top of page

Luan Çipi: Dr. Maksut Drasa, gjeniu i kirurgjisë shqiptare


Një emër që e nderon kirurgjinë shqiptare dhe meriton të kujtohet me respekt të veçantë është dr.Maksut Drasa. Maksut Drasa lindi në 10 marsin e 1920-s në Arapsun të Turqisë. I ati i tij, Avniu, me origjinë  nga Gjirokastra, jurist i dëgjuar, kishte mbaruar universitetin në Stamboll me medalje e që më pas do të ishte Kryetar Gjykate në Prefekturën e Tiranës dhe të Durrësit, u martua së dyti, me një vajzë armene, Iskui, ortodokse dhe lindi Maksutin. Prindërit vdiqën shpejt dhe e lanë të vogël, e rriti gjyshja e tij.

Dr. Maksuti, shkollën fillore e kreu në jetimoren e Tiranës, vazhdoi shkollën e mesme teknike “Harry Fultz” për një vit dhe pastaj me sugjerimin e profesor Turdiut (mësuesi i matematikës), i cili i tha Xhemil Drasës vëlla nga baba, (në atë kohë ishte shofer i princeshave) se do ishte më mirë që Maksuti, meqenëse ishte nxënës i shkëlqyer, bazuar në aftësitë që kishte shfaqur, të fillonte në vitin e 2-të në gjimnazin e Tiranës, për të marrë një kulturë më të gjerë, të përshtatshme për të. Maksut Drasa, i talentuar në disa drejtime, fitoi konkurset për aktor që në moshën 9-vjeçare (publikuar gazeta “ORA”, 1929) dhe më pas fitoi një tjetër konkurs në pikturë. Nëna Mbretëreshë ndërhyri sërish dhe i aprovuan bursën për studime të larta në Fakultetim Juridik Itali. Maksuti përfundimisht, shkoi për sudime në Mjekësi, me insistimin e kushëririt të tij, Nuri Drasa (shok klase në Gjimnazin e Gjirokastrës me Enver Hoxhën), i cili aso kohe ishte tregtar dhe administronte një farmaci në Vlorë. Ai e këshilloi për mjekësi, pasi atdheu kishte shumë nevojë për mjekë. Kështu, pas përfundimit të gjimnazit me rezultate të shkëlqyera, ai nisi studimet për mjekësi në Universitetin e Bolonjës, Itali, ku arriti të merrte notën më të lartë, 30/30, njëkohsisht me vlerësimet sipërore nga profesorët italianë. Emri i tij është në listën e studentëve më të mirë të Universitetit të Bolonjës.



Për shkak të ngjarjeve të luftës, Maksut Drasa, u detyrua të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në Shqipëri, qysh gjatë luftës, në vitin 1942. Është për t’u përmëndur fakti që në kthim nga Italia, mori me vete një shaptilograf, të blerë me kursimet e tij, të cilin ja kishte porositur për nevoja të luftës ilegale, shoku i tij i gjimnazit, komunisti Qemal Stafa. Maksut Drasa nuk u kthye më të studjonte në Itali, po ngeli në atdhe, sepse lufta u zgjerua dhe nisën bombardimet nga Anglezët në Detin Adriatik.

Maksut Drasa ndërpreu studimet në Itali, por nisi një tjetër shkollë me vlerë, atë të eksperimentimit dhe praktikës, përkrah kirurgut të madh shqiptar të kohës, Frederik Shirokës, i cili me kënaqësi e afronte dhe e ndihmonte Maksut Drasën, duke e quajtur atë “si të vetmin kirurg që mund të më zëvendësojë mua”. Duke punuar në Spitalin Civil të Tiranës, përkrah tij, Maksuti hodhi themelet e shëndosha të së ardhmes së tij prej kirurgu të spikatur.

Pas çlirimit te Atdheut, fitoi një bursë bullgare, për të përfunduar studimet në mjekësi. Ai, në vitet 1948-1950, u dërgua në Bullgari, ku dhe atje, doli me rezultate të shkëlqyera dhe brënda gati afro dy vjetësh, likuidoi në gjuhën frënge, të gjitha detyrimet e prapambetura nga ndërprerja e studimeve në Bolonjë, si dhe dha ato detyra suplementare të kurseve të fundit, me notën më të lartë, aq sa, siç thonë bashkëkohësit, i mrekulloi të gjithë profesorët bullgarë të Mjekësisë.

Në Sofje, gjatë periudhës së studimeve, gjithashtu me rezultate të shkëlqyera, mbrojti titullin Doktor i Shkencave Mjekësore.

Nga Bullgaria u kthye si rrallë kush, një mjek i formuar dhe me gradë shkencore. Profesorët e Universitetit të Mjeksisë në Bullgari e mbanin pranë, si një nga studentët më të mirë. Shokët më të ngushtë, me të cilët mbaroi studimet në Bullgari, kanë qenë mjekët e shquar dr. Baftiar Xhindi dhe dr. Dhimitër Shyti, që arritën të drejtonin përkatësisht spitalin e Shkodrës dhe Vlorës.

Me kthimin në atdhe, Maksuti emërohet shef i Kirurgjisë dhe Obsteri- Gjinekologjisë, në Spitalin e Beratit. Kjo ndodhi edhe pse në Berat punonte kirurgu i shquar italian, De Markis, i cili më vonë, u lejua nga qeveria shqiptare për t’u kthyer në Itali. Kirurgu Italian me përvojë e aftësi, ishte trupmadh, me mustaqe dhe ky ishte shëmbulli pse dr. Maksut Drasa, ende i ri (30 vjeç), la mustaqe, që të dukej më burrë dhe më prezentabël.

Nga sukseset e mëdha që pati në fushën e kirurgjisë, Spitali i Beratit u aprovua si Shkollë për specializantët e rinj në kirurgji dhe këtu përmendim nxënësin e tij të talentuar, prof. Dr. Panajot Boga, i cili pati fatin të jetë nxënësi i tij i parë dhe ky nuk lodhet së treguari mrekullitë e Dr. Maksutit, të cilat i ka ndeshur shumë herë, gjatë kohës së qëndrimit të tij në Berat.

Prof. Boga përmend shpesh një nga porositë që dr. Maksuti ia përsëriste gjithmonë: “Materialin përkatës, që ke lexuar qoftë 1000 herë, do bësh mirë ta lexosh edhe një herë para operacionit, se mund të gjesh ndonjë presje, që të ka kaluar pa e parë”. Dr.Maksuti e bëri Beratin një qytet me emër, në fushën e kirurgjisë, ku vinin pacientë nga e gjithë Shqipëria, çka nuk ka ndodhur e nuk po ndodh në asnjë qytet tjetër.

Për emrin e madh që krijoi në fushën e kirurgjisë, në vitin 1970, Maksut Drasa u emërua Kryekirurg në Spitalin Ushtarak të Tiranës (1970-1982), ku talenti i tij si kirurg i shkëlqyer, shpërtheu më tepër se kurrë. Ardhja e Dr. Maksut Drasës në Spitalin Ushtarak, u konsiderua si një eveniment i rëndësishëm për kohën dhe një nder për të gjithë personelin mjekësor të këtij spitali.



Profesionalizmi sipëror i Dr.Maksut Drasës kudo ku punoi shkëlqen në dhjetra raste:

Në vitin 1953 aplikoi për herë të parë në Shqipëri: Ndërrimi i gjakut te një fëmijë i sapolindur (vajzë), me rezus pozitiv, ndërsa nëna me rezus negative, me probleme imunitare dhe kësaj vajze ia vuri vetë emrin: Rezarta.

Për herë të parë guxoi të operojë një të sëmurë me perikardit adeziv, duke i hequr cipën që mbështjell zemrën. Në operacion asistoi për të kontrolluar zemrën, edhe kardiologu i njohur, prof. Pandeli Cina. Për këtë ndërhyrje të rëndësishme u xhirua një dokumentar (nga e nderuara Xhanfise Keko), i cili u shfaq në të gjitha kinematë e vendit për disa muaj me radhë.

Dr Maksuti vazhdoi i suksesëshëm me operacionin e heqjes së prostatës (teknika MILLN), pa hapur barkun, por nëpërmjet perineumit (zona midis scrotumit dhe anusit); bëri implantimin e ovareve; kreu modifikimin e operacionit për heqjen e Hydroceles (testikuli me ujë); realizoi ndërhyrje kirurgjikale në të sëmurët me Endoarterit Obliterant të  arterieve iliake, ilio femorale (ngushtim i arterieve në gjymtyrët e poshtme); vuri në praktikë për herë të parë vagotominë selektive dhe trukale te të sëmurët që operoheshin nga ulcera duodenale, etj.

Dr.Maksut Drasa ishte i pari, që aplikoi në Shqipëri anestezinë peridurale (pacienti qëndron me koshiencë gjatë operacionit). Vetëm në Berat operoi mbi 7000 pacientë me këtë anestezi PERIDURALE.

Në këtë mënyrë hoqi përdorimin e Eterit (narkozë generale), jo vetëm te femrat që lindin me operacion, por edhe në të gjitha llojet e ndërhyrjeve që bëheshin nga mesi e poshtë, gjinekologji, urologji për adenome prostate, të gjitha llojet e frakturave në gjymtyrët e poshtëm, etj. Këtë mënyrë efikase veprimi e përdori gjerësisht e kur erdhi në Tiranë, në Spitalin Ushtarak, e përhapi në të gjithë Shqipërinë duke përgatitur fillimisht anestezistët e Spitalit Ushtarak e më pas u hapën kurse për të gjithë anestezistët e Shqipërisë.

Gjithashtu dr. Maksuti për herë të parë në Shqipëri, realizoi operacionin Verthaim (Hysterektomia Radicalis cum lymphadectomia regionale), në një grua me kancer të qafës së mitrës. (Ky operacion masivisht ka filluar të bëhet në Tiranë në Spitalin Obstetri- Gjinekologjik, pas vitit 2000).

Për herë të parë ai futi në gjinekologji, operacionin me incision supracervikal kur ende në Maternitetin e Tiranës bëheshin operacione korporale (pritej mitra së gjati) kurse dr. Maksuti e hapte transversalisht pak, në qafën e mitrës (Sexio Cezarea inferior) për të minimizuar hemorragjinë.

Ka bërë për herë të parë Serklazhin (lidhja e qafës së mitrës) që gratë të mos bënin abort spontan.

Ishte i pari që mori përsipër operacionin në zorrën e trashë me problem të ndërlikuara.

Për herë të parë aplikoi vaginë artificiale, duke i mundësuar çiftit të kryenin normalisht aktin seksual. Këtë vaginë e bëri në fillim me pjesë të zorrës së trashë dhe më pas me pjesë të zorrës së hollë. Mjeshtër në operimin e fistulave anale si dhe hemorroideve.

Në 1971, dr. Maksuti, së bashku me një grup kirurgësh ushtarak, u dërgua në Kinë për specializim për kirurgjinë e ezofagut dhe vazave të gjakut. Atje përvetësoi metodat e reja në fushën e kirurgjisë që po aplikoheshin me sukses në spitalet e mëdha të Pekinit dhe Shangait. Në fillim e trajtuan si të gjithë koleget, por kur e panë se ishte një talent në kirurgji që bënte operacione dhe i befasoi profesorët kinezë i dhanë trajtim të veçantë. Profesorët kinezë arritën të thonë: “Dr.Maksuti qenka talent, që ka ardhur të na mësojë ne e jo ne atë”.

Dr. Maksut Drasa pa dyshim që ka zënë një vend nderi në panteonin e kirurgjisë shqiptare dhe botërore si dhe është futur në Enciklopedinë Amerikane si një nga Gjenitë e shekullit 20-të. Dr.Maksuti, më se gjysmë shekulli, shkriu gjithçka për gjënë më të shtrenjtë që ka krijuar Zoti: Jetën Njerëzore.

Gjatë gjithë jetës së tij, dr.Maksut Drasa ka kryer rreth 250.000 ndërhyrje.

Një vit para se të ndahej nga jeta në vitin 2005, Këshilli Bashkiak i Beratit i akordoi mjekut të shquar titullin e lartë “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për profesionalizëm të lartë, përkushtim human, hulumtime e punime të vlerësuara dhe kontribute të shquara organizative, mjek kirurg me emër, duar të arta në shërbim të komunitetit e më gjere”.

Banorët e Beratit e pritën me gëzim këtë vlerësim, pasi ky mjek i nderuar u shërbeu me aq përkushtim e dashuri për më se 20 vjet gjyshërve, prindërve, vëllezërve dhe motrave të tyre. Do ishte nder për ta që dhe spitali i qytetit të mbante emrin e mjekut të nderuar “Maksut Drasa”.

Po kështu, mjekët e Spitalit Ushtarak në Tiranë, të vjetër dhe të rinj, besoj se do të nderoheshin në qoftë se instancat përkatëse do t’i vinin emrin e tij: Bllokut Operator (Urgjencës) të Qendrës Kombëtare të Traumës “MAKSUT DRASA”, të cilën ai vetë e projektoi dhe krijoi dhe e vuri në funksion të plotë, me sukses.

Të huajt që kanë ardhur dhe vizituar këtë qendër në vitet e fundit janë habitur se si një shqiptar të kishte vizion kaq largpamës në vitet 70 –të, për projektimin e një blloku operator të tillë kaq mirëfunksional, që siç u shpreh i ardhuri nga Austria: “Në Vjenë, akoma nuk ka një bllok të tillë operator”.

Doktor Maksut Drasa i meriton këto nderime sepse ai arriti të gjitha dimensionet që mbarte fjala e bukur - MJEK. Ai mund të quhet me të drejtë “Kirurgu me duar të arta”.

Pavli Shkarpa, kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, thekson: “Dr. Maksut Drasa duhet të konsiderohet monument për trashëgiminë kulturore të qytetit të Beratit dhe me këtë status duhet që emri i tij të mbrohet nga shteti”. Do të ishte nder për spitalin e Beratit të mbante emrin e dr. Maksut Drasa. Dr. Maksuti ishte në pararojën e mjekësisë shqiptare që mori përsipër operacionet në zorrën e trashë me probleme të ndërlikuara që vinin deri nga Tirana, teknik operacioni që nuk përdorej te ne, (por e njohur jashtë): “Dr. Maksuti ishte pionier i aplikimit të saj në Shqipëri.

Gjithashtu, ai e hiqte prostatën pa hapur zgavrën e barkut. “Te dr. Maksuti vinte gjithë Shqipëria, njerëz nga të gjitha shtresat”, kujton nxënësi i tij, Panajot Boga. Ai botoi artikuj shkencorë në shtypin mjekësor të kohës, mbante referate me nivel të lartë shkencor në takime e simpoziume, ndërsa në vitin 1984 botoi librin “Teknika të Operacioneve Kirurgjikale”. Ai lexonte literaturë amerikane dhe perëndimore europiane. Gjithashtu, ai gjeti në Berat një terren ku kishte punuar një kirurg italian, por dr. Maksuti e çoi më përpara kirurgjinë. “Ai botonte artikuj në revistat ndërkombëtare dhe gjithashtu ka shkruar libër për problemin e anestezisë peridurale dhe këto ishin edhe për mjekët shqiptarë apo të huaj. Në një vend të vogël si i yni, me mundësi të kufizuara, mjafton të përdorësh në praktikë të rejat e mjekësisë botërore dhe kjo është një gjë e madhe”, thotë profesr Boga.

Kontakti im me profesor Maksutin nuk mbaroi në ato dy vjet, kur unë qëndrova në Berat. Tashmë ne ishim miq, ai më konsideronte si shok, por unë e kisha gjithnjë mësues. Unë jam vetëm njëri prej shumë kirurgëve të tjerë që kanë mësuar prej doktor Maksutit”, përfundon rrëfimin kirurgu i kockave, prof. Boga.

Pas daljes në pension viti 1982, dr. Maksuti vazhdoi të punojë rregullisht në Spitalin Ushtarak meqenëse ishte shumë i nevojshëm, duke bërë konsultat kryesore dhe operacionet kirurgjikale të vështira. Kjo vazhdoi deri në vitin 1992 ku për shkak të moshës nuk mundi të shkonte dotë rregullisht, derisa ndëroi jetë në Tiranë, më 2 Korrik 2006.

Në shkurt 2018, Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare i ka bërë kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes që Institutit Kombëtar të Traumës, ish-Spitalit Ushtarak, t’i vihet emri “MAKSUT DRASA”.

Vlerësimet për gjenialitetin e dr. Maksut Drasës janë të shumta:

“Doktor Maksut Drasa ishte një mjek i jashtëzakonshëm!”. “Eh, doktor Maksuti!, - shprehej shpesh Veli Toto, një tjetër kirurg i famshëm dhe ish-drejtor për shumë vite i Spitalit Ushtarak. Ai ishte një kirurg i rrallë dhe më dhemb shpirti që mjek si ai të mbeten të harruar…”

Kirurgu i njohur Zino Matathia, i cili ka vite që jeton në Izrael, duke folur për vitet kur punonte në Berat kujton: “Në Berat kam punuar 14 vite si kirurgë dhe ka qënë një periudhë e rëndësishme e jetës sime. Ishin vite pune të lodhshme, por që më jepnin një kënaqësi të madhe. Kolektivi ishte i mrekullueshëm, human dhe profesionist si mjekët: Lluka Muço, Maksut Drasa, Hysen Picari, Afrim Çeço, Pandeli Çina, Ymer Deshnica, Adnan Këlliçi…Dua të theksoj, se kur u emërova në Berat e dija se do të kisha shef Dr. Maksut Drasën, një mjek i zoti për të cilin më kishte folur Dr. Panajot Boga. Dr. Drasa ishte një kirurg i saktë dhe studioz, i cili ishte i pari në Shqipëri që kreu ndërhyrje të reja kirurgjikale. Kishte njohuri të gjera në kirurgjinë e përgjithshme, urologji dhe në kirurgjinë plastike dhe në spitalin e Beratit vinin pacientë nga të gjitha rrethet që i besonin trajtimin Dr. Maksutit”.“Në mbi 40 vitet e jetës sime si mjek dhe kirurg ushtarak, - tregonte Kandidati Shkencave, mjeku Polizoi Shqina, emëri i Dr. Maksut Drasës, mbetet i veçantë dhe i paharruar. Ndërmjet kujtimeve të shumta po japë këtë episod: Në spitalin e vogël të Skraparit, ku isha caktuar si mjek i ri, kisha planizuar të kryeja një operacion stomaku. Pacienti ishte i ri në moshë dhe në gjëndje të rëndë. Ka qënë fillimi i viteve ‘60-të dhe udhëtimi për në Tiranë ishte i vështirë. Si mjek i ri që isha ndjeja nevojën e një konsulence të domosdoshme. I telefonova Dr. Maksutit dhe iu luta që të vinte të më ndihmonte në këtë operacion të vështirë për mua. Ai atëherë punonte në Berat dhe kishte krijuar goxha emër. Më premtoi se do të vinte, por për fat të keq, atë ditë ai ishte bllokuar nga një dhimbje e fortë artriti. Megjithkëtë, në Çorovodë mbërriti në kohën e duhur. Atëhere mjekëve me emër u lejoheshin makinat private. Një të tillë kishte edhe doktor Maksuti. Për ters, sa zbriti nga makina dhimbjet iu shtuan. U ul në shakallët e spitalit, pushoi disa minuta dhe pastaj shkuam drejt e në sallën e operacionit. Operacioni zgjati 3 orë dhe përfundoi me sukses. Mjeshtri jo vetëm që i rezistoi dhimbjeve të tij, por, mbaj mend se kur doli jashtë iu drejtua të pranishmëve që prisnin: “Djali juaj më shëroi dhe mua!“.

Më pas pata fatin që me Dr. Maksutin të punoja në Spitalin Ushtarak, ku ai ishte një nga kirurgët më të dëgjuar të vendit, novator dhe me aftësi profesionale për ta pasur zili“...

Ata që e kanë njohur nga afër Dr. Maksut Drasë dhe që tregojnë me dashuri për pasionin e madh që kishte për profesionin e tij, janë të shumtë. Por unë kam pasur fatin të bisedoj me njeriun më të afrët të tij, që ruante me dashuri gjithçka nga “thesari” që ai kishte lënë. Kjo ishte shoqja e jetës së tij, Liria, e cila edhe ajo ka disa vjet që është larguar nga kjo jetë.  Midis shumë rasteve të kujdesit të tij për jetën e njerëzve që më ka treguar Liria, më ka mbetur në kujtesë një rast i veçantë: “Ishim me pushime në Vlorë, tregonte ajo. Në kabinën tonë të vogël, aty buzë detit, vjen një grua, Athina e quanin dhe na qan hallin. Kishte kaluar 13 aborte dhe nuk arrinte të gëzohej me një fëmijë. Kjo gjë i kishte acaruar shumë marrëdhëniet me burrin dhe ishin në prag të një drame familjare. E futa brenda dhe Maksuti i vizitoi me kujdes. “Kur të jeshë dy muajshe me barrë, eja në Berat”, - i tha Maksuti. Ashtu ndodhi. Pas disa kohësh gruaja erdhi në shtëpinë tonë. Ishte shtatëzënë në muajin e dytë. Maksuti e trajtoi sërish me shumë kujdes. E porositi që pas shtatë muajve të vinte prapë në Berat. Gruaja erdhi sërish, ashtu siç e porositi Maksuti. Ishte shumë e trembur. “Të lutem, doktor, gati i përgjërohej tim shoqi, më bëj derman ta mbaj këtë fëmijë! Ky do të jetë jeta ime”. “Bëhu e fortë dhe ki besim te vetja, i tha Maksuti, do të mbajmë këtu”. E shtroi në Shtëpinë e Lindjes të Beratit dhe e trajtoi në regjim shtrati deri në muajin e nëntë.

Në atë kohë nuk kishte ekograf dhe shumë apartura të tjera. Maksuti ishte në ankth, sepse aplikoi për herë të parë në Shqiperi teknikën e qepjes së qafes se mitrës (sërklaxhit). Ka qënë ora 4 e mëngjesit, kur ai erdhi në shtëpi. Ishte i lodhur, por dhe i lumturuar. “Athinaja lindi djalë”, - më tha dhe më përqafoi sikur të kisha lindur unë…

Bashkëshortët Drasa nuk jetojnë më, por jeta e tyre vazhdon gjurmëlënëse, përmes dy fëmijëve të suksesëshëm, që ata kanë lënë. Vajza, ka studjuar për inxhinieri mekanike dhe jeton në Paris me familjen e saj, ndërsa djali, Kim Drasa, vazhdon rrugën e babait të tij. Ai është kirurg, me gradë shkencore, i specializuar në fushën e urologjisë dhe punon në Poliklinikën Qëndrore të kryeqytetit.

 

Ky jetëshkrim është përgatitur mbështetur në shkrimet në internet dhe kryesisht: Nga gazaeta Telegraf e Panorama, nga përshkrime familjare, nga shkrime të Evdal Njurit, Ahmet Velçanit, Vladimir Duraj, etj.

 

Nga Libri im: “ATDHETARË TË SHQUAR”

19 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page