë “askushi”, ishte si të mos ndjeje, të mos shikoje, të mos mendoje; ose si të mos kishe kokë, duar e këmbë, pra si të mos peshoje (f. 64). Andaj, shkrimi “të dua” mbi letrat higjienike është një shembull i fortë që shpreh ironi dhe dëshpërim të fshehur, ku dashuria reduktohet në një mall konsumi, të ulët dhe të pavlerë në këtë botë të re, në të cilën gjithçka është thjeshtëzuar dhe banalizuar. Ajo është një formë për të shprehur se si shpresat dhe ëndrrat e protagonistit thërrmohen në mënyrë absurde nga përballja me realitetin e ashpër.

Citimet e mëposhtme nxjerrin në pah raportin ndërmjet dy popujve dhe përpjekjen e protagonistit për të gjetur një mes të artë midis asimilimit dhe ruajtjes së identitetit. Ndërkohë që për shqiptarët, siç e përshkruan autori nga goja e protagonistit, grekët janë gjithmonë një “armik i heshtur” të cilët nuk të pranojnë kurrë, ndërsa nga ana tjetër, kjo s’mund të thuhet për shqiptarët, sepse: armiqësia e shqiptarëve nuk vinte nga urrejtja që ushqenin për të tjerët, vinte më tepër nga injorimi që u bënin të tjerët (f. 57). Kështu që vazhdimisht, protagonistit i duhet të përballet me një paragjykim të vazhdueshëm që për të, bëhet një pengesë e madhe për të vendosur një ekuilibër midis dashurisë për vetveten dhe përpjekjes për t’u përshtatur. Thjesht, ka të vizatuar në portret: shpresën dhe dëshpërimin.

Prandaj, kjo vepër është më shumë se një rrëfim mbi emigrimin, ajo është një pasqyrim mbi natyrën njerëzore, mbi përpjekjet për të kapërcyer vështirësitë dhe mbi kufijtë e ngurtë që shoqëria vendos mbi ata që janë të ndryshëm. Emigranti shqiptar mbetet i ndarë në mes të dëshirës për t’u pranuar dhe nevojës për të ruajtur identitetin e tij. Ai përfaqëson një personazh tragjik që, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të tij, mbetet gjithmonë një “i huaj” në një botë që e refuzon atë.

Përmes një shtjellimi të thelluar të sfidave ndërkulturore, vepra na lë një pasqyrë të gjallë të dualizmit njerëzor: mes shpresës dhe zhgënjimit, mes pranimit dhe përjashtimit, ku në fund të gjitha ndjenjat shkrihen në atë që autori e përshkruan si thelbin e vetë qenies njerëzore.

 

Krerët: tre dhe katër

Krerët në vazhdim përshkruajnë një episod të jetës së narratorit në Hrisupoli, ku ai fillon punën si kopshtar, kujdeset për luleshtrydhet në vilën Mavromati. Këtu njihet me mirëmbajtësen-pastruesen Albana dhe më vonë me zonjën Lenjo. Një tjetër linjë ngjarjesh zhvillohet përmes përpjekjeve të narratorit për të krijuar një lidhje me Kristjanën, që kulmon me një takim të tensionuar dhe të njëanshëm. Kulmi i konfliktit ndodh kur narratori përballet me Kristjanën për t'i dhënë luleshtrydhet, duke shpresuar të fillojë një marrëdhënie më të afërt. Përplasja mes dëshirave të tij dhe refuzimit të saj krijon një tension emocional, që reflekton pasiguritë dhe vetëdijen e tij për kufijtë socialë dhe kulturorë. Vetë narratori paraqitet si një emigrant i thjeshtë, i cili kërkon të gjejë stabilitet ekonomik dhe emocional në një ambient të huaj. Ai përjeton nostalgji për vendlindjen: Nuk ishte hera e parë që më ndodhte kjo në Greqi, të shihja fshatin tim, atje ku pamjet ngjanin dhe kishin aromën e tij (f. 78), dhe shfaq një ndjeshmëri të thellë ndaj simbolikës së vendeve dhe njerëzve. Kurse Albana një pastruese e hijshme, por e trembur, që simbolizon barrën e emigrimit dhe të frikës së pashpjegueshme ndaj autoritetit: Në qoftë se pikëllimi i rrinte mbi qerpik si vesë, frika i strukej në sy si lot i patretur (f. 82).

Lenjoja një grua që përfaqëson shpirtin e hapur dhe bujarinë, duke ruajtur një ndjenjë lidhjeje me traditat dhe fshatin: Qiria Lenjo përpos që ishte njeri i ndershëm, ishte dhe një e krishterë e mirë. Nuk e kishte për turp të mburrej për atë që ishte. Ajo hynte tek ata njerëz që janë të bukur nga jashtë, sepse janë më parë të bukur nga brenda. Bukurinë e brendshme të saj e njihte gjysma e Hrisupolit...(f. 87). Të huajt për të ishin bërë “njeriu i shtëpisë”. Bujaria dhe lidhjet njerëzore të shëndosha që shfaqeshin përmes  saj, kapërcenin barrierat etnike dhe kulturore, duke pohuar se: Të gjithë jemi njerëz të Zotit (f. 88). E për dallim nga kjo, Kristjana simbolizon ëndrrën e pamundur të narratorit, një grua e ndrojtur, por e vendosur në kufizimin e marrëdhënieve me narratorin.

Stili dhe teknikat letrare-artistike janë me përshkrime të hollësishme për vilën Mavromati, e cila simbolizon izolimin dhe vetminë: Vetminë, e rrisnin pemët që e rrethonin nga të gjitha anët si një kordon i blertë...(f. 77). Ajo përshkruhet si një "skifter i vetmuar" që shikon fushën, duke reflektuar gjendjen shpirtërore të narratorit dhe të personazheve tjerë. Një kontrast mes natyrës së gjallë dhe zymtësisë që e mbulon vilën.

 Dialogët e zhvilluar janë natyralë dhe zbulojnë karakterin e personazheve, vetëm  papagalli këtu shton një element humori dhe ironie. Narratori zbulon emocionet dhe mendimet e tij të brendshme në mënyrë të ndjerë dhe poetike kur bëhet fjalë për gjuhën e nënës dhe e ndjeshmja del në pah vetvetiu sa herë që kthehet te shqipja, duke e cilësuar si "gjuhë të zemrës", kjo shpreh siç duket universalitetin e lidhjes së njeriut me origjinën.

 Ndërkaq vila, luleshtrydhet dhe pluhuri afrikan krijojnë një ndërlidhje mes vendit, kujtesës dhe ndryshimeve personale. Trajtohet jeta e emigrantëve dhe sfidat e tyre për t’u integruar në një shoqëri të re, duke përfshirë nostalgjinë dhe vetminë. Kufijtë e dëshirës dhe realitetit janë të largët, sepse marrëdhënia e narratorit me Kristjanën mbetet një përballje mes ëndrrës dhe refuzimit.

Hapësira e Hrisupolit, me vilën, fushat dhe qytetin e saj të pluhurosur, krijon një ambient që reflekton izolimin dhe vetminë e personazheve. Ndërsa koha ec si një ditë pune e zakonshme, e veçanta është, simbolika e pluhurit afrikan: Qytetin e vogël e sulmonte një pluhur i tillë. aq i kuq dhe aq i nxehtë (f. 77), duke na dhënë një atmosferë të tensionuar dhe të pasigurt. Ai lidhet me degradimin dhe kalbjen e botës në konflikt me ëndrrat personale.

 

Kreu i pestë

Kreu i pestë ofron një analizë të thellë të gjendjes psikike, fizike dhe humane në lidhje me emigrimin, izolimin, dhe ekzistencën në vend të huaj. Ai eksploron tematikën e jetës dhe vdekjes si dy botë të papërputhshme, duke shtruar pyetjen se ç’do të thotë të jesh i gjallë edhe atëherë kur mbijetesa është vërtet jeta, përderisa: I huaji, në vend të huaj, është në të vërtetë një gjë e vdekur...(f. 96).

Që në fillim, teksti shtron një dualitet ekzistencial: ... rruga e të gjallit, e mbushur me lule, dhe rruga e të vdekurit, e mbuluar me hi. Kristjana kishte lindur për të trazuar lulet, ndërsa unë për t’u dergjur në hi. (f. 96). Autori reflekton mbi faktin se emigrimi shpesh është një ndërprerje nga e kaluara dhe një formë alienimi nga vetja.

Shpesh romani pasqyron ndjesinë e alienimit, të qenit një kufomë e gjallë në një botë ku gjithçka është e huaj. Ideja e të qenit një “qivur i harruar” është një metaforë e fuqishme për një njeri që ka humbur lidhjet me botën rreth tij dhe me vetë identitetin.

Këtu, autori ndan fatin e dy personazheve, duke përfaqësuar një konflikt mes dritës dhe errësirës, të gjallës dhe të vdekurës. Vetëperceptimi si një qenie e pajetë pasqyron një humbje të plotë të motivit dhe shpresës.

Autori, mjeshtrisht pikturon një tablo të një jete mekanike ku gjithçka kryhet sipas rregullit, por pa kuptim. Përshkrimet rutinore theksojnë boshllëkun e brendshëm të personazhit: Ngrihesha rregullisht çdo mëngjes... por isha i vdekur (kreu i pestë).

Përshkrimet ironike të veprimeve të zakonshme si larja, ngrënia apo ecja thellojnë kontrastin mes jetës fizike dhe mungesës së një kuptimi shpirtëror.

Shumica e tekstit të këtij kreu, kundërvë hijet dhe lulet për të theksuar ndarjen midis shpresës dhe humbjes. Rruga e luleve është një simbol i jetës së vërtetë, ndërsa hija përfaqëson humbjen dhe vdekjen shpirtërore: Të mbijetosh, do të thotë të mos jetosh. Je, vetëm sa për të bërë hije mbi dhé...(kreu i pestë). Kjo frazë sintetizon filozofinë e tekstit, që shpreh kotësinë e ekzistencës së zbrazur.

Ndërkohë, Kristjana dhe Albana janë dy figura që simbolizojnë dy botë të ndryshme: Kristjana, grekja e largët dhe e pakapshme që përfaqëson iluzionin dhe mallin, ndërsa Albana, shqiptarja e afërme dhe e thjeshtë që simbolizon ngrohtësinë dhe realitetin: Njëra ikte pa zhurmë, tjetra vinte me poterë (f. 98). Albana personifikon ngushëllimin shpirtëror të humbur, ndërsa Kristjana përfaqëson një ëndërr që digjet nga kontradiktat e saj.

Një nga momentet më dramatike në këtë pjesë është përballja me Baltazarin (të madhin), pronarin e pashpirt që mishëron fuqinë dhe dominimin e të fortëve mbi të dobëtit: Të fortët në këtë botë marrin ato që duan, kurse të dobëtit nuk mbajnë dot ato që kanë (f. 109). Baltazari është një figurë që përfaqëson të keqen e strukturuar dhe fuqinë abuzive, të cilën ia kundërvë njeriut të zakonshëm.

Si rrjedhojë vjen puthja e Kristjanës në fund si një akt simbolik i hakmarrjes dhe i përmbushjes së një ëndrre të humbur. Ky akt nuk është thjesht fizik, por filozofik, duke përfaqësuar një përpjekje për të vënë në vend dinjitetin dhe identitetin e humbur: Kështu mora hak ndaj një kërme, ngushëllova një kufomë dhe gjunjëzova një Perëndi (f. 115).

Përgjatë ecurisë së leximit, këta krerë na çojnë drejt një reflektimi të thellë mbi ekzistencën, alienimin dhe pabarazinë në botën moderne. Mesazhi kryesor i tyre është një sfidë ndaj kotësisë së një jete pa kuptim, ku të dobëtit mbeten gjithmonë viktima të sistemeve dhe individëve të fuqishëm. Përmes një stili gjuhësor të pasur me metafora dhe simbole, autori na fton të reflektojmë mbi dualitetet e brendshme: jetë-vdekje, shpresë-dëshpërim, dashuri-hakmarrje.

Stili i autorit përdor një ironi të hollë dhe një introspeksion të thellë, duke krijuar një gjuhë të ndërliqshme, e cila përçon emocion dhe filozofi njëkohësisht. Përshkrimet e detajuara të rutinës dhe përplasjet emocionale të personazhit kryesor theksojnë dramën e tij ekzistenciale, duke e bërë lexuesin pjesë të botës së tij të brendshme dhe të jashtme.

Frazat kyçe të këtyre kapitujve janë ato që mbartin thelbin filozofik dhe artistik të mesazhit të autorit, duke përmbledhur idetë kryesore të alienimit, jetës mekanike, fuqisë dhe dobësisë, si dhe përplasjes midis shpresës dhe dëshpërimit. 

 

Krerët: gjashtë dhe shtatë

Brenda këtyre dy krerëve vazhdon ndikimi i paragjykimit në ndërtimin e identitetit të emigrantit.

Në fillim të romanit, protagonisti paraqitet si një individ që, edhe pse është larguar nga vendlindja për një jetë më të mirë, përballet me një ndjenjë të thellë të mospërkitjes dhe humbjes së identitetit. Kjo ndjenjë është e ndërlidhur ngushtë me përvojat e tij të vazhdueshme të paragjykimit dhe përbuzjes që has nga grekët vendas. Emigrantët si ai përjetojnë një lidhje të ndërlikuar me identitetin, të vendosur në një sferë të dyfishtë ku duhet të jetojnë brenda një shoqërie që shpesh i refuzon ata, ndërsa përpiqen të mbajnë lidhjet me rrënjët e tyre kulturore. Ky konflikt e thellon te protagonisti ndjesinë e vetëpërçmimit dhe inferioritetit, duke krijuar një izolim të brendshëm. Me përshkrimin e tij të tërheqjes së frikshme nga autoritetet, sidomos pas afërsisë me Kristjanën, vajzën greke, shfaqet haptazi trysnia e dyfishtë që përjeton – ajo e të qenit shqiptar në një shoqëri paragjykuese dhe ajo e të jetuarit nën hijen e ndalesave dhe rregullave të pashkruara që përcaktojnë marrëdhëniet ndërpersonale.

Në aspektin dialektik, paragjykimi shfaqet si një forcë kufizuese që redukton dimensionin e lirë të individit, duke e çuar drejt një krize identitare. Protagonisti ndihet i huaj në botën e tij të re dhe përballet me një sfidë të dyfishtë: të fitojë pranimin e shoqërisë dhe të ruajë përkatësinë e tij kombëtare. Ky ndërlikim i thellë në roman thekson se identiteti i emigrantit shpesh është një produkt i thyer midis shpresës për integrim dhe trysnisë së përjashtimit.

Kundërshtia vjen me zgjerimin e botëkuptimit dhe pranimit të elementeve të reja kulturore. Ajo që del nga ky përjetim i dhimbshëm, nuk është thjesht rezistencë ndaj paragjykimit, por një hapje e ngadaltë e protagonistit drejt formave të reja të transformimit. Gjatë qëndrimit në Greqi, ai ndërmerr veprime që e shënjojnë gradualisht si pjesë të shoqërisë greke – vendos të pagëzohet, një akt që shkon përtej pranimit formal në kishë dhe që mishëron një akt të vullnetshëm të integrimit në një kulturë të huaj. Gjithashtu, protagonistin e tërheq Kristjana, e cila, duke qenë e lidhur me kulturën greke dhe tabutë e saj, përfaqëson sfidën më të madhe të tij për të thyer kufijtë e vendosur prej paragjykimit shoqëror.

Pagëzimi në kishë dhe lidhja e tij me Kristjanën janë dy momente kyçe ku protagonistit i shtohen në dimensionet e reja të identitetit. Në këtë kontekst, protagonisti jo vetëm që merr aspekte të transformimit të ri grek, por bën një përpjekje për të pajtuar origjinën e tij me realitetin e ri. Përdorimi i emrit të ri-Vangjel, ndërthurja e zakoneve dhe adaptimi në ritet e kulturës pritëse nuk paraqiten vetëm si një kompromis i dhimbshëm, por si një përpjekje për të krijuar një vetëpërkufizim që respekton njëkohësisht origjinën dhe transformimin.

Nga krerët e gjertanishëm, krijohet sinteza e ndërtimit të identitetit hibrid dhe reflektimit mbi përdorimin e pushtetit. Kështu që, në sintezë, protagonisti zhvillon një identitet të ri që përfshin elemente nga të dyja kulturat, duke formuar një identitet hibrid që nuk mohon as origjinën shqiptare dhe as përpjekjet për të qenë pjesë e shoqërisë greke: ...e torturonte ideja që ne po nguleshim aty; po nguleshim, ku ai donte të shkuleshim; po afroheshim, ku ai donte të largoheshim; po ngjiteshim, ku ai donte të shqiteshim; po vinim ku, ai donte të iknim. Ne, pas një brezi, do të mund të bëhemi grek, si ai, gjithashtu dhe ai, po pas një brezi, do të mund të bëhet shqiptar, si ne (f. 150).  Ky identitet hibrid, në thelb, shfaqet si një formë rezistence ndaj përpjekjeve të shoqërisë greke për të mbajtur emigrantët në kufijtë e një identiteti të reduktuar e të skematizuar. Protagonisti jo vetëm që i mbijeton presionit social për t’u përshtatur, por përmes të njëjtit akt pagëzimi dhe lidhjeve të tij të ndërlikuara, bën një lëvizje aktive për të rimarrë dinjitetin dhe për t’u ndjerë pjesë e një procesi të vazhdueshëm për t’u shndërruar dhe për t’u zgjeruar si individ.

Në të njëjtën kohë, personazhi është i vetëdijshëm se procesi i hibridizimit ka një kosto, sidomos në raport me pushtetin. Gjatë romanit, figura e gjeneralit shfaqet jo vetëm si një përfaqësues i shoqërisë greke, por si simbol i autoritetit dhe i pushtetit që e mban protagonistin në një gjendje të vazhdueshme nënshtrimi.

 

 

Identiteti dhe procesi i përçarjes midis vendasit dhe të huajit

Në këtë pjesë, shihet përshkrimi më në detaje i sfidës që protagonisti përballet përballë një kombësie të huaj, duke vendosur theksin te përjetimi i tij i përhershëm i përçmimit dhe nënvlerësimit nga grekët, sidomos nga personazhi i gjeneralit. Duke zbuluar konfliktin e tij të brendshëm mes të qenit shqiptar dhe dëshirës për të hyrë në një shoqëri që e sheh si të huaj, protagonisti përfaqëson dilemën e shumë individëve që përballen me stigmatizimin kulturor dhe me margjinalizimin. Ky përjetim është i thellë jo vetëm për protagonistin, por edhe për të gjithë emigrantët shqiptarë, të cilët, për të mbijetuar, janë të detyruar të ndryshojnë emrat dhe identitetet e tyre: Ta gëzosh emrin!- tha ajo mjaft e çiltër dhe e kënaqur që i jepej një rast tjetër për t’u ndodhur nën strehën e Zotit (f. 156). Ky ndryshim ka si qëllim të sigurojë pranimin, por në të njëjtën kohë krijon një tension të brendshëm, pasi imponon një distancë mes individit dhe identitetit të tij origjinal.

 

Asimilimi dhe kundërveprimi ndaj humnerës së integrimit

Në këtë pikë të rëndësishme, do të shqyrtohet procesi kompleks i asimilimit ku, përmes adoptimit të normave dhe praktikave të vendit të huaj, protagonisti dhe të tjerët të ngjashëm me të, fillojnë të perceptohen si më pak të “huaj” në krahasim me shqiptarët e tjerë. Kjo përpjekje e qëllimshme për të qenë më afër kulturës greke, përfshirë dhe pagëzimin e tij në një kishë greke, paraqet një akt të dyfishtë. Nga njëra anë, ky veprim synon integrimin social dhe zbutjen e distancës me vendasit, por nga ana tjetër, këput një lidhje të rëndësishme me rrënjët kulturore. Kjo përpjekje e vazhdueshme për t’u integruar, e cila kërkon sakrificën e identitetit personal, në fund, as kjo nuk është në gjendje të sigurojë pranimin e plotë që protagonisti kërkon. Mirëpo, e tëra rezulton në mënyrën se si ky proces i asimilimit nuk e shpëton individin nga izolimi, por e bën të ndjehet më i humbur, siç përshkruhet përmes përvojës së tij në fabrikë dhe ndjenjës së “ngrirjes” së karaktereve të tjera në prezencën e të madhit.

 

Tërheqja e brendshme drejt lirisë dhe rilindjes përmes dashurisë

Në këtë pjesë të romanit, do të shfaqet vendimi i protagonistes Kristjana për t’u izoluar në një manastir dhe pasiguria e protagonistit për ndjenjat e saj. Ky moment, ngre një tension dramatik mes mbajtjes së lirisë individuale dhe detyrimit për të pasur një ekzistencë të qetë dhe të pranueshme për normat shoqërore. Për protagonistin, Kristjana është më shumë se një lidhje romantike; ajo përfaqëson një pikë të fortë, që e mban të qëndrueshëm përballë pasigurisë dhe përçmimit. Duke e parë si një burim shprese për integrimin e tij, ajo përfaqëson lirinë e brendshme dhe ndjenjat që mbeten të paprekura nga presioni social. Përmes analizës dialektike, do të shqyrtohet mënyra se si dy personazhet përfaqësojnë dy pole të ndryshme: ndërkohë që protagonistja zgjedh izolimin shpirtëror për t’u ruajtur nga normat shoqërore, protagonisti vendos të transformohet brenda asaj shoqërie për të përjetuar ndjenjën e dashurisë.

 

Sinteza: rindërtimi i identitetit përmes një ndërveprimi të dyanshëm

Pjesa e fundit e këtij kreu (të shtatë) fokusohet në sintezën, ku tensioni midis identitetit fetar të ndryshuar të protagonistit dhe përpjekjeve të tij për t’u pranuar nga shoqëria e huaj paraqet një proces të vazhdueshëm. Në një perspektivë më të thellë, protagonistët nuk e pranojnë plotësisht përqafimin e këtij transformimi apo ndarjes së plotë nga e kaluara. Ata mësojnë ta përjetojnë këtë përçarje brenda vetes dhe të jetojnë në një pozicion hibrid, ku ruajnë elementet thelbësore të identitetit të tyre origjinal duke përshtatur disa të tjera. Kjo pikë nxjerr në pah jo vetëm luftën për pranimin dhe integrimin social, por edhe domosdoshmërinë e një identiteti dinamik, që zhvillohet dhe përshtatet. Analiza sintezë përfundon me rëndësinë e ndërtimit të një identiteti që nuk kërkon zhbërjen e plotë të vetes duke e shikuar përshtatjen jo si dobësi, por si një forcë të brendshme.

Në përfundim, ky vështrim dialektik tregon se, ndërsa paragjykimi është një forcë kufizuese që synon të mbajë emigrantin në një gjendje të ndrydhur, procesi i integrimit dhe krijimit të një identiteti të përzier i ofron protagonistit një mundësi për rritje të brendshme. Edhe pse përshtatja e identitetit përballet me pengesa të mëdha, protagonisti arrin një formë të personalitetit të pavarur që sfidon pushtetin, duke zgjedhur të ndjekë një rrugë të vetën, të mbështetur në një hibridizim të qëndrueshëm kulturor. Në këtë mënyrë, ai sfidon bindjen se identiteti është i përhershëm ose i paracaktuar, duke dëshmuar se identiteti është një proces i vazhdueshëm i përshtatjes, që formohet dhe riformohet nëpërmjet tensioneve dhe ndërveprimeve kulturore të ndërlikuara.

 

Krerët: tetë, nëntë dhe dhjetë

Këta krerë, trajtojnë temën e ndikimit të thellë të tranzicionit shoqëror dhe kulturor në një shoqëri të caktuar, duke pasqyruar si ndjenjat e humbjes së identitetit, ashtu edhe përpjekjet për përshtatje dhe mbijetesë. Mesazhi qendror duket se është një reflektim mbi pasojat e ndryshimeve shoqërore dhe efektin e tyre në lidhjet ndërnjerëzore, ndërgjegjen dhe ndjenjën e përkatësisë. Qasja e autorit Th. Medi ndaj kësaj duket që është shqetësuese, ngjan më shumë si tingull alarmues; ai përdor një zë brengosës me ton ngacmues dhe shpeshherë introspektiv, me synim për të nxitur lexuesin që të reflektojë mbi fenomenet e tranzicionit dhe zhdukjen e vlerave tradicionale. Ky tonalitet pasqyron një ndjesi humbjeje dhe nostalgjie, por edhe një kritikë të zbutur ndaj procesit të modernizimit. Tema dhe qëllimi i këtyre kapitujve mund të kuptohet më mirë nëpërmjet tranzicionit të përhershëm që solli fjalë të reja, por që mori kujtesën e përbashkët, e cila nënkupton humbjen e elementeve të identitetit në valën e ndryshimeve shoqërore.

Ndiqet një strukturë lineare me përshkrime dhe ndërhyrje që theksojnë përvojat individuale të personazheve të tij. Ndërsa zhvillohet rrëfimi, shfaqen konflikte dhe dinamika që e mbështjellin lexuesin në përjetimet e karaktereve, duke i lejuar atyre të ndihen të ndikuar nga ky realitet i ri. Kjo qasje strukturore, ofron një pasqyrë graduale të ndryshimeve shoqërore dhe lejon lexuesin të ndjekë zhvillimin e karaktereve, ndërkohë që ballafaqohen me këto ndryshime. Çdo kapitull si pjesë është i lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe secili përbën një mozaik ideor dhe emocional, duke dhënë një pasqyrim të thellë të shoqërisë në tranzicion. Një element i rëndësishëm është përdorimi i personazheve të ndryshme për të paraqitur ndjesitë e tyre, duke krijuar një kuptim më të plotë dhe më të thellë të ngjarjes në tërësi. Në aspektin narrativ, struktura lineare lejon një rrjedhë logjike dhe të lidhur të përjetimeve të personazheve. Një shembull për ta theksuar këtë është kur autori shkruan për jetën e tyre të ndarë në skema, ku çdo ndarje e një epoke vinte me një barrë të re, dhe çdonjëri mbante hijen e tij, duke treguar ndarjet që përfshihen në rrëfim, të cilat rriten gradualisht me kalimin e kohës dhe me përballjet e personazheve.

Gjuha e përdorur është shpesh figurative dhe me theks të madh në përdorimin e simboleve dhe metaforave, që përforcojnë mesazhin. Për shembull, autori përdor metafora të tilla si “përplasja e brezave” apo “pasqyra e kohës” për të treguar ndryshimet drastike ndërmjet vlerave të mëparshme dhe atyre të reja. Struktura e fjalive këtu është e larmishme dhe pasqyron ndjenjën e ndërlikuar të shoqërisë dhe karaktereve të përfshira në histori. Një frazë tjetër e fortë është "pasqyra e kohës," që shërben si një simbol për të treguar se koha, e paraqitur si pasqyrë, reflekton ndryshimet dhe humbjet, duke i bërë të dukshme efektet e modernizimit.

Karakteret kryesore përballen me presionet dhe ndryshimet e epokës së re, duke pasqyruar konflikte të brendshme dhe përpjekje për të ruajtur identitetin e tyre. Përmes përshkrimeve të ndjeshme dhe të detajuara të përjetimeve të tyre, autori krijon një ndjenjë empatie për personazhet dhe rrugëtimin e tyre, që shpesh është përballë një sfide të madhe sociale dhe morale. Perspektiva narratologjike niset nga përdorimi i rrëfimit në vetën e tretë, na ofron një pamje të gjerë dhe gjithashtu lejon autorin të ofrojë mendime dhe interpretime për ndodhitë. Personazhet që përballen me këtë shoqëri të re shpesh përjetojnë një krizë identitare, të cilët autori i pasqyron si mbetje në mes të dy epokave, të pavendosur dhe të huaj në truallin e tyre. Kjo perspektivë e të huajit, që ndihet larg realitetit të vet, thekson përpjekjet e personazheve për të mbajtur veten përballë ndryshimeve të mëdha, duke nxjerrë në pah konfliktet dhe pasigurinë e brendshme.

Me përkushtim të thellë në kreun e dhjetë, autori shpërfaq figurën e Albanës, e cila është shembulli i një individi të dehumanizuar nga përvoja të përsëritura dhune dhe shfrytëzimi. Ajo nuk mund të shohë më përtej rolit të saj si objekt tërheqjeje, as të besojë në qëllimet e pastra të të tjerëve. Teksa Vangjeli dëshiron ta shohë atë si një motër dhe të ndërtojë një marrëdhënie paqësore, Albana është shumë e traumatizuar për të njohur sinqeritetin e tij. Konflikti mishëron kontrastin midis të kaluarës që rëndon dhe përpjekjes për të ndërtuar një të ardhme më të mirë: Me Albanën po më ndodhte diçka e çuditshme, ndonëse e përbuzja si femër, por nuk isha i sigurt që nuk e doja si motër! ... pas përdhunimit që e pashë me sytë e mi, prita më kot që ajo të largohej nga vila. Që atëherë, fillova t’i shmangem, siç i shmanget vëllai, motrës së përdalë. Me Albanën mund të përplasesha mbasditeve, kur punoja te vila... Ndodhte të shiheshim nga larg dhe i ulte sytë e para, si virgjëreshë e sapozhvirgjëruar, por prapë kaq ishte pak, që të mos e përbuzja. Veçse përbuzja, edhe atëherë, edhe më vonë ..., nuk u kthye asnjëherë në urrejtje, vetvetiu kthehej shumë më shpejt në mall. Si malli i vëllait për motrën. Këtu ngatërrohesha pak, pasi nuk dija të shprehja...(f 204-205).  Pra, siç edhe shihet nga citimi i origjinalit, ajo ishte për të si një motër e rigjetur nga humbja, e brishtë dhe e lënduar, kjo dhe ishte ndjenja që e mbante të lidhur me të: jo për t’i marrë diçka, po për t’i dhënë ndihmën e mbrojtjen. Siç bën vëllai për motrën, apo siç thotë I. Kadare ... ishte njëra që s’kishte trajtë për t’u shfaqur: motrimi (Kadare, Mëngjeset në Kafe Rostand, f. 48, Onufri, 2014). Ky fragment është një mikrokosmos i një konflikti më të madh shoqëror dhe personal. Përmes personazheve të saj, autori eksploron ndikimin e dhunës, pasojat e dehumanizimit dhe kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore. Përplasja midis Vangjelit dhe Albanës reflekton jo vetëm luftën e tyre të brendshme, por edhe një tragjedi universale: paaftësinë për të kapërcyer plagët e së kaluarës dhe për të ndërtuar lidhje të mirëfillta në një botë të ndarë nga dhuna dhe mosbesimi. Albana hapet për përvojat e saj dhe shpreh ndjenjën e përdorimit dhe shfrytëzimit nga të gjithë burrat në jetën e saj. Ajo zbulon detaje të errëta të së kaluarës: përdhunimin, martesën e detyruar dhe shfrytëzimin emocional dhe fizik. Ky tregim përforcon rolin e saj si viktimë e një shoqërie që e ka trajtuar atë si objekt, me një pasqyrim e një kuptim të thellë keqardhjeje e dhimbjeje.

Teksti i këtyre krerëve, arrin të transmetojë një mesazh të rëndësishëm rreth identitetit, dhunës, dhunimit të individit dhe shoqërisë, duke ndikuar tek lexuesit që të reflektojnë mbi ndryshimet e tyre personale dhe të shoqërisë së tyre.

 

Krerët: njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë dhe trembëdhjetë

Fragmenti i mësipërm është një pasqyrë komplekse dhe thellësisht e ndërlikuar e një përvoje emocionale dhe erotike-erotizmi, e mbështetur mbi një përzierje të pasur stilesh, metaforash dhe simbolesh. Ruhet një balancë mes përshkrimeve intime dhe narracionit kryesor, duke e shmangur vullgaritetin apo teprimin, sepse është aq i integruar në mënyrë të natyrshme brenda strukturës së romanit përmes estetikës dhe simbolikës që e bën edhe më tërheqës. Autori krijon një tekst që nuk është vetëm një rrëfim i thjeshtë, por një eksplorim filozofik dhe artistik i marrëdhënies ndërmjet dashurisë, intimitetit, ndjenjave dhe të qenit i pranuar nga bota.

Autori përdor një gjuhë të ngarkuar me simbole dhe metafora për të shprehur ndjenjat e protagonistit. Errësira përshkruhet si perde në sy dhe kompleks buburrecash (f. 221), duke simbolizuar fshehtësinë, frikën dhe pengesën për të parë të vërtetën. Flaka, ndërkohë, përfaqëson pasionin dhe konsumimin e ndërsjellë emocional.

Ekziston një përshkrim i hollësishëm i ambientit dhe përjetimeve trupore, duke përfshirë ndjesi fizike, aromat dhe ndriçimin. Për shembull, drita e rrugës përshkruhet si “çehre të vdekurish”, duke përforcuar ndjenjën e një pasigurie të vazhdueshme.

Errësira simbolizon fshehjen, frikën nga refuzimi dhe ndrojtjen përballë dritës së vërtetës. Ndërsa kalimi në dritë pasqyron një hap drejt të njohurit dhe pranimit nga tjetri.

Unaza dhe karafilat janë simbole të një angazhimi të përhershëm dhe të shenjtë, që protagonistit i duken si çelës drejt një të ardhmeje të përbashkët.

Fragmenti është një eksplorim filozofik i ndjenjave njerëzore për dashurinë dhe identitetin në një kontekst të fshehur dhe të ndërlikuar. Për protagonistin, dashuria nuk është thjesht një pasion fizik, por një aspiratë për t’u njohur dhe pranuar si i barabartë në botën e tjetrit. Ai ndien se errësira e ruan dashurinë, por njëkohësisht e kufizon dhe e degradon atë në një marrëdhënie të pamjaftueshme: ...isha një qenie që duhej të vegjetonte në errësirë, dhe t’i shmangej dritës, një lloj vurkollaku (lugati)... Mbetën si nga qëmoti, duke qenë natën, nuk duhej që të ishin edhe ditën, duke pasur ëndrra nuk ishte e thënë që t’i gëzonin ato. Kjo vlente edhe për mua, si emigrant shqiptar apo pjesëtar i vjetër i familjes së të shëmtuarve. I vdekuri i dritës dhe i gjalli i errësirës  (f. 223-224).

Kontrasti filozofik midis protagonistit dhe Kristjanës është qartësisht i thellë. Për të, dashuria është një lidhje e plotë, ndërsa për Kristjanën, ajo mbetet e fragmentuar dhe e kufizuar nga frika dhe rrethanat.

Ka mesazhe të rëndësishme se, dashuria kërkon guxim dhe transparencë, nuk mund të jetë plotësisht e përmbushur kur është e fshehur në errësirë. Apo që, identiteti ynë në dashuri është një betejë për të qenë të parë dhe të pranuar nga tjetri, por edhe për të ndjerë që e meritojmë një të ardhme të përbashkët.

 

Kreu i katërmbëdhjetë

Ky kapitull është një shembull i shkëlqyer i një narrativi të shumëfishtë dhe të ndërlikuar, që kombinon aspekte letrare, stilistike, filozofike dhe mediatike për të eksploruar thellësisht dimensionet e një vrasjeje misterioze dhe të lidhjeve emocionale që e rrethojnë.

Zinxhiri i ngjarjeve lidhet nga një ndërlidhje e përhershme mes së kaluarës dhe së tashmes, duke ndërthurur përvojat intime të narratorit me përplasjet e jashtme shoqërore dhe morale. Ngjarjet personale të narratorit me Kristjanën ndërthuren me të kaluarën e errët të Albanës dhe vrasjen e Baltazar Mavromatit, duke krijuar një narrativ të ngjeshur ku çdo detaj mbart një peshë të rëndësishme.

Dashuria dhe humbja përmes marrëdhënies së narratorit me Kristjanën pasqyron tensionin midis dashurisë personale dhe forcave shoqërore që e sfidojnë atë.

Racizmi dhe dhuna institucionale pasqyrojnë ngjarjet që lidhen me vrasjen e Baltazarit dhe paragjykimet ndaj shqiptarëve ilustrojnë padrejtësitë e një shoqërie të ndarë. Ndërkaq e vërteta dhe manipulimi vënë në pah telefonatën anonime dhe përhapjen e së vërtetës për përdhunimin e Albanës që pasqyrojnë luftën për drejtësi në një botë të dominuar nga manipulimi dhe interesat personale. Kurse tek identiteti dhe kualiteti, narratori është i ndarë mes identitetit të tij personal dhe atij kolektiv si shqiptar, një përplasje që pasqyron tensionin mes vetëdijes individuale dhe shoqërisë. Ndërsa e vërteta dhe morali e treguar nga telefonata anonime për përdhunimin e Albanës, pasqyron një akt moral për të nxjerrë në dritë të vërtetën, por gjithashtu ngre pyetje etike: a duhet që e vërteta të zbulohet gjithmonë, pavarësisht pasojave?!

Lufta për drejtësi nënkuptohet përmes konfliktit mes "të egërve" dhe "të butëve" në shoqëri përfaqëson luftën universale për drejtësi, ku paragjykimet dhe ndarjet sociale shpesh dominojnë mbi arsyen dhe humanizmin.

 

Kreu i pesëmbëdhjetë

Kreu mbyllës i romanit shpalos një mjeshtëri letrare që kombinon narracionin emocional, metaforën e pasur dhe tensionin e ndërmjetshëm. Përdoren simbole dhe kontraste të forta për të ilustruar dualitetin e ndjenjave dhe sfidën e identitetit të personazheve. Metaforat dhe simbolet janë të shumta. Ja disa,"retë mbi qytet" dhe "shiu që pëlciste si brumë nëpër këmbë": retë simbolizojnë tensionin dhe pasigurinë që rëndon mbi personazhet, ndërsa shiu është një simbol i pastërtisë, i katharsisit dhe i dhimbjes. “Shiu është Albana që qan”: është një metaforë prekëse që ndërlidh dhimbjen e saj me natyrën. "Fustani i bardhë i Kristjanës": bardhësia është simbol i ëndrrës dhe i pastërtisë së dashurisë së shkuar, por edhe një përfytyrim nostalgjik i Vangjelit për atë çfarë ajo përfaqësonte dikur. Ky fustan, i parë në ëndërr dhe realitet, krijon një tension mes iluzionit dhe zhgënjimit. "Shatërvani i shuar": përdorimi i këtij imazhi përshkruan zhdukjen e gëzimit dhe vitalitetit, duke pasqyruar dëshpërimin e Vangjelit.

Fragmenti ndjek një ritëm të ngadalshëm dhe introspektiv, duke e zhytur lexuesin në mendimet dhe ndjenjat e Vangjelit. Ritmi ngadalësohet në momentet e reflektimit dhe përshpejtohet në episodet e veprimit, si gjyqi i Albanës apo ndarja përfundimtare me Kristjanën.

Vangjeli është një personazh i thellë, i përfshirë në një rrugëtim emocional të trazuar që përfundon në zhgënjim dhe vetmi. Identiteti i Vangjelit si një njeri nga Hija e Mallkuar dhe paragjykimet që i bashkëlidhen, janë një reflektim i ndarjeve shoqërore. Të gjithë ne që vijmë andej, jemi të mallkuar të mos na duan (f. 280), përshkruan stigmatizimin që përndjek Vangjelin dhe pengon lumturinë e tij.

“Bëra tutje, mbështjellë me heshtje morti, mbuluar me mjegull, rrahur nga bulëza shiu që pëlcisnin më së shumti mbi ballin tim e pikonin nga qerpikët si lot. Lot të trishtë, të pikëlluar, mbrujtur me dhimbje gjithësie, ardhur nga larg. Nga shumë larg. Andej nga kisha ikur vite më parë, nga “Hija e Mallkuar” (f. 298). 

Pasazhi përmbyllës, i ndërtuar me një gjuhë poetike dhe një thellësi simbolike, përmban shumë më tepër sesa fjalët e dukshme. Ai është një reflektim mbi humbjen, vetminë dhe ndjenjën e një ekzistence të paplotë. Do të përqendrohemi te disa aspekte kyçe filozofike dhe psikologjike që autori përçon përmes përvojës së personazhit.

Bëra tutje, mbështjellë me heshtje morti: heshtja mortore është një simbol i fuqishëm i pranimit të humbjes dhe ndarjes përfundimtare. Kjo heshtje nuk është vetëm një moment reflektimi, por një akt përkuljeje ndaj pashmangshmërisë së fatit. Ajo përfaqëson pikën ku njeriu ndalon së luftuari kundër rrjedhës së jetës dhe i dorëzohet dhimbjes. Mbuluar me mjegull: mjegulla përfaqëson pasigurinë dhe konfuzionin që ndjek humbjen. Ajo e mbulon Vangjelin, duke e ndarë nga realiteti dhe duke e zhytur në një botë ku asgjë nuk është e qartë. Rrahur nga bulëza shiu që pëlcisnin më së shumti mbi ballin tim: shiu në këtë fragment është më shumë se një element i natyrës; ai është një metaforë për dhimbjen që rrjedh pandërprerë dhe përballjen me realitetin e ashpër. Bulëzat që pëlcisnin mbi ballë përfaqësojnë plagët e hapura të shpirtit dhe peshën e rëndë të zhgënjimit. Ky është një moment ku natyra reflekton gjendjen emocionale të personazhit, duke krijuar një ndërlidhje të fuqishme mes botës së brendshme dhe asaj të jashtme. Lot të trishtë, të pikëlluar, mbrujtur me dhimbje gjithësie: autori sjell një përmasë kozmike të dhimbjes së personazhit, duke e ngritur atë përtej një përvoje thjesht individuale. Dhimbja e gjithësisë është një metaforë që e bën dhimbjen e Vangjelit të ndjehet si pjesë e diçkaje më të madhe, më universale. Ky përshkrim nënkupton se humbja dhe vuajtja janë përvoja të pashmangshme të njerëzimit, të rrënjosura në vetë ekzistencën. Ardhur nga larg. Nga shumë larg:distanca është fizike dhe metafizike. Kjo frazë i referohet një humbjeje që ka rrënjë në të kaluarën e largët dhe që bartet si një mallkim. Vangjeli ndihet sikur dhimbja e tij buron nga një vend i largët, duke e lidhur atë me vendlindjen e tij, Hijen e Mallkuar, e cila përfaqëson një trashëgimi vuajtjeje dhe stigmatizimi. Andej nga kisha ikur vite më parë, nga Hija e Mallkuar: përmendja e Hijes së Mallkuar në përfundim të romanit e mbyll ciklin e rrugëtimit të personazhit. Kjo frazë përfaqëson një rikthim të pashmangshëm te rrënjët, si një epitaf përjetësie për një fat që nuk mund të shmanget.

 

Thesari i urtësisë apo mozaiku i mendimeve

Sikurse ndodh thellë në çdo roman të madh që fshihen një pasuri aforizmash, idiomash dhe mendimesh,  po ashtu edhe këtu ka mjaft të tilla, ku përmes thjeshtësisë së tyre, bartin peshën e një filozofie të tërë. Fjalët e urta dhe idiomat e këtij romani janë si perla të shpërndara, që ndriçojnë jo vetëm botën e personazheve, por edhe atë të lexuesve. Përmes fjalëve të urta të përfshira në këtë vepër, autori Th. Medi ndërton ura mes artit të tregimit dhe mësimeve universale të jetës. Aforizmat e këtij romani pasqyrojnë një botëkuptim të thellë, duke e kthyer në pikë reference lexuesin në kërkim të kuptimit. Në këtë libër, mendimet e përmbledhura në aforizma i japin një dimension të ri rrëfimit, duke e ngritur atë nga thjeshtësia e një historie në një burim urtësie dhe reflektimi. Ato e bëjnë më të pasur në disa aspekte thelbësore:

§ Thellësi filozofike dhe kuptim: aforizmat i japin këtij romani një dimension shtesë, duke pasqyruar mendime universale që shkojnë përtej ngjarjeve të tij dhe rezonojnë me lexuesit në nivele më të thella.

§ Fuqizimi i stilit letrar: shprehjet e përmbledhura dhe të mençura që hasen, shpesh mbeten në mendjen e lexuesit, duke e bërë këtë libër edhe më të pëlqyeshëm, edhe më të paharrueshëm.

§ Universalitet dhe lidhje emocionale: fjalët e urta të gjendura këtu, lidhen me përvojat universale njerëzore, duke u dhënë lexuesve mundësinë për t’u identifikuar me tematikën e romanit.

§ Ritëm dhe estetikë: aforizmat shpeshherë sjellin një ndalesë të shkurtër për reflektim në mes të narrativës, duke e bërë rrjedhën e leximit më të balancuar dhe estetikisht të këndshme.

§ Mesazhe dhe mësime: ato përmbajnë mesazhe të fuqishme ose mësime jete, duke e kthyer romanin “Hija e Mallkuar” në një burim të vlefshëm urtësie.

§ Kontekstualizim më i gjerë: këto e vendosin romanin në një sfond më të gjerë kulturor, historik ose filozofik, duke i dhënë veprës një ndjenjë kohe dhe hapësire.

Ja disa nga to:

Paratë, kumbarë, vejnë e vijnë, ajo që mbetet është vetëm dashuria (f. 52).

Ku të shpie mushka, o trap (f. 56).

Për nusen grekët thonë: këpucë të vendit tënd, dhe le të jenë me mballoma (f. 57).

Ne andej: nuse vendi, pikë argjendi (f. 57).

Nga fjalët e urta që qarkullonin në Hijen e Mallkuar për grekët ishin shumë: greku është i pabesë,; greku s’bëhet mik,; greku mbetet grek (f. 57).

Guri i rëndë në vend të vet, kështu i referohen mungesës së peshës në Hijen e Mallkuar, kurse për mungesën e fatit përmendin shelgun e zi: kush lind shelg i zi, shelg i bardhë nuk bëhet kurrë (f. 64).

Njeriu do gjithmonë atë që i mungon (f. 84).

Njeriu, zakonisht mban dy fytyra: një që e vë kur e shohin të gjithë..., ndërsa kur nuk e shohin është ai që është (f. 94).

Sipas rregullit të vjetër, i vdekuri rri me të vdekurit dhe i gjalli me të gjallët (f. 105).

Të fortët në këtë botë marrin ato që duan, kurse të dobëtit, nuk mbajnë dot ato që kanë (f. 109).

Njerëzit në humbëtirë e kërkojnë më shumë njëri-tjetrin (f. 202).

Të vdekurit nuk i tret dheu, ngaqë s’kanë vajtur fjalët e tyre në vendin e duhur (f. 202).

Lumturi nuk është t’i kesh të gjitha, por është të jetosh me frikën e humbjes së asaj që ke (f. 259).

Të huajin e do kur e ka poshtë tij dhe nuk e do kur ky hipën sipër: në kontekstin e kamjes-materiale (f. 271).

Më mirë të jetojmë për njëri-tjetrin sesa të shohim të tjerët si kacafyten për asgjë (f. 84).

Një curril i ri ishte një curril jete më shumë (f. 84).

Hakmarrja është fiksim që gërryen (kreu i pestë).

Të mbijetosh, do të thotë të mos jetosh (f. 5).

Rruga e të gjallit është e shtruar me lule, kurse rruga e të vdekurit me hi (kreu i pestë).

Kujton se grekes iu dogj barku për ty (f. 25).

Rri si në shtëpinë tënde (f. 208).

U mata të vrapoj si kërriçi kur i tundin trastën me taxhi (160).

Autori, këto aforistika, mendime e idioma, i ka përdorur me maturi dhe në harmoni me rrjedhën treguese brenda tekstit, i vetëdijshëm se është duke i dhënë romanit jo vetëm një rrëfim të zakonshëm e të drejtpërdrejtë, por duke i dhënë edhe thellësinë shumëdimensionale.

 

Analiza gjuhësore

Analizimi i gjuhës së romanit “Hija e Mallkuar” nga aspekti sintaksor përfshin shqyrtimin e mënyrës se si autori i ka përdorur strukturat gramatikore për të ndërtuar fjali, për të krijuar ritëm, për të përcjellë emocion, dhe për të thelluar kuptimin e tekstit. Struktura e fjalive është e ndryshme, ka fjali të shkurtra dhe të thjeshta: Duket që është shqiptar (f. 15), ;  ka fjali të gjata dhe komplekse: Ajo gjithashtu, s’kishte si ta dinte, kur unë mundohesha të mos e cënoja distancën që më ndante prej saj, bashkatdhetarët prapa meje, bënin të pamundurën për ta kapërcyer atë (f. 6), ; fjali të përbëra, të varura apo periudha të ndërlikuara: Se për të, ishte sendi prej kartoni, i cili zinte shumë vend në çantën ku ajo donte të ngjeshte sa më shumë trahana, raki të pjergullës së oborrit, çaj të malit tonë mbi Hijen e Mallkuar, teliqe leshi të punuara me shtiza nga vetë ajo, djathë të bardhë, qollopitë të pjekur me saç, ndonjë qeskë me arra e bajame që thyheshin vetë dhe sigurisht, qengji i radhës, i rritur prej saj me biberon (f. 12).

Fjalitë e gjata tregojnë rrjedhshmëri mendimesh ose një gjendje emocionale të trazuar. Fjalitë e shkurtra krijojnë tension, ritëm të shpejtë ose theksojnë një moment të veçantë.

Stili sintaksor është mjaft i pasur, ngase hasim përdorime të ndryshme të figurave sintaksore. Si p.sh anafora: Herë ngjanin me kunadhe dinake, herë me flamuj të zhubrosur e herë me çitjane të grisura...Tek rrihte retë, rrihte dhe greken (f. 17). (Përsëritja e një fjale në fillim të fjalisë për të krijuar efekt retorik ose emocional); heshtja (retiçenca) një figurë e ngjashme me elipsën: Ledhatova lulet e venitura të mbu­lesës së kanapesë, që në vend të petaleve, kishin lëkurën e fildishtë të trupit të saj... (f. 43). (Heqja e pjesëve të nënkuptuara të fjalive për të theksuar idenë kryesore); inversioni: Atëherë, kur nuk gjeti vend të lirë, sikur për ta zvogëluar gjëmën sadopak, m’u lut që ta lija të ulej nga dritarja (f. 14). (Ndryshimi i rendit të zakonshëm të fjalëve për të tërhequr vëmendje ose për të krijuar një efekt poetik); poliptotoni: Njeriu që duhej të vdiste atë ditë isha unë, që nuk e parandjeva vdekjen dhe jo Petro Zalli që e parandjeu (f. 179). (Përsëritja e së njëjtës fjalë në forma të ndryshme gramatikore); zeugma: ...kur na del përpara një gjë e papranueshme dhe e padurueshme (f. 63). (Përdorimi i një fjale për të lidhur dy ide të ndryshme, shpesh me kuptime të ndryshme).

Parataza: fjali të thjeshta dhe të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me lidhëza bashkërenditëse p.sh. Qyteti ishte i vogël dhe si i rrudhur (f. 31); hipotaza: Fjali të ndërlikuara që përdorin varësi gramatikore p.sh. me lidhëza nënrenditëse. Mbollëm më pas bostan, se derrat s’kishin të ngopur, por prapë dësh­tuam, se nga ky mall, futej me dalika në Kakavijë (f. 13); polisindeta: Tani, Albana për mua nuk ishte më as lavirja, as pastruesja, as zonja e re e vilës dhe as mishi i këndshëm (f. 212). (Përdorimi i shumë lidhëzave në një fjali ose frazë).

Veç këtyre, teksti në roman ka ritëm dhe kadencë që do të thotë ka një rrjedhë ritmike dhe melodike përgjatë gjithë librit.

Autori i shton edhe një nuancë të vogël arkaike stilistike librit, me pak prej tyre, si: bahçevan, kallupaxhinj, merhun, teliqe, qollopitë etj.

Njëkohësisht krahas tjerave, një vend të veçantë e zënë edhe dialogët në roman, të cilët pasqyrojnë mënyrën e të folurit të personazheve. Shpeshherë ato janë të thjeshta, të kuptueshme që shprehin veçantinë e karaktereve në dialektin jugor-toskë te koha e ardhme, ku pjesëza "të" shpesh lihet jashtë dhe shprehja thjeshtohet në do punoj. Kjo ndodh për shkak të natyrës më praktike dhe të rrjedhshme të gjuhës së folur: - Do bëj ç’të dua, - u nxeha papritur, - në shtëpinë time jam unë komandant (f. 149)!          

Ndër dialogët e shumtë në roman, po japim si shembull dhe këtë më poshtë, me të gjitha karakteristikat analitike të gjalla e plot ngjyra rreth tij:

- Fol shqip! - i thashë, me shpresën se, po të fliste me gjuhën e nënës, do t’i ikte në një masë të madhe trishtimi. Qeshi, folëm shqip. Dhe u duk se i pëlqeu, ndryshe nga shumë të tjera që, po t’u kujtosh shqipen, sikur u kujton djallin. Në atë çast iu tek dhe papagallit, të thotë prapë “panemorfi allvanidha”.

- Mbylle Ksenofon! - e qortoi ajo. Ksenofon, quhej papagalli.

- Ty, si të quajnë? - gjeta rastin të pyes, i trembur se mos dhe ajo quhej Keti?! 

- Albana (f. 82)!

Ky dialog ka një natyrë të gjallë, plot ngjyra, dhe ofron mundësi për analizë nga disa aspekte gjuhësore dhe stilistike. E para, ka një regjistër të përzier, sepse dialogu përzien një gjuhë të thjeshtë dhe të përditshme me elemente të pasura në nëntekst, duke krijuar një efekt të natyrshëm, por edhe lehtësisht humoristik. Kurse e dyta, përmban elemente të të dy gjuhëve, siç është përdorimi i fjalës greke "panemorfi allvanidha" dhe tjetra, kërkesa për të folur shqip thekson dinamikën e identitetit gjuhësor dhe kulturor në bisedë.

Qartësohet karakterizimi përmes gjuhës, ku folësi (i thashë/unë) në këtë rast, përfaqëson një dëshirë për lidhje autentike përmes gjuhës amtare, duke treguar kujdes dhe përpjekje për të krijuar një atmosferë më të ngrohtë; ndërsa Albana, definohet nga një qasje e thjeshtë dhe miqësore, me një emër kuptimplotë që lidhet me identitetin kombëtar shqiptar, duke krijuar një kontrast të qëllimshëm me Ksenofonin; papagalli (Ksenofon) ka një emërtim grek dhe fjalët e tij që përsërit, krijojnë një nuancë ironike dhe një humor të natyrshëm në dialog, gjithashtu ai simbolizon elementin e "të huajit" që është i pranishëm dhe ndikon në përditshmërinë e personazheve.

Ky dialog ka një element të fortë ndërveprimi dhe përpjekje për afrim. Kërkesa "Fol shqip!", reflekton një dëshirë për të kapërcyer ndarjet kulturore dhe për të rikthyer një ndjenjë përkatësie. Prandaj, është një shembull i shkëlqyer i përzierjes së humorit, ironisë dhe simbolikës kulturore, i cili eksploron marrëdhënien me gjuhën amtare dhe identitetin përmes një situate të zakonshme, por me ndërlikime emocionuese dhe kulturore.

Po ashtu, përdorim shumë të shpeshtë te dialogët në roman ka edhe përemri pyetës "ç' ", i cili shërben për të reduktuar dhe thjeshtuar pyetjen (dukuri e zakonshme e të folmes së jugut). Ai është një formë e shkurtuar e përemrit pyetës "çfarë", që përdoret në gjuhën shqipe për të formuar pyetje. Kjo formë shpesh lidhet me foljen dhe krijon një pyetje të shpejtë dhe të përmbledhur:

- Ç’thotë ky?! - ndërhyri Petro Zalli.

 - Ç’do ti këtu?!

- Ç’pe këtu, harroje, - më kërcënoi etj.

Meqenëse jemi tek analiza gjuhësore, duhet të kemi parasysh se teksti i romanit “Hija e Mallkuar” ka figura të shumta e të ndryshme stili, kështu që është e pamundshme t’i sjellim të gjitha (lidhur me këto do të mund të bëhej një vështrim më vete). Mirëpo për këtu do të identifikojmë ca nga to përmes shembujsh teksti nga vetë romani:

1. Nëse do të bashkoheshim përsëri e do të shijoja ëmbëlsinë qiellore të robërimit të përhershëm prej saj, apo do t’ia hiqte kryqin dashurisë, duke më lënë mes trishtimit të hidhur. Kotësisë.

Figurat kryesore të stilit në pasazhin e mësipërm janë këto: antitezë - ëmbëlsinë qiellore të robërimit kundërshtohet me trishtimin e hidhur dhe kotësinë; metaforë - ëmbëlsinë qiellore të robërimit dhe kryqi i dashurisë, dashuria përshkruhet me metafora që shprehin vuajtje dhe ekstazë; simbolizëm - kryqi i dashurisë simbolizon barrën, sakrificën, ose përgjegjësinë që lidhet me dashurinë. Kundërvënia midis qiellores (sublimja) dhe kotësisë (boshllëku) përforcon polarizimin emocional.

2. I duam shqiptarët, - tha ai, - të na heqin bebelinat, por nganjëherë i shohim si bebelina. I duam të na pastrojnë shtëpitë, por nuk i duam si njerëzit e shtëpisë. I paguajmë si punëtorë, por i shohim si shërbëtorë. E kemi më të lehtë t’i fusim të gjithë në një thes, sesa të nxjerrim nga thesi të këqijtë. Na është bërë zakon që për ata të mendojmë vetëm keq, kurse për veten tonë vetëm mirë. Na pëlqen të themi se nuk jemi racist, por mbajmë nën nënkresë ëndrrën e racës së zgjedhur. Po na fiksohet ideja, se ata kanë lindur vetëm që të punojnë me krahë, kurse ne kemi ardhur në jetë, vetëm për të ndenjur në karrige. Po ndërtojmë dy Greqi: një të mirë për ne dhe një të keqe për ata!

Ndërsa tek ky shembull mbi shohim këto figura stilistike: antiteza (teksti përdor kontraste të shumta për të nxjerrë në pah hipokrizinë dhe diferencat e perceptimeve) Na është bërë zakon që për ata të mendojmë vetëm keq, kurse për veten tonë vetëm mirë; krahasimi – (krahasimet janë të drejtpërdrejta dhe ironike) I duam shqiptarët... të na heqin bebelinat, por nganjëherë i shohim si bebelina. Ata janë njerëz, sikurse ne...; ironia (teksti është i mbushur me ironi, veçanërisht me këtë ton përdorimi që duket neutral, por fsheh një kritikë të fortë, duke zbuluar kundërshtitë e brendshme bashkë me paradokset njerëzore). Na pëlqen të themi se nuk jemi racist, por mbajmë nën nënkresë ëndrrën e racës së zgjedhur; përsëritja (përsëritja e strukturës gramatikore shërben për të ndërtuar një ritëm të fortë dhe për të përforcuar mesazhin kryesor) I duam... por..., Ata janë... por...(njëkohësisht përqendron vëmendjen mbi kontrastet dhe ironinë e situatës këtë rast); hiperbola (thekson ndarjen e thellë midis grupeve me perceptimet e shtrembëruara) Po ndërtojmë dy Greqi: një të mirë për ne dhe një të keqe për ata! metafora (metafora e "ëndrrës së racës së zgjedhur" pasqyron mendjemadhësinë dhe pretendimet e kota të superioritetit) Mbajmë nën nënkresë ëndrrën e racës së zgjedhur.

3. Pjergulla, para se të bëhej tendë mbi trotuar, ishte rritur në një avlli të braktisur, mbrapa murit ndarës me rrugën. M’u kujtua që në Hijen e Mallkuar, nga të gjitha pemët, asaj i kanë thurur më shumë këngë. Ndoshta kjo vinte, ngaqë pjergulla bënte rrush, rrushi bëhej raki, rakia dehte burrat dhe ata pastaj i thurnin asaj këngë. Kur shihja një pjergull, sikur dëgjoja një këngë, ndërsa kur futesha poshtë saj, sikur dëgjoja veten time të këndonte. U futa nën pjergull, sikur të prisja të vinte një këngë.

Për të mos i mbetur borxh edhe analizës morfologjike, të cilën nuk e përfshimë më parë tek shembujt tjerë, mbase do t’ishte e udhës të jepnim një ilustrim thjeshtëzues për të në vazhdim. Analiza morfologjike: emrat - pjergulla, tendë, trotuar, avlli, mur, rrugë, pemët, këngë, rrush, raki, burrat. Emrat janë të përdorur kryesisht në trajtë të pashquar për të përfaqësuar elemente konkrete dhe abstrakte, kurse vetëm dy në trajtë të shquar. Hijen e Mallkuar - emër i përveçëm, përdoret për të përfaqësuar një simbol ose një vend të veçantë që krijon atmosferë dhe ndjenjë; foljet kryesore janë ishte rritur, m’u kujtua, bëhej, dehte, thurnin, dëgjoja, prisja, vinte; kohët: më se e kryera: ishte rritur; e pakryer: dehte, thurrnin, dëgjoja; koha e tashme: bëhet;  përemrat: m’u – me trajtë të shkurtër, veten time, asaj; ndajfoljet: mbrapa, poshtë, sikur (përshkruajnë marrëdhënie hapësinore ose të ngjashmërisë); lidhëzat: nga që, dhe, ndërsa, kur (krijojnë lidhje logjike midis ideve dhe shprehin varësi kohore apo shkakore); mbiemrat: braktisur, e mallkuar (përshkruajnë cilësi konkrete dhe simbolike, duke thelluar përshkrimin).

Paralelizmi është përdorur në këtë fragment për të krijuar strukturë të qartë dhe për të theksuar idetë kryesore: Kur shihja një pjergull, sikur dëgjoja një këngë, ndërsa kur futesha poshtë saj, sikur dëgjoja veten time të këndonte. (Krijohet një  lidhje midis përvojave vizuale dhe akustike, duke ndërtuar një ton meditativ).

Metonimia: Pjergulla bënte rrush, rrushi bëhej raki, rakia dehte burrat dhe ata pastaj i thurnin asaj këngë.  (Përdoret për të renditur ide ose për të theksuar një proces grumbullimi (kumulimi) shkak-pasojë, shpesh për të krijuar një ndjesi ciklike ose përshkallëzuese).

Shkallëzimi: Kur shihja një pjergull, sikur dëgjoja një këngë, ndërsa kur futesha poshtë saj, sikur dëgjoja veten time të këndonte. (Shkallëzimi përdoret për të ndërtuar, dramacitet dhe intensitet emocional).

Krahasimi: Një e qeshur që iu derdh nëpër buzë si ujë trëndafili (f. 159).

Paralelizmi: Dikur ajo shtëpi kishte një tabor me nipër e mbesa, por u shkretua kur ata ikën në Gjermani. Njësoj siç ishte shkretuar edhe fshati im (f. 153).

Personifikim: Kur flinte, tek ajo vdiste Perëndia, ndërsa kur qe zgjuar, Perëndia ngjallej prapë (f. 26). Një paradoks filozofik dhe metafizik, pasi që Perëndia supozohet të jetë e përhershme dhe e pandryshueshme, kurse këtu përshkruhet si e varur nga ndjesitë njerëzore. Njëkohësisht sa është poetike, është edhe po aq filozofike, duke e bërë Perëndinë pjesë të brendshme të qenies njerëzore, si dhe duke e mundur idenë tradicionale të largësisë dhe përjetësisë së saj.

Shumë mbresëlënëse janë edhe përshkrimet e bukura që bartin perspektivën e autorit qartë dhe ndjeshëm në roman, duke filluar nga e përgjithshmja tek e veçanta ose anasjelltas, renditet shtresëzohet, krahasohet etj. Për qytetin: Qyteti ishte i vogël dhe si i rrudhur. Këmbët i kishte shtrirë në fushë, ndërsa kokën e mbante mbështetur në kodër. Kodra kishte pemë të rralla dhe gurë të murrmë. Çatitë, ishin më tepër të kuqe në kodër dhe më pak të tilla në fushë (f. 31). Përshkrimi i Kristjanës: Mbante veshur fustanin prej zebre, atë të asaj dite kur i vajta për ngjyrat, por kishte shtuar një rrip meshini, që ia nxirrte akoma më në pah belin. Flokët i kishte mbledhur mbrapa, me një karficë në formë bretkose, duke më dhënë mundësinë t’ia shihja lirshëm qafën dhe dy vathë të vegjël (f. 171).

 

Në vend të përfundimit

Të gjitha tekstet e shërbyera për analiza që patëm deri më tani, mund të kategorizohen edhe si eseistike, meqë kanë një gjuhë të pasur poetike për shkak të stilit të tyre reflektues, analizues, të cilat janë të ngarkuara me ndjenjë dhe simbolizëm. Për më tepër, janë disa arsye që i shquajnë këto tekste për eseizëm: të menduarit reflektiv dhe subjektiv (paraqesin përsiatje të thella mbi çështje personale, shoqërore dhe ekzistenciale); ton personal dhe meditativ; kanë përdorime të simbolikës dhe të figurave stilistike; përzierja e personales dhe universales; kanë ndërtim fragmentar dhe të lirë; mesazh implicit (të nënkuptuar).

Në fund, pas përfundimit të leximit të romanit, secili nga ne si lexues do të reflektojmë se, ky libër jo vetëm që na sfidon të meditojmë mbi natyrën e njeriut larg atdheut dhe shoqërisë së huaj, por edhe na kujton se artet letrare janë një pasqyrë e ndërlikuar e realitetit dhe e  ëndrrave tona. Dëshmon se, lufta mes të drejtës dhe të padrejtës, deri më tani në çdo etapë kohore, ishte dhe është një temë e përjetshme. Ndërkohë, mbetet një thirrje e fuqishme për të paharruar të kaluarën (periudhën e dyndjes së madhe, atë të tranzicionit pas të ’90), për të reflektuar mbi të tashmen dhe për të ndërtuar një të ardhme më humane dhe më të drejtë në rajon e glob!

Romanet e autorit Th. Medit, të gjitha pa dallim, që për shumë kohë janë lexuar dhe interpretuar në mënyrë të fragmentuar, tashmë besoj bindshëm kërkojnë një trajtim më gjithëpërfshirës. Përtej vlerave të pamohueshme artistike, ato formojnë një univers letrar unik, ku bashkohen stilistika e hollë, tematika e pasur dhe filozofia e thellë. Është koha që krijimtaria e tij të studiohet si një tërësi letrare, duke u sistemuar dhe analizuar studiuesit në libra të veçantë, që të zbulojnë ndërlidhjet e brendshme dhe evolucionin e tij si autor. Një qasje e tillë do të ndriçonte jo vetëm kompleksitetin e veprave, por edhe kontributin e tij të rrallë në zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqipe, mendoj se në të ardhmen ia vlen të ndërmerret diçka e tillë, një ftesë për të ndërtuar të vërtetat e heshtura që presin të publikohen.

 

 

Prishtinë,

Tetor-nëntor 2024

 

 

82 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page