top of page

Lumnie Thaçi-Halili: Një jetë, një mision-trashëgimia e një familjeje mësuesish ndër tre breza



 

Më pëlqeu jashtëzakonisht ky shkim. Ishte si një Hymn. Një Hymn për të gjithë. Dhe ndaj ia përvolla autores dhe e bëra publik tek Fjala e Lirë. Ia ndryshova vetëm titullin dhe e bëra të kuptojmë thellëisht e mirësisht idhullin, atë që autorja e cilëson: Një jetë, një mision-trashëgimia e një familjeje mësuesish ndër tre breza.

 

JO VETËM - NË DITËN E MËSUESIT, DHE JO VETËM - PËR MËSUESIN TIM TË GJUHËS SHQIPE - SEFER THAÇIN

 

 

7 Marsi është më shumë se një festë e përvitshme në familjen time. Është një ditë për të kujtuar ata e ato që ndezën dritën e dijes, ata e ato që e bënë Shkollën mision dhe ideal të jetës së tyre. Shkolla, për mua ishte, siç thotë Markezi “Një shkollë e mrekullimshme që më la, veç asaj, kujtime... të një kohe të pakthyeshme” (Jeto për ta treguar, G. G. Marquez, Onufri, 2016, f. 155).  Në këtë ditë-ditën e dritëprurësve, është një përkujtim mirënjohës për të gjithë mësuesit në historinë e arsimit shqiptar, gurëve themeltarë të dijes, pishtarëve të fjalës shqipe, që me mund e përkushtim mbollën dritën e diturisë në shpirtin e një kombi të etur për shkronja. Përveç këtij gurthemeli historik, këtë shkrim portretizues si shenjë nderimi me respekt dhe mirënjohje, ia dedikoj së pari tim eti, Mësuesit-Arsimtarit të gjuhës shqipe-Sefer Thaçit. Njeriut që jo vetëm më mësoi të jem e kujdesshme në të folur, në të shkruar përzgjedhëse e fjalëve, por mbi të gjitha, më tregoi me jetën e tij se çfarë do të thotë të përgatitesh e të jetosh për arsimin!

Ai nuk ishte thjesht një mësues. Ishte një burrë me parime të forta, një mësimdhënës, i cili e gëzonte autoritetin e mësuesit, si ata të kohëve klasike me autoritet të pakontestueshëm dhe disiplinë, ku fjala e tij ishte e padiskutueshme. Andaj, nuk kishte vend për përtesë, nuk kishte vend për arsyetime, këtë e kemi të paharruar secili nga ish-nxënësit e tij. Me nostalgji kujtoj që orët e mësimit ishin gurë të çmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për nxënësit e tij. Por përtej seriozitetit të tij, fshihej një zemër e madhe, një pasion i pashuar për arsimin, një dashuri e palëkundur, që nuk u ligështua as nga sfidat e kohës, as nga transferimet dhe as nga lodhja.

Ne, fëmijët e tij, u rritëm me këtë frymë. Mësuam nga ai se arsimi nuk është vetëm një profesion, por një thirrje e shpirtit, trashëguar nga dy breza para nesh, ngase  oda e gjyshit, Veli Catës së Thaçëve në Reti, e trashëguar nga të parët, nuk ishte thjesht një vatër mikpritjeje, por një portë e fshehtë e dijes, një strehë ku abetarja ilegale nga Shqipëria gjente dritën e shpresës. Natën vonë, gjyshi, bashkë me të vëllanë Xhemajl Thaçin (mësues në vendlindje dhe drejtor shkolle në Zoqisht, më vonë i burgosur), dilnin drejt Drinit, bri Rogovës së Hasit për të pritur Vesel Pagarushën, që vinte me peshën e shenjtë të fjalës shqipe. Në atë odë të Drinisë, mes mugëtirës dhe betimit të heshtur, librat e parë të shqipes ndaleshin për një çast para se të merrnin udhën drejt pikave të fshehta nëpër Kosovë, si fara të mbjella në tokën e etur për dritë. Nga rrënjët e tyre, fillon trungëzimi me brezin e tim eti-Sefer Thaçin, pastaj Feriz Thaçin, Idriz Thaçin, teksa më vonë, vjen koha kur kjo vazhdimësi trashëgimie i bie brezit tim-brezit të tretë: Lumnie Thaçit, Shqiptar Thaçit, Pranverë Thaçit, Fitore Thaçit etj. Andaj, pa modesti, për hir të të gjithëve, jo të vetvetes, në familjen tonë, mësuesia nuk ka qenë kurrë vetëm një profesion, por një amanet i përcjellë brez pas brezi, një flakadan që nuk është shuar, por është bartur me krenari në duart e atyre që besojnë se arsimi është shtylla e një kombi.

Mirëpo, nuk është vetëm gjaku ynë i ngushtë që ka mbjellë shkronjat në zemrat e brezave, por edhe rrënjët tona më të gjera, brenda qarkut të fisit Thaçi, kanë nxjerrë mësues të nderuar, udhërrëfyes të mendjes dhe shpirtit. Në këtë gjerdan të pasur të dijes dhe përkushtimit, qëndrojnë edhe figura si Limon Thaçi, Lutfi Thaçi, Safet Thaçi, Shefqet Thaçi, Muharrem Thaçi, Nahit Thaçi, Arbnore Thaçi, Ardiana Thaçi etj., (ndjesë të tjerëve që nuk i përmend). Këta emra të sipërpërmendur, nuk janë vetëm pjesë e historisë sonë familjare, por gurët e një kështjelle të fortë, ku shkronjat shqipe janë mbrojtur, ushqyer dhe shpërndarë me dashuri e përkushtim.


Mësuesi, im atë-S. Thaçi na edukoi dhe na arsimoi me vetëdijen e një Mësuesi të vërtetë, ku sot, ne vijojmë rrugëtimin e tij – një familje e tërë mësimdhënësish, aq sa në ndërdijen time “E di që çdo gjë në jetë është Mësues e Shkollë”, ashtu sikurse shprehet D. Demaku. Për të qenë e sinqertë, ai nuk e kërkoi këtë kurrë prej nesh, por u bë aq ndikues te ne, sa nuk mundëm të zgjidhnim diçka tjetër: u rritëm e u edukuam me arsimin brenda familjes, arsimi u rrënjos natyrshëm, u ndërthur me jetët tona, për t’u bërë pjesë e pandashme në jetë. Dashuria për shkollën, për librin e për mësimdhënie, u bë pjesë e një amaneti që nuk e thyem kurrë!

Por ka një moment nga jeta e tij që e dëshmon më shumë se gjithçka tjetër se sa i madh ishte përkushtimi i tij ndaj arsimit. Gjatë Luftës së Kosovës, kur forcat serbe na dëbuan nga shtëpitë tona, e nga vendi ynë, ai bëri diçka që vetëm një njeri i mbrujtur me dashuri për profesionin mund ta bënte. Përderisa ne, kërkonim të shpëtonim jetët, ishim nisur kolonë për në Shqipëri, ai u kthye në shtëpi, duke rrezikuar jetën e tij, për të marrë një gjë, që për të kishte vlerë sa gjithë pasuria e botës: stilografin, me të cilin përgjatë 35 vjetëve kishte shënuar orët në ditarët e klasave dhe kishte vlerësuar nxënësit e tij, si dhe bllokun e tij të shënimeve, ku kishte ruajtur aktivitetet më kryesore të jetës së tij si mësues.

Për të, ai stilograf nuk ishte thjesht një mjet shkrimi. Ishte një simbol i përkushtimit të tij, i punës së tij të palodhshme, i nxënësve të panumërt... Ishte dëshmia e një jete të tërë përkushtuar ndaj mësimdhënies, nuk janë pak në jetë t’ia falësh arsimit 47 vjet. Ky veprim i tij bashkë me të afërmit e tjerë, kjo dashuri e pakushtëzuar për dijen, na dha një mësim që nuk mund të shkruhet në asnjë libër: se ka njerëz që nuk e shohin arsimin si detyrë, por si një mision që i përcakton ata vetë-të zgjedhurit.

Ai nuk është fizikisht më mes nesh, por vdekja si tragjedi, fatmirësisht nuk mund të na i marrë kujtimet, koha e mungesës së tij prej tetë vjetësh, nuk mund t’ma zbeh kujtimin, që në kujtesë më ndrit aq dendur. Këtë rast më fle në shpirt thënia e bukur R. Kukajt që më përkujton sa e pasur jam: “Jo rrallë, e ndiej veten të lumtur dhe krenar që, si çdo njeri, jam më i pasur me këto kujtime të veçanta drite.” (R. Kukaj, mars 2005, “Shkëndija” revistë për arsimin, f.7). Mbi këtë bazament ndërtoj përmallshëm edhe sintagmën: Sa me fat ishim që të patëm dhe e bindur se do të kemi deri në amshim!

Si Mësues yni, do të mbetesh edhe modeli ynë i përjetshëm, kultivues i shpirtit dhe i mendjes. Sot me punën tonë: unë, vëllai e motrat, vazhdojmë të mbjellim dritë në mendjet e nxënësve a studentëve tanë, sepse Ti na mësove ta çmojmë e ta dhurojmë dijen si dhuratën më të çmuar të jetës!

 
 
 

Komentar


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page