top of page

Lumnie Thaçi-Halili: KUR PROTAGONISTJA BËHET PULSIMI I DISKURSIT ANALITIK



(Analizë e figurës qendrore të romanit “Më mbaj dorën” të Ariana Currit)

Titulli i sipërvendosur i kësaj analize, është tregues i fuqisë së figurës qendrore të romanit në tri role: një bijë e mbarë familjare, një mjeke humanitare, një luftëtare e guximshme vullnetare. Portreti kryesor në librin “Më mbaj dorën” është Eileen, e cila drejton peshoren e narrativës si kryeprotagoniste, ndonjëherë edhe si antagoniste, e si heroinë. Përshkruar me veçori të spikatura në karakter nga ambiciet e saj për arritje, si dhe dashurinë për jetën e për atdheun. Nisur nga aktet e guximshme dhe këndvështrimi i temave që trajton ky roman, me mbështetje argumentuese, kemi vendosur dashurinë, synimin si qëllim dhe sakrificën në qendër të interpretimit tonë analitik përmes protagonistes së romanit, botuar së fundmi në serinë e botimeve të Shtëpisë Botuese URA, Prishtinë, funddhjetor 2024.

Romani i emërtuar “Më mbaj dorën”, i autores Ariana Curri, ka gjithsej 200 faqe, i cili përbëhet nga gjashtë kapituj. Vetë titulli "Më mbaj dorën" mbart një thjeshtësi të jashtëzakonshme, por edhe një thellësi të fuqishme emocionale dhe simbolike. Ai përfaqëson një thirrje përgjithësuese për afërsi, mirëbesim dhe mbështetje. Në një nivel artistik, ky titull mund të interpretohet si një metaforë për lidhjet njerëzore, jo vetëm si një akt fizik i zgjatjes së dorës, por si një akt shpirtëror që fton tjetrin të ecin së bashku dorë për dore në rrugët e jetës.

Duke e shpënë analizën më tej, "Më mbaj dorën" tingëllon si një kërkesë e ndjeshme, e brishtë, delikate, por njëkohësisht edhe si një shprehje e fuqishme e guximit për të kërkuar mbështetje, dashuri dhe përkushtim. Është një simbol i ndërlidhjes dhe i bashkimit në përballimin e sfidave dhe një premtim për përjetësi në lidhje, qoftë në dashuri, sakrificë apo përkushtim ndaj idealeve të larta ndaj atdheut. Artistikisht, titulli në roman ka një cilësi universale: përshkruan një marrëdhënie dashurie, shumë marrëdhënie miqësie, lidhjesh (aleancash) apo madje edhe marrëdhënie mes njeriut dhe vetë jetës. Ai, titulli pra, thërret për të kapërcyer barrierat e frikës dhe të vetmisë, duke ofruar një ndjenjë sigurie dhe uniteti në një botë të vrazhdë e të paepur. Në këtë mënyrë, "Më mbaj dorën" nuk është vetëm një titull, por një këngë lartësuese e thjeshtësisë dhe e madhështisë njëkohësisht për lidhjen njerëzore. Romani ndahet në gjashtë kapituj:

Bota nën një çati;

Kthimi në fshat;

Rruga drejt fakultetit;

Praktika mjekësore;

Fundi i diçkaje shënon fillimin e një diçkaje tjetër;

Një jetë e re.


Duke lexuar, përherë e më tepër arrijmë të kuptojmë se, në një botë ku secili hap na sjell më afër kuptimit të jetës, rrugët që zgjedhim janë shpesh të mbushura me të papritura, por edhe me premtime për të ardhmen. Pikërisht edhe romani "Më mbaj dorën" i autores A. Curri, na fton të bëhemi dëshmitarë të një udhëtimi të largët e të thellë njerëzor, e ndërgjegjshme, përgjegjëse dhe e guximshme ndaj temës që trajton, ku në çdo kapitull zbërthen momente thelbësore të jetës. Nga intimiteti i familjes në “Bota nën një çati,” te kthimi nostalgjik në origjinë në “Kthimi në fshat,” e deri te sfidat e rinisë në “Rruga drejt fakultetit,” të gjitha rrëfimet dhe përshkrimi i ndodhive, zhvillohen me një ndjeshmëri të veçantë, ndërlidhjen emocionalisht së bashku me përpjekjet e vazhdueshme për (a)rritje.

Me një strukturë të ndarë në gjashtë pjesë të lidhura organikisht, romani përshkruan procesin e kërkimit të vetes dhe të vendit të duhur në botë. “Praktika mjekësore” nuk është thjesht një përvojë  profesionale, por një reflektim mbi qëllimin dhe humanizmin, ndërsa pjesa “Fundi i diçkaje, shënon fillimin e një diçkaje tjetër” na kujton se në çdo humbje ka një farë shprese, ndërsa në fund, kapitulli “Një jetë e re” simbolizon rilindjen, një kapitull që përmbledh thelbin e romanit: fuqinë e bashkëpunimit, besimit  dhe mbështetjes deri në përjetësi. Prandaj, ky roman vjen si një udhërrëfyes i ndjenjave, i vendimeve dhe i marrëdhënieve që formësojnë qenien njerëzore. "Më mbaj dorën" nuk është vetëm një titull, por një thirrje për përkrahje, për përballje sfidash së bashku, dhe për të ndarë peshën e jetës me ata që zgjedhim t’i kemi pranë.

Është më shumë se befasuese, se si një autore e re nga Kosova, Ariana Curri, me romanin e saj të parë, ka arritur të rikrijojë një epokë të largët dhe një vend të largët. Ngjarjet e romanit na zhvendosin në mesjetë, nis pikërisht në vjeshtën e vitit 1488, në Skoci: Ishte vjeshta e vitit 1488, përkatësisht muaji tetor dhe situata politike në Skoci po përkeqësohej, forcat angleze kishin synuar me të madhe tokat skoceze dhe alarmi po jepej gjithandej. Kështu që, përkohësisht, shkollat, kishat dhe objektet tjera institucionale do të mbylleshin deri në përmirësim të situatës (f. 27, Më mbaj dorën, URA, Prishtinë, funddhjetor 2024). Duke përmendur e (zh)vendosur ngjarje si në qytetin, me të njëjtin emërtim edhe sot-Dalkeith, apo fshatin Cullen etj.: Pas një dite të mbushur me çaste të paharrueshme të vulosura në zemrat e të dyve, të dy fillojnë kalërimin drejt qytetit Dalkeith (f. 185). Një periudhë e trazuar mes legjendave, traditave fisnore dhe dilemave të reja që sollën ndryshimet shoqërore e politike të kohës. Në këtë sfond historik të pasur, autorja na udhëheq përmes një rrëfimi të përzier me dramë, ndjenjë dhe humanizëm të thellë, duke na sjellë një histori që përmban jehona ndërkombëtare të mbijetesës dhe solidaritetit njerëzor.

Me një stil të veçantë narrativ, Ariana ndërthur personazhe të përshkruara me detaje të mprehta, të tillë me emërtime etnike: Eileen, Mabel e motra e saj, Arturi i ati, Nëna, Gjyshja, Margaret, Mësuese Darvina, Kelvin, Morgan, Gavin, Fergus, Evanderi, Arabella, Lorna Traser, Xhaxhi Hamshi, Crig Brain i dashuri dhe më vonë bashkëshorti i Eileen-it etj., dhe një atmosferë historike të gjallë, ku çdo detaj - nga dritëhijet e kështjellave skoceze: ...me këtë rast babai iu kishte premtuar se do të vizitonin pallatin Linlithgow në qytetin e Skocisë. Eileen ishte e dashuruar në historinë skoceze... (f. 20), deri tek tingujt e hapave mbi rrugët me baltë të fshatrave mesjetare, sjell lexuesin nëpër labirintet e kësaj epoke. Përkundër largësisë në hapësirë dhe kohë, autorja ka arritur të ngjizë një lidhje të pazakontë emocionale, duke i bërë lexuesit të reflektojnë mbi vlerat e përjetshme të bashkimit dhe të mirëkuptimit.

Skocia e vitit 1488 e mëpastaj, është zgjedhur jo rastësisht si një periudhë e njohur për konfliktet mes klaneve, betejat për pushtet dhe tensionet që krijuan hapësirë për lindjen e aleancave të pazakonta. Në këtë hapësirë, personazhet kryesore luftojnë jo vetëm kundër forcave të jashtme, por edhe me dilemat e brendshme që përcaktojnë fatin e tyre. Me një sy të mprehtë për detajet historike me një thellësi emocionuese, autorja ka krijuar një vepër që tejkalon kufijtë dhe kohën, duke na treguar se ndjenjat dhe sfidat e njerëzve mbeten universale, pavarësisht epokave. Andaj në kuptimin më të mirë të fjalës, I. Belaj lidhur me këtë do të thoshte: Prania e një kohe të largët e të paqartë për lexuesin është një freski dhe e mirëseardhur mu nga fakti se proza që trajton tematikën nga e kaluara gati rregullisht merret me tejzmadhimin dhe lavdërimin e asaj kohe dhe të heronjve... ndërsa këtu bëhet paraqitja e heronjve “ashtu si janë” pa dekorime (I. Belaj, Shqyrtime letrare, “Jeta e re”, Revistë letrare,  Prishtinë. 1988, f.145). Pra nga një kohë e lavdishme, po shohim “heronj të pazakonshëm”.

"Më mbaj dorën", nuk është thjesht vetëm një roman historik, por është një dritare që prej së shkuarës, reflekton edhe mbi të sotmen. Skocia e mesjetës dhe Kosova bashkohen përmes penës së autores, duke krijuar një urë mes kulturave dhe brezave, urë e cila flet për fuqinë e artit dhe imagjinatës.

Është interesante se si një autore e re nga Kosova, A. Curri, ka rikrijuar me aq ndjeshmëri dhe saktësi një hark kohor të kthyer mbrapa, në mesjetën e trazuar, në një destinacion të largët, ku për shumicën nga ne thuaja i (pa)arritshëm, atë të Skocisë. "Më mbaj dorën" shpërfaq një periudhë kur Skocia e mesjetës, përballej me sfida të mëdha dhe tensione të brendshme e të jashtme. Forcat angleze, të nxitura nga synimi për të zgjeruar dominimin e tyre, kishin hedhur vështrimin mbi tokat skoceze. Kështjellat në kufijtë jugorë ishin vënë në gatishmëri të plotë, ndërsa alarmi jepej gjithandej, nga kodrat e mjegullta deri te fshatrat e vogla të shpërndara në male.

Në këtë prapaskenë të trazuar politike, ku mbretëria përpiqej të mbronte sovranitetin, kurse fiset vendore luftonin për të mbajtur pavarësinë e tyre, autorja na sjell një histori njerëzore që del mbi përplasjet e fuqive të mëdha. Ndërsa mbretëria lëkundej nën kërcënimin e pushtimeve dhe përçarjeve të brendshme, njerëzit e thjeshtë përballeshin me pasiguri, frikë dhe një dëshirë të thellë për mbijetesë. Familje të ndara, dashuritë e ndaluara dhe miqësitë e krijuara në gjendje a rrethana të pamundshme, janë zemra e kësaj historie.

Përmes rrëfimit të saj, autorja sjell një dimension të ri të asaj epoke, duke u dhënë zë atyre që zakonisht harrohen e nuk përmenden nga historia: njerëzve të thjeshtë që mbërtheheshin pas jetës në mes të kaosit. Prandaj, libri në fjalë, më shumë se pëshpëritje historike, është një zë nxitës për solidaritet dhe një dëshmi e fuqisë së ndihmës reciproke në kohë të vështira. Vepra, këshillon se edhe në momentet më të errëta, bashkimi dhe mbështetja mund të jenë drita që ndriçon rrugën përpara! Në këtë mënyrë, ngjarjet e Skocisë mesjetare bëhen një metaforë universale për sfidat dhe shpresën njerëzore.

Protagonistja Eileen përfaqëson një model të rrallë të fuqisë së karakterit dhe disiplinës njerëzore e rritur në rrethana të vështira. Si fshatare (nga fshati Cullen) e miredukuar, ajo mishëron një kontrast të bukur mes një edukimi shpirtëror të lartë dhe mungesës së kushteve materiale. Kjo përthyerje mes virtyteve të larta dhe varfërisë materiale, pasqyron përvojën përgjithësuese të shumë individëve që, përkundër rrethanave të vështira, arrijnë të ndërtojnë një bazë të fortë morale dhe të ndjekin ëndrrat e tyre.

Autorja, përmes Eileen-it, krijon një portret që rezonon thellë me lexuesin, duke e bërë atë jo vetëm një heroinë, por edhe një simbol të përpjekjeve njerëzore. Eileen, në libër  është një karakter kompleks, sepse disiplina, pjekuria dhe serioziteti bashkëjetojnë me ëndrrat dhe aspiratat. Ky ndërtim i saj është i mbushur me nuanca emocionale dhe logjike, duke e bërë atë një personazh të formësuar në mënyrë gati të përsosur.

Nga epiqendra e karakterit të Eileen-it mbizotëron një mesazh thelbësor ideor, e ai është:  fuqia e sakrificës dhe e vullnetit të pathyeshëm. Përkundër varfërisë dhe mungesës së kushteve materiale, ajo arrin të mbajë mbi supe barrën e familjes dhe të ndjekë ëndrrën e saj për t’u bërë mjeke. Kjo dëshirë për të ndihmuar të tjerët, e cila e shtyn atë drejt një profesioni kaq human, reflekton një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë dhe altruizmit. Sakrificat që Eileen bën gjatë jetës së saj dhe përkushtimi ndaj mësimeve, përforcojnë idenë se suksesi nuk është një dhuratë, por një arritje që kërkon përpjekje dhe vullnet të jashtëzakonshëm. Këto elemente ideore e bëjnë atë një model frymëzimi për lexuesin, veçanërisht për ata që ndihen të pafuqishëm përballë sfidave.

Ndërlidhja me rrethanat historike dhe shoqërore në roman bëhen të pashmangshme nga njëra-tjetra. Kështu pra Eileen, si një fshatare nga Cullen, në Skocinë e mesjetës, jeton në një kohë kur shoqëria ishte e ndarë thellë mes klasave dhe kur mundësitë për gratë, veçanërisht ato nga shtresat e varfra, ishin të pakta. Vendosmëria e saj për të ndjekur arsimin dhe për t’u bërë mjeke në këtë kontekst historik, sfidon normat dhe pritshmëritë shoqërore të kohës, si antagoniste duke mundur rrethanat kohore.

Kjo e bën Eileen-in një personazh kundërvënës apo përmbysës, që sfidon jo vetëm fatin personal, por edhe normat patriarkale dhe klasore të asaj epoke. Përmes saj, autorja sjell në pah çështje të tilla si barazia gjinore dhe të drejtën për arsimim, duke ofruar një mesazh që mbetet i vlefshëm edhe sot për kohën moderne.

Estetika e vuajtjes dhe e triumfit, përshkon tërësisht romanin, që nga nisja e deri në mbarim të tij. Për këtë arsye, s’ka dyshim që artistikisht, historia e Eileen-it është një kombinim i estetikës së vuajtjes dhe triumfit. Autorja përdor përshkrime të ndjera të varfërisë dhe të vështirësive familjare, duke krijuar një atmosferë të stërngarkuar emocionale, por gjithmonë me një shpresë të nënkuptuar që përshkon çdo pasazh a fragment të romanit. Ky kontrast ndërmjet errësirës së vuajtjes dhe dritës së triumfit e bën historinë e saj jo vetëm prekëse, por edhe frymëzuese.

Eileen nuk është thjesht një personazh që mbijeton, por një figurë që sfidon dhe fiton. Ajo arrin të shquhet si e para në mësime dhe në çdo aktivitet tjetër, duke dëshmuar se vullneti njerëzor mund të kapërcejë edhe pengesat më të mëdha. Triumfi i saj, në mënyrë  artistike i shtohet rrëfimit si një kulm emocional, duke i dhënë lexuesit ndjenjën e kënaqësisë dhe të shpresës.

Eileen nuk është vetëm një fshatare e miredukuar nga Skocia e Mesjetës, por ajo është një simbol ndërkombëtar i gruas së fuqishme dhe aspiratës njerëzore për një jetë më të mirë. Përmes saj, lexuesit kudo në roman mund të gjejnë frymëzim dhe të kuptojnë se ëndrrat janë të arritshme, pavarësisht aspektit të ngjarjeve. Ngase historitë e personazheve të tilla si Eileen, kanë fuqinë të kalojnë kufijtë kohorë, rajonalë dhe kulturorë, duke e bërë atë një ikonë të shpirtit njerëzor për lexuesin.

Përmes veprimeve të Eileen-it, autorja përcjell një mesazh të qartë: njeriu me disiplinë, punë dhe vullnet, mund të kapërcejë çdo sfidë dhe të realizojë qëllimet e tij, por pa harruar që në zemër të këtij mesazhi qëndron fuqia e dashurisë dhe e mbështetjes familjare, të cilat formësojnë bazën e çdo suksesi. Në këtë mënyrë, personazhi i Eileen-it nuk është vetëm një histori e jashtëzakonshme personale, por një pasqyrë e mundësive të pafundme të shpirtit njerëzor.

Perspektiva feministe në roman nga historiografia tradicionale

Gjithmonë, nisur e parë nga shëmbëlltyra dhe figura e protagonistes Eileen, mund ta cilësojmë romanin "Më mbaj dorën" edhe si një roman feminist, për disa arsye të rëndësishme që lidhen me karakterin e saj, porosinë e përcjellë dhe mënyrën se si ajo sfidon normat sociale të kohës, ngaqë është figurë e një gruaje të pavarur dhe të fuqishme për atë kohë.

Eileen është portretizuar si një grua e cila, përkundër varfërisë dhe sfidave të mëdha të jetës, nuk dorëzohet, por lufton për të arritur ëndrrën e saj, të bëhet mjeke. Pjekuria, e pakompromis në parime dhe vullneti i saj i palëkundur, e bëjnë atë një figurë të fuqishme dhe frymëzuese. Në një kohë kur gratë ishin të kufizuara nga normat patriarkale dhe kishin mundësi të pakta për të ndjekur arsimimin apo për të ndjekur profesione si mjekësia, përpjekjet dhe sukseset e Eileen-it dalin si një akt rebelimi ndaj kësaj shtypjeje. Andaj, kjo e bën atë në mënyrë parësore, një simbol të fuqizimit të grave brenda asaj shoqërie. Edhe sot, shekuj më vonë, sikur vërtetohet me të drejtë edhe thënia e I. Allendes: Në qoftë se jam ndryshe nga të tjerat, kjo ka ndodhur për shkak të ëndrrave të mia (I. Allende, Portret në sepje, roman, Botimet Dudaj, 2002, f. 135).

Në shoqërinë mesjetare, veçanërisht në Skocinë e mesjetës, gratë ishin shpesh të reduktuara në role tradicionale si amvise apo ndihmëse në familje. Eileen jo vetëm që refuzon këto kufizime, por ndërmerr një rrugë që kërkon këmbëngulje e vetëbesim të jashtëzakonshëm: aspirata për t’u bërë mjeke. Kjo zgjedhje, jo vetëm që sfidon pritshmëritë e shoqërisë ndaj grave, por edhe demonstron se gratë kanë aftësinë për t’u bërë të suksesshme në fusha që historikisht u janë mohuar.

Vendosmëria e Eileen-it për të ndjekur ëndrrën e saj, pavarësisht sakrificave të mëdha, përfaqëson një akt të fuqishëm emancipimi. Ajo nuk lejon që varfëria apo barra e familjes të pengojnë aspiratat e saj. Ky dimension e pozicionon romanin si një manifest fuqizues për gruan, për të krijuar fatin e saj, përkundër pengesave që i vendos epërsia e shoqërisë apo rrethanat.

Një nga qëllimet komunikuese në roman është se, gratë janë të barabarta me burrat me potencialin e tyre për të arritur qëllimet. Përmes suksesit të Eileen-it, romani tregon se një grua, edhe në një shoqëri patriarkale, mund të tejkalojë kufizimet e vendosura dhe të shquhet në çdo fushë. Kjo qasje, që promovon barazinë dhe fuqizimin e grave, është një aspekt thelbësor i letërsisë feministe.

Eileen përfaqëson jo vetëm një grua të veçantë të mesjetës, por një figurë universale të gruas që lufton për vendin e saj në një botë të të gjithëve. Ky universalizëm është një element i rëndësishëm i letërsisë feministe, duke bërë që historia e saj të përçohet te gratë e çdo kohe dhe vendi, pavarësisht rrethanave të tyre historike apo kulturore.

Figura e Eileen-it ka një ndikim të thellë emocional dhe simbolik. Ajo nuk është thjesht një grua që arrin suksesin personal, por një shembull që frymëzon gra dhe vajza të tjera të besojnë në fuqinë e tyre, për të ndryshuar jetën e tyre dhe botën përreth tyre. Në këtë kontekst, romani "Më mbaj dorën" nuk është thjesht një histori individuale, por një platformë, më shumë si ftesë për veprim, për fuqizimin e grave si një forcë shoqërore dhe kulturore.

I tërë rrëfimi në roman shfaqet përmes një thjerrëze feministe. Edhe pse i shtruar përcaktueshëm në një kontekst historik të mesjetës, mënyra se si autorja A. Curri portretizon Eileen-in është në përputhje sot me parimet e letërsisë feministe moderne. Përqendrimi tek ndershmëria, pjekuria, vendosmëria dhe vendimet e marra me përgjegjësi personale të protagonistes, i japin romanit një nuancë të qartë feministe.

Për këtë arsye romani "Më mbaj dorën" mund të konsiderohet një roman feminist, sepse trajton tema si fuqizimi i gruas, barazia gjinore dhe tejkalimi i kufizimeve shoqërore. Figura e Eileen-it përçon një mesazh të qartë se, gratë kanë forcën dhe vullnetin për të ndryshuar jetën e tyre dhe për të sfiduar barrierat e vendosura nga shoqëria. Në këtë mënyrë, romani jo vetëm që nderon luftën dhe sakrificën e grave të epokës mesjetare e të një vendi - Skocisë, por edhe frymëzon lexuesit e sotëm kudo, që të besojnë në fuqinë dhe potencialin e gruas kurdoherë.

Figura e Eileen-it në romanin "Më mbaj dorën", pasurohet më tej vazhdimisht, pasi realizon ëndrrën e saj për t’u bërë mjeke, ajo nuk kufizohet vetëm në detyrimet profesionale, por e zgjeron ndikimin e saj në shërbim të një ideali më të lartë, lirisë dhe mirëqenies së atdheut: - Unë jam në dijeni të të gjitha këtyre, por më shumë se spitali me pak pacientë, më shumë se një ushtar në javë që kërkon ndihmë, për mua e për ne kanë nevojë malet, kanë nevojë ushtarët që nuk vijnë dot tek ne, - thotë Eileen (f. 157). Kështu që, përmes veprimeve të saj, autorja ndërton një portret kompleks, ku humanizmi, sakrifica dhe idealizmi, gërshetohen për të krijuar një simbol të pakufishëm guximi dhe përkushtimi.

Ajo si mjeke, mishëron një ideal të lartë të humanizmit. Në një shoqëri të mesjetës, ku shërbimi shëndetësor shpesh shihej si privilegj dhe jo si e drejtë e përgjithshme, ajo përpiqet të ndryshojë rregullat dhe parimet e spitalit të qytetit për të mirë. Me pasionin dhe përkushtimin e saj, ajo krijon një qasje më të ngrohtë dhe më gjithëpërfshirëse ndaj pacientëve, duke e kthyer spitalin në një vend shprese për ata që vuajnë. Kjo ndihmon në rritjen e respektit dhe dashurisë për të, jo vetëm nga pacientët, por edhe nga kolegët dhe bashkëqytetarët.

Humanizmi i saj shfaqet si një forcë transformuese që tejkalon kufijtë e profesionit, duke dëshmuar se kujdesi për jetën njerëzore është një akt që buron nga dhembshuria dhe dëshira për drejtësi sociale. Në këtë aspekt, autorja përçon idenë se fuqia për të ndryshuar botën, nuk qëndron vetëm në pozicionin që zë, por në mënyrën se si e përdor atë për të mirën e të tjerëve.

Përmes veprimeve të saj në spital dhe marrëdhënieve me komunitetin, Eileen shfaqet si një figurë udhëheqëse joformale. Adhurimi dhe respekti që ajo fiton nga të gjithë, nuk buron nga pozicioni i saj si mjeke, por nga karakteri i saj i drejtë, i dhembshur dhe veprimeve të saj që tejkalojnë detyrimet profesionale. Kjo e bën atë një figurë frymëzuese dhe një simbol të ndryshimit shoqëror, duke treguar se një individ, sido që të jenë rrethanat, mund të bëhet forcë pozitive dhe motor i progresit në komunitetin ku jeton.

Angazhimi i Eileen-it me çetat luftarake në male shënon një hap tjetër të madh në karakterin e saj: kalimin nga një figurë humaniste në një heroinë të rezistencës. Ky angazhim pasqyron një dimension të ri të personazhit, ku ajo nuk mjaftohet vetëm me shpëtimin e jetëve si mjeke, por shkon më tej duke rrezikuar jetën e saj, për një ideal më të madh - lirinë e atdheut, Skocisë.

Veprimet e saj për të lidhur plagët e luftëtarëve në male dhe për t’ju ofruar atyre ndihmë mjekësore në kushte të rrezikshme, dëshmojnë për guximin e saj të jashtëzakonshëm dhe përkushtimin ndaj kauzës së lirisë. Ky akt i saj, përfaqëson një përzierje të rrallë të profesionalizmit dhe atdhedashurisë, ku mjekësia nuk shihet më si një profesion i paanshëm (neutral), por si një mision që mund të përdoret për të përforcuar luftën për drejtësi dhe pavarësi.

Përmes përfshirjes së Eileen-it në çetat luftarake, autorja krijon një portret feminist të fuqishëm. Në një kohë kur roli i grave në shoqëri ishte kryesisht i kufizuar, veprimet e Eileen-it sfidojnë këto norma duke e vendosur atë në një pozicion aktiv në luftën për liri. Ky akt i saj shërben si një thirrje për fuqizimin e grave, duke treguar se ato mund të jenë po aq të guximshme dhe të vendosura sa janë dhe burrat duke u përballur me sfidat më të mëdha: Me sfidën e luftës, me rrezikun për jetë, me kushtet tejet të vështira, me mallin e mendjen pezull, kishin kaluar dy muaj në mal (f. 163).

Figura e saj si një grua që nuk kufizohet vetëm në kujdesin dhe ndihmën, por edhe angazhohet në mënyrë aktive në luftën për liri, për lexuesit, bëhet një simbol i gjithëpranishëm i fuqishëm i rezistencës dhe i barazisë gjinore. Kjo, pra, shton një dimension të madhe feminist në roman, duke e bërë atë një manifest për fuqinë dhe guximin e grave në rrethana të jashtëzakonshme, atë të luftës. Lufta është njëra nga  rrethanat më të jashtëzakonshme, e cila shpalos natyrën më të mirë dhe më të keqe të njerëzimit, duke sjellë tragjedi të papërshkrueshme, por edhe akte të pashembullta guximi dhe sakrifice: -Babi kam ardhur të ndihmoj ushtarët e plagosur, a nuk është ky profesioni im? - thotë Eileen.

-E di bijë, por nuk jam aspak i lumtur që gjendesh mes një rreziku të tillë, - tha babai.

-Nëse ti je në rrezik, jam e duhet të jem edhe unë, por së bashku mund të mbrojmë njëri-tjetrin dhe të tjerët, apo jo babi?! - i tha Eileen me një buzëqeshje të lehtë sikur donte ta bindte babain që të pranonte qëndrimin e saj aty (f. 162).

Veprimet e Eileen-it janë të ngarkuara me një estetikë të lartë të sakrificës dhe heroizmit. Autorja ndërton një tension të fuqishëm emocional përmes rreziqeve që ajo përballet në male dhe përmes ndikimit që këto rreziqe kanë mbi jetën e saj personale dhe profesionale. Ky tension i jep rrëfimit një thellësi dramatike, duke e bërë lexuesin të përjetojë emocionet e ndërlikuara të frikës, shpresës dhe triumfit.

Figura e saj si një mjeke në fushëbetejë simbolizon triumfin e humanizmit dhe guximit mbi dhunën dhe padrejtësinë. Ky kontrast midis kujdesit shëndetësor dhe luftës, krijon një element të fuqishëm artistik, ku veprimet e saj ngrihen në nivelin e një akti poetik të përkushtimit dhe të dhembshurisë.

Eileen, në këtë roman, nuk është thjesht një personazh i veçantë në një kontekst historik të mesjetës, por një simbol universal i idealizmit dhe i përkushtimit ndaj të mirës më të madhe që duhet të arrijë njeriu. Përmes saj, autorja transmeton mesazhe që kapërcejnë kohën dhe hapësirën: rëndësinë e humanizmit, fuqinë e individit për të ndikuar në shoqëri dhe domosdoshmërinë e sakrificës për lirinë nga secili njeri në secilin vend.

Figura e saj shërben si frymëzim për lexuesit, duke i ftuar ata të reflektojnë mbi rolin e tyre në shoqëri dhe mbi mundësinë e të qenit një forcë pozitive, përkundrejt rrethanave. Në këtë mënyrë, Eileen bëhet një ikonë e qëndresës, e humanizmit dhe e guximit, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në mendjet dhe zemrat e lexuesve, mbi të gjitha duke e pranuar këtë libër si një shëtitje nëpër kohë të mjegullta të së kaluarës. Përfundimisht, përmes veprimeve të saj, Eileen shfaqet si një personazh shumëdimensional që përfaqëson jo vetëm fuqinë e individit për të ndikuar në shoqëri, por edhe lidhjen e thellë midis humanizmit dhe idealit të lirisë. Ajo është një heroinë që, duke kombinuar profesionalizmin me patriotizmin, humanizmin me guximin, dhe sakrificën me shpresën, ngrihet mbi rrethanat e saj dhe bëhet një simbol i fuqisë njerëzore për të ndryshuar botën.

Mirëpo, rrjedhimisht shtrohet pyetja se, me gjithë këto karakteristika e cilësi, a do të mund të ishte kaq i ndjeshëm dhe i pëlqyeshëm ky roman sikur të mos ishte ndërtuar këtu lidhja e dashurisë mes Eileen-it dhe Crigut?! Pa dyshim që jo, assesi! Dashuria e tyre në këtë roman është forca që lëviz ngjarjet dhe personazhet paralelisht, një ndjenjë që i jep thellësi emocionale romanit, duke ndërthurur pasionin, sakrificën dhe ndërlidhjet njerëzore në një rrëfim që prek zemrat dhe zgjon reflektime universale.

Kjo dashuri mes Eileen-it dhe Crig-ut në romanin "Më mbaj dorën", është një histori që shfaqet si një poezi e skalitur brenda prozës së jetës, ku ndjenjat e dy të rinjve bëhen simbol i humanizmit, i sakrificës dhe i përjetësisë. Kjo dashuri nuk është vetëm një ndjenjë romantike mes dy individëve, por një metaforë e fuqishme e ndërlidhjes shpirtërore që kapërcen kufijtë e kohës, hapësirës dhe madje të vetë ekzistencës fizike.

Eileen-i dhe Crigu nuk janë thjesht dy të rinj të dashuruar, por mishërimi i një dashurie që kapërcen çdo kufizim material dhe bëhet një ideal i lartë. Çdo dialog mes tyre reflekton një përkushtim të ndërsjellë dhe një kujdes të jashtëzakonshëm për mirëqenien emocionale dhe fizike të njëri-tjetrit. Në momentet më të zakonshme të jetës, si mëngjeset e përbashkëta apo shëtitjet buzë detit, dashuria e tyre shfaqet si një akt i përhershëm dhe i thellë që shenjtëron gjithçka rreth tyre. Përmes kësaj, autorja na fton të reflektojmë mbi idenë se dashuria nuk është vetëm një ndjenjë, por një mënyrë jetese, një zgjedhje për të krijuar bukuri dhe harmoni edhe në kaosin e jetës.

Dashuria dhe përkushtimi, vihet re në propozimin e Crig-ut, i cili përbën një moment thelbësor në jetë që simbolizon thelbin e marrëdhënies së tyre; përkushtim i plotë dhe liri e pakufishme, një çudi edhe për lexuesin e sotëm: - Nëse bota propozojnë për martesë, shpesh martesa bëhet burg i ndjenjave dhe veprave të tyre. Unë nuk dua të të propozoj martesë të zakonshme, dua të të propozoj të jetosh me mua derisa zemra jote të më dojë, derisa rehatia e shpirtit tënd të jetë në prezencën e shpirtit tim, kur këto të mos jenë, ti ke lirinë e botës të duash këdo që t’i dhuron këto, e nëse nuk e gjen, jam këtu duke të të pritur sikurse sot! – tha. Refuzimi i tij për t'i propozuar një martesë tradicionale dhe zgjedhja e kurorës së argjendtë mbi kokën e Eileen-it tregojnë një dashuri që nuk njeh kufizime formale apo sociale: - Një simbol i dashurisë sime për ty. Nuk doja të jetë unazë, sepse është e rëndomtë, e ti nuk je e tillë, doja të ishte një rreth që qëndron në majën e krijimit tënd, në kokën tënde, të të bëjë ty atë që je, të dallueshme nga çdo vajzë tjetër, - tha Crigu (f. 183).  Ky akt simbolik shpreh idenë se dashuria e tyre nuk lidhet nga normat apo zakonet, por nga një ndërlidhje shpirtërore që mbështetet në respekt dhe liri.

Dashuria në përballje me tragjedinë është pjesa më prekëse e librit, sepse tragjedia që përmbyll historinë e tyre e ngre dashurinë e Eileen-it dhe Crig-ut në një nivel të përjetshëm. Përballja me luftën, plagët dhe humbjen e jetës në momentet e fundit, teksa mbajnë duart e njëri-tjetrit të bashkuara, i jep historisë një përmasë tragjike, por edhe sublime. Në ato çaste të fundit, dialogët e tyre janë një shpërthim i ndjenjave më të pastra, i japin kuptim përjetësisë dhe shpresës për një takim në ringjallje, në amshim. Dashuria e tyre bëhet sikur një fjalë e lënë pas (amanet), e cila mbetet e skalitur në përjetësi, duke ardhur kështu edhe në fund të romanit, në një mënyrë të tillë që lë një jehonë të thellë emocionale te lexuesi.

Simbiozën e dashurisë dhe të natyrës, autorja e ndërthur mjeshtërisht edhe me përshkrimin e peizazhit natyror, bashkë me ndjenjat e personazheve, duke bërë që deti, rëra, malet dhe qielli të bëhen dëshmitarë të dashurisë së tyre. Kjo lidhje organike e dashurisë së tyre me elementët e natyrës, i jep historisë një cilësi poetike dhe një ndjenjë përjetësie. Momentet kur valët e detit freskojnë këmbët e tyre, kur dielli ndriçon kurorën e argjendtë, apo kur qielli mbushet me yje gjatë netëve të tyre të kaluara së bashku, përforcojnë idenë se dashuria e tyre është një me gjithësinë, madje dhe e pandarë prej saj.

Eileen-i dhe Crigu vdesin në një mënyrë, e cila nuk e shkatërron dashurinë e tyre, por e ngrit atë në një simbol të pavdekshëm të ndërlidhjes shpirtërore. Vdekja e tyre, me duart e bashkuara dhe ëndrrat e parealizuara, është një pasqyrim i dhimbshëm, por edhe triumfues i një dashurie që sfidon përkohësinë e jetës. Përmes kësaj tragjedie, autorja na kujton se dashuria e vërtetë nuk mbaron me fundin e trupit fizik, por vazhdon të jetojë në kujtimet dhe shpirtrat e atyre që mbeten pas, për ta përkujtuar.

Dashuria e Eileen-it dhe Crig-ut, vjen përmes librit sot edhe si një thirrje për të çmuar momentet e thjeshta në jetë dhe për të gjetur lumturi në praninë e njëri-tjetrit te secili çift. Më pas, sakrifica e tyre, në emër të lirisë dhe përkushtimit ndaj njëri-tjetrit, e ngre historinë e tyre mbi një nivel personal dhe e bën atë një pasqyrim të idealeve universale të dashurisë, të humanizmit dhe të guximit.

Shprehur hapur, dashuria mes Eileen-it dhe Crig-ut në romanin "Më mbaj dorën" është një rrëfim që përshkon kufijtë e zakonshëm dhe bëhet një himn i ndjenjave të pastra dhe të përjetshme. Përmes momenteve të tyre të lumtura, sakrificës dhe tragjedisë së fundit, autorja sjell një histori që nuk është vetëm për dy të dashuruar, por për vetë kuptimin e dashurisë si një fuqi transformuese, që sfidon kohën, hapësirën dhe vdekjen. Në këtë mënyrë, dashuria e tyre bëhet një frymëzim për lexuesit që të besojnë në fuqinë e ndjenjave të vërteta dhe të ndjekin idealet e tyre me guxim dhe përkushtim.

Kureshtja për të ditur se çfarë e ka frymëzuar autoren të shkruajë një libër të tillë

Shpeshherë, përgjatë leximit të këtij libri, ndër të tjera, nuk më shqitej edhe  pyetja se, përse një e re sot në Kosovë ka zgjedhur të shkruajë një roman me një temë të tillë, të vendosur në Skocinë e mesjetës?! Është një pyetje që personalisht më ka ngjallur kureshtje dhe mbase në të ardhmen do të hapte  mundësinë për reflektim të thellë mbi motivet e autores dhe kontekstin e saj?! Hamendshëm personalisht po jap pak përgjigje, ndoshta nuk mund të jenë të duhurat, por vetëm nga këndvështrimi i lexueses, të përkufizuara e të përshkruara me veçori dalluese dhe afruese njëkohësisht.

E para, ndoshta mund të jetë kërkimi për gjithëpërfshirje, përbashkësinë (universalitet), përtej lokalitetit. Një autore e re në Kosovë, si A. Curri, mund të jetë shtyrë nga dëshira për të tejkaluar kufijtë e kontekstit të saj lokal, për të eksploruar tema universale që lidhen me dashurinë, sakrificën, humanizmin dhe idealet e lirisë. Vendosja e historisë në një kohë dhe vend të largët, si Skocia e mesjetës, i jep romanit një ndjenjë të pakufishme dhe e bën të qasshme për një audiencë më të gjerë. Duke zgjedhur një epokë dhe një vend që nuk lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, autorja krijon hapësirë për t’u fokusuar te thelbi njerëzor i historisë, duke e bërë atë të çmuar për këdo sot e mot.

E dyta, mund të jetë ndikimi i historisë së Kosovës dhe përvoja e brezit të saj. Megjithëse romani është vendosur në Skocinë e mesjetës, temat e tij, si lufta për liri, sakrifica, dashuria dhe humbja, tingëllojnë e jehojnë  fuqishëm me përvojat historike të Kosovës dhe të brezit të autores. Si pjesë e një gjenerate që ka dëgjuar ose përjetuar pasojat e luftës (është fjala për Luftën e Fundit në Kosovë 1998-1999), autorja mund të jetë shtyrë të eksplorojë këto tema përmes një objektivi të ndryshëm, duke zgjedhur një sfond të largët për të trajtuar të njëjtat ndjenja universale që ndërlidhen me historinë dhe përvojën e popullit të saj. Kështu që, Skocia e mesjetës, me konfliktet e saj të brendshme dhe të jashtme, i ngjan në mënyrë simbolike Kosovës së trazuar historikisht, duke krijuar një analogji mes dy vendeve, por jo të njëkohshme. Në këtë mënyrë, autorja mund të ketë përdorur këtë kohë dhe vend si një metaforë për të shprehur vuajtjet, shpresat dhe dashuritë që i janë ngulitur në zemrën e saj nga historia e popullit të saj.

Në vijimësi, autorja mund të jetë frymëzuar nga ideja e dashurisë dhe luftës si dy forca të pandashme dhe të përbotshme. Zgjedhja për të eksploruar këto tema në një kohë dhe vend të largët mund të jetë një përpjekje për t’i dhënë një dimension më të gjerë dhe për t’i çliruar këto ndjenja nga kufijtë e një konteksti specifik historik ose gjeografik. Skocia e mesjetës, me sfidat dhe tensionet e saj, ofron një sfond të pasur për të eksploruar idenë e dashurisë, e cila triumfon mbi pengesat dhe sakrificat, duke i dhënë kuptim ekzistencës.

Në rrjedhën e mëtejme, si një e re në Kosovë, A. Curri me siguri ka qenë e frymëzuar prej literaturës ndërkombëtare, ku temat mesjetare dhe dashuritë epike kanë pasur një vend të rëndësishëm në shijet e leximit të saj. Romanet klasike që eksplorojnë heronj dhe heroinat që përballen me rrethana të jashtëzakonshme, mbase mund të kenë ndikuar në stilin formues dhe tematikën e saj përcaktuese. Dëshira për të krijuar një histori që ngjan me ato që kanë lënë gjurmë në literaturën botërore, mund të ketë qenë një motiv shtytës.

Më pastaj, temat e lirisë, luftës, guximit e të sakrificës, janë të pandashme sot nga historia dhe kultura kosovare edhe pse Lufta ka njëzet e pesë vjet që ka mbaruar. Mirëpo për një autore të re që jeton në një periudhë të pasluftës, këto tema mund të jenë një ftesë për mosharrim dhe eksplorim për lirinë sot. Vendosja e këtyre temave në një kohë të largët, mund të jetë mënyra e saj për të treguar se betejat për dashuri dhe liri janë mbarëbotërore dhe të përjetshme, duke shprehur një optimizëm se këto vlera mund të triumfojnë gjithmonë, pa marrë parasysh kohët.

Një arsye tjetër mund të jetë dëshira e autores (pasi që është romani i saj i parë) për të krijuar një histori, për të lënë gjurmë emocionale dhe për të prekur lexuesit, në një mënyrë a një tjetër që kapërcen kohën nga e sotmja dhe hapësirën nga e këtushmja.  Duke vendosur një histori dashurie dhe sakrifice në një kontekst mesjetar, ajo mund të jetë përpjekur të sjellë një ndjesi romantizmi dhe tragjizmi bashkë, e cila u reziston kufijve dhe kohës, duke krijuar një roman që frymëzon dhe emocionon njëkohësisht.

Zgjedhja e një teme dhe kohe të tillë nga A. Curri është një akt që pasqyron guximin dhe ambicien e saj si autore e re. Ajo kërkon të flasë për tema universale si dashuria, liria dhe sakrifica, duke e vendosur historinë në një kontekst të largët për të theksuar përjetësinë dhe rëndësinë e këtyre vlerave. Në njëfarë mënyre, ky roman është një thirrje për të reflektuar mbi atë çfarë na bën më njerëzorë dhe mbi fuqinë e dashurisë për të kapërcyer çdo pengesë, një thirrje që mund të jetë frymëzuar nga jeta dhe rrethanat e saj në Kosovën e sotme.

Në pikën finale të librit, kur arrin përfundimin e rrugëtimit të tij, do të shohë lexuesi që  "Më mbaj dorën" është më shumë se një roman; është një rrëfim që flet për ndërlidhjen njerëzore përmes dashurisë, sakrificës dhe shpresës. Eileen dhe Crig, me historinë e tyre tragjike, por edhe frymëzuese, tregojnë për lexuesit, se dashuria nuk është vetëm një ndjenjë, por ajo është një forcë që lëviz botën, sfidon kohën dhe triumfon mbi vdekjen. Përmes çdo faqeje të këtij romani, ndjejmë se njerëzimi gjen forcën e tij më të madhe në përkushtimin ndaj tjetrit, duke guxuar dhe duke ndjerë për të dashuruar deri në fund, pavarësisht dhimbjes dhe rrethanave. Romanin e përmbyll shpresa e heshtur, por e fuqishme, se dashuritë e mëdha nuk mbarojnë kurrë, ato vazhdojnë të jetojnë, në kujtesë, në shpirt dhe në përjetësi. Në përmbyllje, ky libër me titull "Më mbaj dorën" përçon idenë a domethënien e qartë se, të jetosh me dashurinë, është sikur të mbash në duart e tua përjetësinë!

Prishtinë,

Janar 2025

 

78 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page